Mbarë bota shqiptare: Lamtumirë albanologut Robert Elsie

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj, bëri bashkë botën shqiptare sa qe gjallë me kontributin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë, ndërsa tani i jepet lamtumira e përbashkët. Ai është gjermano-kanadezi Robert Elsie, në këtë ikje të papritur duke na lënë trashëgimi me mbi gjashtë libra, artikuj, përkthime kushtuar studimeve shqiptare. Njoftimi për ndarjen nga jeta të albanologut është dhënë dje në mesditë në faqen e tij zyrtare online

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj, bëri bashkë botën shqiptare sa qe gjallë me kontributin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë, ndërsa tani i jepet lamtumira e përbashkët. Ai është gjermano-kanadezi Robert Elsie, në këtë ikje të papritur duke na lënë trashëgimi me mbi gjashtë libra, artikuj, përkthime kushtuar studimeve shqiptare. Njoftimi për ndarjen nga jeta të albanologut është dhënë dje në mesditë në faqen e tij zyrtare online, nga partneri i jetës së tij, Stephan Trierweiler, dhe miku i tij i ngushtë, Artur Metani. Në këtë njoftim thuhej: “Ju njoftojmë vdekjen e parakohshme të Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike”. Elsie është raportuar të ketë vdekur të hënën në Bon, Gjermani, në moshën 67-vjeçare, në një vdekje të parakohshme, që për botën shqiptarë është një humbje e madhe jo vetëm për studimet e tij, por dhe promovimin e tyre në Europë. I lindur në Kanada, Elsie ka studiuar e punuar në Gjermani, ndërsa kontaktin e parë më Shqipërinë e ka patur në vitin 1970. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. “Këto udhëtime në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80 i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë”. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve ‘80, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet ‘90 deri në fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.

Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.

Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Poëder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas viteve 2000, Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005. Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit, Pejë 2001. Elsie ka botuar dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë, Vjenë 2007. Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje, Lajdën 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, më 2008. Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin ‘historik’, janë vepra informative të përgjithshme. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin: Këngë Kreshnikësh, poezia epike shqiptare, tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi dhe Migjeni, në vëllimin Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare, Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit; romanin e Fatos Kongolit, I Humburi, 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit, romanin e Ornela Vorpsit etj. Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. “Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit”. Ndërsa Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010. Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitin 2013, ish-Presidenti shqiptar Bujar Nishani i dha Elsie “Medaljen e Mirënjohjes” si një nga personalitetet më të shquar të cilët për më shumë se 30 vjet kontribuan në promovimin ndërkombëtar të kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptare. Në një apel publik pas vdekjes së shkrimtarit, shkrimtarja shqiptare që jeton në Holandë, Flutura Açka ka folur për vullnetin e albanologut për t’u prehur në tokën shqiptare, por ende asgjë nuk është konfirmuar nga njerëzit e tij të afërt. Megjithatë Açka i ka bërë thirrje kryeministrit, Edi Ramës si dhe ministres së kulturës, Mirela Kumbaro për ta plotësuar këtë dëshirë të tij të fundit.

Përgatiti: V.M

 

Visar Zhiti: Elsie, biri shpirtëror i Shqipërisë

“Shuarja e albanalogut më të madh në botë sot, Robert Elsie, është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për historinë dhe për vlerat shekullore të saj, për antropologjinë, gjuhën e përkthimin, për studimet letrare e letërsinë, për kritikën letrare, për fotografinë historike

etj. etj. Robert Elsie është poliedrik, i shumëplanshëm, hulumtues pasionant, zbulues i rëndësishëm, me një Shqipëri ideale që e deshi shumë e i kushtoi jetën. Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, Ai e mbrojti Shqipërinë në botë, “Çështjen Shqiptare” dhe e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u tërhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirënjohja dhe i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e Tij. Ai dukej sikur e deshi çdo shqiptar dhe bëri për ta, i mbështeti kudo, deri dhe në Tribunalin e Hagës, botoi antologji shqiptare, folklor, poetë nga të gjitha trevat, tregime, romane, nga letërsia jonë e ndaluar e shkrimtarët e burgosur, studime, albume, guida etj. etj., deri dhe te botimi i “Lahutës së Malcisë” së Fishtës në anglisht, një kryepunë duke arritur kështu, siç thotë dhe vetë, të përplotësonte eposin europian. Kështu bëri dhe me Kanunin e lashtë të shqiptarëve, të Lek Dukagjinit. Pelegrin i tempujve të Shqipërisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Mungesën e Tij të dhimbshme e mbush vepra e Tij e madhe, sa enciklopedike, po aq dhe akademi e shkollë, rilindase dhe moderne, e qëndrueshme dhe frymëzuese për vazhdimësi. Është nder që Shqipëria ta shpallë bir të vetin dhe ta mbajë si të tillë”.

Homazh Robert Elsies e kontributit në pasurimin e fondit të BKSH

Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”. Tashmë Biblioteka Kombëtare, në homazh të këtij personaliteti të shquar, ka çelur një ekspozitë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Roland Tasho, fotografitë e panjohura të Elsie

Vdekja e albanologut Robert Elsie, preku të gjithë shqiptarët duke pasur parasysh kontributin e tij për Shqipërinë dhe jo vetëm. Ndër reagimet që u bënë dje, ishte edhe ai i fotografit Roland Tasho, i cili po ashtu shpalosi dy fotografi të panjohura më herët të albanologut tashmë të ndjerë. Përveç fotografive Roland Tasho, ka treguar edhe një histori të shkurtër të Robert Elsies, i cili kishte pasur dëshirë të fotografohej tek Ura e Mesit, me kostumin e zonës. “Megjithëse e kisha fotografuar në Tiranë donte të fotografohej në një vend ku patën udhëtuar dhe studiues të tjerë të huaj. Shkuam tek Ura e Mesit dhe u vesh me kostumin e zonës. E pëlqente projektin me të huajt që kanë veshur veshje shqiptare dhe donte të shkruante për të. E donte shumë Shqipërinë..respekt për Robert Elsie…”, ka shkruar Tasho.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protesta e biznesit, fillim për kapitalizmin modern

Nga Ervis Iljazaj Dje, Shoqata e Bashkimit të Biznesit Shqiptar, ka protestuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.