Mehmet Kraja: Kulturën po e përdor politika

Intervistë/ Shkrimtari Mehmet Kraja vjen në një rrëfim për qytetin, letërsinë dhe politikën…

Intervistoi Beti Njuma & Alda Bardhyli

Për çdo njollë në histori askush nuk duhet të ndihet keq, por as nuk duhet të mburret e të ndihet krenar. Disa vite më parë Mehmet Kraja hidhte në letër këto rreshta teksa kërkonte të tregonte nostalgjinë për Prishtinën e vjetër, që i ngjasonte si një ëndërr vere aspak e ngjashme me Kosovën e ditëve të sotme. Portretin e tij e dallojmë nga larg teksa na pret në një kafenetë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, veshur me një bluzë të gjelbërt ngjashëm me ngjyrën marrin librat që ka shkruar. Më pas letërsia bëhet natyrshëm pjesë e bisedave tona, që nisin në tryezën e drunjtë të këtij lokali për të përfunduar mbrëmjen vonë në një bisedë të hapur me lexues si pjesë e rrëfimit të “Letërsia e qyteti”, për të kuptuar përmes saj, qytetin, identitetin dhe kohën që rrjedh…

Le ta nisim bisedën me udhëtimin tuaj nga Kraja afër liqenit të Shkodrës tek ky qytet, Prishtina që duket se tashmë është bërë qyteti i jetës suaj, ndaj së cilit jeni shpesh kritik?

M.Kraja: Kam ardhur në Prishtinë si student, e natyrshëm Prishtina u bë qyteti im. Kam punuar gjatë si gazetar në Rilindje, më vonë kam punuar në Universitet në  Fakultetin e Arteve, jam anëtar i Akademisë së Shkencave prej 13 viteve. Prishtina më ka dhënë shumë  gjëra, mirëpo unë gjithnjë dua ta shoh më mirë se sa është, e kjo ndoshta më bën të kem mendime kritike e ndonjëherë të jem i pakënaqur me të. Nuk është se nuk më ka dhënë mjaft, por thjesht dua ta shoh më  mirë.

Ju thoni se kurrë nuk i keni parë shqiptarët më mirë sesa sot. Në fakt, duket pak kontradiktor ky pohim po të kemi parasysh shkrimet tuaja sidomos të periudhës së fundit?

M.Kraja: Po është e vërtetë. Jua thashë  juve dhe e them se në tërësi shqiptarët nuk kanë qënë më mirë kurrë më parë por kjo s’do të thotë që ata s’mund të jenë më  mirë. Ne mundemi e duhet të bëjmë më  mirë. Pak gjëra na duhen mendoj unë. Ndoshta pak më shumë idealizëm e pak më shumë korrektësi ndaj vetes e idealeve tona në përgjithësi. Për shkak të kësaj dëshire, këtij idealizmi ndonjëherë  kam një  diskurs pak më të ashpër.

E keni nisur krijimtarinë në vitin 1974 me tregime, më 1978-tën vjen romani i parë i botuar nga Rilindja…Keni një  bilanc shumë  pozitiv si shkrimtar, me 11 romane, 5 vëllime me tregime, 3 me drama, pa përmendur edhe përmbledhjet e shumta publicistike. Më bëri përshtypje pasi nuk pashë asnjë vëllim poetik?

M.Kraja: Kam filluar të botoj kur isha nxënës në gjimnazin e Ulqinit. Korrespondencën e parë e kam pasur me Esat Mekulin. Në  atë kohë ai ishte kryeredaktor i “Jeta e re”. Kur erdha me studime në Prishtinë më 1971-in, Esatin e gjeta në ato barakat afër stadiumit. Ishte kryeredaktori legjendar i revistës “Jeta e re” dhe kjo revistë atëherë kishte një impakt të madh në jetën kulturore të vendit. Ishte një revistë më e hapur se revista “Nëntori” në Shqipëri. Esat Mekuli identifikohej me atë revistë dhe kishte diçka pozitive pasi i ndihmonte shumë krijuesit e rinj. Kur e takova më priti në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pas bisedës së njohjes më tha: “Më sill disa tregime.” Unë i përgjigjem se kam shkruar disa poezi. Atëherë ai më  thotë: ”Lëre fare mos u merr me atë  punë, se poezi shkruaj unë e nuk e di se çfarë jam duke bërë”. Nga kjo fjali e Esatit e lashë poezinë.

