Mbrëmja shkatërrimtare e Ema Andreas

Fituesja e çmimit “Pulitzer”, shfaqja “Natën, ma”, e Marsha Norman, ka premierën sonte, me regji të Ema Andreas “mbrëmja shkatërrimtare” mbetet një shenjë estetike drejt botës së brendshme femërore kur shqetësimet lidhen me dashurinë, shpresën, pse drama ua bën jetën të errët

Është një mbrëmje e zakonshme ku nënë e bijë reflektojnë se jeta mund të mos jetë aq e mirë. Vajza thotë papritur: do ta vras veten mama. Dhe në 90 minuta, e ëma dhe pjesa tjetër, publiku duhet të përballet me faktin se vajza nuk po bën shaka.

Është një lojë pothuaj reale, e vendosur në kohë reale, e numëruar nga orët në skenë, dhe tregon se çfarë ndodh pasi vajza bën “njoftimin” e saj.

E tmerruar por dhe dyshuese, e ëma nuk do ta besojë këtë, dhe do bisedojë me të bijën për vetëvrasjen. Ajo thotë se “njerëzit nuk e vrasin veten, nëse ata nuk janë të vonuar ose të çrregullt”. Por Jessie nuk është me të meta, thjesht ajo nuk është ndjerë kurrë mirë me jetën e saj, dhe kjo është arsyeja pse drama “Natën, ma”, është një skenë më komplekse se sa duket, më tronditëse se sa sugjeron subjekti i saj. Fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e Teatrit Metropol këtë fundjavë në skenë. “Natën, Ma” është përzgjedhur për t’u vënë në skenë nga bordi artistik i Teatrit Metropol në kuadër të sezonit artistik kushtuar tërësisht femrës, pas shfaqjes “Qiell i Heshtur” për të vijuar me “Natën, Ma” dhe më pas me shfaqjen “Ditari i Ana Frank”. Vepra mban regjinë e Ema Andreas dhe me interpretimin e aktores nga Kosova, fituese të shumë çmimeve Ilire Vinca dhe aktores së teatrit dhe kinematografisë shqiptare Egla Cenos.

Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten? Vepra tregon fatin e një nëne, Thelmës rreth të 50-ave dhe së bijës së saj, Xhesit rreth të 30-ave, e interpretuar nga aktorja Egla Ceno. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndihet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.

Diskutimi kritik rreth kësaj vepre është përqendruar në çështjen e vetëvrasjes në shfaqje, por gjithashtu është debatuar edhe për trajtimin feminist të saj. Të tjerë e lavdërojnë atë për të nxjerrë në pah luftën e grave si Thelma, interpretuar nga aktorja e Kosovës Ilire Vinca, për të hequr dorë nga mbajtja e fëmijëve të rritur. “Ne të gjithë i humbim fëmijët një ditë, duke menduar se na përkasin për gjithë jetën, por në të vërtetë mund të quhen vetëm ‘të marrë borxh’”, thotë autorja Norman, nënë e dy fëmijëve. Me Muzikë të Bojken Lakos, shfaqja ka premierën sonte, dhe “mbrëmja shkatërrimtare” e Ema Andreas, mbetet një shenjë estetike drejt botës së brendshme femërore kur shqetësimet lidhen me dashurinë, shpresën pse drama ua bën jetën të errët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nuk kontrolluan makinën me drogë, arrestohen 2 policë të Kapshticës

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Korçë, arrestuan 2 punonjësit...
Read More