Mazhoranca zgjedh sot kryeprokurorin e ri, ja kandidati favorit

Socialistët kanë thirrur sot seancën plenare për të votuar Prokurorin e Përkohshëm. Nga kandidatët e kualifikuar nga Komisioni i Ligjeve duket se më e favorizuar është Arta Marku

Mazhoranca socialiste do të tentojë sot, në një klimë të acaruar, të votojë e vetme kreun e ri të organit të akuzës për një mandat të përkohshëm. Përkundër reagimit të opozitës, e cila sot për të kundërshtuar këtë proces ka thirrur edhe protesta, shumica qeverisëse ka vendosur që t’i shkojë deri në fund procesit për të zgjedhur pasuesin e përkohshëm të Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga shtatë kandidatët që aplikuan për t’u zgjedhur kryeprokuror të përkohshëm, mazhoranca ka përzgjedhur në këtë fazë të parë vetëm tre kandidatë, ndërsa sot në mëngjes duhet të vendos edhe për emrin që do të votojë në seancën e sotme plenare. Komisioni i Ligjeve në raportin e vet që i ka dërguar seancës plenare ka vendosur që të japë pëlqimin e vet për vetëm tre kandidatë, të cilët sipas tij plotësojnë kushtet dhe kriteret formale ligjore si dhe ato morale e profesionale. Ata janë prokurorja e Shkodrës, Arta Marku, kreu i Prokurorisë së Apelit në Durrës, Ferdinand Elezi dhe prokurorja e Elbasanit, Ermira Tafani. Ndërkohë që për katër kandidatët e tjerë, Komisioni i Ligjeve në raportin e vet konstaton se ata nuk plotësojnë kriterin ligjor për të patur 15 vite eksperiencë si prokuror ose nuk kanë grada shkencore ose nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret që lidhen me integritetin moral dhe profesional. Por para se të shkojë në seancë, grupi parlamentar socialist ka vendosur që të thërrasë një mbledhje të të gjithë deputetëve të vet, për të vendosur se cilin prej kandidatëve që kanë kaluar fazën e kualifikimit në Komisionin e Ligjeve do të mbështesë. Kështu burime nga Kuvendi kanë bërë me dije dje se mbledhja e firmave për kandidatët që do t’i paraqiten seancës për votim është i detyrueshëm. Dhe kjo referuar pikërisht nenit 111 të Rregullores së Kuvendit. Vetë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka konfirmuar dje se do ta plotësojnë këtë detyrim dhe se firmat do të depozitohen sot së bashku me kandidatin apo kandidatët përkatës. Ndërkohë që deputetët socialistë, të kontaktuar dje nga MAPO, nuk kanë dashur të bëjnë me dije se cili do jetë kandidati që do të mbështesin, ndërsa kanë bërë të ditur se çdo vendim pritet të merret gjatë mbledhjes së sotme të grupit. Sipas tyre, do jenë deputetët ata që do të vendosin se cili prej kandidatëve do të mbështetet. Socialistët me votat që kanë në dispozicion kanë mundësi që të mbështesin me firma vetëm dy kandidatë, por kjo në rast se do vendosin për një gjë të tillë, atëherë kjo do të krijonte problem moral gjatë procesit të votimit. Kjo pasi mund të ndodhë që ndonëse njëri prej kandidatëve ka siguruar mbështetjen e 28 deputetëve, ai mund të mos i marrë detyrimisht votat e tyre. Ndaj me shumë mundësi deputetët socialistë pritet të shkojnë në seancë me vetëm një kandidat.

Kandidatët

Burime pranë grupit socialist kanë bërë të ditur se kandidatura e parapëlqyer prej tyre është ajo e Arta Markut, por që gjithsesi nuk bëhet fjalë për një vendim zyrtar.  Prokurorja e Shkodrës mësohet se ka mbështetjen e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Ndërkohë që ky proces është kontestuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë prokurorët që aplikuan për të qenë kryeprokuror. Kështu, Granit Shahu, i përjashtuar nga gara nga Komisioni i Ligjeve, se nuk plotëson kriteret formale për të patur 15 vite eksperiencë pune, si dhe ato që lidhen me integritetin moral dhe profesional, ka denoncuar procesin si të kurdisur dhe kreun e ri të akuzës si të paracaktuar. Ndërkohë që dje pasdite u përfol se edhe kandidati, Ferdinand Elezi, që u kualifikua nga Komisioni i Ligjeve, mund të tërhiqej nga gara. Por i kontaktuar nga MAPO ai deklaroi se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se ai nuk kishte ndërmend që ta ndërmerrte këtë hap. Mazhoranca shkon në këtë seancë plenare, e vendosur për të zgjedhur Kryeprokurorin e Përkohshëm, edhe pasi mori opinionin e misioneve ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS, të cilët i dhanë të drejtë Kuvendit që të veprojë dhe të zgjedhë kryeprokurorin e përkohshëm edhe me shumicë të thjeshtë votash, pra minimum 36 vota. Opozita nga ana e saj e ka kundërshtuar një proces të tillë si antikushtetues, ndërsa këmbëngul se kreu i ri i prokurorisë duhet të zgjidhet me 84 vota. Nuk dihet nëse për shkak të situatës që pritet të krijohet si brenda ashtu edhe jashtë sallës së parlamentit gjatë ditës së sotme, mazhoranca do ketë ndonjë tërheqje nga ky qëndrim i deritanishëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti i OSBE/ODIHR: Marrëveshja garantoi garë të lirë, jepini fund blerjes së votës 

Raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit evidenton sërish një...
Read More