Kisha disa sprova në poezi por nuk ishin serioze kështu që e lashë të shkruarin e poezisë dhe u mora vetëm me prozë.

Në prozën tuaj i riktheheni shpesh kufirit, aq sa ndonjëherë të krijohet idea se kufiri dhe babai janë epiqendra e prozës suaj?

M.Kraja: Unë e kam kaluar fëmijërinë në Krajë, një zonë afër liqenit të Shkodrës. Na ndante me Shkodrën një kufi dhe një liqen. Shkodra ishte ëndrra jonë, refuzimi jonë historia jonë, ishte çdo gjë. Mbyllja e kufirit për vendlindjen time ishte një këputje jetësore. Ai kufi u bë objekt i shumë tragjedive e historive të dhimbshme, historive të ndryshme që ndonjëherë kanë prodhuar edhe absurditete edhe tragjedi por edhe fate njerëzore të çuditshme. Ishte një ambient që nuk kishe çfarë i shtoje asgjë për të qënë magjik në mënyrën sesi funksiononte. Ndoshta prandaj dhe proza ime i ngjan pak realizmit magjik. Kishte tragjiken brenda, kishte magjiken brenda dhe një izolim të jashtëzakonshëm. Në një anë liqenet e në anën tjetër malet e asgjë tjetër nuk kishte. Unë u rrita në një vend ku përtej liqenit ishte një qytet që ishte në të njëjtën kohë ëndërr dhe refuzim… dëshirë, ëndërr por edhe refuzim pasi kufiri kishte historitë e tij tragjike që vinin nga aktualiteti por edhe nga historia. Duke jetuar në një ambient të tillë e duke u rritur në këtë ambient në kujtesë domosdo që ajo do të reflektohej dhe në shkrimet e mia. Tematika e vendlindjes që lidhet me Shkodrën si idealitet e ëndërr është e kushtëzuar nga kjo rrethanë jetësore.

Cili ka qenë raporti juaj me Shqipërinë. Kam parasysh “Carere Patria”, një libër i Migjen Kelmendit ku ai flet për zhgënjimin që ndjeu me atdheun e munguar pas viteve 90-të kur pati mundësi të udhëtonte në Shqipëri? Ju keni jetuar gati shtatë vjet në Shqipëri, nga 1992 deri në 1999, edhe trazirat e 97-98. A ka qenë Shqipëria atdheu juaj i munguar?

M.Kraja: Për të gjithë kosovarët Shqipëria ka qënë atdheu i munguar e nuk bëj përjashtim as unë. Të gjithë e kemi përjetuar në këtë mënyrë. Tani kanë ardhur fazat e mëvonshme të njohjes më nga afër të Shqipërisë, të Shqipërisë ideale. Atë Shqipëri që kemi pasur fatin ta njohim në vitet ‘70 – ‘80-të kush pati fatin të shkojë në Shqipëri, të shihte atë që kishte për të parë dhe të kthehej, pa atë që krijonte ideologjia prapa perdes së tymit, dhe të gjithë ktheheshin me idenë se Shqipëria është ëndrra e të gjithë kosovarëve. Kjo ishte situata, me të cilën ne u ballafaquam të gjithë. Pastaj erdhi një situatë, një rrethanë, kur ne pamë Shqipërinë reale. Në vitin 1980 kur unë isha me një delegacion për vizitë në Shqipëri, nuk është se nuk pamë asgjë. Pamë diçka që ndoshta nuk e prisnim ta shihnim ashtu. Nuk është e vërtetë se ne nuk shihnim çdo gjë. Ne shihnim çdo gjë, por ndonjëherë  nuk donim t’u besonim syve tanë. Megjithatë, e tillë ishte situata, e tillë ishte Shqipëria në Kosovë, që edhe sikur të ktheheshim e të thoshim se “ne pamë edhe gjëra që ju nuk i merrni me mend” kishte dy zgjidhje. Nëse e thoshe këtë të vërtetë mund të quheshe tradhtar, mund të quheshe i shitur, mund të quheshe çdo gjë tjetër, sepse në mendjen e kosovarëve ishte projektuar një Shqipëri ideale. Kjo zgjati deri në vitin 1990. Hapja ishte një zhgënjim i madh. Duhet ta pranojmë, zhgënjimi ishte i dyanshëm. Edhe shqiptarët e Shqipërisë u zhgënjyen me kosovarët edhe kosovarët u zhgënjyen me shqiptarët e Shqipërisë. Unë jam përpjekur ta shoh realisht këtë situatë. Në dy librat e mi “Identiteti kosovar” dhe më herët, “Vitet e Humbura”, kanë kapituj për këtë realitet, sidomos “Vitet e humbura”,  i botuar gjatë viteve ’90 në Tiranë, i ribotuar edhe në Kosovë. Kam një kapitull atje, “Shqipëria si m’u duk”. Është një titull i një  libri të Konicës dhe kaq vjet më pas, si m’u duk edhe mua Shqipëria. Kam një përshkrim për mendimin tim, shumë objektiv të rrethanave. Kjo situatë që u krijua, me këtë ballafaqimin tonë me Shqipërinë reale, e cila nuk ishte më Shqipëri ideale, krijoi zhgënjime të mëdha, krijoi keqkuptime, krijoi mosmarrëveshje, por të gjitha këto mund të harrohen, sepse ja ku jemi.

