Mendimi kritik i Gilman Bakallit



Nga Dr. Gino Luka

Megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, që nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria konsiderohet akoma si një “vend në tranzicion”, në rrugë drejt një demokracie të stilit perëndimor.
Gjatë kësaj periudhe ajo ka kaluar dy kriza të mëdha ekonomike dhe sociale.  Kriza e parë shoqëroi shembjen e regjimit (1989-1992), e bashkë me të shpërbërjen e komplekseve industriale, braktisjen e tokave bujqësore dhe valën e madhe të emigracionit: shqiptarët u larguan në masë nga Shqipëria duke boshatisur fshatrat e qytetet e Shqipërisë (emigrimi konsiderohej krim nga shteti i diktaturës). Kriza e dytë ekonomike, por edhe politike e institucionale që lidhet me shembjen e “piramidave financiare” (në fillim të vitit 1997), shkatërroi pjesën më të madhe të kursimeve të familjeve (kryesisht si rezultat i dërgesave të emigrantëve) duke shtuar varfërinë dhe shkallën e varësisë së Shqipërisë nga ndihmat financiare ndërkombëtare. Në këtë përmbledhje janë “fotografuar” momente të ndryshme të politikës, etikës, moralit, fesë, mediave etj. të shoqërisë shqiptare gjatë këtij “tranzicioni të përhershëm”. Në trajtimin e çështjeve, autori ka zgjedhur si model të tijin të preferuar mendimin kritik.  Nëse marrim në shqyrtim disa modele mendimi, kuptojmë menjëherë se mendimi kritik nuk mund të mbyllet brenda një modeli për aplikim. Kjo ndodh për shkak se çdo model ka kufijtë e vet; por mendimi kritik konsiderohet si mendim i lirë: kufizimi e tij brenda një kornize do të ishte sigurisht kontradiktor. Për shkak të natyrës së tij transversale, mendimi kritik ndeshet në disiplina si shkenca, matematika, inxhinieria, historia, antropologjia, ekonomia dhe filozofia. Fryma me të cilën trajtohen këto tema përbën thelbin e mendimit kritik të Bakallit: «Një mënyrë të menduari që ka si qëllim arritjen e një gjykimi nëpërmjet proceseve mendore të analizës, vlerësimit, arsyetimit, marrjes së vendimeve dhe zgjidhjes së problemeve, pa i shkëputur këta procese nga shpjegimet e duhura mbi të cilat bazohet gjykimi». Me anë të mendimit kritik autori analizon dhe vlerëson informacionet, duke na dhënë një mënyrë për të mësuar zgjidhjen e problemeve të jetës. Falë përvojës së tij si pedagog, i specializuar në shkencat e komunikimit, nëpërmjet mendimit kritik ai bazohet në përpjekjen për të marrë vendime të paanshme, ku vlerat themelore janë: qartësia, rregulli, saktësia dhe provat. Duke u bazuar në rezultatet e fundit të psikologjisë konjitive edhe Bakalli, si shumë edukatorë modern, mendon se është më e dobishme (sidomos për studentët), të praktikojmë një mënyrë të menduari kritike sesa të mësojmë përmendësh një sasi të madhe informacionesh. Ai e sheh mendimin kritik si aftësi konjitive: të proceseve të njohjes së kuptuar funksionalisht; pra për t’i përdorur këto aftësi si një udhërrëfyes për sjelljen tonë. Prandaj mendimi kritik nuk përfshin vetëm marrjen dhe memorizimin e informacioneve e nuk përfundon në zotërimin e një ose disa aftësive që do të përdoren vetëm njëherë, por përkon me përdorimin e këtyre aftësive që do të zbatohen në vazhdimësi. 

Metodat e mendimit kritik, fazat

Për të arritur një mendim kritik autori nuk ndjek një radhë hapash të detyrueshëm: ai paraqet opinionet e ndryshme mbi çështjen që është duke shqyrtuar, duke e analizuar atë në çdo aspekt. Duke shqyrtuar argumente që përdoren për të mbështetur çështjen ai e nënndan çdo argument në përbërësit e tij themelorë, pra në propozime të thjeshta dhe vlerëson pasojat e çdo propozimi. Autori shqyrton në mënyrë të veçantë propozimet dhe ndërlikimet, me qëllim që të zbulohen kontradiktat e mundshme të brendshme. Përcakton pozitat e kundërta brenda debatit dhe vlerëson peshën e secilit prej tyre. I jep më shumë peshë deklaratave të mbështetura mirë, veçanërisht në qoftë se bazohen në argumente të arsyetuara mirë dhe të parë në kompleks; nga ana tjetër ul vlerësimin e deklaratave të dobëta ose kontradiktore. Rregullon peshën që duhet t’i atribuohet, në bazë të lidhjeve që ka informacioni për çështjen në fjalë. Pretendon, për secilën deklaratë, një justifikim në raport me përqindjen e novacionit dhe probabilitetit të vërtetësisë së tij; kur mungojnë prova të mjaftueshme, injoron deklarata të tilla “të pabesueshme” në formimin e gjykimit mbi çështjen.

