Matthaus kritikon ashpër Ozil: Luan pa shpirt, tërhiqu nga Kombëtarja

Mesut Ozil është bërë shënjestra e Lothar Matthaus, pasi ky i fundit, fitues i Kupës së Botës në vitin 1990, fajëson yllin e Arsenalit për “mungesë shpirti”.

29-vjeçari Ozil luajti për 90 minuta në humbjen tronditëse të Gjermanisë, 0-1 përballë Meksikës të dielën e kaluar, ndërsa ka qenë pjesë e ekipit gjatë triumfit në Botërorin e Brazilit, por tashmë përballet me shumë kritika mbi kontributin e tij te Kombëtarja gjermane, raporton TCH.

Duke shkruar në revistën e mirënjohur “Bild”, Matthaus shprehet se “një apo dy vitet e fundit Ozil ka qenë shumë herë më i dobët, madje në një nivel që nuk e justifikon besimin që i ka dhënë trajneri Low”.

“Ajo që më bën të zhgënjehem është gjuha negative e trupit që shfaq ai. Duket sikur e kanë marrë me zor në një ndeshje dhe nuk shfaq kënaqësi që luan”, thotë ish-mesfushori i Gjermanisë.

Matthaus e akuzon gjithashtu Ozilin se duket i parehatshëm me fanellën e “panzerave” dhe se i mungon shpirti i garës, apo pasioni që njerëzit presin nga një gjerman.

Ozil, i cili ka luajtur plot 91 ndeshje me Gjermaninë, është përfshirë së fundi në debate të ashpra, për shkak të fotos që ai dhe lojtari i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, bënë në krah të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Ai është i pandërgjegjshëm se çfarë pret populli gjerman nga një lojtar i kombëtares. Pas gabimit në foton me Erdoganin, ai duhej të zotohej ndaj Gjermanisë dhe të hapej me tifozët”, thotë më tej Matthaus, duke lënë të kuptohet se, sipas tij Ozil nuk e kupton sesa shumë irritim ka provokuar ajo foto.

Në fund, Matthaus pret nga Ozili që në fund të kësaj Kupe Bote të konsiderojë tërheqjen nga kombëtarja. Por ky nuk ishte i vetmi i shënjestruar nga ish-futbollisti gjerman. Matthaus ka kritikuar edhe lojtarë të tjerë titullarë si Sami Khedira dhe Thomas Muller, për të cilët thotë se nuk shfaqin aspak presing dhe vazhdimësi.

“Virtytet tona nuk janë shfaqur ende. Gjithnjë Gjermania është shquar për ekzistencë në fushën e lojës deri në fund, por s’e kemi parë ende sivjet”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qeveria e Kosovës miraton ‘demarkacionin’, Haradinaj: Shumë sfida para, por jemi në një rrugë të pakthyeshme

  Qeveria e Kosovës miratoi në 10-vjetorin e saj marrëveshjen e ndarjes...
Read More