Doja të ktheheshim pak në vitet ’70, për të na treguar diçka për atmosferën letrare në Kosovë. Ato vite kanë qenë shumë të ethshme, për sa i përket botimeve, marrëdhënieve të shkrimtarëve me njëri-tjetrin, kanë qenë vitet kur shkëlqente “Rilindja”, ku ju ishit aktiv dhe do të kalonit pjesën më të madhe të jetës. Si e kujtoni atë periudhë në Kosovë?

M.Kraja: Është herët sepse unë isha student në atë kohë dhe një shkrimtar i ri i cili përjeton çdo gjë dhe i dukej ëndërr, të ishte midis atyre shkrimtarëve. Unë përmenda një takim dhe një përkujdesje, që nuk e harroj kurrë, të Esat Mekulit, por kjo atmosferë ekzistonte. Duket sikur nga kjo perspektivë, atëherë kishte një komunitet letrar që funksiononte më mirë se ç’funksionon sot, por edhe atëherë kishte probleme dhe nuk ishte çdo gjë, krejt ideale. Megjithatë mbaj mend se njohja e parë me shkrimtarët e shquar, me atë që quhej brezi i parë i letërsisë në Kosovë, ishte një njohje që mbeti në kujtesë për shumë kohë. Ishin shkrimtarë seriozë, që sapo kishin filluar letërsinë e Kosovës, të cilët dhanë arritjet më të mira, siç mund të përmend poetin Azem Shkrelin, Ali Podrimen etj. Duket pak çudi tani, se si këta emra dikur i shihja nga distanca dhe më pas i kisha miq. Unë isha shumë më i ri se ata, dhe i kisha ndjekur nga larg. Kjo ishte atmosfera, pak më e idealizuar se sot, natyrisht.

A kanë luajtur rol në ato vite arti, kultura, letërsia në Kosovë. Cila ka qenë roli i tyre gjatë asaj periudhe?

M.Kraja: Duhet të them edhe një gjë, që secila gjeneratë që shkon, mendon se ajo që kaloi ka qenë një periudhë më e mirë, se koha që vjen. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo kohë ishte e mirë por kishte edhe probleme shumë. Unë mbaj mend, ne kishim një periudhë kohore që ishte pak më mirë, fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80. Viti 1981, erdhi si një prerje e menjëhershme. Ishte kohë e vështirë, kohë e diferencimeve dhe kohë e mbledhjeve të rënda, e denoncimeve. Pra nuk ishte periudhë e lehtë. Një periudhë e shkuar, mund të shihet nga personi edhe me paksa nostalgji. Koha jonë, ka qenë veçmas nga vitit 1980 dhe deri në vitin 2000, ishte kohë e artë.

A kishit kontakte me shkrimtarët e Shqipërisë, a e lexonit letërsinë që bëhej në Tiranë. Kam parë kohët e fundit, një foton tuaj me Kadarenë në vitet ’80. Cila është historia e kësaj foto?