Autori ironizon shpeshherë duke theksuar se miratimi i shumicës nuk ka asnjë lidhje me korrektësinë e një premise dhe se opinionet rreth të cilëve formohet një konsensus i gjerë nuk janë të vlefshëm me doemos, duke pasur parasysh se zbulimet shkencore e gjeografike shpesh e kanë hedhur poshtë këtë premisën e shumicës (e cila vlen vetëm në rast votimesh…).

Natyrisht, mendimi kritik mund të mos çojë me siguri në një përfundim të saktë (d.m.th. tek e vërteta). Së pari, sepse ka mundësi që mund të mos i kemi të gjitha informacionet e nevojshme për vlerësim (ndër të tjera, për shkak se disa prej tyre mund të mos jenë zbuluar akoma, ose sepse është e pamundur të njihen). Së dyti, sepse paragjykimet e vlerësuesit mund të ndikojnë duke dëmtuar suksesin e procedurës.

Kapërcimi i paragjykimeve

Gjatë leximit shohim se si autori mundohet të zvogëlojë paragjykimet në mënyra të ndryshme, ai shpesh shtron pyetje të cilat fillojnë me përemrin pyetës “çfarë” si: “Çfarë do të thotë kjo?” në vend që të mbetet i gozhduar në pyetjen “Si është e mundur që kjo gjë është në kundërshtim me atë që kam besuar gjithmonë?”.

Ai mundohet që t’i përmbajë sa më shumë perceptimet e veta, duke shmangur shoqërimet me një gjykim të paracaktuar, pra është i vetëdijshëm për gabueshmërinë e tij për shkak të ndikimit të nënndërgjegjes, pra të ndikimit të saj në gjykimet e ndërgjegjshme, por duke qenë i përulur për t’u çliruar nga lidhja e sëmurë që ka për bindjet e veta (të cilat shpesh mbesin të palëkundshme dhe madje forcohen kur përgënjeshtrohen nga rezultatet e përvojës). Bakalli e ka mirë parasysh se ekziston një errësirë e madhe rreth çdo pike të ndriçuar nga dija.

Si është e mundur që të eliminohet plotësisht paragjykimi nëse nuk dihet se si duhet të jetë “ideali objektiv dhe universal”? Përgjigja mund të gjendet duke zbatuar të menduarit kritik ndaj “konceptit të njeriut” E. Fromm, (“KKRT, guximi qytetar”). Në këtë mënyrë vërejmë se mendimi kritik, i aplikuar nga autori, është në gjendje të çojë në formimin e një kodi etik koherent dhe të plotë, por që në mungesë të një vlerësimi korrekt të konceptit të njerëzimit, ky kod do të jetë gjithsesi i pamjaftueshëm.

Maieutika sokratike

Ia vlen të zgjatemi pak te metoda sokratike pasi vetë autori e ka konsideruar veten ithtar i Sokratit. Te “Rrjedhja e trurit” autori përdor metodën e Sokratit për të vlerësuar një argument. Metoda Sokratike është një metodë dialektike e hulumtimit filozofik e bazuar në dialog. Është përshkruar për herë të parë nga Platoni te “Dialogët”, duke pasur parasysh natyrën e saj quhet edhe “maieutike”.

Termi maieutik, me prejardhje nga greqishtja, do të thotë “arti i mëndeshës” (tajës ose mamisë) dhe përcakton metodën sokratike siç paraqitet nga Platoni te Teeteto. Arti dialektik, pra, krahasohet nga Sokrati me atë të mëndeshës: se ashtu si kjo e fundit, filozofi i Athinës kishte si qëllim “të nxjerrë” nga nxënësi mendimet krejt personale të vetë nxënësit, në dallim nga ata që dëshironin të impononin pikëpamjet e tyre ndaj të tjerëve me anë të retorikës dhe të artit të bindjes (në këtë kuptim Sokrati dhe nëpërmjet tij Platoni, e kanë fjalën te sofistët). Pjesë përbërëse e metodës është përdorimi i shakave të shkurtra dhe të mprehta – ose brakilogjia – ironia e njohur sokratike, në kundërshtim me fjalimet e gjata të të tjerëve.

