Mbledhja e dy qeverive, e përsëritur, e fryrë dhe joproduktive

Nga Ervis Iljazaj

Dje është zhvilluar takimi i përvitshëm me rastin e festave kombëtare të dy qeverive, asaj të Prishtinës dhe asaj të Tiranës. Tashmë ky takim po kthehet në një ritual të përhershëm sa herë që afrohen këto festa, duke dashur të na tregojnë, se pavarësisht gjithçkaje, kombi shqiptar është më i bashkuar se kurrë.

Është e vërtetë, realiteti historik i shqiptarëve në këto momente është i favorshëm, tanimë që në Rajonin e Ballkanit gjenden dy shtete me popullsi shqiptare. Në këtë kuptim shqiptarët ndihen më të fortë se më parë. Mirëpo a i forcojnë marrëdhëniet midis dy shteteve “vëllezër” mbledhjet e dy qeverive apo janë thjesht takime simbolike?

Deri më tani, këto takime, përtej ndonjë vendimi pa shumë rëndësi, kanë prodhuar pak ose aspak gjëra që mund të konsiderohen me rëndësi për bashkëpunimin midis dy shteteve. Megjithatë zhurma ka qenë e madhe, njësoj si ajo e djeshmja. Një mbledhje me flamuj, me harta dhe plot emocione. Pikërisht, ky është synimi kryesor i këtyre mbledhjeve, të krijojnë emocione. Sepse, emocionet janë më lehtë të manipulueshme se sa arsyeja. Dhe, s’ka emocion më të madh te një popull, se sa t’i përkëdhelësh sedrën dhe krenarinë e kombëtare.

Mbledhje të tilla deri më tani kanë rezultuar butaforike dhe aspak produktive, për sa i përket thellimit të bashkëpunimit midis dy shteteve. Këtë gjë e dinë fare mirë si qytetarët e Kosovës dhe atyre ata të Shqipërisë, sa herë që i bie rruga të kalojnë kufirin midis dy shteteve.

Nëse vërtet do të ishte synimi për të rritur bashkëpunimin dhe heqjen e barrierave midis dy shteteve dhe një kombi, nuk do të kishte nevojë as për mbledhje solemne dhe as për trumbetime të tilla nacionaliste pakuptim. Të gjithë këta objektiva arrihen çdo ditë, me aksione konkrete, me vendime konkrete, pa patur nevojë për të pritur festën kombëtare. Nëse pritet kjo ditë për të rritur urat e komunikimit midis dy vendeve, atëherë, kjo mbledhje është thjesht simbolikë.

Ky është vërtet problemi që duhet të na shqetësojë, i mbledhjeve të dy qeverive, simbolika. Prej kohësh politika ka patur nevojë për simbole, pa të cilat nuk mund të mbijetojë. Duke filluar që nga regjimet më totalitare, e duke përfunduar edhe në ato të sotmet demokratike, simbolika ka një rol të rëndësishëm për politikën.

Simbolika, sidomos ajo kombëtare krijon emocione te qytetarët, duke iu dhënë atyre sensin e përkatësisë në një komunitet të caktuar, apo në një ideologji të caktuar. Politika, shpeshherë është një aktivitet manipulues, dhe këtë gjë e bën fare lehtë duke krijuar emocione masive. Edhe në rastin e mbledhjeve simbolike të dy qeverive, emocionet që krijohen, aq më tepër në një ditë feste kombëtare, janë të mëdha. Në këtë mënyrë, çdo gjë shkon në favor të saj dhe aspak në favor të kombit shqiptar. Nëpërmjet aksionin simbolik të politikës, ajo arin fare kollaj të evitojë arsyen popullore. Andaj, kombi shqiptar, nuk ka nevojë për mbledhje të tilla simbolike, por për një politikë të arsyeshme, një politikë e cila, në radhë të parë të mendojë për mirëqenien e tij, dhe në radhë të dytë, të na kursejë shfaqje nacionaliste që nuk kanë asnjë vlerë për prosperitetin e dy shteteve. Nuk ka nevojë që ndjenjën e krenarisë kombëtare ta nxisë politika. Ajo vjen si pasojë e ndërgjegjes individuale të gjithsecilit. Nëse nxitet nga politika me shfaqje të tilla, atëherë ose është për të manipuluar popullin nëpërmjet emocioneve, ose akoma dhe më keq, është e rrezikshme për të ardhmen e tij.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Agim Faja, piktori emblemë i një qyteti të vogël

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një...
Read More