Mbishkrime kishtare në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

Historiani, paleografi Andi Rembeci hedh vështrimin mbi Mbishkrimet kishtare në Shqipëri, një studim i ardhur në numrin e parë të revistës kulturore “Art& Trashëgimi”, që promovohet të premten, në kuadër të një gjerdani të veçantë botimesh kulturore periodike, kushtuar trashëgimisë kulturore dhe historike të komuniteteve fetare në vendin tonë

Nga Andi Rembeci*

Mbishkrimet e monumenteve të krishtera të Shqipërisë paraqesin thuajse të gjithë materialin epigrafik të monumenteve të tundshme dhe të patundshme të religjionit të krishterë ortodoks. I përkasin periudhës bizantine dhe pasbizantine dhe janë përgjithësisht tekste të shkurtra, që përmbajnë të dhëna lidhur me ndërtimin, rindërtimin, pikturimin dhe zbukurimin e kishave ortodokse në vend. Ato përmendin, gjithashtu, edhe emrat e ktitorëve, piktorëve, mjeshtërve të monumenteve arkitekturore kishtare, si edhe emrat e klerikëve ose laikëve të huaj apo vendës, që administronin apo kryesonin kohë pas kohe në pozita të caktuara vetadministruese apo kishtare, që luanin një rol të rëndësishëm në qeverisjen e vendit, ose që patën qenë pronarë apo dhurues të monumenteve të ndryshme ku gjenden mbishkrimet.

E gjithë larmia e mbishkrimeve ndahet në këto kategori:

Mbishkrimet ktitorike përbëjnë një burim të rëndësishëm historik me vlerë jo vetëm për vetë monumentin ku ato gjenden, por edhe për kuadrin e përgjithshëm historiko-social, brenda të cilit u krijuan këto vepra. Kësisoj, ato ofrojnë informacione lidhur me gjendjen ekonomiko-sociale, me administrimin kishtar dhe me peripecitë historike të vendeve, duke regjistruar ktitorë e pronarë, dhurues e përkushtues, piktorë, datime të ngritjes së monumentit, klerin, peshkopë dhe, herë-herë, epitropë, igumenë, murgj etj.

Mbishkrime liturgjike, duke qenë pjesë e pandashme e pikturave murale, titullojnë kompozimet pikturale, emërtojnë paraqitjet e shenjtorëve, përmbajnë citate hagjiografike, paraqesin pjesë himnologjike etj.

Mbishkrime kushtimesh (dhurimesh) përmbajnë informacione lidhur me mënyrën dhe masën e shtrirjes së fenomenit të islamizimit, me marrëdhëniet mes të krishterëve dhe të islamizuarve, me sjelljen e këtyre të fundit ndaj monumenteve dhe zakoneve të zonës, me taksat, dhëniet e ndryshme, onomatologjinë e banorëve, antroponimet popullore të grave dhe burrave, shqiptimin e toponimeve, lidhjet farefisnore etj.

Shënimet kronike iu referohen ngjarjeve të ndryshme, si: uri, epidemi, luftëra, ndryshime peshkopate, robërime, taksa, marrëdhënie mes vendeve me bejlerë apo pashallarë, ngjarje të rëndësishme, shitje-blerje etj.

Rëndësia e mbishkrimeve për historinë kishtare

Mbishkrimet për vetë nga natyra e monumenteve ku ato gjenden, kanë pikë së pari rëndësi për historinë vendore të kishës ortodokse. Të rëndësishme janë të dhënat që na ofrojnë ato lidhur me peshkopatat e vjetra, peshkopët në territorin shqiptar, me kufijtë kishtarë etj. Për shembull, në mbishkrimin e epitafit të Gllavenicës, ku përmendet emri i peshkop Kalistit, rezulton se Gllavenica, më 1373, ishte një qendër shumë e rëndësishme peshkopale, aq sa nga ajo varej edhe peshkopata e Beratit, qendër e njohur për traditën kishtare. Gjithashtu, nga mbishkrimet e kishave në Shqipëri të shek. XVII-XIX rezultojnë të dhëna për peshkopatën e Durrësit, Beratit, Korçës, Drinopojës, Delvinës dhe Himarës, Gorës dhe Mokrës, Stefaniakës dhe Bendës.