Në vetë tregimin e Sokratit, frymëzimi për këtë lloj dialektike rridhte nga shembulli që filozofi kishte marrë nga nëna e tij, mamia Fenarete. Në lidhje me këtë term, jepen mendime, ide e ripërpunime të termit nga Platoni, gjatë gjithë Rilindjes dhe gjetkë.

Maieutika fillon pas fazave të marrëdhënies mësues-dishepull dhe të fazës së ironisë (trillimit). Sokrati shtirej sikur ulej në nivelin kulturor të dishepullit, duke e pyetur dhe duke e bërë pjesëmarrës të pyetjeve të tij. Vetëm në këtë mënyrë dhe nëpërmjet dialogut, Sokrati arrinte të bënte punën e tajës. Ashtu si mamia që e ndihmon fëmijën të dalë në dritë, Sokrati nxirrte në dritë të vërtetat e vogla nga dishepulli. Kështu që maieutika nuk është arti i mësimdhënies, por arti i të ndihmuarit. E vërteta nuk është gjë që mësohet, sepse ajo është një njohuri e shpirtit; kjo është arsyeja pse Sokrati nuk ia nguliste idetë e tija “dishepujve” të tij, por i ndihmonte ata “të nxirrnin në dritë të vërtetën e tyre”.

Maieutika e Sokratit nuk e mbush kokën e studentit me informacione të dhëna a priori, por e ndihmon gradualisht që ai vetë të nxjerrë në dritë dijen e tij, duke përdorur dialogun si mjet dialektik. Sokrati nuk është i kënaqur me përgjigjet tradicionale ndaj çështjeve të mëdha të njeriut; ai sistematikisht i problematizon këto përgjigje, domethënë, vazhdimisht i vendos ato në një situatë epoché, pra i pezullon (epoché është abstenimi nga një gjykim ose vlerësim i veçantë, nëse nuk kemi në dispozicion elemente të mjaftueshme për të formuluar gjykimin). 

Arritja e një përfundimi

Brisku i Ockham-it është një princip i dobishëm për të ushtruar mendimin kritik. Te disa shkrime si p.sh. te “Pushteti si bark” aplikohet principi i briskut të Ockham-it, që quhet edhe “principi i ekonomisë”. Sipas këtij principi nuk duhet të formulojmë më shumë hipoteza sesa ato që janë rreptësisht të nevojshme. Me fjalë të tjera, duhet të zbatojmë absolutisht modelin “mundësisht sa më thjesht”. Qëllimi nuk është që të arrihet një konkluzion “përfundimtar”; për shkak të vetë natyrës së tij të brendshme, në të vërtetë, mendimi kritik mund të çojë vetëm në konkluzione që arrihen “duke u orvatur” e që bazohen në vlerësime të cilat mund të përkufizohen si “të kujdesshme”, por jo “shteruese”. 

Efikasiteti i edukimit për një mendim kritik

Te “Për studentët tanë të rritur të mitur”, autori shpreh shqetësimin e tij për shumë studentë që nuk janë në gjendje të marrin vendime në lidhje me të ardhmen e tyre. Në vitin 1995 u krye një meta-analizë e literaturës shkencore mbi efikasitetin e mësimdhënies në arsimin e lartë. Studimi zbuloi shqetësimet e shprehura në qarqet akademike, politike dhe në botën e biznesit, në lidhje me paaftësinë e arsimit të mesëm e të lartë për të formuar qytetarë të pajisur me një bagazh të përshtatshëm qëndrimesh dhe aftësish kritike, që të korrespondojë me nevojat e shoqërisë. Studimi arriti në përfundimin se, pavarësisht nga aspiratat e fakulteteve universitare për të zhvilluar aftësitë e mendimit kritik te studentët, praktika didaktike përfundoi duke u përqendruar në fakte dhe koncepte, që mbështeteshin në nivelin më të ulët konjitiv, në vend që t’i ndihmonte ata të zhvillonin mprehtësinë intelektuale dhe një sistem vlerash.

Në meta-analizat e mëvonshme, të botuara në vitin 2015, një grup kërkuesish shkencorë shqyrtuan 341 studime eksperimentale (Review of Educational Research, American Educational Research Association, 2015). Rezultatet theksojnë nevojën për t’i ekspozuar studentët ndaj problemeve të botës reale dhe për të theksuar rëndësinë e inkurajimit të dialogut të hapur në një kontekst të favorshëm. Sipas studimit mendohet se strategjitë efikase për të mësuar aftësitë e mendimit kritik mund të realizohen në një gamë të gjerë situatash edukuese e arsimore.

