Mediu tërheq komisionerët: Edhe 2 ditë afat për PD

Opozita vendosi dje që të organizojë kuvende qytetare edhe në qendrat e tjera të vendit, për zgjedhjet e lira dhe qeverinë teknike. Basha, takim me ambasadorin LU, por asgjë nuk ndryshon për kushtin e largimit të kryeministrit. PR tërheq emrat e komisionerëve nga KQZ, ndërsa PD ka afat deri të premten

Nga Nevila Perndoj

Thirrjet e opozitës për zgjedhjet e 18 qershorit avancojnë çdo ditë, ndërsa ajo është ende pa vendimin final. Deklaratat se nuk ka zgjedhje me Ramën e Tahirin, u pasuan me ato të Lulzim Bashës për bllokim me të gjitha mjetet të zgjedhjeve, që do të organizojë kjo qeveri, deri edhe me mosbindje civile.

Kjo lëvizje, sipas opozitës, nuk nënkupton bojkot.

“…Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë”, -tha mbrëmë Basha.

Opozita nuk e përfshin në fjalorin e saj politik termin “bojkot”, por hapa konkretë drejt saj po hidhen.

Mësohet se PR-ja ka tërhequr nga KQZ emrat për komisionerë për KZAZ-të, ndërkohë që dita e fundit ligjore e regjistrimit të kandidatëve për komisionet zonale është e premtja.

Partia Demokratike nuk i ka çuar emrat, ndërsa ka një tërheqje nga PR-ja, edhe pse kjo e fundit kishte respektuar më herët afatet ligjore.

Edhe pse çështja e komisionerëve nuk u diskutua në takimin e djeshëm mes disa partive të koalicionit opozitar, ajo për regjistrimin e subjekteve politike ka qenë prezente.

Partia Demokratike doli dje me një njoftim zyrtar rreth takimit ku paralajmëronte shumëçka, por nuk konfirmoi atë që jo zyrtarisht flitej mes tyre se partitë e opozitës nuk do të regjistrohen as si subjekte politike për zgjedhjet e qershorit nëse nuk krijohet një qeveri teknike.

Kjo mbetet për t’u parë sa kohë që afati përfundimtar për regjistrimin si subjekte politike pranë KQZ-së është 10 Prilli.

Deri atëherë, opozita do të marrë kohë, por edhe do të shfrytëzojë të gjitha rrugët (përfshi edhe mosregjistrimin në KQZ), në funksion të asaj që ajo kërkon; zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike.

E sigurt është ajo çka vetë koalicioni opozitar njoftoi zyrtarisht se, “ka vendosur ngritjen e kuvendeve qytetare për zgjedhjet e lira dhe të ndershme anembanë Shqipërisë, me përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe të gjitha grupeve të interesit, si pjesë e Lëvizjes Popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Por çfarë nënkupton opozita me kuvendet qytetare?

“…Këto kuvende do të jenë hapësirat e lirisë ku do të bashkohen qytetarë, do të bashkohen punëdhënës dhe punëmarrës, të papunë, të rinj e të reja, intelektualë, akademikë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, për t’i dhënë thellësi dhe qëndresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike… Në këto forume, gjithkush ka mundësinë, është i mirëpritur dhe i thirrur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti të madh kombëtar…”, sqaroi mbrëmë Basha.

Në njoftimin e partive të opozitës thuhet gjithashtu se, “koalicioni opozitar shpreh vendosmërinë për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor të manipuluar nga krimi në pushtet dhe paratë e drogës, dhe për të vazhduar deri në fitore betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme si interes jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Vendimet e disa prej krerëve të partive të opozitës me Lulzim Bashën u morën pas takimit që kreu i demokratëve zhvilloi me ambasadorin amerikan Donald Lu, në një nga restorantet në ish-Bllok.

Po dje, Kryetari i Partisë Demokratike priti në një takim pjesëtarë të misionit të OSBE/ODIHR-it që gjenden në Tiranë për të analizuar situatën parazgjedhore.

Sipas njoftimit për shtyp të PD-së, Basha është shprehur në takim se, “zgjedhjet janë në rrezik nga qeveria, e cila nuk zbaton dekriminalizimin dhe vazhdon të ndajë pushtetin me kriminelë dhe banditë të njohur”.

Sipas Bashës, qeveria nuk ka reflektuar pas rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015.

Kryetari i demokratëve ka akuzuar edhe KQZ-në për anshmëri në raport me ligjin për dekriminalizimin, ndërsa nënvizoi gjithashtu se, edhe Kolegji Zgjedhor është nën presion nga qeveria.

Duke akuzuar Ramën se ka prishur të gjitha zgjedhjet qëkur erdhi në pushtet, Basha iu tha përfaqësuesve të misionit të OSBE/ODIHR-it se zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të ndërtohen vetëm përmes një qeverie teknike e cila, sipas tij, do të fokusohet në “zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën kundër drogës, krimit, dhe parave të trafikut të paligjshëm”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

2 Korrik 1990: Pse të burgosurit politik refuzuan ambasadat, kërkuan azil politik në Francë

Pse ish të burgosurit politik zgjodhën azil politik në Francë në vitin...
Read More