M.Kraja: Ishte ajo vizita e vitit 1980 që përmenda më lart në Tiranë, një foto e realizuar në Hotel Tirana. Ismaili ka qenë në Kosovë, për vizitë më herët diku në fund të nëntorit, sepse u promovua seria e veprave të tij prej 10 vëllimesh që e botoi “Rilindja”. Mua m’u dha detyrë, sepse isha gazetar në redaksinë e Kulturës te “Rilindja” që të bëja një intervistë me Ismailin. E nisëm intervistën, i bëra pyetjet por për për shkak të axhendës së ngjeshur, ajo intervistë mbeti përgjysmë. Ndodhi që dy javë më vonë, unë shkova në Tiranë dhe u vumë në kontakt dhe ishte dakord që ta vazhdonim atë që kishim nisur në Prishtinë. Ky ishte kontakti i parë. Po! Ne i lexonim shumë, i njihnim. Kemi pasur vizita, por edhe ne kemi shkuar, të paktën deri në vitin 1980. Por ka pasur edhe periudha të zbrazëta të këtyre marrëdhënieve. Vitet 80-të e më pas ishin një shkëputje totale e gjithë kontakteve e mundësive me Shqipërinë. Në vitin 1981 u ndërprenë. Pas këtij viti nuk kishim kontakte. Erdhën vitet ’90 dhe gjithkush, sipas mënyrës së tij, rivendosi kontaktet me Shqipërinë. Një gjë duhet të them, që leximi i letërsisë së Shqipërisë, ka qenë intensiv. Ne shkrimtarët e kësaj gjenerate, i njihnim pothuajse të gjithë. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevair Spahiu, për shkak edhe të përfshirjes në programe, ishin më të njohur se të tjerët.

Ndërkohë, çfarë ndodh sot me letërsinë shqipe. Prej tre dekadash është krijuar një brez i ri shkrimtarësh, por që nuk kanë arritur ta tejkalojnë emrin e Ismail Kadaresë. Çfarë nuk shkon sipas jush?

M.Kraja: Për mendimin tim, kjo nuk ka të bëjë me autorët, por ka të bëjë me lexuesit. Autorët janë ata që janë. Ata mund të mos jenë më të mirët në botë, por letërsia shqipe nuk është më e dobëta se letërsitë e tjera në Ballkan. Unë ta them me bindje të thellë se letërsia shqipe është ndër letërsitë më të mira.

Çfarë nuk shkon atëherë?

M.Kraja: Ajo çfarë nuk shkon, nuk shkon edhe te popujt dhe letërsitë e tjera. Sepse kanë ndryshuar kohët. Nuk janë më shkrimtarët ata që afishohen si më të mirët e botës. Nuk lexohet letërsia, lexohet diçka tjetër. Letërsia ka kohën e vet të keqe. Kjo nuk ndodh vetëm me letërsinë shqipe, ndodh edhe me letërsitë e tjera.

Ismail Kadare u vlerësua më shumë në Paris u përkthye e botua jashtë. Duhet thënë, se çdo letërsi ka shkrimtarët e mirë, shkrimtarët përfaqësues dhe pjesën tjetër të shkrimtarëve që nuk janë përfaqësues. Se kush janë përfaqësues unë nuk e them dot. Por di një gjë, duke qenë se lexoj letërsi të mirë, por edhe letërsi të mirë të përkthyer dhe nga letërsia jonë, atëherë duke qenë shkrimtar, unë bëj një krahasim dhe shoh, se nga shkrimtarët që marrin çmime të mëdha, unë gjej emra, që nuk janë më të mirë se shkrimtarët e Kosovës dhe Shqipërisë. P. sh.:, unë kam lexuar 5 – 6 libra të Orhan Pamukut, por unë e gjej brenda letërsisë shqipe Orhan Pamukun. Prurjet nga jashtë kanë një zhurmë të madhe mediatike. Kjo nuk ndodh vetëm me ne. Kam pasur kontakte të ndryshme me persona që përkthejnë nga gjuhët sllave, kryesisht nga sllavët e jugut. Ne kemi një letërsi shumë më të mirë, që nuk krahasohet me letërsinë e sllavëve të jugut. Por problemi tani është te njohja, pse letërsia nuk lexohet. Problemi nuk është letrar, por është kulturor.

