Mbetjet si simbol i qartë i paqartësisë

Besart KadiaNga Besart Kadia

Rikthimi i ligjit të mbetjeve do të mbetet simbol i Rilindjes, pavarësisht pretendimeve të qeverisë për të krijuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Në shtator të vitit 2013 prezent në Hotel Sheraton vura re se e gjithë fryma e qeverisë Rama ishte vazhdimi i qeverisjes bazuar në ide të cilat i kishim dëgjuar dhe më parë nga qeveria Berisha. Në atë takim Kryeministri i freskët Rama përcolli idenë që Shqipëria do të shndërrohej në një port të rëndësishëm investitorësh me një qeveri transparente e të pakorruptuar. Në përpjekje për t’i gjetur simbolin e përbashkët të të gjithë politikave reformuese që do të ndërmerrte Rilindja të ftuarit e huaj i thanë: “Çdo reformë duhet të çojë në rritje ekonomike”. E për një vend të varfër rritja ekonomike garantohet vetëm nga liria ekonomike dhe politika të djathta. Ndaj autori i këtyre radhëve në atë kohë shkroi dhe editorialin “Idetë e djathta do të vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë”.

Por tre vjet më vonë shohim që Rama dështoi në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe uljen e varfërisë në vend. Importi i plehrave, formalizimi i ekonomisë, pagesa e energjisë elektrike, reforma territoriale, shpërthimi i ndërtimeve pa leje me dinamit etj., janë shpërqendrime të dështimit të indikatorit më të rëndësishëm që mban ose jo një qeveri në punë: paga reale e qytetarëve në fund të mandatit qeverisës. Kjo qeveri ka marrë më shumë se 1 miliard euro hua e nuk ka mundur të rrisë ekonominë më shumë sesa qeveria Nano apo Berisha në kohë krize.

Në mandatin e parë të viteve 2005-2009 qeveria Berisha u akuzua për korrupsion shtetëror në Gërdec me pasojë jetën e 26 personave nga Rama. Por pavarësisht rastit “Gërdeci” qytetarët vendosën t’i jepnin mandatin qeverisës dhe njëherë pasi në katër vite qeveria Berisha u rriti pagat atyre nga 26 mijë lekë në 41 mijë lekë sipas INSTAT dhe në tetë vite u realizua dyfishimi i pagave. Me të njëjtin krahasim qeveria Rama ka mundur të rrisë pagat me vetëm 3% që në të vërtetë do të thotë pagë më e ulët nëse merret parasysh efekti gërryes i inflacionit.

Kjo qeveri është qartazi e paqartë në politika ekonomike. Kaluar taksat e para progresive si simbol i një qeverie të majtë, Rama më pas mbeti në mes të rrugës. Iu desh të largohej nga pretendimet absurde të fushatës elektorale dhe filloi të shihte në të shkuarën për të qeverisur të ardhmen e vendit. Dhe këto tre vjet kanë qenë një përpjekje konstante për të bindur e i shpjeguar publikut se koncesionet në shëndetësi, se koncesionet për mirëmbajtjen e rrugëve, se taksat e sheshta për biznesin dhe së fundmi se importimi i mbetjeve dhe ndihma e industrisë së mbetjeve është një politikë e majtë.

Po ashtu në konfuzion pak muaj pasi erdhi në pushtet Rama filloi të fliste në Itali për investimet 1 euroshe. Një politikë simbol e qeverisë Berisha për ta bërë Shqipërinë tërheqëse por që nga Rama ishte kundërshtuar fort në opozitë. Më pas në mars të këtij viti në vendimet e marra nga qeveria Rama sanksionohet me ligj “lidhja e kontratave me tarifë simbolike prej 1 euro për pasuritë e paluajtshme shtetërore që do të kërkohen nga investitorët në fushën e turizmit”.

Rikthimi i ligjit të mbetjeve tregon pasigurinë e Kryeministrit Rama për të patur një ide të qartë sesi do të qeverisë vendin. Ai kthehet e rikthehet në të shkuarën për të thënë që është e kundërta e saj por që nuk po ofron dot “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”. Kjo qeveri është qartazi e paqartë në politika ekonomike. Ndaj ideologjia është e domosdoshme. Ajo të krijon konsistencë dhe një vizion të qartë për qeverisjen si dhe besueshmëri në publik. Importi i plehrave nuk mund të jetë një herë i mirë e një herë i keq. Edukimi privat nuk mund të jetë një herë i mirë e një herë i keq. Kapitali privat nuk mund të jetë një herë i mirë e një herë i keq. Investitori i huaj nuk mund të jetë një herë i mirë e një herë i keq.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mesazhet për Metën dhe pretendenti për fronin

Basha: E kemi ftuar prej ditës së parë për dialog, e tash...
Read More