Në mbishkrimet murale informacione me mjaft interes ofrohen edhe për njohjen me administratën dhe ofiqet kishtare, me manastiret dhe veprimtaritë e tyre në territorin shqiptar. Në to ndeshen tituj e ofiqe, si: “fort i perëndidashur”, “fort i respektuar”, “fort oshënari”, “i përmbihirshëm”, “igumen”, “ikonom”, “muzikant fort i ditur”, “kartofilak”, “fort ditunar i përmbihirshëm” etj.

Rëndësia e mbishkrimeve dhe shënimeve kronike për historinë e Shqipërisë

Mbishkrimet e kishave të Shqipërisë përbëjnë një burim të vyer për historinë e vendit, pasi rëndësia e tyre shtrihet në historinë e përgjithshme, lokale, politike dhe kulturore. Edhe pse këto të dhëna janë të kufizuara, disa prej tyre paraqesin një rëndësi të veçantë, për shkak se mbeten të vetmet burime mbi çështje historike të Shqipërisë. Përmendim këtu rëndësinë që kanë të dhënat që burojnë nga mbishkrimet dhe lidhen me zotërimin e princit shqiptar, Karl Topisë. Nga mbishkrimet ktitorike të kishës së manastirit të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit, rezulton se Karl Topia, princi shqiptar i shek. XIV, ndërtoi kishën e manastirit “në të 22-tin vit të zotërimit të tij dhe e mbaroi atë në të 24-tin vit të zotërimit të tij”. Nga dy mbishkrime të tjera të po së njëjtës kishë rezulton se viti i 22-të i zotërimit të Karl Topisë përkon me vitin 1381, nga ku del se Karl Topia u bë zotërues i Shqipërisë së Mesme më 1359. Burimi më i hershëm arkivor fillimin e zotërimit të Karl Topisë e vendos në vitin 1362. Nën këto rrethana, mbishkrimi i kishës së Shën Joan Vladimirit mbetet burimi i vetëm historik, që sqaron një datë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Por nuk mungojnë edhe të dhëna të tjera interesante historike për periudhat e mëvonshme. Po sjellim si shembull vetëm dy prej tyre. I pari lidhet me shkatërrimin e qytetit të Vithkuqit. Shënimi kronik, i shkruar në faqen e parë të ungjillit të kishës së Shën Mëhillit në Vithkuq, dëshmon se Vithkuqi u shkatërrua në 25 tetor 1823: “Më 25 tetor 1823, Vithkuq. Sipas ungjillit, zemërimi i Perëndisë vjen nga të pabesët. Në të njëjtin vit u prish vendi i famshëm i quajtur Vithkuq dhe u bë çdo gjë e shkretë…”. Sipas një tjetër shënimi kronik, të shkruar në hajatin jugor të së njëjtës kishë, Vithkuqi, deri më 1828, vazhdonte të ishte krejtësisht i rrënuar, me shtëpi të prishura dhe pa njerëz: “1828 korrik 13. Unë dhaskali, Kostak Cepi, erdha nga Belegradi (Berati) dhe e gjeta vendin të rrënuar, të shkretuar, shtëpitë të prishura dhe unë i padenji i shoh të gjitha shtëpitë (pa)… njerëz… Të mjerë e të shkretë, pësuam mjerim dhe cilido që u ndal dhe e prishi fshatin të ketë mallkimin, që i bëri kishat dhe manastiret e shkretë…”. Një tjetër shënim kronik, i shkruar në kapakun e Komentarit mbi katër Ungjijtë të Teofilakti i Bullgarisë, libër dikur pronë e Manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, sot ruhet në AQSH, njofton për shkatërrimet e lagjes Varosh të Korçës, që ndodhën më 2 mars 1824 nga Busta beu i Plasës dhe për shkatërrimet që shkaktoi, më 10 tetor të të njëjtit vit, Sinan Beu nga frika e jabanxhinjve që kishin zbritur nga lartë dhe po drejtoheshin kundër tij.

