Mbush sot 85 vjeç, Tinka Kurti rrëfen: Ja çfarë kam lënë amanet…

Përvjetorin e 85-të Tinka Kurti e feston në Shkodrën e saj të dashur. Drejtorja e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka e ka ideuar bukur festën, duke e etiketuar “Tinka e Përjetshme”.

Tinka Kurti 1

Picture 1 of 9

Pjesë të festës do të jenë shumë aktorë me origjinë nga Shkodra, por edhe të tjerë që kanë interpretuar në skenën e këtij teatri.

Në një farë mënyre, ditëlindja e Tinkës, do të jetë festë e artistëve shqiptarë të të gjithë moshave.

Nga Zenepe Luka

Aktorja përjeton emocione të mëdha , jo vetëm pse është një vit jubilar, ku vjen me një rol të ri, por edhe për shkak se festa bëhet në qytetin e saj, që e do marrëzisht. “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”-thotë Tinka, përpara se të nis bisedën.

Cilat role do t’i konsideronte më të spikatura, “të mëdhenj” Tinka Kurti?

Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit,” tek “Streha e të Harruarve” dhe deri tek i fundit në filmin “Yjet e së ardhmes”, që po shfaqet këto ditë. Në të vërtetë për aktorin, por edhe artëdashësin ka role të vegjël, që vlerësohen të mëdhenj, për nivelin e interpretimit, mesazhin që përcjellin.

Tinka Kurti është artistja e parë, që realizoi puthjen në film, madje në filmin e parë shqiptar. Si e keni përjetuar?

Kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë, që shkela çdo besëtytni për të realizuar rolin. Duhet të jemi objektivë, se këtë nuk e bënte çdo femër aktore.

Pak kush e di, që Tinka Kurti jep një kontribut edhe në shoqërinë civile. Ju jeni zv.Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, mundet nga goja juaj, diçka më konkretisht?

E them gjithmonë, madje me zë të lartë, që ky Fondacion, ku bën pjesë gruaja e shquar, përfshi edhe shumë aktore si unë, Margarita,Roza, Edi, Irini etj, i ka rënë botës rreth e qark, duke bashkuar zërin e gruas shqiptare. Ne artistet bëjmë punën tonë, recitojmë, interpretojmë, duke dhënë e marrë emocione. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme për 15 vjet dhe nuk besoj se do të ndalet ky Fondacion, sa kohë ka në krye një grua, që nuk përmbahet, sikurse je ti, Zenepe Luka.

Nga këto veprimtari, që e bëjmë vullnetarisht, kemi caste shumë të bukra, që nuk mund të harrohen.E tillë ishte prania jonë në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti i vitit 2008, ditë e acartë, por që na ngrohu shpirtin, një ditë e shumëpritur. Kam fiksuar në foto çastin kur një shqiptar i ardhur nga Australia më vendosi një qylaf në kokë dhe më mbështolli me flamurin e Kombit. E kam të shtrenjtë atë foto.

Dua të përmend faktin, aq më tepër që këtë bashkëbisedim e bëjmë me rastin e ditëlindjes, që Fondacioni ma ka festuar tre herë ditëlindjen. Njëherë teksa udhëtonim me avion në lartësinë 8000 metra, kur shkonim në Stamboll në kuvendin e 7-të të gruas së shquar, ku festa përfshiu edhe 75-vjetorin e lindjes sime. Emocione të paharruara solli më pas ceremonia e bukur me rastin e 80 vjetorit, ku morën pjesë gra nga disa vende, që drejtojnë degët e këtij Fondacioni

Si e kalon kohën Tinka Kurti?

Ditën e kaloj mes artdashësve, vargu i të cilëve nis sapo hedh shkallët e pallatit tim. Telefonata të pafundme më urojnë dhe më pyesin për shëndetin. Me kolegët dhe shoqet e skenës kalojmë një kohë të rëndësishme bashkë.

Por ne lëvizim shumë shpesh me Fondacionin, por jemi të kudondodhura në aktivitetet, që bëhen nga drejtoritë e teatrove. Rëndësi ka që ende interpretojmë role, role që i shkojnë moshës tonë. Kështu do të vazhdojmë sa kohë jemi mirë me shëndet. Është e vështirë të ndahesh nga skena, ku ke kaluar një jetë të tërë. Sigurisht, të ngrysesh dhe gdhihesh vetëm nuk është e lehtë, por ja që emigrimi ma mori djalin e vetëm. Sikurse e dini, unë kam një shtëpi të thjeshtë, pa komoditetin e kohës, por zonja e saj është një artiste, që ka sakrifikuar për të lënë si pasuri 110 vite punë. 60 vjet në teatër dhe 50 vjet në kinematografi. Ndaj them që kjo shtëpizë e varfër, të mbetet një muze i pasur. Është, e vetmja pasuri që kam në këto 110 vite punë e sakrificë. Ia kam lënë amanet tim biri që kjo banesë të jetë derëçelur përjetësisht. Aty do të evidentohet “pasuria” ime, vlerësimet, fotot, kasetat e CD me filmat e mi, veshje të roleve.

Shkruar Nga
More from Revista User

Vajza, lajme të hidhura nga ‘i burgosuri më seksi’ në botë…

Gjërat po bëhen serioze në mes të Jeremy Meeks dhe Chloe Green....
Read More