Ka një problem midis njohjes së letërsisë shqipe në Kosovë dhe anasjelltas. Libri i Kosovës nuk vjen në Tiranë, ose vjen me vështirësi, ndërsa libri që botohet në Tiranë vjen krejt lehtësisht në Kosovë

M.Kraja: E përsëris, ky nuk është problem letrar, por është kulturor. Duhet të biem dakord që letërsia shqipe është një dhe e tëra. Ka dy përvoja letrare. Ka një përvojë letrare e cila quhet letërsi e Kosovës e cila funksionon përderisa rrethanat politike e krijuan ashtu siç ishte. Nga vitit 1990 e mbrapa, nuk ekziston nevoja që të kemi një letërsi të ndarë. Pra kemi të bëjmë me një përvojë letrare e cila u krijua në kuadrin e letërsisë shqipe, u krijua një përvojë e ndarë dhe kjo ishte letërsia e Kosovës. Kjo është e ngjashme me letërsinë arbëreshe. U krijua, fillimisht funksionoi dhe më pas nuk funksionoi më. Rrethanat politike erdhën asisoj që letërsia arbëreshe nuk mund të jetonte më, në kuadër të letërsisë shqipe, si përvojë e ndarë. U integrua brenda letërsisë shqipe. E njëjta situatë mendoj se mund të jetë me letërsinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. U krijuan disa rrethana politike që në letërsinë shqipe të kishte dy përvoja, një në Shqipëri dhe një në Kosovë. Një ndarje e tillë, jo e vetishme, do të krijonte një situatë të tillë, që letërsia e Kosovës të merrte një zhvillim pak më ndryshe dhe letërsia në Shqipëri, një zhvillim më ndryshe. Pas viteve ’90, u pa që kjo letërsi mund të rikthehet dhe të integrohet. Këto probleme që ju i theksoni tani, janë probleme të mundësisë, të pamundësisë ose të dinamikës së integrimit të dy përvojave letrare. Çfarë ndodhi. Pas viteve ’90 ne i tejkaluam pengesat dhe menjëherë u gjendem përballë njeri-tjetrit, me ankesa të mëdha që letërsia e Kosovës nuk lexohet andej. Gjuha e Kosovës nuk funksionon, kosovarët kanë një gjuhë të papërdorshme, etj. Realisht kishte diçka objektive, por që ndonjëherë iu dha edhe ndonjë dimension pezhorativ në Shqipëri. Këtë duhet ta pranojmë. Unë kam jetuar në Shqipëri dhe e njoh këtë ambient dhe këtë rrethanë. Problemi i gjuhës u stërmadhua, u hiperbolizua dhe ndonjëherë edhe u manipulua. Nga një problem real u kthye në një problem trill. Më lejoni ta them këtë, që poezia e Kosovës në vitet ’70 – ’80, ka qenë më e mirë dhe më e avancuar nga ajo e Shqipërisë. Më thoni, cili poet kosovar u lexua në Shqipëri? Asnjë. Ishte pengesë gjuha? Jo! Sepse gjuha e poezisë nuk shpërfaqet në atë formë për tu krijuar si pengesë. Por çfarë ndodhi? Them se gjuha e letërsisë së Kosovës kishte probleme reale, mangësi dhe mungesa reale por kishte edhe një problem tjetër që ishte problem kulturor, si rezultat i mos komunikimit për një periudhë të gjatë. Dhe sigurisht pas një kohe të gjatë moskomunikimi, do të shfaqeshin edhe telashe të kësaj natyre. Aktualisht si qëndron situata? Letërsia e Shqipërisë qarkullon në Kosovë, është e pranishme.

Ka ndryshuar raporti juaj me letërsinë me kalimin e viteve? Si është tani procesi juaj i shkrimit?

M.Kraja: Dy faza kam pasur në jetën time përsa i përket procesit krijues para dhe pas kompiuterit. Kam filluar të punoj herët në kompiuter që në vitet 90-të e që nga ajo periudhë letërsinë e shkruaj në kompiuter. Kur kthej kokën pas e kujtoj makinat e shkrimit, ku një gabim duhet ti riktheheshe ta shtypje faqen në tërësi, mendoj se si kemi mundur të shkruajnë librat në atë mënyrë…Në shkrim për mua kompiuteri sjell cilësi, që teksti të korrigjohet, rishihet e t’i jepet forma më e mirë…

Shkruani çdo ditë?

