MEDIA TREND/ Bieta Sulo, me sytë nga e ardhmja


Prezantuesja e emisionit “Ftesë në 5” në Top Channel vjen në këtë intervistë me këndvështrimin e saj për karrierën, familjen dhe median

Ajo e pranon se i ka ngjitur të gjitha shkallët, pa kapërcyer ndonjëherë. Fillimisht si gazetare, me pas redaktore përgjegjëse, ndjekja e punës në post-produksion, gjithashtu, opinioniste në “Top Show Magazine”.

Tashmë Bieta Sulo ka emisionin e saj në Top Channel, në një fashë orare të rëndësishme.

Kur njerëzit kthehen nga puna, të lodhur dhe të stresuar, imazhi i saj i qeshur, të ftuarit dhe pyetjet interesante e bëjnë ‘Ftesë në 5’ një ftesë që nuk duhet humbur.

Partneri i saj, Alban Dudushi ka qenë një këshilltar në rrugën që po ndjek, thotë Bieta në këtë intervistë për Media Trend.

“Sado që mundohemi t’i lëmë në godinën “Top Channel”, angazhimet e punës bëhen pjesë e bisedave tona edhe në shtëpi. Albani është “një mendje më shumë” dhe e vyer në bisedat rreth punës, sikundër edhe mua nuk më rrihet pa u interesuar se ç’ndodh nga “Top Show”, dashuria ime e parë”,  shprehet Bieta.

Por si e sheh ajo median televizive, garën për programet e pasditeve, jetën si një nënë dhe grua në karrierë, për më tepër ndiqni më poshtë përgjigjet: 

Bieta, emisioni ‘Ftesë në 5’ ka imazhin tuaj, jo vetëm si prezantuese, por edhe si një gazetare që e njeh mirë fushën. Si ndiheni pasi kanë kaluar disa javë? A jeni brenda pritshmërive?

“Ftesë në 5” është sigurisht një nga ftesat më të rëndësishme që kam marrë. Me sfidën, ku do të provohesha si autore dhe moderatore në të njëjtën kohë, e pranova ftesën e bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i televizionit, Ben Blushi dhe fillova punën pa u menduar dy herë. Unë nuk mund të flas për pritshmëri, por për objektiva dhe plane, të cilat gjykoj sot, pas 6 javëve në transmetim, i kam përmbushur dhe po eci në rrugën e duhur. Si konfirmim dhe vlerësim marr mbështetjen e teleshikuesve dhe patjetër mendimin e shumë profesionistëve të cilët më kanë shkruar dhe përshëndetur në këtë rrugëtim timin. I jam mirënjohëse dhe i vlerësoj shumë të gjitha urimet dhe fjalët që më kanë thënë.

Nëse do bënit një analizë të shpejtë, çfarë gjeni më të vështirë në këtë sfidë të re?

Të gjitha shijet, thuhet, janë të drejta. Në këtë kuptim, të arrish t’i kënaqësh të gjitha, kjo mbetet sfida. Duket e pamundur, por gjetja e një emëruesi të madh te përbashkët, është e arritshme në një emision të përditshëm. Nga e hëna në të premte, në “Ftesë në 5”, çdonjëri ka mundësi ta gjejë veten.

Konkurrenca e emisioneve të pasditeve në televizionet shqiptare ndihet. Ju çfarë mendoni se u dallon nga të tjerët?

Dallimin më të mirë e bën telekomanda në duart e njerëzve. Këtë sezon “Ftesë në 5”, në “Top Channel”, edhe pse një emision i ri pasditeje, ka bërë që telekomanda të shtypet në numrin 1. Për të vazhduar te profili im (pak vështirë të flasësh për veten ), por vlerësoj si armë shumë të fortë eksperiencën. Unë kam bërë “gavetën” në një nga emisionet talk show më të rëndësishme të televizioneve shqiptare, “Top Show”, duke i ngjitur të gjitha shkallët një nga një. Fillimisht si gazetare, me pas redaktore përgjegjëse, ndjekja e punës në post-produksion, gjithashtu opinioniste në “Top Show Magazine”, ku kjo e fundit më pajisi edhe me eksperiencën e ekranit.

Bashkëpunim apo edhe pak ‘konkurrencë’ me Alban Dudushin, partnerin në jetë?

Totalisht bashkëpunim. Sado që mundohemi t’i lëmë në godinën “Top Channel”, angazhimet e punës bëhen pjesë e bisedave tona edhe në shtëpi. Albani është “një mendje më shumë” dhe e vyer në bisedat rreth punës, sikundër edhe mua nuk më rrihet pa u interesuar se ç’ndodh nga “Top Show”, dashuria ime e parë.

Të jesh nënë dhe një gazetare në karrierë nuk është e lehtë. Si e menaxhoni kohën?

Nuk është e lehtë, e drejtë, por nga ana tjetër, të bën ta kesh ditën të organizuar dhe t’i vlerësosh shumë më tepër ditët e pushimit (për aq sa mund të të lërë telefoni). Të dy me Albanin mundohemi të koordinohemi, për të qenë sa më të pranishëm në shtëpi për djalin dhe pse gjatë ditës Kroi qëndron me njeriun më të besuar që mund të kujdesej për të, me mamin tim. Me mendjen e qetë për djalin, mund të jem edhe unë e qetë në punë dhe me të mbaruar nxitoj të shkoj në shtëpi dhe të përqafohem me të voglin.

Në një vështrim të shpejtë, si do e gjykonit panoramën e medias televizive në Shqipëri?

Media televizive në garë me atë online, është e para gjë që më shkon ndër mend. Por çka vërej është që të dyja, si ajo vizive edhe ajo online, janë ushqim për njëra tjetrën. Pra, ngjarje dhe intervista që zhvillojmë ne në studio prodhojnë lajme për portalet, ashtu sikundër edhe studiot i kanë sytë nga çfarë ndodh nëpër rrjete. Të dyja mediat duket sikur duan t’i bien në sy njëra-tjetrës.

Media dhe teknologjia lëvizin me shpejtësi. Çfarë bëni për të qenë gjithmonë në sinkron?

Duhet të ecim me hapin e kohës, në çdo drejtim. Kjo pasqyrohet te skenografia që zgjedh për emisionin, përdorimi i rrjeteve sociale, burimet nga informohemi. Teknologjinë duhet ta shohim dhe përdorim si ndihmëse.

Thuhet se njerëzit mendojnë shumicën e kohës për të ardhmen. Ju si e shihni atë?

Me sytë drejt së ardhmes dhe sigurisht e mendoj me të mirë se të sotmen (edhe pse mund të them që jam e kënaqur edhe me të sotmen).

Në planin familjar, bashkë me Albanin, sot jemi me dy fëmijë dhe 1 qen, në të ardhmen me më shumë fëmijë.

Në planin profesional, bashkë me Albanin, të dy figura te konsoliduara televizive dhe me impakt edhe më të madh në opinionin publik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjini përmes dhunës dhe pornografisë?

Rubrika: Peripatos Nga Klementin Mile Mjafton t’i hedhësh një sy të rastësishëm...
Read More