Maxhoranca “saboton” reformën në drejtësi

Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e PS projektvendimet për strukturat dhe pagat e institucioneve të vettingut. Nga 185 punonjës të kërkuar nga institucionet, Kuvendi ka miratuar vetëm 110. Sa u përket pagave, edhe ato kanë pësuar një tkurrje të ndjeshme në raport me atë që kishin propozuar vetë institucionet.

Ndonëse është paraqitur si çështja më e rëndësishme në këto dy vitet e fundit, suksesi i së cilës është lidhur direkt edhe me integrimin e vendit në BE, procesi i vettingut ende pa nisur ka marrë një goditje që ka lënë të zhgënjyer në radhë të parë ata që janë ngarkuar për ta realizuar atë. Mazhoranca socialiste në Komisionin e Ligjeve ka hedhur poshtë si të pajustifikuara kërkesat e tri institucioneve kyçe të vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioni i Pavarur i Apelit dhe komisionerët për staf dhe trajtim financiar. Me forcën e kartonëve të majtët në këtë komision kanë miratuar një strukturë të shkurtuar me 1/3 e asaj që ishte propozuar nga vetë institucionet dhe një pagë që shkon në afro 3 milionë lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë që opozita e re, PD-LSI kanë mbështetur kërkesat e institucioneve të vettingut, si në aspektin e strukturës mbështetëse ashtu edhe në aspektin financiar, pra paga dhe shpërblime. Madje përfaqësuesit e PD-së kanë propozuar edhe shtim të strukturës së këtyre institucioneve.

Debati

Pas disa ditë diskutimesh, Komisioni i Ligjeve ka konkluduar dje në diskutimin final të projektvendimeve për përcaktimin e strukturave organizative dhe klasifikimin e pagave të tri institucioneve të vettingut, KPK, KPA dhe komisionerët. Në mbledhje ishin thirrur për të dhënë vlerësimin e tyre final edhe vetë drejtuesit e këtyre institucioneve, të cilat ishin njohur paraprakisht edhe me propozimet e hartuara nga relatorja e çështjes. Ata kundërshtuan fort propozimet e paraqitura në relacionin përkatës, kjo pasi ai bënte një reduktim të ndjeshëm të stafit që ata kishin kërkuar për të realizuar misionin e tyre. “Kolegët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk janë dakord me këtë strukturë. Propozimet tona janë të propozuara në dosjet e anëtarëve të komisionit”, –tha Natasha Mulaj, kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila nuk ishte dakord me shkurtimet e organikës që i bëheshin strukturës së propozuar një javë më parë në komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut. Madje ajo deklaroi se me strukturën e propozuar nga relatorja rrezikonte të cenohej edhe funksionaliteti i institucionit. “Mos na u merrni me shoferë e magazinerë. Ne duam strukturë sipas ligjit që keni miratuar ju. E kemi reduktuar sa mundëm. Nuk duam luks. Po na e çuat në këtë nivel cenoni pavarësinë e kolegjit të apelimit. Mua më vjen çudi që diskutojmë këtë gjë. Populli i ka sytë te ne. Kemi 4 muaj që rrimë në një zyrë të kolegjit të apelimit. I kam kërkuar Gardës të na vendosë roje”, -tha Mulaj. Ndërkohë që Genta Tafa Bungo, duke theksuar pamjaftueshmërinë e kohës për një vendim formal mes 12 anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u shpreh e hapur për ndryshimet në strukturën e propozuar në draftin e parë, por me kusht që kërkesat e paraqitura prej saj të merreshin parasysh në hartimin e projekt-buxhetit të ri për vitin 2018. “Jemi shumë dashamirës dhe do të donim të fillonim menjëherë punën, si stad i parë i këtij procesi, duke mos dashur më shumë vonesa. Jemi zgjedhur në 17 qershor, ka kaluar edhe 17 shtatori e jemi të predispozuar të fillojmë menjëherë punën. Gjykojmë se nuk na cenohet ajo çfarë ne mendojmë se na ndihmon në procedurat tona reale. Në nëntor, kur të bëhet projektbuxheti ne gëzojmë të drejtën të rikthehemi në këtë komision”, -tha Bungo. Por, bashkë me numrin e punonjësve, socialistët nuk kanë pranuar as propozimin e tri institucioneve për një pagë shumë të lartë të njerëzve që do të bëjnë vettingun në Shqipëri. Të paktën për këtë vit ata do të paguhen me rreth 1/3-n e shumës që kishin propozuar, çka solli debat mes qeverisë dhe opozitës. “Nga një shikim që i bëmë projekt-strukturës së propozuar nga relatorja e këtij komisioni të nderuar, shikojmë që ka një shkurtim me 50% të personelit të kërkuar nga ana jonë, shikojmë një shkurtim të muskulit të këtij organi, që është njësia e shërbimit ligjor, nga 12 këshilltarë juristë dhe ekonomistë, kemi arritur në 6”, u shpreh komisioneri publik, Florjan Ballhysa, i cili i kërkoi Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për të riparë edhe një herë kategorizimet e pagave të anëtarëve të komisioneve të rivlerësimit në lidhje me frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 35, viti 2017, paragrafët 95-101. Por kërkesat e përfaqësuesve të institucioneve të vettingut janë konsideruar të fryra nga përfaqësuesit e majtë, me përjashtim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u shpreh i gatshëm që t’i mbështeste ato. Madje ai i propozoi komisionit dhe në mënyrë të veçantë kolegëve të vet socialistë që të tregoheshin më të hapur me kërkesat e këtyre institucioneve pasi siç deklaroi ai ato përbënin kosto të përballueshme për buxhetin e shtetit. “Ftoj kolegët e mazhorancës të kenë një lloj fleksibiliteti sepse nuk na kushton shumë të mbështesim kërkesat e kësaj trupe që ne presim të bëjnë shumë, edhe qytetarët presin të bëjnë akoma më shumë. Ndoshta kjo duhet përputhur me kornizën ligjore dhe kjo është çështje ekspertësh”, u shpreh Tahiri. Por ai është kundërshtuar nga kolegia e tij, Vasilika Hysi, e cila ka deklaruar se niveli i pagave që propozojnë vetë institucionet shkonte deri në shuma që kapnin shifra 10 apo 11 milionë lekë të rinj për anëtarë të këtyre komisioneve. “Kërkohet që një komisioner publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj, këshilltarët kërkojnë të marrin 80 për qind të pagës së komisionerit publik, ndërsa Kolegji i Apelimit kërkon 11 milionë lekë të vjetra për person në muaj”, deklaroi deputetja e PS, Vasilika Hysi. Nga ana tjetër opozita, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin të njëjtin qëndrim për t’u dhënë organeve të vettingut gjithçka kërkojnë. “Jemi kundër mazhorancës për të shkurtuar numrin e punonjësve të organeve të Vettingut. Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e Vettingut do të përbënte kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishëm të tyre. I bëjmë thirrje mazhorancës që të reflektojë deri ditën e enjte”, -tha Halimi. Në fund të këtij debati foli edhe kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i cili theksoi se kërkesat e institucioneve do të plotësohen të gjitha por duke u mbështetur në përcaktimet që bëjnë ligjet. Manja u shpreh se për draftin e paraqitur nga relatorja e ndryshimeve është bërë edhe konsultimi paraprak me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Vendimi