Spiralja e heshtjes (linçimi në rrjetet sociale) dhe gjuha urrejtjenxitëse

Mediat sociale rrisin efektin e spirales së heshtjes, te “Spiralja e linçimit në rrjetet sociale”, autori trajton fenomene si linçimi mediatik të cilin e quan me ironi e kundërta e “Spirales së heshtjes” dhe fenomenin e shitstorm.

Një kërkim shkencor i kryer në SHBA nga Projekti i Kërkimeve në Internet PEW (Research Internet Project) ka treguar se përdorimi i rrjeteve kryesore sociale (Facebook, Twitter) zvogëlon shprehjen e opinioneve reale të përdoruesve. Në fakt, nëse një përdorues percepton se ka një opinion minoritar, në krahasim me rrjetin e kontakteve/miqve, vendos të mos e shprehë atë në përqindje më të larta se sa në jetën reale. Kjo ndodh për shkak se përdoruesit nuk duan t’i zhgënjejnë kontaktet/miqtë e tyre por edhe sepse përdoruesit nuk dëshirojnë të lënë gjurmë digjitale të opinioneve të tyre minoritare, pasi kanë frikë se për shkak të këtyre opinioneve mund të dëmtohen në të ardhmen (në shoqëri, në punë, etj.). Për këtë arsye, shumë përdorues zbulojnë, çuditërisht, se miqtë e tyre shprehin në rrjetet sociale mendime të tjera nga ato që shprehin me gojë në jetën reale.

Me “nxitje të urrejtjes” ose “biseda për nxitjen e urrejtjes”, që përkthehet në konceptin e gjuhës së urrejtjes, nënkuptojmë një lloj të veçantë të komunikimit që përdor fjalë, shprehje ose elemente joverbale qëllimi përfundimtar i të cilave është përhapja e urrejtjes dhe e mungesës së tolerancës, si dhe nxitja e paragjykimeve dhe frikës ndaj një subjekti ose grupi njerëzish të bashkuar sipas përkatësisë etnike, orientimit seksual ose fetar, aftësisë së kufizuar, përkatësisë kulturore ose shoqërore e kështu me radhë. Fenomeni ka fituar dukshmëri të veçantë dhe është zgjeruar me përhapjen e rrjeteve sociale, duke nxitur qeveritë dhe shoqatat që të ndërmarrin veprime kufizuese ose penguese. Autori e  përfundon artikullin e tij me këto fjalë:

«Përvoja na mëson se njeriu, që të dëshmojë pak dinjitet dhe civilizim, ka nevojë për Autoritetin. Është e trishtueshme të mendosh, se do të jemi të gëzuar, kur kjo të ndodhë».

Origjina e studimeve mbi manipulimin mediatik 

Manipulimi individual, ose përpjekja për të modifikuar sjelljen e subjekteve të tjerë në avantazhin tonë, ka ekzistuar gjithmonë. Rreth shekullit të pestë p.K. sofistët, që në asambletë popullore mburreshin se ishin në gjendje të mbizotërojnë me anë të ligjërimeve të zgjuara, u sulmuan dhunshëm nga Platoni në dialogët e tyre e veçanërisht te “Gorgia e Platonit”.

Platoni, në kundërshtim me sofistët, pohoi se politikani i vërtetë nuk është ai që e ka mendjen te suksesi, por ai që ka për zemër të vërtetën dhe të mirën e popullit.

Një fenomen relativisht i kohëve të fundit është manipulimi i opinionit publik nëpërmjet propagandës që lejohet nga mjetet e komunikimit masiv. Më poshtë përshkruhen shkurtimisht disa nga fazat me të cilat sociologjia ka hetuar fenomenin e manipulimit mediatik deri në ditët tona dhe ndryshimet që Web-i ka përcaktuar në manipulimin e komunikimit. 

Manipulimi i ideve për të adresuar nevojat 

Në vitin 1950, sociologu V. Packard, te “Bindësit e fshehur”, që sot është një vepër klasike, trajton temën e manipulimit të mendjes së konsumatorëve nëpërmjet mesazheve të publicitetit e të reklamave që përdorin teknika psikologjike për të drejtuar zgjedhjet e konsumatorëve kur blejnë artikuj të ndryshëm. Ai ka paraqitur një vizion të tregut të dominuar plotësisht nga grupet e mëdha industriale dhe strategjinë e tyre të mbarështimit dhe të kushtëzimit mendor të konsumatorëve “nga djepi deri në varr”.

