Memo e Kuvendit, si zgjidhet Prokurori i ri

Një memo e Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ka rihapur edhe një herë debatin për mandatin e kryeprokurorit dhe mënyrën e zëvendësimit të tij, por këtë radhë në një debat tërësisht juridik.

Nga Leonard Bakillari

Mazhoranca dhe opozita pritet të shkojnë me qëndrime të ndara në Komisionin e Ligjeve, ku do të diskutohet procedura e zgjedhjes së kryeprokurorit të Përkohshëm. Një memo e Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ka rihapur edhe një herë debatin për mandatin e kryeprokurorit dhe mënyrën e zëvendësimit të tij, por këtë radhë në një debat tërësisht juridik. Memo konstaton se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 7 dhjetor, pra ditën e sotme, kur do të mblidhet edhe Komisioni i Ligjeve i cili tashmë e ka futur këtë çështje në rendin e ditës. Sipas njoftimit në faqen e Kuvendit, në mbledhjen e nesërme Komisioni i Ligjeve do të njohë anëtarët e tij me memon që inicion procesin për zgjedhjen e prokurorit të ri dhe miratimin e projektvendimit për miratimin e procedurës së caktimit të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm. Pikërisht ky projektvendim pritet të sjellë debate jo vetëm në komision, por edhe në seancë parlamentare ku do të votohet zgjedhja e prokurorit të përkohshëm. Sipas “Memos” së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit bëhet një pasqyrë e gjithë situatës ligjore ku ndodhet aktualisht çështja e Prokurorit të Përgjithshëm në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kushtetua përcakton se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e deputetëve (84 vota) nga lista me 3 kandidatë që propozon KLP. Në kushtet e moskrijimit të KLP, situata zgjidhet nga dispozita kalimtare e parashikuar në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë. Ky ligj parashikon se prokurori i Përgjithshëm që do jetë përkohësisht në detyrë (deri në krijimin e KLP) zgjidhet me vendim të Kuvendit mes prokurorëve më me eksperiencë. Pikërisht kjo është edhe çështja që do të hap debatin më të madh për shkak të interpretimit të ndryshëm që i bëhet procedurës. Edhe për faktin se në mbyllje të Memo-s drejtuar komisionit lihet e hapur mundësia e diskutimit dhe interpretimit. “Në respektim të hierarkisë së normës juridike, Kushtetuta, Ligji 97/2016 dhe Rregullores së Kuvendit neni 55 pika 1, “Ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat, konsiderohen të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë përcaktohet shumicë e cilësuar për miratimin e tyre”, miratimi nga Kuvendi i vendimit për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm duhet të kryhet në respektim të këtyre dispozitave”, citohet në mbyllje të Memo-s që i dërgohet Komisionit të Ligjeve. Sipas mazhorancës, vendimet e Parlamentit merrem me shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm në seancë plenare. Për fillimin e mbledhjes nevojiten të paktën 71 deputetë, nga të cilët 36 prej tyre mund të zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm. Por a mund të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 36 vota kur Kushtetuta parashikon se për zgjedhjen e kryeprokurorit nevojiten votat e 3/5 së deputetëve? Për mazhorancën kjo gjë mund të ndodhë, pasi nuk bëhet fjalë për Prokurorin e Përgjithshëm të propozuar nga KLP sikundër parashikohet, por për një prokuror që do qëndrojë përkohësisht në detyrë. Shmangja e një ngërçi institucional dhe përcaktimet e bëra në dispozitat kalimtare thjeshtojnë situatën e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri me 36 vota. Pavarësisht se bëhet fjalë për një prokuror të përkohshëm, kompetencat e tij janë ende në fuqi për sa kohë nuk është krijuar ende KLP. Pra, Prokurori i Përgjithshëm mund të komandojë apo zëvendësojë drejtuesit e prokurorive dhe këta të fundit prokurorët e çështjeve të caktuara, të cilat mund të dëmtojë qeverinë. Ky interpretim për opozitën është një tregues i qartë se mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama po kapin prokurorinë me qëllim mbylljen e çështjeve që janë aktualisht nën hetim. Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, në një intervistë për “Fax News” tha se Prokurori miratohet nga Parlamenti me 3/5 e viteve, sikundër përcakton edhe Kushtetuta. “E gjithë përpjekja gjatë gjithë kësaj kohe është bërë një përpjekje që të votohet me shumicë të thjeshtë. Edi Rama kërkon ta emërojë Prokurorin e Përgjithshëm me 36 vota. Arsyeja është e qartë të zgjedhë një prokuror për të pushuar çështjet e tij”, -tha Bylykbashi. Sipas tij Prokurori që do të emërohet nga mazhoranca urdhëron masa disiplinore për prokurorët e tjera dhe u heq çështjet nga dora. “Për këtë do që ta bllokojë formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sepse ky prokuror do të mbyllë gjithë dosjet e ministrave të tij. Të gjitha çështjet që do të mbyllen, Edhe me 71 vota do të ishte prokurori i Ramës. Kjo do të ishte një shpartallim o kushtetutës nëse e zgjedh kështu, kur kushtetuta e ka të qartë se si zgjidhet. Detyrën për t’u shprehur se si do të zgjidhet e ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, -tha deputeti i PD. Edhe pse nuk ka një qëndrim zyrtar dhe juridik për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, opozita i qëndron idesë se kryeprokurori edhe pse i përkohshëm duhet të zgjidhet me 84 vota sikundër parashikon Kushtetuta. Fakti që nuk është krijuar ende Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk e zhbën përcaktimin kushtetues se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave, qoftë ky i përkohshëm apo me mandate 7-vjeçar. Megjithatë ekspertët përcaktojnë disa hapa në të cilët duhet të kalojë procesi dhe diskutimin për kryeprokurorin e vendit. Së pari, duhet të përcaktohet se kur i përfundon mandati Prokurorit të Përgjithshëm, pasi në të paktën një precedent të mëparshëm, Gjykata Kushtetuese është shprehur se mandati i gjyqtarëve përcaktohet nga ligji (kushtetuta) që hyn në fuqi gjatë kohës që zyrtari është në detyrë. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së vitit 1998 ndryshoi mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nga 12 në 9 vjet. Kjo çështje u interpretua nga Gjykata Kushtetuese e cila u shpreh se mandati i gjyqtarëve të lartë nuk është më 12 vjet sikundër përcaktohej kur ata kishin marrë këtë detyrë, por 9 vjet sikundër ka përcaktuar kushtetuta. Ky precedent u zbatua edhe në rastin e ish-kryeprokurores Ina Rama e cila e nisi detyrën pa mandat të përcaktuar, por gjatë ushtrimit të detyrës ligji përcaktoi se mandati i saj ishte 5-vjeçar dhe ky përcaktim u mor për bazë. Ndërsa kryeprokurori aktual e nisi detyrën me mandat 5-vjeçar, por gjatë ushtrimit të detyrës mandati i kryeprokurorit u bë 7 vjet. Së dyti, duhet përcaktohet se cili është institucioni që mund të shpallë vakancën e postit të kryeprokurorit pasi kushtetuta këtë të drejtë ia njeh vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në dispozitat tranzitore nuk ka asnjë përcaktim për këtë çështje. Dhe së treti, Komisioni i Ligjeve duhet të përcaktojë se cili është numri i votave me të cilat zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm edhe pse bëhet fjalë që do jetë në detyrë përkohësisht, por sërish ka atributet e kryeprokurorit. Të gjitha këto çështje pritet të diskutohen në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, por deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paralajmëroi se kjo mbledhje do të jetë jashtë standardeve normale ligjore. “Debati nesër do të jetë një paçavure. Edhe memon ia lë Komisionit të ligjeve, u thotë zbatoni kushtetutën, por Edi Rama do të synojë të zgjedhë prokurorin e tij. Prokurori zgjidhet me 84 vota”, -tha Bylykbashi.

 

 

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ka një krizë edhe më të madhe se ajo e Kryeprokurorit, janë protagonistët e përhershëm politikë

Nga Ervis Iljazaj Çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit, ka futur praktikisht në...
Read More