MEDIA TREND/ Në darkë u mblodh ‘Byroja Politike’

Juli Xhokaxhi, gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Byro Politike” në ABC News rrëfen në këtë intervistë vështirësitë jo vetëm të emisionit, por edhe të gazetarisë shqiptare në përgjithësi

Emisioni ‘Byro Politike’ po bën kohë në tregun mediatik, megjithatë kurioziteti mbetet. Përse ky emër?

Është sezoni i dytë i këtij emisioni në fakt. Emri kishte si qëllim pikërisht këtë, të ngjallte kuriozitet. Ka një kuptim të dyfishte “Byro Politike” do të thotë “Zyrë Politike”. Është një emision në Francë me këtë emër, por shpesh në situata apo ngjarje politike në Shqipëri, neve na kujtohet ajo byroja e vjetër e diktaturës, elemente të së cilës i hasim edhe sot, sidomos në mendësi apo në mënyrën e vendimmarrjes. Pra, gjithkush ka të drejtë ta kuptojë si të dojë. Nuk ishte zgjedhja ime, për të qenë e sinqertë. Ishte propozimi i Armand Shkullakut.

Pas kësaj periudhë, a keni bërë një analizë të emisionit? Cilat ishin pritshmëritë tuaja dhe a janë realizuar?

Analizën e bëj në përfundim të çdo emisioni, por pritshmëri shumë të mëdha nuk kisha dhe nuk kam. Është një emision që në mënyrë modeste përpiqet të hedhë dritë mbi ngjarje dhe zhvillime. Punoj pa staf mbështetës… dhe normalisht sado të përpiqesh nuk mund të nxjerrësh më shumë se kaq. Sepse në kohët e sotme është shumë e vështirë të kesh në studio protagonistët e vërtetë të ngjarjeve, sidomos kur nuk ke suport politik. Ju e dini mirë, që të ftuarit, ata politikë apo edhe punonjës e zyrtarë të administratës, mund të vijnë vetëm me aprovimin e zyrave të shtypit që funksionojnë pranë partive. Dhe natyrisht kjo është kushtëzuese. Sa i takon analistëve, në një pjesë të konsiderueshme funksionojnë me kontrata dhe pagesa, gjë që nuk aplikohet në ABC News. Dhe unë u jam vërtet shumë mirënjohëse të ftuarve të mi, që vijnë pa pretendime në emision. E për të qenë e drejtë, preferoj pikërisht këtë kategori të njerëzve të medias, sepse janë më të sinqertë në atë çfarë shprehin e gjykojnë. Pra janë dy emisione çdo jave me mesatarisht tetë të ftuar, që unë e vetme besoj se ia kam dalë modestisht t’i menaxhoj.

Si e shikoni panoramën e emisioneve politike në median shqiptare?

Janë shumë. Ka një dyndje njerëzish, gjykimesh, informacionesh, që është e vështirë t’i ndjekësh. Do të më pëlqente më shumë të shihja intelektualë të fushave të ndryshme të flisnin e të analizonin realitetin shqiptar.

Nuk më pëlqen të komentoj kolegë, por shpesh edhe qesh, edhe më vjen keq për çfarë shoh e dëgjoj.

Besoj se media sot ka më shumë nevojë të zgjerohet në përditshmërinë e njerëzve të thjeshtë, te çështjet sociale, se sa te politika dhe për fat të keq te kronika e zezë.

Megjithatë emisioni nuk mbetet vetëm te disa tema strikte. Ju si përpiqeni që të diversifikoni ‘portofolin’ e diskutimeve?

Ajo që më pëlqen dhe që përpiqem të realizoj është që mendimi të dalë i qartë dhe jo përmes debateve ulëritëse. Jo gjithmonë ia dal. Edhe pse audienca më e madhe është aty ku ka sherr. Synoj më shumë të gjykohet mbi aktualitetin dhe fenomenet dhe të dilet në një përfundim, se si mund të zgjidhen problemet, se sa të merrem me detajet, për si u tha, apo si e shau.

Raporti politikë- media nuk është në ditë të mira, me kryeministrin që jo vetëm lëshon etiketime, por edhe ka paralajmëruar një nismë antishpifje? Cili është komenti juaj për këtë situatë?