Packard është marrë me ndikimin e reklamave televizive te publiku amerikan, duke theksuar faktin se disa reklamues, ankoheshin për cilësinë e lartë të programeve televizive, sepse në intervalet në të cilat futeshin fashikujt e reklamave, shikuesit flisnin me njëri tjetrin për programin duke mos i kushtuar vëmendje reklamave… 

Detyrat e një mendimtari kritik 

Literatura mbi mendimin kritik në botën anglo-saksone është pafund, por konceptet dhe metodat e sugjeruara, nga shumë autorë, kanë pak dallim nga njëra tjetra. Në SHBA ka një komunitet intelektual të fortë që kryen një veprim edukues e arsimor duke përfshirë edhe organizimin e konferencave. Një nga eksponentët më prestigjioz dhe më të besueshëm për aktivitetin e tij të gjatë në këtë fushë është pedagogu R. H. Ennis. Ai e ka përcaktuar mendimin kritik si “një mendim të arsyeshëm dhe reflektiv për të vendosur se si duhet të mendojmë dhe si të sillemi”.

Mendimi kritik është qëndrimi me skepticizëm reflektiv ndaj asaj që lexojmë dhe dëgjojmë nga njerëzit, nga televizioni, nga radioja, nga gazetat, etj. Kritik, në këtë aspekt, nuk do të thotë vetëm të shkojmë në kërkim të gabimeve, mospërputhjeve e dobësive, por do të thotë të gjykojmë se çfarë është e çmueshme (dhe pse) dhe çfarë nuk është me vlerë në tekstet që lexojmë ose në fjalimet që dëgjojmë.

Mendimi kritik është një kapacitet intelektual që duhet të zhvillohet dhe jo një qëndrim që trashëgohet gjenetikisht; nuk është një besim, por një proces. Mendimi kritik na lejon që të zbusim paragjykimet në mënyrë që të përpiqemi të krahasojmë objektivisht pikëpamjet tona deri sa të arrijmë, në rastin më të mirë, në një sintezë të ekuilibruar (dhe të përkohshme).

Paragjykimet, stereotipet dhe iluzionet konjitive vazhdojnë të veprojnë në mendjen njerëzore me prepotencë e futen deri në shpirt, por një mendimtar kritik duhet të jetë në gjendje të dallojë situatat në të cilat është me vend t’i frenojë.

Mendimi kritik kërkon përdorimin e një sërë qëndrimesh dhe aftësish që mund të zhvillohen.

Strategjitë bazë të mendimit kritik

  1. Reflektojmë: përpiqemi që të jemi reflektiv, d.m.th., duke u ndalur për të menduar, në vend që të shprehim gjykime impulsive, duke pranuar idenë e parë që na vjen ndër mend apo gjithçka që propozojnë mass mediat (media e masave) apo mediat sociale.
  2. Motivojmë: shtrojmë pyetje (vetes ose të tjerëve), të tilla si: “Si e ke marrë vesh? Cilat janë arsyet? A është burimi i lajmit i besueshëm?”, duke e shtyrë kështu bashkëbiseduesin që të gjejë arsye të shëndosha për të mbështetur mendimet e tij.
  3. Kërkojmë alternativa: theksojmë kërkimin e hipotezave alternative dhe të pikëpamjeve dalluese.

Mendimi intuitiv dhe mendimi racional

Në dhjetëvjeçarët e fundit psikologjia konjitive ka sqaruar se është e pamundur të adoptohet një mendim ekskluzivisht racional sepse mendja njerëzore ka përfshirë gjatë evolucionit një sërë sjelljesh intuitive që i kanë lejuar homo sapiens-it të mbijetojë në mjedise armiqësore duke marrë vendime heuristike.

Sot njeriu është i zhytur në një mjedis më pak armiqësor sipas pikëpamjes fizike (siguria personale mbrohet me ligj në pjesën më të madhe të vendeve të botës dhe kafshët e egra gjenden larg qendrave të banuara), por më armiqësore nga pikëpamja psikike; mbingarkimi me informacione dhe manipulimi nga mediat tani janë në themel të jetës së përditshme. Prandaj është e rëndësishme të dimë funksionimin e të dy sistemeve mendore, racional dhe intuitiv, që qeverisin mendjen tonë (“Qeni emocional shkodran”). 