M.Kraja: Ndonjëherë çdo ditë ndonjëherë jo. Procesi i krijimit letrar është një proces individual i secilit e nuk ka enigmë të madhe, por proza kërkon shumë punë e të rrish shumë ulur në kompiuter ndryshe nga poezia që mund ta shkruash kudo, apo gazetaria që mund ta shkruash edhe në nxitim. Ndërsa proza është një çështje shumë serioze.

Ndodh lehtë çlirimi nga personazhet, nga libri kur një libër përfundon?

M.Kraja: Kur një libër përfundon nuk është më i imi…

Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që heshtin, ju keni zgjedhur të jeni aktiv përmes shkrimeve publicistike. Ndihet zëri juaj. Artikujt e fundit kanë qenë të ashpër. Një nga shkrimet interesantë ka qenë ai për myslimanët e facebookut. Ju keni hedhur alarmin se feja që po shndërrohet në ideologji në Kosovë.

M.Kraja: Gazetaria ka ecur paralelisht me letërsinë tek unë, ka qenë profesioni im që nga vitet 70-të. Kam jetuar me gazetarinë. Jam përpjekur të mos i ngatërroj këto disiplina, por atëherë kur letërsia nuk mund të shprehë në mënyrë më direkte atë çfarë më shqetëson, vë në jetë gazetarinë. Si shkrimtar duket sikur janë dy njerëz brenda meje. Çështjet që trajtoj përmes letërsisë përpiqem t’u jap një trajtim më të thellë, më serioz e më të distancuar, në një kohë që me gazetarinë është një mënyrë tjetër komunikimi më direkte. Ne kemi shumë probleme si shoqëri e re, një ndër to është edhe problemi fetar. Jemi një shoqëri e nderë dhe ndarja e Kosovës në Lindje-Perëndim është një diskutim që në Shqipëri është bërë në vitet 30-të nga Branko Merxhani. Një grup dijetarësh u përpoqën t’i jepnin një orientim kësaj ideje. Eshtë teksti i njohur i Çabejit :”Letërsia shqipe lindje-perëndim”… Shoqëria shqiptare në vitet 30-të bëri shkëputjen e madhe nga orientalizmi dhe u kthye me kahje nga perëndimi. Ne nuk e arritëm këtë për shkak të politikave dhe mungesës së shtetit.

Çfarë ndodhi në Kosovë, pse ka ardhur kjo frymë e ekstremizmit?

M.Kraja: Erdhi sepse u krijua një hapësirë që vuri në pikëpyetje orientimin e Kosovës se nga do të shkojë. Në një hapësirë të tillë ku mundësitë për të shkuar nga Lindja ose Perëndimi janë të mëdha atëherë përplasja bëhet më e ashpër. Nëse mua më krijohet idea që shoqërinë kosovare mund ta çoj nga Lindja jam në avantazh e bëhem më agresiv e njëjta gjë edhe për perëndimin. Është një përballje civilizimesh që ne i përjetuam me vonesë. Janë disa arsye pse ndodh fondamentalizmi. E para janë rrethanat historike por edhe mercenarizmi fetar, një arsye tjetër është se Kosova nuk i kaloi fazat e saj të dekoriantizimit. Kemi marrë edhe orientim të gabuar ndonjëherë pasi Kosova nuk është shoqëri orientale.

Ju jeni një përjashtim në lëmin e Akademikëve. Ju jeni pjesë e Akademisë së Shkencave të Kosovës por ndryshe nga qëndrimet në heshtje të akademikëve të saj ndaj çështjeve të ndjeshme të shoqërisë  ju keni zgjedhur të reagoni. Ndiheni komod që jeni pjesë e kësaj akademie pasive?

M.Kraja: Kur flet politika, institucionet e shkencës dhe kulturës zakonisht margjinalizohen, nuk janë aktive nuk funksionojnë, ose edhe kur funksionojnë nuk i dëgjon njeri. Në situata krizash njerëzit ndiejnë nevojën e këtyre institucioneve. Kjo është një periudhë tranzicioni diku më e gjatë diku më pak e zgjatur.

Ju e dini që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i është nënshtruar reformimit. U hodh edhe një ide nga ana e kryeministrit Rama për ta zhbërë atë. Ju si e gjykoni?

