Medea: Njeriu dhe kompleksi vrastar i gjakut të shprishur

Krimi i njeriut përsëritet çdo ditë. Kudo e kurdoherë gjaku i njeriut derdhet në luftë e në paqe. Dhe brenda familjes e fisit. Jnë të panumërta viktimat, gjyqet e ndëshkimet. Vetëm letërsia e fuqishme i bën jetëgjatë viktimat dhe katilat. Kryeshembulli  më kompleks i natyrës tragjike të njeriut është “Medea”.

Nga Pirro Loli

Krimi i njeriut përsëritet çdo ditë. Kudo e kurdoherë gjaku i njeriut derdhet në luftë e në paqe. Dhe brenda familjes e fisit. Janë të panumërta viktimat, gjyqet e ndëshkimet. Vetëm letërsia e fuqishme i bën jetëgjatë viktimat dhe katilat. Kryeshembulli  më kompleks i natyrës tragjike të njeriut është  “Medea”. Medea ka zbritur nga dy mite të mëdha të antikitetit, qëndroi te Euripidi , kryemjeshtri i skenës tragjike e si kryepersonazh , e tash e tremijë vjet, ndrit në majat e vlerave të kulturës njerëzore; objekt i teatrit, pikturës,  poezisë, muzikës; kaq e çmuar në muzeumet dhe galeritë e botës. … – e dashur dhe e  urryer;  është  thika që theri fëmijët e vet dhe në teh të thikës në betejat e filozofëve, e psikologëve dhe kritikëve të çdo kohe…

JEHONA E PERSONAZHIT

Medea është personazhi më i ndërlikuar  i dijes dhe i artit, aqsa thua se nuk e ka krijuar mendja e njeriut të tillë, po vetë Zoti, për të na thënë  – ky është njeriu kompleks me  dashuri dhe urrejtje, familje dhe atdhe, luftë dhe pushtet, Eros dhe Thanatos, art dhe dije, krim dhe ndëshkim; Medea, është truri i çakërdisur i botës  njerëzore,  dyzimi i saj me një kafshë agresive përbrenda njeriut. Ajo  ka një pasaportë shumë të pasur. Si në të paktë personazhet e mëdhenj që i përjetëson arti. Ajo  hyn e del në qendër të dy miteve të mëdha, (Jasonit dhe Tezeut), por kryeheroinë e tragjedisë u bë nga Euripidi 400 vjet p.e re. Atë e rimori dhe Ovidi e Seneka 300 vjet më vonë e tragjedia më e re për të u shkrua nga Robinson Jeffersit më 1946. Ajo ka qenë e preferuar e krejt pikturës antike që në shek VI (p.e re) në dhjetëra  piktura në vazo. Piktura të saj të lashta  me këndvështrime të ndryshme, sot ruhen në  Napoli,  Luvër, Londër e Romë; Atë e kanë pikturuar dhe të mëdhejtë e artit si Rembrandi (1648) dhe Delakrua(1883) dhe qindra piktorë të tjerë…Skena tre shekujve të fundit e ka parë në edhe në opera, melodrama, koncerte, recitale…

Ka mbi 2500 vjet që  kryqëzohen mendimet e psikologëve,  filozofëve, estetëve dhe gjithmonë diçka mbetet pa u thënë për Medean. Po pse, pse ? Mund të harrohej fare si një vrasëse e fëmijëve të saj….Por, jo. E ndoshta sepse nëna nuk mund të ketë të tillë shpirt vrastar për gjakun e vet.

***

Aftësinë hipnotizuese e magjinë e kish fituar nga hyjnesha Hekata. Ishte bijë mbreti, e pikuar në bukuri e dinjitet. Ra në dashuri me Jasonin, heroin e etur për lavdi e pushtet, që me 50 trima u nis për në Kolkidë t’i rrëmbente bashkën e artë mbretit (Eetit), babait të Medeas, kusht për të fituar oborrin. Për hir të dashurisë kjo , tradhton të atin dhe atdheun dhe i  ndih Jasonit. Por rrëmbimi i pushtetit nuk është i lehtë, ashtu si bashka e artë, i varur në një majë lisi në territorin e zotit Ares, që ruhet nga një dragua i përbindshëm që nuk mbyll kurrë sy.

Arti i madh mitik  na njeh që në fillim me kushtet e parealizueshme surrealiste: Jasonit mund t’i kthehet Bashka e artë (pushteti) por me kusht : të punohet fusha e Aresit, Zotit të luftës me plug hekuri, me dema të zjarrtë, të mbjellë  dhëmbët e dragoit të gjarpërit të shenjtë, të presë derisa dhëmbët të mbijnë, të bëhen ushtarë e pastaj të ndeshet me ta, t’i vrasë…Të gjitha të pamundura.