Iluzionet konjitive, stereotipet dhe paragjykimet

Psikologu D. Kahneman në studimin e tij mbi iluzionet konjitive (cognitive biases), për të cilin mori Çmimin Nobel në Ekonomi në vitin 2002, ka treguar se njerëzit, edhe kur kanë marrë të dhëna dhe informacione cilësore, shpesh i përpunojnë ato në mënyrë të gabuar duke nxjerrë konkluzione të pasakta dhe duke marrë vendime të papërshtatshme.

Ky rezultat duket se ka dalë pjesërisht për shkak të “Confirmation bias”, një nga efektet më të studiuara nga psikologjia konjitive, i tillë sa që njerëzit të pranojnë në mënyrë jo kritike informacionet që pohojnë bindjet e tyre dhe të refuzojnë ata që janë në kundërshtim me këto bindje.

Për më tepër, informacioni që kryesisht pranohet është ai që mbahet mend më lehtë dhe që bazohet në koncepte të thjeshta (slogan) të cilët konsiderohen intuitivisht të vërtetë dhe nuk kërkojnë verifikim. Përkundrazi refuzohen ata informacione që janë më komplekse, verifikimi i të cilëve do të kërkonte një përpjekje më të madhe personale e do të rriste ngarkesën konjitive.

Nëse në disa raste, veçanërisht në jetën e përditshme, një sjellje e tillë nuk shkakton gabime logjike me pasoja serioze, në raste të tjera, p.sh. te vendimet me natyrë mjekësore, financiare, administrative etj., pasojat mund të jenë serioze. 

Charles S. Peirce dhe ngulitja e besimeve

Një rëndësi të veçantë për zhvillimin e mendimit kritik, e ka pasur filozofi amerikan Ch. S. Peirce, i cili ka shkruar shumë për logjikën, semiotikën dhe epistemologjinë.

Si filozof i shkencës, ai nxori në pah karakteristikën e vetë-korrigjimit e të autokritikës, të kërkimit shkencor që vazhdimisht ka si qëllim zbulimin e dobësive të veta dhe korrigjimin e tyre. Në këtë mënyrë, brenda komunitetit shkencor, kërkuesit shkencorë interiorizojnë në mënyrë progresive një qëndrim vetë-korrigjues.

Më 1877, në një ese të titulluar “Fiksimi i besimit”, ai ka përshkruar atë që është kundër vetë-korrigjimit të proceseve të mendimit:

«Shqetësimi nga dyshimi shkakton një përpjekje për të arritur një gjendje besimi. Prandaj lufta fillon me dyshimin dhe përfundon me ndërprerjen e dyshimit. Shkurtimisht, qëllimi i vetëm i kërkimit është krijimi i një opinioni. Dikush mund të mendojë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se ne nuk kërkojmë thjesht një opinion, por një opinion të vërtetë. Nëse e vëmë në provë këtë supozim, do të kuptojmë se është pabaza: në të vërtetë, sa më shpejt që të arrijmë një besim të fortë, aq më të kënaqur jemi, sido që të jetë, njësoj si kur besimi të ishte i vërtetë, apo i rremë. Mund të argumentojmë më së shumti që ne jemi duke kërkuar një besim të cilin ne e “besojmë si të vërtetë”».

Logjika e argumentimeve

Tekstet e mass-mediave dhe fjalimet e njerëzve që frekuentojmë përpiqen të na bindin duke përdorur argumente. Nëse nuk jemi në gjendje të dallojmë një argument të vlefshëm nga një i pavlefshëm, atëherë rrezikojmë të manipulohemi lehtë. Mendimi kritik (critical thinking) preokupohet të përcaktojë nëse këto argumente janë të vlefshme apo jo. Procesi i leximit kritik (critical reading) përfshin përdorimin e metodës së leximit të teksteve komplekse në mënyrë kritike.

Mendimi kritik dëmtohet nga një “tip programesh në TV”, madje shumë dëmtime ndaj të menduarit kritik vijnë nga mënyra se si shumë programe televizive janë të strukturuara për sa u përket përhapjes së koncepteve.

Braktisja e kulturës në mëshirën e fatit në këto dekadat e fundit e ka rritur në mënyrë eksponenciale thjeshtëzimin si dinamikë e mendimit që ushtrohet në fushat e komunikimit shoqëror. Arketipi i kësaj nënkulture është talk show në TV, duke filluar me “komercialen”, që ka zëvendësuar “debatin” e vjetër.

