Më të lumtur? Ku gabojnë shqiptarët që duan të largohen nga vendi

Nga Enton Palushi

Shpesh mendojmë se largimi nga vendi është zgjidhja e duhur në kërkim të një jete më të mirë. Por a është kaq e thjeshtë? Psikologu më i njohur në botë mendon se gabohemi

Barometri i Ballkanit ka rikthyer sërish në qendër të debatit dëshirën e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi i tyre. Gjysma e shqiptarëve po marrin në konsideratë që të largohen dhe të punojnë jashtë vendit. Tendenca për të ikur po rritet nga viti në vit.

Rezultatet e sondazhit treguan se gjatë vitit të kaluar 48 për qind e shqiptarëve dëshironin të iknin nga vendi, ndërsa këtë vit kjo kategori arriti në 50%. Shqiptarët bashkë me boshnjakët renditen të parët në rajon me dëshirën e lartë për të lënë vendin. Ky nuk është i pari sondazh që tregon dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u larguar nga vendi. Pas publikimit të këtij sondazhi, kryetari i opozitës doli në një konferencë për shtyp. Lulzim Basha fajësoi qeverinë e Edi Ramës për dëshpërimin e shqiptarëve. Ai tha se Ramës nuk i bëhet vonë për qytetarët. Sipas Bashës, situata do ishte krejt ndryshe nëse do të ishte vendosur vota e lirë.

Por Lulzim Basha e di mirë se situata nuk është e tillë vetëm për shkak të qeverisjes së Edi Ramës. Fluksi më i madh i largimeve nga vendi nisi vetëm pak muaj pasi socialistët rierdhën në pushtet, çka na sugjeron për diçka akoma më të thellë se kaq. Për më tepër, përdorimi politik i kësaj çështjeje rrezikon që të mos të ofrojë kapital votuesish, sidomos në kohën kur dëshpërimi dhe zemërimi ndaj politikës në përgjithësi është në kulmin e saj.

Teksa po debatohej online për sondazhin e ri, serveri që mirëmban faqen e Departamentit të Shtetit ku bëhen aplikimet për të fituar të ashtuquajturën lotari amerikane, kishte rënë nga mbingarkesa e aplikimeve. Qindra-mijëra shqiptarë janë vënë në garë se kush aplikon sa më shpejt, pasi këshilla më e parë që jepet, është se aplikimi duhet bërë sa më herët, pasi në ditët e fundit rrezikon që të mos depozitohet. Nga ana tjetër, media tradicionale është e mbushur me tituj që të mësojnë se si të bësh kujdes gjatë aplikimit për lotarinë amerikane.

Por nga buron kjo dëshirë kaq e madhe për t’u larguar nga vendi? E lehtë, mund të thonë disa, njerëzit duan të kenë një jetë më të mirë. Edhe politikanët thonë se nuk i ndalojnë dot njerëzit që të kërkojnë një jetë më të mirë. Por kjo përgjigje sërish nuk i jep drejtim një paradoksi: Përse jemi në të njëjtën renditje me Sierra Leonen e Haitin për sa i përket dëshirës për t’u larguar? Për nga të ardhurat, Shqipëria është ku e ku më larg këtyre vendeve të varfra.

Një përgjigje mund të jetë për shkak se vende si Shqipëria apo Armenia, që e kanë numrin më të lartë të njerëzve që duan të largohen, kanë po ashtu një diasporë të madhe, çka ndikon te shtimi i dëshirës për largim. E thënë më ndryshe, largimi ose braktisja e vendit kthehet më shpejt në ‘zeitgeist’-in e një vendi. Pra, në shpirtin e kohës.

Por a nuk ka lidhje edhe situata ekonomike dhe ajo e rendit? Pa dyshim që po, por më shumë se kaq duket se është edhe dëshira për të qenë njësoj si fqinjët apo si ata që kemi afër. Efekti i krahasimit apo ajo që njihet si ‘Keeping up with the Joneses’ (të jesh në një nivel zhvillimi me fqinjët) është shumë më i fortë në Shqipërinë pranë Europës së zhvilluar se në Afrikë.

Për t’u rikthyer sërish te përgjigjja e thjeshtë që na japin të gjithë kur themi se përse duan të ikin shqiptarët nga vendi: pra, që kërkojnë një jetë më të mirë.

Por çfarë është një jetë më e mirë?

Kjo është një pyetje kaq e vështirë dhe me kaq shumë përgjigje. Filozofi Bertrand Russell thotë se çdo aktivitet i njerëzve nxitet nga dëshirat. Disa prej tyre janë bazike, si ushqimi e uji. Më pas vijnë dëshirat e tjera, që janë më të komplikuara. Prandaj në kohën kur merrte çmimin Nobel, Russell u bënte thirrje politikanëve që të kenë parasysh dëshirat e popullit të tyre.

***

Për të kuptuar më thellë dëshirën e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi, duhet të kthehemi pas në vitin 2015, në një tjetër studim interesant nga OECD. Atëherë organizata e njohur pyeste se cila është çështja më e rëndësishme për njerëzit në të gjithë botën?

Të dhënat e bazuara në informacionet e 2011-2014 të Indeksit të Jetesës nga OECD, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, jepnin një panoramë të gjerë rreth shqetësimit kryesor që njerëzit kanë.

Po të shihej grafiku me kujdes, harta e vendit tonë është në ngjyrë portokalli, ngjyrë kjo që tregon të ardhurat. Pra, ajo çfarë u intereson shqiptarëve në mesin e punës, sigurisë, raportit punë-kohë e lirë, edukim, sa të kënaqur janë nga jeta, shëndeti, komuniteti, mjedisi: janë pikërisht të ardhurat.

