Mbi 650 bursa në UET për vitin akademik 2018-2019

Një sistem të gjerë të shumëllojshëm të bursave, për të integruar në Universitetin Europian të Tiranës të gjitha shtresat dhe kategoritë sociale, të gjitha profilet e jetës publike, me theks promovimin e ekselencës

Që nga themelimi Universiteti Europian i Tiranës e ka kthyer tashmë në një traditë shumë të rëndësishme sistemin e bursave. Një sistem të gjerë të shumëllojshëm të bursave, për të integruar në Universitetin Europian të Tiranës të gjitha shtresat dhe kategoritë sociale, të gjitha profilet e jetës publike, me theks promovimin e ekselencës. Përmes bursave që akordon, Universiteti Europian i Tiranës mbështet çdo vit qindra të rinj. Kategoritë janë disa, që nga bursat e ekselencës, tek ato të talentit, bursat sociale dhe deri te bursa “Pashko”.

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Arbi Agalliu tregon më tepër në lidhje me këtë sistem bursash dhe mundësive të shumta që ai u ofron të gjithëve për të studiuar.

Një ndër bursat risi këto vitet e fundit në UET është bursa “Pashko”. Bursat Pashko jepen nga Instituti Europian Pashko, për nder të ekonomistit dhe udhëheqësit liberal, lider i lëvizjes së dhjetorit, themeluesit të universitetit të parë privat në Shqipëri, Gramoz Pashko, në të cilën nominojnë studentë të shkëlqyer që vijnë nga shtresa të pafavorizuara.

“Bursa akordohet për 36 muaj dhe shoqërohet me një pagesë mujore. Pra, përveçse tarifës shkollore bazë që është zero, bursantët përfitojnë një pagesë mujore 25 mijë lekë të rinj për 36 muaj deri në përfundimin e plotë të ciklit të studimeve. Kjo bursë i shërben komunitetit të studentëve nëpërmjet internshipit pas vitit të parë dhe ruan një parakusht që duhet një mesatare ekselente”-tregon z. Agalliu

Krahas kësaj burse e cila mbështet studentët ekselentë në rrethane ekonomike apo sociale të pafavorshme, Universiteti Europian i Tiranës njihet për mbështetjen dhe promovimin e studentëve, veçanërisht nëpërmjet bursave të ekselencës. Këto bursa u akordohen maturantëve me mesataren më të lartë por edhe studentëve të UET të cilët kanë një mesatare mbi 9.75.

“Rrjeti i 100 studentëve më të mirë ekselentë është një organizim i përhershëm në Universitetin Europian të Tiranës dhe diferencohet nga pjesa tjetër e studentëve për cilësinë e lartë, ekselencën dhe aktivizimin qytetar. Ky klub që funksionon që prej ditës të fillimit të UET, çdo vit në 31 Mars azhurnohet me 100 studentët më të mirë me mesataren më të lartë, që duhet të jetë mbi 9,75 pra pranohen 100 nga 1000 më të mirët e maturës shtetërore. Studentët me bursë ekselence në UET duhet të mbajnë një mesatare mbi 9.75 në mënyrë që të rifitojnë këtë bursë”.

Studentët përfitues të bursës së ekselencës, janë përfaqësues mjaft aktiv të universitetit.

“Ky grup merr pjesë në jetën e klubeve profesionale të universitetit, në debatet publike, në konkurse dhe në forma të tjera duke shërbyer si lider dhe model i studentit në Shqipëri”- është shprehur administrator i UET, Arbi Agalliu.

Një tjetër kategori e rëndësishme është ajo e gjysmë bursave dhe e bursave të plota për shkencat sociale dhe humane.

Universiteti Europian i Tiranës bëhet universiteti i parë i cili ka hapur gjithë gamën e degëve të shkencave humane sociale, edhe pse shpesh ato janë të vështira në treg për t’u financuar nga përdoruesit. Për këtë qëllim ky kontingjent bursash i është dedikuar promovimit të këtyre degëve me anë të bursave apo gjysmë bursave në degë të tilla, si: filozofia, antropologjia, sociologjia, letërsia, gjuha, artet, historia, studimet religjioze etj., pra te gjitha degët sokratike të cilat përbëjnë bazën e ndërtimit të një universiteti dhe aortën dhe shpirtin e një universiteti.

“Kusht bazë për këto lloj bursash është aktivizimi studentor, pjesëmarrja në debate, grupe kërkimore etj., dhe ruajtja e një niveli të caktuar të mesatares sipas degës dhe sipas momentit të hyrjes në sistemin akademik, si dhe kontributi në shërbim të komunitetit të studentëve dhe të institucionit në raport me mënyrën se si studentët marrin pjesë në qeverisjen dhe menaxhimin e institucionit. Te bursat sociale bën pjesë edhe një komunitet i studentëve VIP, të cilët janë protagonistë shoqërorë në arte në sporte, spektakle, kulturë dhe janë studentë model për këtë gjë”.

Të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të aplikojnë për bursa në UET, administratori Agalliu i fton të vijnë pranë ambienteve të këtij universiteti, në të cilin do të gjejnë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe asistencën e nevojshme.

“Të gjithë maturantët që dëshirojnë të përfitojnë një bursë pranë Universitetit Europian të Tiranës mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm në faqen zyrtare të universitetit si dhe në ambientet tona, ku do të gjejnë një staf të përkushtuar që do t’i asistojë në të gjithë procesin”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Flet mjekja: Shenjat që tregojnë mungesë të vitaminës D, sëmundjet që rrezikohen

Mungesa e vitaminës D, shpjegon mjekja Liço, mund të diagnostikohet nëpërmjet dozimit...
Read More