Shembulli i dytë lidhet me përfundimet, që dalin nga mbishkrimet, lidhur me fazat e ndryshme të islamizimit në territorin shqiptar. Nga mbishkrimi i kishës së Shën Marisë, në Dushan të Oparit, del se deri në kohën e pikturimit të kishës (1610), të gjithë banorët ishin të krishterë. Po ashtu, nga një mbishkrim tjetër rezulton se deri më 1751 qyteti i Ballshit ishte ende i krishterë. Në të famshmin “triptik të Drianos” gjenden të regjistruar fshatra, të cilat, ndërsa, gjatë shekujve XVII-XVIII, bënin dhurata dhe përkushtime në manastirin e Drianos, në Zervat të Dropullit, po ato, gjatë shek. XIX, gjenden plotësisht të islamizuara, si Libohova dhe Nepravishta në Dropull etj.

Si rrjedhim, është e qartë se disa mbishkrime hedhin dritë mbi ngjarje të panjohura të traditës shumëshekullore kulturore të popullit shqiptar dhe mund të sqarojnë pjesërisht probleme të caktuara historike, kryesisht kur mungojnë burime të tjera arkivore, duke përbërë kështu dëshmitë e vetme autentike dhe të pakontestueshme.

Rëndësia e mbishkrimeve për artet

Të shumta janë edhe mbishkrimet, që paraqesin interes lidhur me kronologjinë e ndërtimit të kishave përgjatë shekujve dhe me historinë e arkitekturës. Për veprimtarinë ndërtimore të kishave përpara pushtimit osman në Shqipëri janë ruajtur pak mbishkrime. Datimet më të hershme janë të regjistruara në dy mbishkrime të kishës së Lindjes së Shën Marisë në Labovë të Kryqit, që mbajnë respektivisht datat 525 dhe 551.

Mbishkrimet flasin, gjithashtu, edhe për ndërtime kishash në shek. XIII, siç është rasti i mbishkrimeve dhe pikturimit të portreteve perandorake të Andronikut II, Mihalit VIII dhe Mihalit IX, Paleologëve; të cilat dëshmojnë për rindërtimin e manastirit të Apolonisë nën patronazhin perandorak në kuadrin e rivendosjes së pushtetit bizantin në krahinat veriperëndimore të sapoçliruara pas dëbimit të latinëve.

Nga të dhënat epigrafike, veprimtaria ndërtimore e kishave pas pushtimit osman rishfaqet sërish në shek. XVI dhe vazhdon deri në shek. XIX. Sipas mbishkrimeve, në shek. XVI ndeshim kisha me arkitekturë kryesisht të thjeshtë, me formë katërkëndore pa kupolë dhe me dy hajate të hapura, si kisha e Shën Gjergjit në Leshnicën e Sipërme (1525), kisha e Shën e Premtes në Valësh të Shpatit (1554) etj. Gjithashtu, në po të njëjtin shekull vërehen ndërtimet e kishave me arkitekturë më komplekse, me qemer dhe kupolë sipas traditës bizantine, por edhe me veçori që iu përkojnë kushteve të kohës. Veprimtaria ndërtimore pëson rritje graduale, duke shënuar kulmin e saj gjatë fundit të shek. XVII dhe fillimit të shek. XVIII si treguesit më të arrirë të arkitekturës pasbizantine. Të tilla janë kishat e Voskopojës.

Të rëndësishme janë, gjithashtu, edhe të dhënat që burojnë nga mbishkrimet lidhur me traditën shumëshekullore në fushën e pikturës kishtare. Punishtet e ndryshme dhe shkollat e këtij arti, gjatë periudhës bizantine dhe të pushtimit osman, u zhvilluan nga piktorë vendës dhe të huaj, të cilët ushtronin veprimtarinë e tyre artistike në trojet shqiptare. Kështu, burimet epigrafike japin të dhëna të rëndësishme mbi pikturën kishtare lokale. Në mbishkrime paraqitet kuadri i përgjithshëm i veprimtarisë artistike, e dëshmuar me emrat e artistëve dhe kronologjitë e veprave të tyre.

