Mbetën jashtë qeverisë, SHBA falënderon Kodhelin e Gjermenin

Ambasadori amerikan Lu u ka dërguar letra falënderimi ministres së Mbrojtjes në largim, Mimi Kodheli dhe asaj të Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, duke vlerësuar lart punën e tyre

Ndonëse kryeministri Edi Rama nuk preferoi që t’i përfshinte në kabinetin e tij të dytë, dy ministre në largim Mimi Kodheli dhe Eglantina Gjermeni kanë marrë falënderimet e partnerëve amerikanë. Në letrat që ambasadori Lu u dërgoi atyre vlerësohet jo vetëm bashkëpunimi i tyre me administratën e SHBA por edhe kontributi i tyre i veçantë për Shqipërinë, dhënë gjatë ushtrimit të detyrës si ministër.

Gjermeni

Edhe më “familjare” duket letra për zonjën Gjermeni, të cilës ambasadori Lu ka preferuar t’i drejtohet në vend të titullit zyrtar me “E dashur Tina”. “Në emër të kolegëve në Washington dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë dëshiroj t’ju përgëzoj për 4 vitet e shërbimit shembullor si ministre e Zhvillimit Urban. Ju jeni një nga njerëzit e parapëlqyer në qeveri, për arsye të kujdesit dhe qasjes njerëzore në punën tuaj.

E di që kalimi nga shoqëria civile në politikë ka qenë një sfidë për ju, por kam besimin e plotë se Shqipëria është më e mirë për shkak të shërbimit tuaj në qeveri”, thuhet në mesazhin e ambasadorit Lu. “Ka qenë kënaqësi të punonim me ju në cilësinë e ministres dhe mirëpresim çdo bashkëpunim në të ardhmen.

Ne vlerësojmë atë që ju keni bërë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Sërish përgëzimet më të përzemërta. Sinqerisht Donald Lu, shkruhet në mesazhin falënderues për ministren Gjermeni.

Kodheli

“Në emër të kolegëve në Uashington dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë, më lejoni t’ju përgëzoj për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë katër viteve të drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes si një aleat i ngushtë i NATO-s. Nën lidershipin tuaj, ne kemi përparuar në bashkëpunimin tonë ushtarak përmes mbështetjes që i kemi dhënë lidershipit të NATO-s në Europë dhe Afganistan dhe kemi çuar përpara objektivat tanë të përbashkët për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të gjithë Aleancën”, thuhet në letrën e ambasadorit amerikan.

“Ka qenë kënaqësi të punuarit me ju gjatë detyrës suaj si ministër i Mbrojtjes dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi dhe bashkëpunime të tjera. Ne vlerësojmë çfarë Ju keni bërë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por gjithashtu për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA”, thuhet më tej në mesazhin falënderues.

 

Mesazhet

Letrat e falënderimit për dy ministret e kabinetit “Rama 1” përveçse një procedurë e zakonshme diplomatike është edhe një mesazh për mbështetjen amerikane ndaj tyre. Po ashtu, mesazhi krijon kontrast me ministrat e tjerë të larguar nga qeveria Rama, për të cilët ambasada nuk ka preferuar të dërgojë mesazhe të ngjashme, siç është rasti i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, mospërfshirja e të cilit në qeverinë Rama 2 ka qenë më e debatuara publikisht.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Veprimi pervers politik i Zaevit

Nga Kim Mehmeti* Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSDM-ja morri mbështetjen e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.