Në mbyllje të seancës komisioni hodhi në votim tre projektvendimet, që u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, teksa më parë opozita kishte braktisur mbledhjen. Versioni i miratuar dhe i propozuar nga Partia Socialiste uli në 110 persona numrin total të punonjësve, Organika e kërkuar nga vetë tre Komisionet ishte 185 persona (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kërkuar 68 punonjës, Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar 65 punonjës dhe Komisioneri Publik ka kërkuar 52 punonjës). Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve miratoi 50 punonjës për Komisionin e Kualifikimit, 26 për Komisionerin Publik dhe vetëm 37 për Komisionin e Apelit. Komisioni i Ligjeve miratoi edhe strukturën e pagave të vetë anëtarë të institucioneve të vettingut dhe të gjithë administratës së tyre. Gjithsesi edhe vetë anëtarët e komisionit e kanë patur të paqartë atë që ishte kërkuar dhe u miratua nga komisioni, kjo për shkak të termave dhe referencave në ligjet e tjera. Kështu, përfaqësuesit e PS deklaruan publikisht se në propozimet e ardhura nga vetë këto institucione shkonte në nivelin e 10 dhe 11 milionë lekëve të vjetra në muaj për një komisioner. Ndërkohë që për demokratët propozimi i këtyre institucioneve parashikon paga që referencë kanë pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë plus 200 për qind shpërblim për vështirësinë në punë. Ndaj nisur nga fakti se paga e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese shkon në 1.8 milionë lekë të vjetra atëherë duke llogaritur edhe 200 për qind vështirësi shpërblim llogaritet që propozimi i tyre të shkojë në vlerën e afro 5 milionë lekëve të rinj. Gjithsesi në fund anëtarëve të këtyre institucioneve iu miratuan paga që shkojnë afërsisht në afro 3 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që opozita sërish pretendon se pagat e miratuar shkojnë në vetëm 1.8 milionë lekë aq sa është dhe paga e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

LSI: Qeveria kërkon të vërë nën ndikim institucionet e vettingut

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas vendimit të deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve që votuan për reduktimin e stafit dhe fondeve për organet që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në një deklaratë për mediat, deputeti Nasip Naço ka deklaruar se ngritja e organeve të reja në kuadër të Reformës në Drejtësi kërkon kushte dhe garanci, ndërsa ka akuzuar mazhorancën socialiste se po kërkon të vërë nën kontroll drejtësinë. “Qëndrimi i LSI-së është kundër vullnetit të qeverisë, që kërkon të ketë ndikimin e saj në këto institucione të pavarura”, ka thënë Naço. Ai i ka bërë thirrje qeverisë që para se ta kalojë ligjin për votim në Kuvend të reflektojë, “për të dhënë sistemin e drejtësisë që kërkojnë të gjithë”. “Sistemi i drejtësisë nuk është i asnjë partie, por i popullit shqiptar”, ka shtuar Naço. Ndërkohë që nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, e ka cilësuar skandal vendimin e qeverisë, i cili përcakton që Ministria e Drejtësisë do të administrojë zyrat e Kolegjit të Vettingut. Me anë të një statusi në faqen e tij të Facebook, Luan Rama pohon se në këtë rast kemi të bëjmë me një akt tjetër të cenimit të pavarësisë funksionale të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Integrimi është karamele. Ne ende nuk kemi ujë!

Nga Erjon Uka Qofshin të një natyre populiste ose jo, të ashtuquajturat...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.