Në skenë hyn Medea dhe takohet me Jasonin. Pas tyre fshehtas vepron Hera dhe Athena, drejtojnë Erosin mbi ta që të bien në dashuri që me shikimin e parë. Medea  me magjitë e saj i  bën të mundshme kushtet e pamundura dhe bie marrëzisht në dashuri me Jasonin.      Deri sa ushtarët e mbirë nga dhëmbët e dragoit vrasin njeri tjetrin, Jasoni vret Dragoin e përbindshëm  rrëmben Bashkën dhe…por mbreti Nuk pranon të dorëzohet, i vihet pas por çifti me dredhi e me trimëri nisen në trojet e pushtetit të rrëmbyer… ; lundrojnë përmes Iistras(Danubit) kalojnë plot pengesa dhe arrijnë në Adriatik.

HAKMARRJA

Këtu mbarojnë aktet dramatike dhe fillon tragjedia. Ata janë martuar me “temena” si çift mbretëror, kanë lindur dhe dy djem, por nuk janë të lumtur. Bashkën e artë  e morën,  por jo pushtetin. Mbreti Peli, nuk ua dorëzon kurorën dhe,  si të mos mjaftonte kjo, përsëri si kusht pushteti,  Jasoni e tradhton duke dashuruar Glaukën, bijën e mbretit Kreont. Dhe djemtë  ka lindur me pikësynim pushteti, pasurie e trashëgimie. Në skenë rishfaqet Medea, tani gjithsesi, e mbushur me urrejtje ndaj të shoqit dhe lëshohet si tigër e tërbuar për hakmarrje.  Së pari, vret Glaukën duke i dërguar tesha të lagura me helm. Me to u vra dhe i ati, mbreti Kreont, që donte t’i hiqte rrobat e vdekjes së bijës. Radhën e kishte Jasoni, por jo. Tërbimi i tigreshës nuk do zbutej. Ai duhet të vuajë më shumë se një thikë në grykë, më shumë se një helm në tesha e në vena…; ai duhet të tmerrohet para pellgut të gjakut të   djemve të tij…

… Ka shekuj që pyetje të shumta ngrihen për shkaqet e këtij krimi makabër, tradhtinë dhe  hakmarrjen, dhe shumëkush për një farë  bërthamëze kriminale brenda njeriut …Që nga lashtësia psikologë e filozofë kryqëzohen e, ndërsa krime të tilla përsëriten pa pushim, ( për meshkuj ordinerë  dhe Medeat e ditës merret një gjykatë dhe …harrohen duke mbuluar balta baltën)… Medea e Euripidit flet, gjykon, vret e ndëshkon dhe e drejta ose e padrejta e saj, anohet andej e këndej,  3000 vjet debate pa përgjigje të sakta… Ajo ishte e ndërgjegjshme që mynxyra e saj  do ishte ngjethëse, drithëruese jo vetëm për të atin e fëmijëve, por për vetë njerëzimin që  do t’i trazohej shpirti nga gjëma  e mnershme e mosozotshme të një nëne që vret djemtë e saj…

GJYQI

Ky gjyq vazhdon edhe sot pas rreth 3000 vjetësh. Pa hetues, pa  gjyqtarë,  as magjiistarë e hyjni. Ballanca e drejtësisë ulet e ngrihet dhe në të dyja krahët janë psikologët dhe filozofët, që,  me në krye Platonin ishin dhe poetë. E që atëherë këta mendjendritur na thanë se nuk ka drejtësi absolute dhe tragjedia si çdo vepër arti duhet të shihet pa paramendime.

…(Në pikturën e famshme të Eugjen Delakruasë, Medea gjysmë e zhveshur, flokë të kërleshur, shikim të egër mbushur me  tmerr,  ka rrëmbyer të dy djemtë lakuriq, i shtrëngon nën  gjinjtë e zbuluar dhe në dorë mban një thikë të gjatë. Që ndrit. Në sfond, ajo duket sikur qëndron brenda një shpelle të errët, (shpella e vetvetes). Sfondi është i zi. Si korb me sy gjaku.. Drita bije mbi gjinjtë e saj, trupin djemve lakuriq dhe tehun e thikës…Pas pak gjaku i pafajshëm do mblidhet pellg te këmbët, te gishtat e saj zbuluar që duken si kthetrat e tigrit…Por në damarët e gjakut të Medeas nuk qarkullon më gjaku i nënës.)