Sa reforma janë bërë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë gjatë këtyre viteve, duke nisur nga viti 1991 kur e nisi PD-ja, e pasi e kreu këtë reformë e nisi për së dyti. E shoh një ndërhyrje të panevojshme nga ana e kryeministrit Rama, shumë arbitrare dhe të dëmshme. Nuk ndërhyhet në këto institucione siç ndërhyhet në Shqipëri e këtu më pak. Në institucione të tilla kudo në botë nuk ndërhyhet kështu. Nuk do t’i shkruhet për lavdi asnjë kryeministri një veprim i tillë qoftë i majtë apo i djathtë. Nëse këta politikanë duhet të marrin lavdinë e mbylljes së akademisë le ta marrin por edhe akademitë kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për punët që i kanë bërë e nuk i kanë bërë.

Në shkrimin tuaj të fundit ju flisni për idenë e hedhur nga Presidenti Thaçi për korigjim të kufijve në Kosovë. Nga ana tjetër Shqipëria po vendos  një “kufi” i ri në marrëdhëniet me Kosovën, po taksohet rruga e Kombit. 

M.Kraja: Nuk mendoj se është pengesë ajo pagesë. Ne kemi probleme të tjera në raportet politike. Ndoshta kultura duhet t’i zbusë këto probleme që sjell politika, t’u japë dimensione të tjera.. Veçmas në pikëpamje kulturore kemi shumë nevojë të komunikojmë me njëri tjetrin. Komunikojmë pak, i kemi reduktuar programet kulturore. Atë çfarë bënte mbrapsht politika duhet ta përmirësonte kultura. Por në kulturë po shkojnë gjërat ashtu siç i përdor politika. E vërteta është që ne kemi nevojë për integrim kulturor më shumë se çdo gjë tjetër. Ne kemi bërë dy shtete sepse kompromiset politike e kanë kërkuar një gjë të tillë, dhe idealiteti është diçka tjetër. Në këtë rrethanë kjo është gjëja më e mirë që na ka ndodhur. Bashkimi i kombit mund të bëhet vetëm pas një integrimi kulturor e të përgjithshëm.

Le të flasim për disa kufijtë më delikatë. E kam fjalën për deklaratën e presidentit serb Vuqiq për korigjim kufijsh me Kosovën, e përmendur edhe nga presidenti Thaci?

Një pjesë e njerëzve këtu nuk kanë folur ende për këtë çështje. Unë hyj tek ata që kam dhënë mendimin tim , ndoshta pak të ashpër. Një marrëveshje me Serbinë duhet të ndodhte pasi të tejkaloheshin disa probleme që i kemi dhe ato janë që nga dëmet e luftës, viktimat ose së paku pas një kërkimi ndjese. Ne nuk kemi asgjë nga këto. E duket se këto i bëjnë politikanët tanë për efekte të ditës së momentit. Nuk mendoj se do të ketë përkrahje ndërkombëtare për këtë çështje. Mendoj se kryeministri Rama është ideatori i kësaj deklarate. Ai dhe Vuqiq e kanë gatuar këtë punë.

A duhet të ketë Tirana zyrtare një përfshirje më direkte për çështjen e Kosovës në bisedimet me Beogradin?

M.Kraja: Mendoj se kryeministria Rama e ka marrë këtë çështje në dorë pa ia kërkuar kush, dhe pa e pyetur njeri e nuk ka bërë mirë që e ka marrë. Problemi i Kosovës nuk është çështje që mund ta zgjidhë Shqipëria. Nëse do ta kishte zgjidhur Shqipëria do ta kishte zgjedhur së paku një shekull e më këtej. Nuk e ka zgjidhur as në raste e situata të tjera historike, atëherë pse duhet të ngatërrohet me këtë çështje?

Mos po tregoheni shumë i ashpër me Shqipërinë?

M.Kraja: Jo po mbaj të njëjtin qëndrim që mbaj me Kosovën. Vetë Kosova shumë situata nuk ka qenë në gjendje t’i zgjidhë dhe fajin ia ka lënë Shqipërisë për shumë dështime të vetat.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mel Gibson dhe Van Dam-i mbërrijnë në Shqipëri, zbulohet surpriza që kanë rezervuar

Dy aktorët Mel Gibson dhe Jean Claude Van Dam kanë zbarkuar në...
Read More