Pranë pikturës një vend me peshë zë edhe arti i aplikuar. Në shumë objekte të kultit të krishterë, si ikonostase, amvonë, frone despotike, lutësor etj., gjejmë mbishkrime të gdhendura apo të pikturuara në dru, të incizuara në metale ose të qëndisura në pëlhura. Sot janë ruajtur mbi 50 ikonostase bashkë me amvonë, frone despotike dhe lutësore, të gjitha të gdhendura me mjeshtëri në dru. Mbishkrime të tilla i ndeshim të gdhendura në ikonostaset e kishës së Shën Nikollës në Voskopojë (1743) , të pikturuar në Portën e Bukur të ikonostasit në kishën e manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq (1773), të gdhendur në amvonën e kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Kalanë e Beratit (1849) etj. Të dhëna për një formë tjetër të artit të aplikuar paraqesin mbishkrimet e incizuara në objekte metalike të kultit të krishterë. Përmendim mbishkrimin në kryqin e argjendtë të kishës së Shën Spiridhonit në Goricë të Beratit, i punuar më 1616 nga mjeshtri Dhimitër Argjendari, në kapakët e argjendtë të ungjillit të së njëjtës kishë, punuar më 1729 nga Gjergj Voskopojari, në kapakët e argjendtë të ungjillit të larë me ar nga Voskopoja, në kandilat e argjendtë të kishës së manastirit të Ardenicës etj.

Mbishkrimet na japin të dhëna edhe për artin e qëndisjes në pëlhurë me ar dhe argjend. Sot ruhen pak objekte të tilla, për shkak të prishjes natyrale që pëson pëlhura me kalimin e kohës. Një vlerë të madhe ka epitafi i Gllavenicës, i cili është punuar, më 1373, me qëndisje të hollë me fije ari nga mjeshtri Gjergj Arianiti.

Ekzistenca e mbishkrimeve me të dhëna të ndryshme biografike dhe historike ka një rëndësi të madhe, sepse na njeh me mjeshtër të shquar dhe kontribuon në promovimin e traditës së vendit, në artin e përpunimit të metaleve, të gdhendjes së drurit, të qëndisjes, të teknikës dhe veprimtarive të tjera kulturore.

Rëndësia e mbishkrimeve për historinë demografike dhe ekonomike

Shumë mbishkrime dëshmojnë se monumente të rëndësishme janë ndërtuar herë nga arkondë të pasur vendorë, herë nga banorët e një famullie dhe herë nga një fshat i tërë. E njëjta gjë ndodhte edhe me pikturimin e kishave, që ishte një punë tejet e kushtueshme. Karakteristik është mbishkrimi mbi portën perëndimore të kishës së Shën Gjergjit në Libofshë, ku për pikturimin e kishës kanë kontribuuar igumenë, klerikë, subashë dhe laikë. Po ashtu, nga mbishkrimi i pikturuar mbi portën jugore të kishës së Shën Nikollës në Vanaj të Myzeqesë, mësojmë se pikturimi i kishës është bërë me shpenzimet e fshatit Bubullimë. Rrjedhimisht, këto mbishkrime japin të dhëna për ngritjen ekonomike qoftë të individëve të veçuar, qoftë të komuniteteve të caktuara. Për më tepër, nga mbishkrimet rezultojnë të dhëna edhe për shuma të hollash që dërgoheshin, p.sh. nga Moldavia dhe Vllahia drejt manastireve apo kishave të famullive vendëse, për funksionimin e shkollave apo për vepra filantropike etj.

*historian, paleograf. Universiteti i Tiranës

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kinemateka shqiptare, idetë nisin nga Tirana

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë pa kinematekë. Regjisorja...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.