Duke marrë pjesë në një talk show, ajo që është shumë e qartë që në fillim është se kush është i radhitur në njërin krah dhe kush është në krahun tjetër. Ky thjeshtësim është në fakt e vetmja gjë e qartë, sepse ndërveprimi verbal, i cili dominohet nga mbivendosja e zërave dhe fyerjeve, nuk lejon që të sqarohet argumenti, nuk lejon të merren elementet njohës, e aq më tepër debatimi mbi probleme të koklavitura.

Kjo “lojë gjuhësore” nuk është degjenerimi i “diskutimit”, por realizimi i plotë i një qëllimi të saktë formues me vlerë politike, pra për të penguar hyrjen në brendi të çështjes duke përdorur mendimin kritik. Ne mësojmë aftësinë për të mos u përballur me probleme komplekse, siç janë ata të cilët vazhdimisht na i paraqet bota në të cilën jetojmë, në fushën sociale, ekologjike, ekonomike, etike etj, një qëndrim që është shkak dhe pasojë e kësaj kulture dhe e kësaj shoqërie.

Konformizmi politik

Filozofja M. Nussbaum, në kritikën e saj ndaj sistemeve arsimore që reduktojnë kompetencat humaniste në favor të atyre tekniko-shkencore, shkruan se mungesa e mendimit kritik të studentëve çon në konformizmin social të të rriturve.

Një nga fushat në të cilat konformizmi është më i dukshëm është ajo politike, duke qenë se rendi i ditës së mediave dominohet nga politika dhe jo nga opinioni publik. Sapo një fitues i ri politik shfaqet në horizont, shumë njerëz (për leverdi, por shpesh bashkohen edhe spontanisht) mundohen ta mbështesin dhe ta imitojnë atë në një lloj infektimi emocional. Shumica e njerëzve kanë nevojë të identifikohen me personazhe të fuqishëm dhe fitimtarë: nëse përpara mbështesnin Berishën, të zgjuar dhe të fortë, sot karakteri për t’u imituar dhe mbështetur është Rama simpatik dhe i guximshëm. Siç ka shkruar juristi U. Allegretti: «Sot, nevoja për afërsi mund t’i shtyjë njerëzit të mbështeten te një njeri të cilin mendojnë se janë të aftë ta interpretojnë. Bëhen si fëmijë që mbështeten te babai i tyre». Është e vështirë, si gjithmonë, të veçojmë pohimet nga faktet dhe realitetin nga përfytyrimet.

Klasifikimi i qëndrimeve kritike

Qëndrimi kritik është i vështirë sepse shkon kundër mendimit të shumicës dhe është gjithashtu i vështirë sepse duhet të kontrollohen dhe të vlerësohen provat. Përveç kësaj, qëndrimi kritik është një kërcënim për Egon dhe kërkon përulësi intelektuale. Por, ai është i nevojshëm nëse duam të përmirësojmë mënyrën me të cilën vlerësojmë besimin te një person, burimin e një informacioni ose të një mesazhi, në fakt kredibiliteti varet edhe nga cilësia e qëndrimit kritik të bashkëfolësit. Me anë e këtij qëndrimi bashkëfolësi nënkupton: «Unë të njoh si njeri i besës, të besoj, prandaj të jap besën».

Në mënyrë të përafërt, për të vlerësuar qëndrimin kritik të njerëzve mund të përdorim klasifikimin e propozuar në udhëzuesin: “Udhëzues miniaturë për të kuptuar themelet e arsyetimit etik” (The miniature guide to understanding the foundations of ethical reasoning, të psikologëve R. Paul dhe L. Elder). Sipas këtij udhëzuesi njerëzit ndahen në tre kategori:

  • me mungesë sensi kritik (personat jokritikë)
  • me sens të dobët kritik (persona kritikë, por egocentrikë)
  • me sens të fortë kritik (persona kritikë dhe të paanshëm)

Tendenca njerëzore për të gjykuar botën nga një perspektivë e ngushtë e vetë-ndërtuar është e fuqishme. Qeniet njerëzore në përgjithësi janë mjeshtra të vetëmashtrimit dhe racionalizimit. Ne shpesh vazhdojmë të mbajmë mendjen tonë edhe përballë dëshmive të qarta.

Mungesa e sensit kritik

Njerëzit që nuk kanë sens kritik nuk janë në gjendje të përdorin logjikën në jetën e përditshme, edhe nëse ata mund të besojnë se po e përdorin atë. Është fjala për logjikën si dialektikë e nënkuptuar si administrim racional i pasigurisë. Njerëzit jo kritikë i thithin gjërat në të cilat besojnë nga njerëzit që frekuentojnë më shpesh dhe konformohen kollaj me idetë e të tjerëve. Ata manipulohen me lehtësi, por nuk e dinë se janë duke u manipuluar, dhe nëse dikush ua vë në dukje e mohojnë atë gjë. Njerëzit jo kritikë pranojnë përgjithësisht bindjet që janë më të lehta për t’u asimiluar.

