Mediat e reja si shkak i mungesës së kredibilitetit të gazetarisë

Nga Edi Vlusha

Kredibiliteti ka qenë një aspekt i rëndësishëm i komunikimit masiv dhe gazetarisë nga ditët më të hershme të saj. Gazetaria dhe mediat janë ndërtuar mbi bazën e këtij kredibiliteti, por me futjen e mediave të reja çdokush sot është bërë gazetar dhe mund të raportojë një lajm. Gazetaria e sotme, pra ajo moderne, kërkon një gazetar “multitasking”, që duhet ta përgatisë lajmin për shumë platforma të ndryshme, televizionin, radion, print, por edhe për internetin.

Tashmë mediat e reja kanë ofruar një formë të re komunikimi të informacioneve, ndryshe nga ç’mund të kishin sjellë televizioni dhe media e printuar. Ky ndryshim në komunikim, domosdoshmërisht ka sjellë dhe ndryshim në formimin e një kulture, sepse një akt komunikimi përfshin jo vetëm përmbajtjen e mesazhit, por ai përfshin gjithashtu hapësirën dhe kohën e burimit dhe marrësit në formën e mesazhit në vetvete, qëllim për të cilin është dërguar, si dhe feedback-un e marrësit. Në këtë mënyrë unifikimi që mundohen të realizojnë mediat e reja pra, portalet online në Shqipëri, nuk janë gjë tjetër, por abuzime komerciale me pretekstin e argëtimit, informimit dhe satisfaksionit të shoqërisë. Ndër të tjera, kjo e bën shoqërinë shqiptare të shkëputur qartazi nga vetvetja, e cila ka ndërtuar një lloj varësie nga mbiinformimi i këtyre portaleve, të cilat tashmë janë kthyer në një kulturë dominuese.

Së pari, ka një ndryshim të madh në atë që ndodh sot në industrinë e medias, për shkak të zgjerimit të rrjeteve sociale dhe ky ndryshim nuk po ndodh vetëm në përcjelljen e lajmit, por edhe më gjerë. Mediat masive po ezaurohen. Sot, i gjithë informacioni po kthehet në media të personalizuara.

Më parë, gazetari merrte një indicie dhe dilte në kërkim të lajmit. Sot, pjesa më e madhe e lajmeve janë lajme të dorës së tretë (ka raste madje edhe të dorës së katërt ose të pestë), ku lajmi merret nëpërmjet postimeve të rrjeteve sociale të cilën më parë e gjente në vendin e ngjarjes nga burimi i parë ose maksimumi nga një burim i dytë. Sot ai e merr lajmin pa lëvizur aspak nga redaksia, e ka atë në kompjuterin e tij ose aty ku sot quhet universi e mediave sociale.

Edhe pse kjo është një lehtësi për gjetjen e informacionit, gazetarët nuk duhet thjesht të mjaftohen me kaq duke i bërë copy-paste, por duke e marrë në konsideratë duhet të gjejë këndin e këtij informacioni për të cilin akoma nuk flitet.

Së dyti, nëse kemi thënë se media është pushteti i katërt, sot po del në pah edhe “pushteti i pestë” i mediave sociale, i cili po vjen në mënyrë të pavarur nga mediat tradicionale. Individë, tashmë të kthyer në individ media, të ndihmuar nga platformat e rrjeteve sociale mund të ndikojnë së tepërmi duke pasur si konsideratë parësore qëllimet e tyre me mesazhet, komentet, opinionet që ata bëjnë shkojnë përtej kufijve të institucioneve ekzistuese. Të kthesh një çështje të ditës në koment, opinion apo qoftë edhe editorial është gjëja më e zakonshme në gazetari, por të kthesh opinionet e këtyre individëve në lajm nuk është vetëm mungesë kredibiliteti, por shterpësi të gazetarisë.

Së fundmi, të kthesh sot një portal informativ në industri ekonomike është gjëja më e suksesshme që mund të bësh, por të kthesh atë në industri ekonomike duke përdorur fuqinë e saj teknike dhe kapacitetin që të jep për të mbiprodhuar informacion dhe për të joshur pa pushim me lajme të rreme, skupe, lajme të pakonfirmuara apo deri në presione, nuk është industri ekonomike, por zhvatje e mirëfilltë deri në gjobëvënie.

*Drejtor i Komunikimit UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund të luftojë Edi Rama kundër vetes së tij

Nga Armand Shkullaku Po të ndjekësh videoselfie-t apo statuset e Edi Ramës...
Read More