Zgjodha këtë pikturë se më duket se shpreh të dyja grupet  e psikofilozofëve dhe estetëve…Së pari, Stoicistët me në krye Epiktetin thonë se Medea përballë këtij krimi të përbindshëm ishte e kthjellët. Ajo i ka tejkaluar lëkundjet – tani e  dikton zëmërata. Dhe kërkon shpagim. Plani është bërë përpikmërisht me urrejtjen shtazarake. Hakmarrja  ndaj të shoqit përtej gjakut është e lëngëzuar. Ka jargët e tigrit. Dhe kjo zëmëratë mbisundon krejt arsyen…Ajo, me sy të çelët a krejt e verbuar, vepron e xhindosur. S’ka zgjidhje tjetër … Dikush thotë – po mirë , ndalo o njeri, o nënë , o grua, o Mede, ndalo së dashuruari tët shoq, ose vrit atë që të tradhtoi dhe fund. Hakmarrja u krye… – Jo jo, flet heroina me vete. Kjo që do bëj është e vetmja dhe më e drejta zgjidhje. Unë nuk dua ta shpëtoj tradhtarin tim por ta tmerroj. Ajo nuk vepron siç do dëshëronte çdo njeri. Jo së jashtmi ku ngjarjet dhe sendet ridimensionohen ndryshe nga autori që rrudhat e mendimit i ka më të thella. Grupi i  dytë (platonistët), më duket se e ka ballin më të gjerë. Sipas tyre, fryma e njeriut është e ndajshme.  Në esencë ata thonë se njeriu si njësi unike dyzohet në “i arsyeshëm” dhe “i pa arsyeshëm”. Platoni thotë se dëshirat patologjike ( sidomos për seksin, pronën dhe pushtetin. PL) e shtyjnë njeriun drejt zëmëratës, urrejtjes. Arsyeja duhet të jetë pjesa kryesore mbisunduese në shpirtin e njeriut përmbi dëshirat, dëshpërimin, hakmarrjen , krimin, perversitetin…Platoni sheh se  Medea brenda saj ka një frymë konfliktuale, arsyen që e fton për gjakftohtësi, për të mos përdorur thikën ndaj fëmijëve të saj…por jo, jo. Arsyeja mundet, mbytet nga xhindet e zëmëratës. Gjaku i mpiksur, gjaku i zi i lëviz asaj nëpër damarë dhe i kap trurin dhe zemrën. Ia tërbon nervat dhe ia shuan ndjenjat. Hungëron tigri i egër. Gruaja  apo nëna. Jo,  nëna nuk është më. Platoni flet për instinkte shtazarake. A thua brenda njeriut gjallon një kafshë e vogël gjakatare që, në momente të veçanta,  ndryshon formë dhe e mund arsyen, atë elefantin e urtë dominues. Të dy brenda qenies janë. Vetëgjyqësia, nënnjerëzorja, e keqja, shtaza  nuk pranon të bëhet pjesë e jetës njerëzore si forma më e lartë  e jetës së gjallë.   Te “Fedro” arsyetimi platonik jepet në një metaforë më kuptimplote. Fryma njerëzore përfytyrojet si Koçi (karrocë) që tërhiqet nga dy kuaj. Sipër qëndron koçari, ose arsyeja. Kali i parë është i urtë, dëgjon urdhrat dhe vepron, i dyti – është i shurdhët dhe i dhunshëm që nuk i bindet as frerit në nofull as kamxhikut në vithe. Koçari  mundohet të vendosë  nën fre dëshirat seksuale, kafshën e pabindur. Ose ngritjen e vorbullës që tjetërson qenien. Medea nuk e bindi dot kalin e tërbuar. Ai turfullonte dhe  e tërhoqi zvarrë (koçarin). Në dorë ka rrëmbyer thikën e mprehtë…(Mermiri ishte dhjetë vjeç, Feri katër…) Ngadhnjeu tërbimi i verbër. Energjia negative e sfinksit. Në të gjitha rastet e krimeve postmede, edhe sot e kësaj dite, është vetëm ky kalë që tërheq qenien, që zhbën njeriun. Pas krimit, gruaja, nëna, dashnorja, kthehen në memorie të boshatisura. ( Sic kthehet dhe burri , babai në një kafshë vrasëse…)

…Po shtaza vepruese brenda nesh a ka arsye? (Medea, kjo grua krenare, me gjini e mbretëri, e zgjuar dhe e bukur, dashnorja dhe nëna, plot dinjitet, kjo femër trime,  që sakrifikoi duke tradhtuar atdheun dhe të atin për dashurinë,  a ka të drejtë? Shekujt nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Me as “po, as jo”. Me veprimet e veta Medea nuk kërkon as të drejtën , as të padrejtën. Ajo, veç shpall  vetveten. Ose natyrën tragjike të njeriut.

Krimi përsëritet e përsëritet në përditshmërinë e njerëzimit dhe  asnjëherë nuk e ka  zhdukur  atë zëmëratën prej kafshe. Edhe brenda gjakut e fisit . Dhe nuk të bind edhe kur kacaviret te shkaqet.Shkaqet dhe pasojat duan apelim të mëvetësishëm. Hetuesit janë lodhur nga krimet. Gjykatat janë formale. Dhe bëhen hi e pluhur të gjitha vlerat dhe dinjiteti njerëzor përpara gjakut të derdhur. Psikofilozofët e kritikët e rrahin dialogun nëpër maja , përballen me kompleksin e pandreqshëm njeri, e mprehin mendimin  në zonat më të nxehta të mospajtimeve dhe kundërshtive. Dhe ndoshta, pa pretenduar për të  të drejtën, mbeten dëshmi e letërsisë së madhe.

Shkruar Nga
More from Revista User Read More