Mashtrimi me naftën virxhin, në gjyq, Xhillari dhe ish-zyrtarët e doganave



karburantBiznesmeni Adrian Xhillari, tashmë i arratisur nga Shqipëria, ish-zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe disa zyrtarë të doganave, akuzohen nga prokuroria si pjesë e një skeme mashtrimi për shitjen e 4.4 milionë litrave naftë virxhin. Prokuroria thotë se ky produkt duhet të mbikëqyrej nga dogana gjatë transportit, por zyrtarët e pandehur nuk kanë zbatuar procedurat ligjore.

Prokuroria thotë se ka zbardhur skemën e mashtrimit me naftën virxhin, ku të përfshirë janë një biznesmen tashmë i arratisur dhe disa ish-zyrtarë të rëndësishëm të doganave. Vlera e dëmit financiar sipas prokurorisë është rreth 2 milionë euro, por dëmi më i madh i është shkaktuar mjedisit dhe automjeteve. Biznesmeni Adrian Xhillari, pronari i kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me ndihmën e ish-zëvendësdrejtoreshës së  Përgjithshme të Doganave, Lula Njebza dhe disa zyrtarëve të doganave, ka hedhur në treg sasinë prej 4.4 milionë litra naftë virxhin, e cila ishte blerë për t’u përpunuar. “Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim administratorin e kompanisë së naftës, ‘Tea Construction & Petrol’, ish-zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe disa punonjës dogane, të gjithë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare, me vlerë mbi 2 milionë euro, si edhe me një dëm të pallogaritshëm nga qarkullimi në treg i naftës së papërpunuar, si pasojë e veprimeve fiktive”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas prokurorisë, ish-zyrtarët e doganës konsiderohen përgjegjës për qarkullimin e rremë të dokumenteve mbi një sasi nafte virxhin prej 4.4 milionë litra në regjim doganor, e cila dyshohet se është shitur në treg pa paguar taksat dhe në kundërshtim me standardet e cilësisë. Organizatori i skemës, dyshohet se është biznesmeni Adrian Xhillari, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se është arratisur nga Shqipëria në qershor të vitit të shkuar, kur sapo prokuroria e Fierit kishte nisur hetimet për këtë rast. Nga hetimet, rezultoi se kompania Tea Oil, e cila përgjatë periudhës pas vitit 2013 shënoi një shumëfishim të xhiros së deklaruar dhjetëra miliona eurosh, kishte në pronësi një sasi nafte virxhin që qe shitur nga rafineria Armo që në vitin 2011. Në verën e vitit 2015, Xhillari pati bërë një kërkesë dhe Njebza e bashkëpunëtorët e saj në dogana kishin lejuar transportimin e kësaj sasie nafte nga disa rezervuarë në fshatin Mëzez të Tiranës, për në një rezervuar pranë rafinerisë së Ballshit. “Rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Nga hetimi, ka rezultuar se nga punonjësit e nivelit të lartë të administratës doganore kanë lejuar shtetasin Adrian Xhillari me cilësinë e administratorit dhe aksionerit të vetëm të shoqërisë Tea Construction & Petrol sh.a., të shmangë procedurat e mbikëqyrjes doganore, duke sjellë si pasojë fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve nga këto subjekte. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit akuzon Adrian Xhillarin, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë, për kryerjen e veprave penale të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. E akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, është dhe Lula Njebza, ish-zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, e hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”. Si të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, prokuroria kërkon dënimin për shpërdorim detyre dhe të Mirarbër Teneqexhiut, ish-kryetar i Degës Doganore, Alfred Bushit, doganier në Fier, Syrja Misirajt, doganier në Fier dhe të Adrian Alikaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar për këtë çështje, por ai dyshohet se përpara largimit nga Shqipëria ka marrë një shumë të konsiderueshme parash hua nga dy persona në qytetin e Durrësit.

Të pandehur:

  1. Adrian Xhillari, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
  2. Tea Construction & Petrol sh.a., akuzuar për kryerjen e veprave penale të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
  3. Lula Njebza, ish-zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim;
  4. Mirarbër Teneqexhiu, ish-kryetar i Degës Doganore, Tiranë, hetuar me masë sigurimi “detyrim paraqitje” e ndryshuar nga Gjykata e Lartë, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim;
  5. Alfred Bushi, doganier, Fier, hetuar me masë sigurimi “arresti në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”;
  6. Syrja Misiraj, doganier, Fier, hetuar fillimisht me masë sigurimi “arrest në burg”, e ndryshuar më pas në “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Lartë, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”;
  7. Adrian Alikaj, hetuar me masë sigurimi “arresti në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve”.
loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Tri motrat Lepenica: Rrëfimi i rrallë i burgimit

Tri motrat Lepenica, të burgosura e të internuara nga fashizmi dhe komunizmi....
Read More