Mashtroi qytetarët me legalizimin e banesave, prokuroria dërgon në gjyq “nën drejtorin” e ALUIZNI-t

prokuroria e pergjithshme

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq nën-drejtorin e rremë të ALUIZNI-t, 23-vjeçarin Artan Laçi. Ky i fundit prezantohej me postin e nëndrejtorit të këtij institucioni dhe në këmbim të shumave monetare i premtonte qytetarëve se do legalizonte shtëpitë apo edhe t’i kthente pronat. Laçi është kallëzuar nga katër shtetas të cilëve u ka marrë në total rreth 6.5 milion lekë të reja. Ishin pikërisht të mashtruarit që kanë denoncuar Laçin në polici. 23-vjeçari, i cili për shumë qytetarë të kryeqytetit njihej si zëvendësi i Artan Lames, drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimeve, u arrestua pak kohë më parë. Në sajë të hetimeve ka rezultuar se i riu nga Kavaja është denoncuar nga një grua, të cilës i ka vjedhur 5.8 milionë lekë të rinj, duke e mashtruar për legalizimin e një prone. Menjëherë pas kallëzimit që uniformat blu kanë marrë nga shtetasja me inicialet Sh. M., kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ka patur persona të tjerë që mund të jenë mashtruar nga 23-vjeçari. Gjatë marrjes në pyetje e dëmtuara ka shpjeguar para oficerëve të antikrimit ekonomik se 23-vjeçarin Laçi e ka njohur rastësisht më shumë se dy vite më parë, kur po dilte nga zyrat e Agjencisë së Legalizimeve. Ai i ishte afruar vetë për ta pyetur se çfarë problemi kishte, duke i ofruar ndihmë, pasi sipas tij ishte zv. drejtor dhe mund t’ia nxirrte shpejt lejen e legalizimit, pa e zvarritur për plotësimin e dosjes së nevojshme. Fillimisht i ka kërkuar të dhënat dhe më pas i ka dhënë numrin e telefonit që të mbante kontakte me të. Gruaja është shprehur në polici se përgjatë kësaj periudhe ka komunikuar vazhdimisht me të në telefon dhe me mesazhe, duke i dhënë para sa herë që ai i kërkonte. Ajo është shprehur se shumën prej 5.8 milionë lekësh të rinj nuk ia ka dhënë njëherësh, por përgjatë dy viteve. Në total, të gjitha këstet që ajo ka paguar tek Artan Laçi bëjnë shumën që ajo ka treguar në polici, duke dyshuar se ishin para që ai i ka marrë në formë ryshfeti për t’i nxjerrë lejen e legalizimit. Në fund të muajit shkurt të këtij viti kanë kallëzuar në polici edhe 3 persona të tjerë se kanë rënë pre e mashtrimeve të Laçit.

Hetimet

Policia e Tiranës në mars të këtij viti ka vënë në pranga 23-vjeçarin Artan Laçi, pasi nëpërmjet mashtrimit u ka marrë në total rreth 6.5 milionë lekë katër personave. Në sajë të hetimeve ka rezultuar se, shtetasi me inicialet L. S., ka kallëzuar se është njohur me të pandehurin Laçi i cili i është prezantuar si punonjës i ALUIZNI-t. Në të njëjtën kohë Laçi është kallëzuar penalisht edhe nga shtetasi me inicialet I. T; Xh. K., dhe L. S. Edhe këtyre shtetasve i riu nga Kavaja në të njëjtën mënyrë duke u paraqitur si nëndrejtor i ALUIZNI-t, duke nënshkruar formularë, u ka marrë përkatësisht, shtetasit I. T., shumën prej 3400 euro e 170.000 lekë, ndërsa shtetasit L. S., shumën prej 170.000 lekë. Po këtu në të njëjtën formë Laçi i ka marrë edhe 32000 lekë shtetasit Xh. K. Pas kësaj shtetasit e mësipërm kanë shkuar tek zyrat e ALUIZNI-t dhe aty kanë mësuar se i pandehuri Laçi as nuk kishte punuar ndonjëherë aty dhe as njihej prej tyre. Në këto rrethana ata kanë depozituar kallëzim penal ndaj tij për veprën penale të “Mashtrimit”. Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore në datë 20.03.2017 është kryer ndalimi i tij për veprën penale të “Mashtrimit”.

Shkruar Nga
More from Revista User

Feja dhe diplomacia: Përgjegjësia e feve për paqen

Do të jetë një raund i përzgjedhur: Të hënën (22.05) ministri i...
Read More