Matura, kalendari i ri i aplikimeve për 4 grupime maturantësh

Nga data 15 deri në 22 shtator, një fazë e re aplikimesh do të hapet për maturantët. E drejta për t’u futur në sistemin e universiteteve u jepet gjatë kësaj periudhe, të gjithë maturantëve, të cilët kanë plotësuar formularin A1/A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, por që nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë.

Gjithashtu do të aplikojnë sipas kalendarit të shpallur nga Ministria e Arsimit, të rinjtë që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues. Mundësi në grafikun e aplikimeve do të kenë edhe maturantët që kanë aplikuar online, por që nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe ata që janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. “Shekulli” publikon kalendarin e aplikimeve për këtë raund, i cili do të bëhet me bazë qarku.

Në datën 15 shtator do të nisë me shkollat e Tiranës, për t’u mbyllur në datën 21 me qarqet e Elbasanit dhe Korçës. Udhëzimi Këtë javë Qendra e Shërbimeve Arsimore publikoi edhe librin e transparencës. Ky i fundit përmban të dhënat për të gjithë kandidatët, me rezultatet e provimeve dhe renditjen e degëve, e që në ditët në vijim do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit.

Sipas QSHA-së, në këtë libër detajohen të gjithë elementët, me të cilët maturantët garojnë për të fituar studimet e larta në një nga 10 preferencat e renditura gjatë plotësimit të formularit të aplikimit. Çdo kandidat gjen në këtë libër, të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, që kanë të bëjnë me “notën e përgjithshme mesatare të viteve të shkollimit të mesme, provimet e maturës, rezultatin e provimit të letërsisë, të provimit të matematikës, provimit të gjuhës së huaj, si dhe rezultatet e të dy provimeve të lëndëve me zgjedhje të detyruar”.

Gjithashtu, në këtë libër janë publikuar edhe 10 preferencat e përzgjedhura prej çdo maturanti që kërkon të fitojë studimet e larta gjatë këtij viti. “Libri i Transparencës përmban të dhënat e maturantëve të çdo shkolle të vendit. Libri Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë rezultuar kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe kanë aplikuar online me formularin e aplikimit në universitete. Nuk përfshihen në këtë libër rezultatesh kandidatët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve.

Secili kandidat maturant ka hapë- sirën e tij në librin e transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: “Numri rendor, numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të maturës, në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementeve vlerësuese të maturës. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në formularin e aplikimit për universitet. Preferencat përmbajnë kodin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit”, sqaron QSHA .

Ndërkohë, në librin e transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e kandidatit (emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja) me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Pas verifikimit të të dhënave të detajuara në këtë libër, secili kandidat që ka aplikuar për të fituar universitet mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij, sa i takon mesatares së llogaritur, notave të provimeve, apo renditjes së degëve ku do të vijojë universitetin. Në rast të konstatimit të këtyre pasaktësive duhet të kërkohet për rishikimin e tyre. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore të rretheve.

Formulari i korrigjimit

Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në librin e transparencës për maturantët e të gjitha rretheve. Kur konstatohen pasaktësi, maturanti duhet të paraqitet në shkollë, të marrë këtë formular dhe ta plotësojë. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e detajuara në libër. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë, komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë, ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshimin e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: “Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim).

Praktikisht këto të dhëna janë si në librin e transparencës. Ndërsa në seksionin tjetër “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull, nëse kërkohet ndryshim te emri, te rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime, si për shembull datëlindja edhe nota mesatare e shkollës së mesme.

Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan më tej: “Emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga kreu i drejtorisë së arsimit të rrethit përkatës ku ndodhet shkolla e mesme që maturanti ka kryer, i cili gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat si: mesatarja, D1, D2, D3, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të QSHA-së, me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i QSHA-së”, thuhet në udhëzimin e formularit të pasaktësive që i bashkëngjitet librit të transparencës./Shekulli/

Grafiku

Datë DAR/ZA
15.09.17 Tirana Qark
16.09.17 Tirana Qytet, Kamzë, Kavajë, Durrës, Krujë
17.09.17 Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat, Bulqizë
18.09.17 Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Skrapar
19.09.17 Shkodër, M.Madhe, Pukë, Lezhë, Laç, Mirditë
20.09.17 Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet
21.09.17 Elbasan, Peqin, Gramsh, Korçë, Kolonjë, Pogradec
22.09.17 Rezervë

Shkruar Nga
More from Revista User

Hidhet nga kati i katërt i pallatit, humb jetën 60-vjeçari

Një 60-vjeçar ka humbur jetën teksa është hedhur nga kati i katër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *