Mbishkrimet në tokën e Bazilikave

Bazilika_e_BallshitDebati/Bazilika e Ballshit, sipas studiuesve, ishte një ndërtesë kishtare, e cila nuk i përket antikitetit të vonë (ndërtesa kishtare paleokristiane) por ka gjasa, duke u bazuar në planimetrinë e saj, sikurse në teknikën e ndërtimit, t’iu përkasë periudhave të Mesjetës së mesme (shek. VIII-X m.Kr.).

1) Mbishkrimi dhe Bullgarët

…. Gjatë Luftës së Parë Botërore, arkeologu dhe studiuesi austriak Camillo Praschniker, në ekspeditat e tij kërkuese dhe studiuese, sikurse gërmuese në fushën e arkeologjisë, bëri një zbulim interesant në atë që njihet sot si Bazilika e Ballshit (në rajonin e sotëm të Mallakastrës) dhe përbën një interes të veçantë, si në anën historike, ashtu edhe arkeologjike.

Bazilika e Ballshit, sipas studiuesve, ishte një ndërtesë kishtare, e cila nuk i përket antikitetit të vonë (ndërtesa kishtare paleokristiane), por ka gjasa, duke u bazuar në planimetrinë e saj, sikurse në teknikën e ndërtimit (K. Zheku, Monumentet, 2, 1987, f. 97), t’iu përkasë periudhave të Mesjetës së mesme (shek. VIII-X m.Kr.).

….Duke u rikthyer te zbulimi, arkeologu austriak C. Praschniker, në vitin 1922 publikoi studimin e tij me titullin “Muzakhia und Malakastra”, libër ky që bën pjesë në vëllimet 21-22 të veprës “Jahreshefte des Österreichischen Archäologischen Institutes in Wien”, botuar në Vjenë në vitin 1922. …Në faqet 195-196 të veprës, Praschniker, na sjell këto informacione lidhur këtij zbulimi (Fig.1) ku, kjo pllakë guri gëlqeror me përmasat 160 cm (gjatësi) dhe 40 cm (gjerësi), u gjet në rrënojat kishës në Ballsh të Mallakastrës në vitin 1918. Kjo pllakë, në pjesën e sipërme të saj, mbart një mbishkrim në gjuhën greke ku sillet epigrafia si më poshtë:

….”– – – – – –
– – Μαρίασ
Βόρης ό μετο-
νομασθείς
Μιχαήλ σύν
τώ έχ θεού δε-
δομένω αύ-
τώ ἕθνει ἕ-
τους, ςτοδ’.” (C. Praschniker, Muzakhia und Malkastra, Vien, 1922)

Në veprën e historianit, studiuesit dhe publicistit Ilirjan Gjika, i cili citon Praschnikerin dhe autorë të tjerë, sillen këto informacione, ku ky tekst i shkruar në greqisht përkthehet kështu:

Princi i Bullgarisë Borisi, i cili kishte marrë emrin Mihal, qe pagëzuar bashkë me popullin e tij nga zoti në vitin 866” (I. Gjika, Bylisi i Ilirisë dhe Apolonia e Jonit, 2010, Botimet Ymeraj, Fier, f. 35).

Pra, pllaka në pjesën e sipërme të saj mbart një mbishkrim, i cili ka lidhje me ato që njihen si “pushtimet Bullgare” në territorin e Mallakastrës, ku vet princi Boris i Bullgarisë (së bashku me popullin e vet) përqafojnë krishtërimin dhe princi Bullgar merr emrin Mihali i Parë. Ky pagëzim në ritin bizantin së Kishës Ortodokse të Lindjes së princit, padyshim, vjen në një kishë, e cila është ajo e Shën Mërisë, pikërisht sepse në mbishkrimin në fjale sillet emri “Μαρίασ” (Maria) (edhe pse në pjesën e sipërme pllaka është e dëmtuar, aty lexohet emri i Nënës së Krishtit).

Por, sipas historianit të mesjetës dhe bizantologut Georg Ostrogorsky, princi Boris i Bullgarisë, konvertohet si i krishterë në vitin 864 dhe me bekimin e Bizantit. Gjithashtu, ai merr emrin Mihal pasi perandori bizantin Mihali III ishte nuni i tij kur u pagëzua dhe kleri grek/bizantin nisi menjëherë mbas këtij konvertimi organizimin e Kishës bullgare. (G. Ostrogorsky, Storia dell’impero bizantino, 2005, Einaudi, f. 210).

Diçka të tillë e kanë mbështetur edhe studiuesit André Vaillant dhe Michael Lascaris në studimin e tyre me titullin La date de la conversion des Bulgares , studim ky publikuar në vitin 1933 në revistën Revue des ètudes slaves, V13, Nr. I, të cilët mbështeten pikërisht në këtë mbishkrim gjetur në Ballsh të Mallakastrës duke arritur në një konkluzion të tillë.

Në të vërtet, përherë sipas Gjikës, mbreti Boris i Bullgarisë dërgoi Shën Klementin si misionar për të rritur ndikimin e Kishës Bullgare si dhe strukturave të saj, në Ohër, Devoll sikurse Gllavenicë, ku kjo e fundit është supozuar të këtë qenë pikërisht Bylisi.

Sipas një studiuesi tjetër shqiptar, Koço Zheku, Gllavenica nuk është tjetër përveçse Bylisi, jo vetëm si një qendër e fortifikuar (castrum, shënimi im), por edhe kishtare. Gjithashtu, duhet theksuar fakti se nuk kemi të dhëna të tjera që në këto territore të Ilirisë së Jugut të kishte qendra të tjera kaq të rëndësishme, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe kishtar. Nga shkrimet e Dhimitër Homatianit (Kryepeshkopit te Ohrit), gjatë gjysmës së parë të shekullit XIII, në një pasazh të veprës së tij “Biografi e shkurter”, vlen të shkëpusim këtë dëshmi: “Në Gllavenicë shihen të ruajtura deri në ditët tona disa shtylla të gurta mbi të cilat janë gdhendur shkronja që shënojnë afrimin dhe bashkimin e popullit Bullgar me Krishtin” (Theofan Popa, Gllavinica e lashtë dhe Ballshi i sotëm, Studime Historike, Nr 2, 1964, f. 235-241, cfr. Jordan Ivanov, Bëllgarski Starini iz Makedonia, Sofia 1931, f. 318-319) dhe kjo dëshmi historike përputhet në mënyrë të pakundërshtueshme me mbishkrimin gjetur ne Bazilikën e Ballshit prej Praschniker. Pra, në tokën e Bylinëve, u konvertuan në të krishtere edhe bullgarët me ne krye princin e tyre Boris, ku ky i fundit u pagëzua me emrin Mihali I. Sigurisht, jo domosdoshmërisht princi Boris solli popullin e vet në këto anë të Ilirisë së Jugut për ta konvertuar në besimin e krishterë, pasi Borisi i Bullgarisë nuk erdhi këtu me popullin e vet, por me ushtarët e vet dhe pagëzimi i tij në emër të popullit te vet është bërë në mënyrat e kohës, pra Prijësi konvertohej dhe detyrimisht edhe populli i vet që jetonte gjetkë do konvertohej. Nuk kemi të dhëna mbetjesh të popullsive bullgare në Mallakastër (shënimi im). Ndikimi Bullgar në këtë treve merr fund në vitin 1018 kur Perandori bizantin Vasili II rivendos pushtetin e tij dhe diçka e tillë vërtetohet në krisovulat (vulat e arta) të këtij Perandori, lidhur me qendrat e rëndësishme kishtare jo vetëm të Gllavenicës por edhe të Beratit dhe Kaninës (I. Gjika, Bylisi i Ilirisë dhe Apolonia e Jonit, 2010, Botimet Ymeraj, f.38, cfr. K. Bozhori, Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë të shek. VII-XV, Tiranë, 1978, f. 85-88).

2) Mbishkrimi dhe Normanët.

….Një interes të veçantë në këtë pllakë epigrafike paraqet gjithashtu pjesa e dytë e saj. Në qendër të pllakës sillet një kryq i gdhendur, i cili është tipik i Normanëve, por edhe simbol i të kështunjohurve si “kryqtarë” të Kryqëzatave, fushata këto të fundit që u ndërmorën kryesisht prej evropianeve perëndimorë dhe veriorë duke nisur prej shek. XI (Kryqëzata e Parë i përket pikërisht vitit 1094 dhe u organizua prej Papës Urbani II) . Sipas të dhënave historike dhe duke u mbështetur pikërisht në çka sjell Ana Komnena, Normanët zbarkojnë në këtë territor që në fundin e shek. XI, pikërisht me mbërritjen e Robert Guiskardit dhe në veprimet ushtarake të viteve 1107-1108 në rrjedhën e poshtme të Vjosës, Gllavenica jepet si një qendër e fortifikuar dhe e mbrojtur prej bizantineve (sipas Komnenes mbrohej prej Aliatit) dhe sipas studiuesit K. Zheku përshkrimet që bën Komnena përputhen plotësisht me identifikimin e Gllavenicës si Bylisi (Koço Zheku, Glavinica dhe problemi i lokalizimit te saj, Monumentet, Nr. 2, 1987, f. 101).

Mbishkrimi mbi varrin e normanit Robert Monforte (apo Monte Forte) është bërë me 14 vargje dhe në formë poezie dhe ky kalorës norman ka qenë në shërbim të komandantit të Kryqëzatës së Parë, princit të Taranto dhe Antiokisë, Boemondi I.

Vargjet në latinisht si më poshtë:

Hic est subpositus
de Forti Monte Robert(us),
Corpore formosus,
prob(us) armis, vir generos(us).
Sub Duce Normanni(s)
cunctis quoq(ue) praefuit Angli(s),
Deseruit mundum
Dominique petendo sepulc(um)
Hic obiit Phoeb(o)
(i)a(m) sub Libra quater orto.
Det Roberte tib(i)
(s)ua gaudia rex para(disi). (C. Praschniker, Muzakhia und Malakastra, 1922, Wien)

Të cilat janë përkthyer në shqip si më poshtë:

Këtu është varrosur

Robert Monte Forti

I hirshëm në trup

Trim në armë, burrë bujar

Nënduk i normanëve

Që në krye dhe mbi të gjithë luftëtaret e Anglisë

Në moshën më të bukur të rinisë

Botën dhe jetën braktisi

Për të kërkuar varrin e zotit

Kur vdiq i ri

Kur dielli lindi për të katërtën herë

Në yjësinë e peshores

Të dhëntë o Robert

Mbreti i parajsës gëzimet e veta” ( Përkthimi nga Henrik Lacaj ).

Cili është ky komandant norman, i cili vdiq në moshë të re dhe emri i tij u shkrua në një epitaf gdhendur në një pllake guri në Bazilikën e Ballshit?

Në të vërtetë, Robert Monteforte na sillet edhe në disa dokumente të tjera arkivore perëndimore (dokumente të cilat po i sjell për herë të parë në këtë shkrim).

Në një vepër të studiuesit dhe eruditit francez Jean Paul Migne, në latinisht, ndër të tjera sillet kjo dëshmi interesante:

Buamundus, adjuvantibus Roberto de Monteforti et plurimis aliis baronibus expeditionem in imperatorem Constantinopolitanum suscipit. Mors Marci Baumundi. Antiochia a Balduino contra Sarracenos defenditur” (J, P. Migne, Patrologiae Cursus Completus: Series Latina: Sive, Bibliotheca …,, V. 188, 1855, f. 819-820) 

Përkthyer:

Boemondi, me ndihmën e Robert Monteforte dhe baronëve të tjerë u përgatit në fushatën për perandorin e Kostandinopojës. Vdis kështu Boemondo. Balduini po mbron Antiokine kundër Saraçeneve”. ( Përkthimi nga E. Canaj)

Pra siç shohim prej këtij dokumenti, Robert Monteforte së bashku me baronë të tjerë (zotërinj/feudal) të tjerë anglezë radhiten përkrah Boemondit në ekspeditën e këtij të fundit për Kostandinopojë. Një fakt interesant në këtë pikë është se Monteforte ka titullin baron që për Britaninë e kohës korrespondon si “zotëri (zotërues tokash) në shërbim të një duke”. Në këtë pikë, mbishkrimi i Ballshit lidhur titullit të Robertit si “Nëndukë i normanëve” gjen mbështetje në tekstin sjell prej Migne.

Ndërsa në një dokument tjetër sjell prej studiuesit Melville Madison Bigeloë lexojmë si më poshtë:

Anno ab incarnatione Domini MCVII., Henricus rex proceres suos convocavit, et Rodbertum de Monteforti placitis de violata fide prupulsavit. Unde idem, quia reum se sensit, licentiam eundi Ierusalem accepit, totam que terram suam regi reliquit” ( Melville Madison Bigelow, Placita Anglo-Normannica: law cases from William I to Richard I preserved in …, 1974, f. 94).

Përkthyer:

Në vitin 1107 të mishërimit të Zotit, mbreti Henrik thirri gjithë fisnikët për arsyen se Robert Monteforte shkeli besimin duke refuzuar. Kështu, ky, meqenëse u ndie në faj, mori lejen për të shkuar në Jerusalem dhe që gjithë tokat e tij ia le mbretit.”(Përkthimi nga E. Canaj)

Sipas këtij dokumenti, duket që fillimisht Robert Monteforte hezitoi të merrte pjesë në fushatën që përgatiti mbreti Henriku I i Anglisë dhe për këtë gjë Henriku thirri në një mbledhje gjithë fisnikët në vitin 1107. Me tej, sipas dokumentit, Robert Monteforte ndihet në faj për refuzimin e parë që bëri dhe pranon, apo i jepet leja, që të marrë pjesë në fushatën drejt Jerusalemit dhe gjithë zotërimet e tij kalojnë nën varësinë e mbretit Henrik.

Por dokumenti më interesant, sipas mendimit tim, është pikërisht kur Kryepeshkopi i Canterbury, Anselmi i Aostes (1033/34-1109)  iu jep lajmin gjithë besimtareve në Kishën e Canterbury për vdekjen e Robert Monteforte.

Teksti si më poshtë:

Epistle 475, Ad omnes fideles Eçlesiae Christi.

Anselmus, sanctae Cantauriensis eçlesiae antistes: omnibus fidelibus Eçlesiae Christi salutem et benedictionem dei et suam.

 Notum vobis sit quod nuper mortuo Rodberto de Monteforti in via Ierusalem, …”(Franciscus Salesius Schmitt,Opera omnia, V. 3-6, 1938, f. 423)

Perkthyer:

Letra 475, Për të gjithë besimtaret e Kishës së Krishtit.

Anselmi, peshkopi i Kishës së Shenjtë të Cantauriensis: për të gjithë besimtaret e Kishës së Krishtit, përshëndetje dhe bekimin e Zotit dhe të tij.

 Ju informoj që pak kohë më parë ndodhi vdekja e Robert Montefortes, në rrugën e Jerusalemit,…”. (Përkthimi nga E. Canaj)

Siç sillet në këtë dokument, lajmi i vdekjes se Robertit bëhet i ditur edhe në tokën e tij të lindjes dhe pikërisht prej një ndër figurave kishtare të rëndësishme të kohës sikurse ajo e Kryepeshkopit të Kishës së Canterbury, Anselmit nga Aosta. Prej këtij dokumenti do nënkuptonim që edhe Robert Monteforte ka gjasa të kishte lindur në këtë pjesë të Anglisë së jugut ku edhe kishte zotërimet e tij. Edhe pse kjo letër e Kryepeshkopit Anselm është datuar si e vitit 1102, në këtë pikë mendoj se duhen studime të mëtejshme lidhur ngjarjeve historike, pikërisht sepse sipas studiueseve të sotëm Roberti duhet të ketë vdekur në 20 shtator të vitit 1108, por nuk mund të ekzistonin dy figura me të njëjtin emër dhe mbiemër, të cilët vdiqën rrugës për në Jerusalem. Ndoshta data 1102 e letrës ka mundësi të mos jetë e saktë.

Një element tjetër në këtë pikë është se Robert Monteforte ka gjasa të ketë pasur titullin “Magister Militum”, që do të thotë se ishte një komandant i lart ushtarak, por edhe në këtë pikë duhen verifikuar këto dokumente nëse kemi të bëjmë me të njëjtën figurë historike:

Magsistrum militiam Robertum de Monteforti”(Viti kur ka pasur këtë detyrë, pra si komandant ushtarak është 1098).

Konkluzion: Duke marrë parasysh gjithë elementet më sipër, si ato arkeologjike gjetur në vendin tonë, edhe ato historike, pa dyshim mund të arrinim në disa konkluzione. Pikë së pari: rëndësia e kësaj pllakë në aspektin historik lidhur princit Bullgar Boris, i pagëzuar me emrin Mihal, i cili konvertohet në besimin e krishterë së bashku me popullin e tij, është i vetmi element material që vërteton diçka të tillë dhe duke u nisur pikërisht prej këtij elementi do na lindnin disa pyetje.

  1. a) Meqenëse sipas Ostrogorsky princi bullgar Boris pagëzohet si i krishterë dhe vetë perandori Mihali III ishte nuni i tij, a do ekzistonte mundësia që vet perandori të ketë marr pjesë në ceremoninë fetare të pagëzimit? Nëse po, atëherë do përbënte një fakt të rëndësishëm, pasi vet perandori Bizantin ka marrë pjesë në këtë ceremoni në një kishe e njohur si e Shën Mërisë në Ballsh të Mallakastrës.
  2. b) Robert Monteforte, në të vërtet, si personazh historik që ka ekzistuar, pa dyshim që bashkëluftëtarët e tij do e varrosnin në një kishë dhe në këtë zonë (sigurisht, nëse kemi të bëjmë me Gllavenicën) ajo më e mundura do ishte pikërisht Kisha e Shën Mërisë në Ballsh. Por, përse bashkëluftëtaret e tij zgjodhën pikërisht një pllakë guri të përmasave të konsiderueshme për të gdhendur epitafin e tij?

Për mendimin tim, lidhur pyetjes më sipër, jo se normanët nuk njihnin greqishten, por ky fisnik u varros me gjithë nderet që i takonin dhe në kujtim si dhe për bëmat e tij e përqasen me një figurë tjetër historike po aq të rëndësishme (edhe pse i një periudhe tjetre). Normanët nuk shkatërruan pllakën në memorie të princit bullgar, aspak (shkrimi në greqisht ngeli i pacenuar dhe pjesa e sipërme e pllakës është dëmtuar për arsye më tepër natyrale), përkundrazi, ripërdoren një material që ishte aty, në atë Kishë, një epitaf për komandantin e tyre.

Gjithsesi, shpresojmë që në të ardhmen e afërt i ngelet arkeologjisë të vërtetojë dhe pasurojë të dhënat historike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Meta: Çfarë i thashë Ramës për qeverinë me 71 vota

Ilir Meta rrëfen negociatat për reformën, pranon se me kryeministrin ka diskutuar...
Read More