Raporti media –politikë së pari, nuk është i mirë për shkak të interesave të një pjese, për shkak të kushtëzimeve që vijnë nga këta interesa. Sa për etiketimet e kryeministrit, besoj se nëse ne do të kishim reaguar ndryshe, situata do të ishte krejt tjetër. Mua nuk më prek shumë ajo çfarë thotë kryeministri për mediat, se natyrisht media ka shumë më tepër për të thënë për të e për politikën në tërësi. Ajo që më shqetëson realisht është imponimi i kësaj gjuhe në opinionin shqiptar. Kjo nxitje e përçmimit dhe mosbesimit te qytetarët për gazetarët. Njerëzit duhet të kujtohen se ne jemi pjesë e qytetarëve dhe jo e pushtetarëve. Të bësh gazetari në Shqipëri nuk është e lehtë. Gazetarët e vërtetë shqiptarë janë të keqpaguar, të stërmunduar dhe të pavlerësuar. E në fund të fundit punojnë çdo ditë për të informuar publikun. Paketa antishpifje për mua është thjesht presioni i radhës, që shpresoj shumë të mos imponohet si materialet e gatshme që dërgojnë krerët e partive, apo sinjalet e aktiviteteve, që duhet t’i marrim të redaktuara pa qenë ne prezent. Besoj më kuptoni ku e kam fjalën.

Ka gjithmonë një diskutim nëse emisionet televizive i qartësojnë gjërat apo hedhin më shumë tym. Ju si mendoni?

Në një përqindje jo të vogël as nuk qartësojnë e as nuk hedhin tym. Janë thjesht show. Natyrisht ka emisione ku dalin të vërteta në mos të mëdha, të pjesshme. Por që të kërkosh në Shqipëri emisione kalibri është thuajse e pamundur. Vërtet mediat ndërkombëtare realizojnë programe ku dalin skupe apo zbardhen skenarë e intriga të mëdha, por të mos harrojmë fuqinë financiare dhe njerëzore të tyre. Janë programe për të cilat punojnë me dhjetëra njerëz dhe që kanë mundësinë e shpërndarjes gjeografike. Nëse në CNN apo BBC një gazetar investigativ punon me muaj për një çështje dhe paguhet, në Shqipëri një gazetar duhet të bëjë minimalisht tre kronika në ditë.

Rendja pas të vërtetës po bëhet një mision i vështirë. Çfarë duhet të bëjë media më shumë ose më mirë?

E vërteta është një sa e bukur aq edhe shëmtuar, për ta nxjerrë në dritë duhet një media krejtësisht e pavarur dhe shumë e fuqishme financiarisht. Më vjen keq, por te ne mund të ketë vetëm pjesëza të vërtetash, të tjerat duhet t’i marrim me mend. Nuk besoj se ka një rendje për të vërtetën, besoj se ka një rendje për të bërë zhurme, për të kapur audiencë.

Nëse hidhni një vështrim të shkurtër, si do e vlerësonit panoramën mediatike në vend?

Gri të errët. Me pak ndryshime, të gjithë përpiqen të marrin ç’të mundin nga “të mirat” e pushtetit të të qenit publik. Dhe të jem e sinqertë nuk u vë faj. Kjo po ndodh në çdo fushë.

Të jesh gazetare do të thotë të jetosh vazhdimisht me këtë profesion. Deri kur bëhet problem kjo? Si e përballoni ju stresin e punës dhe ndarjen e karrierës nga fushat e tjera të jetës?

Eh, pas kaq vitesh them se nuk e ndaj dot nga orët e tjera të ditës. Është aty, si një ves që nuk e largon dot asnjë moment, as kur je me pushime. Stresi është bërë si ajri që thithim. Nëse një çast nuk e ndjen, përmendësh e thua me vete “çfarë po ndodh”?!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘017-‘018/ Mapo Editions: 10 librat ku letërsia tregon Shqipërinë në 100 vjet

Bota atipike shqiptare, ajo arkaikja; bota moderne ajo, e ndjenjave të thella;...
Read More