Ajo çfarë vihej re sërish nga grafiku i përditësuar me të dhënat respektive është se i gjithë rajoni ka si shqetësim kryesor shëndetin, madje edhe Greqia, sipas të dhënave të OECD. Ndërsa, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë si çështje kryesore sa të kënaqur janë nga jeta e tyre.

Pra shqetësimi kryesor për shqiptarët janë të ardhurat. Disa mund të thonë për shkak se jemi të varfër. Por prapë jemi vend me të ardhura të mesme-të larta. Duket se shqiptarët i duan të ardhurat pasi mendojnë se duke i pasur ato, do të zgjidhin shqetësimet e tjera. E thënë më ndryshe, veprojnë siç ironizonte dikur Eqerem Bej Vlora, kur thoshte se shqiptarët nuk preferojnë të merren me perimet, pasi konsumojnë mishin. Pra kafshët hanë jeshillëqet, ne hamë kafshët. Kështu e marrim ‘paketën e plotë’ me një shërbim.

***

Pra të ardhurat… Prej tyre presim një jetë më të mirë. D.m.th. të jemi më të lumtur. A nuk është ky qëllimi final? Por a do jemi më të lumtur? Edhe pse lumturia është një nocion i vështirë dhe i gjerë, për të cilin mund të flitet e të shkruhet pafundësisht, një nga ekspertët më të mirë të kësaj fushe në botë, psikologu më i mirë dhe fitues i Nobelit, Daniel Kahneman, flet për një teori shumë interesante. Ai e quan atë iluzioni i fokusimit.

Të ardhurat janë një përcaktues i rëndësishëm i kënaqësisë së njerëzve me jetën e tyre, por janë shumë më pak të rëndësishme sesa mendojnë shumica e njerëzve. Nëse të gjithë do të kishin të ardhura të njëjta, dallimet mes njerëzve në kënaqësinë ndaj jetës do të reduktoheshin me më pak se 5 për qind”, thotë Kahneman.

“Të ardhurat janë akoma më pak të rëndësishme në përcaktimin e lumturisë emocionale. Fitimi i lotarisë është një ngjarje e lumtur, por kjo nuk zgjat. Mesatarisht, personat me të ardhura të larta janë në humor më të mirë se njerëzit me të ardhura të ulëta, por dallimi është rreth 1/3 më i madh se ç’presin shumica e njerëzve. Kur mendoni për njerëzit e pasur dhe të varfër, mendimet tuaja janë pashmangshmërisht të fokusuara në rrethanat, në të cilat të ardhurat janë të rëndësishme. Por lumturia varet më shumë në të tjerë faktorë, se ç’varet te të ardhurat”.

“Nëse shikoni çështjen e kënaqësisë në jetë dhe se çfarë i bën njerëzit të kënaqur me jetën e tyre, kjo ka shumë lidhje me qëllimet në jetë. Kur i pyetëm njerëzit se sa të rëndësishme janë të ardhurat kur ishin 18 vjeç, dhe kur pamë të ardhurat kur ishin 45 vjeç, zbuluam se njerëzit që thanë në moshën 18 vjeç se të ardhurat nuk kanë shumë rëndësi, në moshën 45-vjeçare nuk shqetësoheshin shumë për to. Por ata që thanë se të ardhurat kanë shumë rëndësi për ta në moshën 18-vjeçare, më vonë në moshën 45-vjeçare, ishin në gjendje të mjeruar psikologjike. Pra, qëllimet janë shumë të rëndësishme për kënaqësinë në jetë”.

Mësimet e profesor Kahneman kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e njerëzve në botë. Por nëse vërtet nuk u bëjnë përshtypje, të paktën do u bëjnë të mendojnë se rendja pas të ardhurave mund të mos e bëjë jetën shumë të mirë. Ose aq të mirë sa e mendonit. Kjo nuk do të thotë që të mos vazhdoni kërkimin…

Pse jeta nuk është kaq e lumtur kur zhvendosemi në Kaliforni

Profesor Kahneman, në një prej teorive të tij, thotë se njerëzit kanë brenda tyre dy veta: njëra që jeton momentin dhe tjetra e kujtimeve. Kjo e fundit është ajo që vendos. Lexoni më poshtë një pjesë nga fjalimi i tij në TED

Tani, shumë shpejt një tjetër arsye se përse nuk mendojmë siç duhet për lumturinë është se ne nuk ndjekim të njëjtat gjëra kur mendojmë për jetën, dhe kur e jetojmë momentin. Kështu, nëse i pyet njerëzit se sa të lumtur janë në Kaliforni, nuk do merrni përgjigjen e duhur. Kur e bën këtë pyetje, ti mendon se njerëzit duhet të jenë më të lumtur në Kaliforni, se fjala bie në Ohajo. Sepse kur mendon për jetën në Kaliforni, ti mendon për kontrastin mes Kalifornisë dhe vendeve të tjera, dhe ky kontrast mund të jetë fjala bie te klima. Epo duket se klima nuk ka shumë rëndësi për veten që jeton momentin. Por vetja që reflekton (e kujtesës) është përgjegjëse dhe disa njerëz përfundojnë duke u vendosur në Kaliforni. Është interesante të zbulosh se çfarë u ndodh njerëzve që janë zhvendosur në Kaliforni. Epo, vetja që jeton momentin nuk është shumë e lumtur. E dimë këtë. Por ndodh një gjë: Ata mendojnë se janë të lumtur, për shkak se kur mendojnë se sa i tmerrshëm ishte moti në Ohajo, mendojnë se kanë marrë vendimin e duhur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Direkt apo indirekt?!

Nga Holta Heba* Individi që komunikon me stil direkt kërkon të japë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.