Mbi 200 gazetarë në botë të shënjestruar nga hakerët rusë

Hakerë rusë kanë shënjestëruar më shumë se 200 gazetarë në mbarë botën, në mënyrën e njëjtë siç dyshohet se kanë bërë ndaj zyrtarëve të inteligjencës dhe politikanëve amerikanë, ka raportuar Associated Press.

AP ka thënë të premten se një hulumtim i tyre ka gjetur se një grup hakerësh të njohur si “Fancy Bear” kanë tentuar që të depërtojnë në llogaritë e Gmail-it të së paku 200 gazetarëve, blogerëve dhe të botuesve.

Pas analizimit të të dhënave nga një kompani e sigurisë kibernetike e quajtur Secureworks, dhe intervistimit të më shumë se 40 gazetarëve, AP ka thënë se hakimi ka filluar në mesin e vitit 2014 dhe ka vazhduar deri pak muaj më parë.

Natalia Gevorkya, një gazetare ruse që ka analizuar këto të dhëna, ka thënë se qëllimi i fushatës së hakimit ka qenë mbledhja e e-mailave privatë, “të cilët ata mund t’i shfrytëzojnë më vonë”.

Zyrtarë të inteligjencës në ShBA, kanë thënë se Fancy Bear ka qenë e përkrahur nga qeveria ruse kur ata dyshohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Këto akuza mohohen nga Kremlini.

Në mesin e 200 gazetarëve të cilët ishin në shënjestër të hakerëve, 50 kanë qenë korrespondentë të huaj, përfshirë edhe ish-shefen e zyrës së gazetës New York Times në Moskë, Ellen Barry.

Sipas AP-së, rreth 50 kolegë të Barryt ka qenë në shënjestër të Fancy Bear në fund të vitit 2014. Por, gazeta New York Times ka konfirmuar vetëm se gazetarët e saj kanë pranuar e-maile me virusë.

Në shënjestër ka qenë edhe Eliot Higgins, i cili thotë se tentimet e hakimeve ndaj faqes së tij Bellingcat duket se kanë nisur “kur ne kemi filluar të bëjmë deklarata të fuqishme lidhur me aeroplanin malajzian MH17” të rrëzuar në Ukrainën lindore në korrik të vitit 2014, ku mbetën të vrarë 298 persona.

Bellingcat kishte mbledhur prova se aeroplani është rrëzuar nga një raketë ruse. Rusia ka mohuar këto akuza, por një një hulumtim i bërë në Holandë ka gjetur në vitin 2016 se ai aeroplan është qëlluar nga një territor që mbahet nga separatistët të përkrahur nga Rusia.

Shumë gazetarë rusë të cilët kanë qenë në shënjestër të hakerëve, kanë thënë se kanë ndërmarrë masa shtesë të sigurisë, duke siguruar llogaritë e tyre dhe duke përdorur aplikacione për dërgimin e porosive të koduara.

Shkruar Nga
More from Revista User

Makina bombë vret 11 persona në Mogadishu

Një sulm me makinë bombë ka vrarë dje të paktën 11 njerëz...
Read More