‘Mbresat parisiane’ të një këmbësori të dashuruar

E kush nuk e vizitoi Parisin e nuk u dashurua me të! Në këtë habi tërheqja lidhet me kulturën, trashëgiminë, personazhet, shkrimtarët, teatrin, heronjtë, historinë që mbajnë godinat, stili, zërat, hiret e gjithë qytetit. Për ta perceptuar këtë kulturë, si një lloj transporti dijesh, informacioni, si një bibliotekë një nga personalitetet më aktivë, në përkthime, ese, skica, mbresa është shkrimtari Luan Rama. Për ta shtrirë impresionin nga një gjendje emocionale personale, Rama ka mbledhur shënimet e tij në një libër titulluar “Mbresa parisiane”, që vjen nga botimet UET Press, e promovohet ditën e mërkurë në mjediset e UET.

Në parathënien e tij, Miranda Shehu-Xhilaga e quan një guidë kulturore e historike, një shëtitje të këndshme, një gosti e bollshme të marra së bashku, servirur me përkushtime finese. “Ky publikim i vyer e i denjë për çdo bibliotekë, iu bashkëngjitet Përballë tablosë dhe Parisi letrar të këtij autori, duke formuar kështu një trilogji të përkorë, në gjuhën tonë të bukur”, shkruan Xhilaga. A mund të ketë fund brenda një libri, një tregim që të tregojë gjithë Parisin? Në epilog, autori jep përgjigjen se, “askush nuk do të ishte i zoti ta bënte edhe pse në një këndvështrim shumë personal, pasi historia parisiane është një histori e jashtëzakonshme ngjarjesh, faktesh, figurash historike, dramash e tragjedish. Pra, vështirë ta rrokësh një histori të tërë”. Për Ramën mjafton të vizitosh sheshet e shumta të Parisit, Place de Concorde, Place de la Republique, Place de la Nation etj., që të ndiesh rrjedhën njerëzore që ka vërshuar aty dhe të dëgjohet zëri i revoltës popullore, por dhe aspiratat e ditëve të sotme.

Një nga hotelet luksoze të Parisit rrëfen Rama mbart emrin e vjetër të Parisit, që quhet Lutetia, siç quhej në kohën galo-romane Lutetia Parisiorum. Vetëm në vitin 310 të erës sonë, kryeqyteti francez mori emrin Paris, civitas Parisiorum. “Ky hotel u ndërtua nga pronarët e Bon Marché, një kompleksi dyqanesh moderne në vitin 1910 dhe gjatë viteve 1930 këtu në mjediset e kafenesë së saj mblidheshin Matisse, Picasson Beckett, Saint-Exupery. Pikërisht këtu shkrimtari nobelist Albert Cohen shkroi romanin e tij të famshëm La Belle du Seigneur. Natën e dasmës së tij, gjeneral De Gaulle e kaloi pikërisht në një nga suitat e këtij hoteli. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria gjermane e rekuizicionoi dhe vendosi shtabin e spiunazhit. Hoteli kishte vetëm oficerë gjermanë. Pas lufte, një numër i madh të internuarish që u kthyen gjallë nga kampet e shfarosjes, u vendosën aty për pak kohë gjersa të gjenin njerëzit e tyre. Një hotel me një arkitekturë mjaft interesante dhe ku ambasada shqiptare në vitet 2000 organizonte festën e Pavarësisë”.

Në Paris rrëfen autori gjen edhe gjurmët e revolucionarëve të botës të ardhur pas revolucionit francez nga të gjitha anët e botës, nga Amerika, Afrika, Azia e Largët apo vendet arabike e të Lindjes së Afërt. “Duke xhiruar shtëpinë e arkeologut Leon Rey në Paris, papritur, në 38, Rue Vaneau pikasa dhe shtëpinë ku kishte jetuar dhe revolucionari Karl Marks, i dëbuar nga Anglia puritane në bumin e madh kapitalist, ku ai u vendos më 1843-shin bashkë me gruan e tij Zheni (Jenny von Westphalen) dhe u bë baba. Në atë vend azili, ai bashkëpunonte me gazetën Renane dhe pikërisht aty erdhi Engelsi për të diskutuar përfundimin e librit të tyre të përbashkët. Kafeneja e tyre e preferuar ishte Café de la Regence, ku Marksi takohej dhe me Proudhon-in e po kështu me mikun e tij, poetin Hajne, i cili gjithashtu e kishte të ndaluar të shkelte në Gjermani. Ishte koha e revolucioneve të tjera në Europë. Në Francë shpërthyen revoltat punëtore dhe Marksi do të shkruante në Paris librin e tij Tetëmbëdhjetë Brymeri i Louis Bonapartit (18 brumaire de Louis Bonaparte). Por me shtypjen e revoltave, Karl Marksin e zbuan duke e parë si një frymëzues të lëvizjeve revolucionare. Ai iku në Belgjikë, por në kohën pas revolucionit të vitit 1848, një miku i tij francez, gazetar, që ishte bëri ministër, i shkruante: “I shtrenjti im, trimi Karl Marks. Tirania ju përzuri. Franca e lirë u hap portat juve dhe të gjithë atyre që luftojnë për vëllazërimin e popujve”. Dhe ai u kthye, edhe pse në gjendje të mjeruar ekonomike. Një vit më vonë ishte policia e Napoleonit të Tretë që e zbuloi bashkë me Xhenin dhe katër fëmijët në një apartament në Rue de Lille, dhe ata u detyruan të marrin përsëri udhët e kufirit”.

Historisë së Parisit nuk i mbarojnë personazhet me të cilën merret Rama duke kujtuar po ashtu se aty erdhi dhe Simon Bolivari të mësonte artin e luftës revolucionare për të luftuar për pavarësinë e Venezuelës e po kështu dhe shumë revolucionarë të tjerë të viteve ’30. Lenini jetoi disa kohë në Paris; krahas Trockit që banonte në hotel Odessa dhe Çu En Lai-t që studionte në Paris, ishte dhe Teng Hsiao Pin; Ho Shi Min në vitin 1917 ishte vendosur në Rue Guy Môquet dhe në vitin 1920 u bashkua me Marcel Cachin për krijimin e Internacionales së Tretë Komuniste.

Duhet të jesh një këmbësor në Paris, shkruan në epilog Rama që, të njohësh historinë e këtij qyteti dhe të përjetosh kohëra ku janë ngjizur krijimet artistike, dramat dhe tragjeditë, vetë koha me gjëmimet e saj, e cila ka lënë ngado gjurmët e saj. Ky libër është i vlefshëm për t’u lexuar jo thjesht për mbresat nga historia e kultura parisiane, por për të kuptuar pse kjo histori e kulturë qëndron, i reziston kohës, prej qindra vjetësh, si memorie për Njeriun, për t’u përmendur për bëmat tona, mbi trashëgiminë dhe papërgjeshmërinë politike për t’i ruajtur e mbrojtur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mirëqeverisja si një parakusht për zhvillimin ekonomik e social të vendit

Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për procesin e menjëhershëm të reformimit...
Read More