Media shqiptare njësoj si politika, më të rëndësishëm janë ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj

Këtë fundjavë është publikuar në prestigjiozen amerikane Newsweek një opinion mbi gjendjen e krimit dhe kanabizimit të Shqipërisë, si dhe qasjen e qeverisë ndaj këtij fenomeni. Po ashtu, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një opinion tjetër në gazetën Financial Times duke shprehur pozicionin e tij për këtë fenomen.

Kohët e fundit, këta dy artikuj për mediat e huaja nuk janë të vetmit mbi Shqipërinë. Janë pafund rastet, ku pasqyrohet gjendja në vendin tonë si dhe problematikat e saj në raport me krimin e organizuar.

Pa hyrë në detaje të këtyre shkrimeve, duke i marrë me radhë dhe analizuar një e nga një, është e qartë tashmë që kanë nisur një fushatë mediatike në shtypin e huaj, i cili po ushqen politikën shqiptare me debate, duke qenë se mediat e huaja janë duke u përdorur si instrument nga të dyja palët politike.

Pyetja që duhet shtruar në këtë rast është se: Përse beteja politike për fenomenin e kanabizimit ka kaluar nga mediat shqiptare tek ato të huaja?

Në radhë të parë, duhet të sqarojmë se shkrimet në këto gazeta që flasin për gjendjen e krimit në vend duhen marrë me rezerva për sa i përket vërtetësisë dhe profesionalizmit të tyre. Sepse në shumë raste, edhe pse bëhet fjalë për gazeta prestigjioze, artikujt që flasin për Shqipërinë shprehen në formën e opinioneve të marra aty-këtu, pa një investigim serioz mbi realitetin. Në këtë mënyrë, këto media duke qenë se artikuj të tillë publikohen jo si pasojë i një investigimi nga ana e tyre, por në formën e opinioneve dhe referimeve të ndryshme nga të tretë, distancohen dhe nuk mbajnë përgjegjësi për vërtetësinë e fjalëve që shkruhen në to. Në këtë drejtim nuk shkelin deontologjinë dhe profesionalizmin që i karakterizon. Prandaj, kur shohim një artikull në një nga këto media, nuk do të thotë medoemos që lajmi është prodhuar nga ato vetë, por thjesht këta artikuj publikohen në to në forma të ndryshme.

Në radhë të dytë, artikuj të tillë në mediat e huaja nuk kanë asnjë vlerë për sa i përket pasqyrimit të realitetit shqiptar. Nuk është e nevojshme të lexosh një artikull në një media të huaj për të kuptuar që Shqipëria në këto momente ka një problem me krimin dhe kanabizimin. Përse nuk mjaftojnë raportimet e mediave shqiptare për këtë fenomen për t’u ndërgjegjësuar që një fakt i tillë ekziston? Në këtë kuptim, këto pasqyrime në mediat e huaja nuk sjellin asnjë risi për sa i përket pasqyrimit të fenomenit të krimit.

Në radhë të tretë, dhe që është më shqetësuesja në këtë kontekst, është fakti se mediat e huaja po përdoren si informacione të besueshme për të zhvilluar betejën politike të brendshme, duke anashkaluar kështu mediat shqiptare. Ky është i njëjti fenomen që ka ndodhur edhe me politikën në raport me ndërkombëtarët. Duke qenë se besueshmëria e qytetarëve është në nivele të ulëta ndaj politikës shqiptare, shpeshherë, kur ka konflikte politike, marrin një rëndësi të veçantë qëndrimet e ndërkombëtarëve për opinionin publik.

E njëjta gjë po ndodh edhe me mediat. Artikuj të publikuar në mediat e huaja vlejnë më shumë për opinionin publik sesa ato të publikuara në mediat shqiptare. Kjo është një gjendje ku politika e ka futur median shqiptare, duke e barazuar në të njëjtat nivele të ulëta besimi. Prandaj, media shqiptare, përpara se të analizojë artikujt që publikohen në mediat të huaja, duhet të shqetësohet për faktin se përse beteja politike po zhvillohet me “informacione” që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jo brenda saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Problemi fiktiv me lobimin e Partisë Demokratike në Washington

Nga Ervis Iljazaj Ditët e fundit është kthyer në një çështje të...
Read More