MEDIA TREND/ Rilindja e Rudina Xhungës


Gazetarja e njohur rikthehet në një ekran tjetër, por me misionin që ka patur gjithmonë. Për gazetën MAPO ajo flet për gazetarinë, atë tradicionale dhe atë të re

‘Dritarja’ vazhdon të jetë e hapur. Rudina Xhunga ka ndërruar ekran, por jo mision. Gazetarja e njohur vjen tashmë në News24. Në një intervistë për gazetën Mapo, ajo tregon se çfarë të bën një gazetar të mirë në treg. “Kur je gazetar, nëse nuk je pak idealist, më mirë ndërro profesion”, thotë ajo. Xhunga është e kënaqur me ekranin ku e ka vendosur Dritaren. “Tani, në vitin e 20-të si autore e drejtuese e një emisioni politik, te prime time kam ardhur pikërisht në vendin më të mirë që mund të gjeje një emision të tille, në një televizion që prodhon informacion e politikë, duke qenë prej më ndikuesve në vend, jo vetëm për lajmin, por dhe jehonën që i siguron grupi”. E pyetur se përse duhet të ndjekin emisionin e saj, ajo shprehet: “Sepse unë jam një ndër ata që e duan këtë vend, që nuk ikin, që nuk përlyhen, që nuk nënshtrohen, që duan më të mirën, jo vetëm deri te pragu, po edhe përtej pragut të shtëpisë, me shpresën se mundemi, se duhet, se nuk kemi atdhe tjetër”.

“Dritarja” e Rudina Xhungës u hap 20 vite më parë në RTSH… Përpos qëllimit të njëjtë që ju inspiron për të vijuar këtë emision, çfarë ka ndryshuar te Rudina si gazetare ndër vite?

Dritarja është mundësia ime, hapësira ime për të komunikuar me botën rreth meje dhe përqafuar e përfaqësuar atë, duke ndikuar ta përmirësoj, aq sa mundem e di. Kur je gazetar, nëse nuk je pak idealist, më mirë ndërro profesion. Besimi se gjërat i ndryshon besimi është motoja ime.

Sot është shumë rëndësishme t’u japësh njerëzve arsye për të të ndjekur. Cilat janë arsyet e Rudinës, pse njerëzit duhet ta mbajnë pultin te “Dritare” në “News 24”

Sepse unë jam një ndër ata që e duan këtë vend, që nuk ikin, që nuk përlyhen, që nuk nënshtrohen, që duan më të mirën, jo vetëm deri te pragu, po edhe përtej pragut të shtëpisë, me shpresën se mundemi, se duhet, se nuk kemi atdhe tjetër. Unë jam njeri që kontribuoj dhe dritarja që drejtoj është ftesë për t’i hapur dritaret ndryshimit.

Cilat janë ato tema që në këndvështrimin tuaj influencojnë opinionin publik?

Temat kombëtare, temat e njerëzve që ia dalin, temat e besimit se ke një zë dhe ndonjëherë kaq mjafton, temat e aktualitetit global. Se po i mbushëm mendjen vetes që tërheq lokalja, tërheq ulërima, tërheqin budallenjtë, do humbasim shikuesin që është globalizuar, është mençuruar, ndryshe e me shumë nga shumë mendësi mediatike që kanë mbetur ne vend.

Ju menaxhoni edhe një portal online dritare.net që ka rezultuar ndikues deri më tani. Si arrini të organizoheni si me përgatitjen e misionit, ashtu edhe me produktin ditor që përcjell portali që ju menaxhoni? Çfarë bëni për të qenë gjithmonë në sinkron me të dyja paralelisht?

Unë organizohem se delegoj. Nuk jam supergrua, jam gazetare, që kap lajmin dhe mundohem ta trajtoj mirë, me gjithë seriozitetin dhe përkushtimin, pavarësisht platformës ku punoj, News 24 apo Dritare, apo Dritare Podcast, apo çfarëdo projekti ku përfshihem.

Duke iu bashkangjitur pyetjes sa më sipër, cilën platformë sociale mediatike përdorni me shumë dhe pse?

Hysenbelliu Group është grup mediatik i madh dhe shumë ndikues. Atje unë kam gjithë besimin dhe kujdesin të drejtoj Dritaren time. Ndërsa në Dritare.net jam unë dritarja. Po sërish nuk punoj pa komunikim me Dritanin. Apo edhe vajzat e djemtë e Dritares. Besoj te puna në grup. Ç’kuptim ka po nuk punove në grup. Shko mbaj ditar nëse nuk di e do të punosh në grup.

A mendoni se medias i ka ikur tashmë ai misioni klishe dhe bazë se një media duhet vetëm të informojë? Çfarë duhet bërë më shumë nga një media sot?

Jo nuk besoj se ky është misioni. Jo i imi të paktën. Unë besoj se jam në media, jo thjesht si lajmëse. Besoj fort te misioni i medias për të përmirësuar botën. Në media nuk punon dot, nëse nuk e beson, është një nga profesionet më të bukura, por nuk bën për kë do të bëje ca lekë, duke marrë e çuar lajme. Ne nuk jemi korrierë, ne jemi dritarja që hap dimensione të reja shprese dhe besimi.

Në një vështrim të shpejtë, si do e gjykonit panoramën e medias televizive në Shqipëri?

Ka humbur misionin. Qëllimin dhe besimin. Është tulatur, si gjithë shoqëria. Por nuk është shoqëria që do të zgjojë median, ky është mision i medias.

Një debat i juaji ku ishte i ftuar kryeministri Edi Rama ka bërë shumë bujë dhe ka patur shumë reagime. A mund të na thoni se si jeni ndjerë gjatë atij emisioni dhe cili ishte feedback-u?

Ishte një nga emisionet më të ndjekura dhe komentuara që kam bërë, prej ca kohësh. Edhe për News 24 qe i tillë, i pakrahasueshëm në shifra audience televizive apo YouTube. Më kishte marrë malli për këtë audiencë, që e kam pasur, humbur dhe pasur sërish. Në varësi të temave, personazheve dhe televizioneve ku kam punuar. Tani, në vitin e 20 si autore e drejtuese e një emisioni politik, te prime time kam ardhur pikërisht në vendin më të mirë që mund të gjeje një emision të tillë, në një televizion që prodhon informacion e politikë, duke qenë prej më ndikuesve në vend, jo vetëm për lajmin, por dhe jehonën që i siguron grupi.

Si do e vlerësonit lirinë e medias në Shqipëri dhe si e komentoni nismën për një paketë antishpifje?

Jam kundër shpifjes, kundër komenteve negative, kundër medias që nuk prodhon, po kopjon. Por jam pro denoncimit të së keqes, pro fjalës së lirë, pro ballafaqimit dhe përplasjes me të keqen, me autoritaren, me korruptiven e kriminalen. Ndaj nëse ndajmë çfarë është shpifje, jam me dy duart pro ligjit që dënon shpifjen. Kush është gazetar, bën pa të. Nuk na mbajnë klikimet e lajmeve trash. Na mban nervi dhe adrenalina që të jep një shkrim i mirë, një investigim i shkëlqyer, një emision ndikues. Po të bëhemi shumë që e kemi këtë mision, do dallohen më mirë ata që na e bëjnë pis.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Parashikimi i motit: Një ditë e bukur për plazh

Edhe gjatë ditës së sotme moti do të jetë njësoj në të...
Read More