Studentët, për shembull, i krijojnë bindjet e tyre dominuese nga mësuesit, nga bashkëmoshatarët, nga tekstet shkollore dhe mediat (TV, internet, etj.). Bindjet e njerëzve jo kritikë zakonisht konformohen me ato të grupit me të cilin ata identifikohen më shumë dhe me të cilin ndjehen më rehat. Kur shprehin idetë e tyre ata përdorin fraza që tingëllojnë si slogane, por nuk janë në gjendje të mbrojnë me logjikë pozicionet e tyre. Ata pretendojnë që idetë e tyre të pranohen si të vërteta dhe nuk pranojnë verifikimin e tyre.

Përgjigjen duke reaguar në mënyrë emocionale dhe shpesh të zemëruar ndaj kundërshtimeve, sepse ndihen të kërcënuar të heqin dorë nga një mendim që i jepte atyre një ndjenjë plotësie dhe përshtatjeje ndaj ambientit (“Fiksimi i besimit” C. S. Peirce). Njerëzit jo kritikë e ndërrojnë mendimin e tyre kur ambienti në të cilin jetojnë e ndryshon kolektivisht opinionin: pra konformohen me ndryshimin kolektiv.

Nuk është autonomia e mendimit dhe e gjykimit që nxit veprimet e tyre por emocionet. Për këtë arsye, personat jo kritikë shpesh marrin vendime të gabuara për veten dhe për të tjerët. Për më tepër ata mund të manipulohen lehtë dhe të nxiten për veprime të dhunshme sipas interesave politike, ekonomike e sociale të të tjerëve.

Sensi kritik i dobët

Njerëzit me një sens të dobët kritik nuk drejtohen vetëm nga emocionet, por ata e dinë se duhet të mbrojnë qëndrimet e tyre me anë të arsyes. Ata janë egocentrikë, në kuptimin që kanë një nevojë psikologjike për të mbrojtur atë gjë në të cilën tashmë besojnë dhe për këtë arsye nuk duan të jenë objektiv. Sipas psikologut J. Piaget, egocentrizmi është një fazë e ndërmjetme e zhvillimit mendor, në të cilin fëmijët nuk marrin parasysh hipotezën se njerëzit e tjerë mund të kenë ide të ndryshme nga ato që ka vetë fëmija. Sipas Piaget, deri në moshën 7-8 vjeç, çdo fëmijë e ndjen veten në qendër të botës. Problemi lind kur i rrituri nuk është i pjekur aq sa të braktisë vizionin e tij egocentrik.

Njerëzit me një sens të dobët kritik janë gjithsesi në gjendje të përdorin logjikën, por e përdorin atë vetëm për të mbrojtur pikëpamjet e tyre, jo për të analizuar aspektet e kritikës. Ata kanë tendencë të injorojnë provat që janë në kundërshtim me pikëpamjen e tyre dhe logjika bëhet vetëm një mjet për të dobësuar arsyet e të tjerëve dhe për të përforcuar të vetat.

Njerëzit me një sens të dobët kritik kanë prirjen të shmangin të vërtetat që bien në kundërshtim me të vërtetat e tyre. Ata do të mundohen që të mos shohin ose të mos hasin situata në të cilat perceptojnë se pikëpamjet e tyre do të vihen në diskutim me argumente të vlefshme.

Sensi kritik i fortë

Njerëzit me një sens të fortë kritik, e dinë se pikëpamjet e tyre duhet të mbrohen me argumente, por, jo me çdo kusht. Kjo do të thotë se ata nuk përdorin argumente që e dinë se nuk janë “të vërteta”, duke pasur si qëllim të vetëm që të fitojnë gjithsesi, pavarësisht nga argumentet e të tjerëve. Njerëzit me një sens të fortë kritik janë të vetëdijshëm se të qenit jo racional dhe emotiv e kushtëzojnë aftësinë njerëzore për të vlerësuar objektivisht realitetin dhe ata e dinë se as vetë, edhe pse pjesërisht, nuk do t’i shpëtojnë këtij kushti.

Ata e njohin logjikën argumentuese, por, në dallim nga njerëzit me sens të dobët kritik, e përdorin atë për të vlerësuar në mënyrë të paanshme si argumentet e tyre ashtu edhe argumentet e të tjerëve.

Njerëzit me një sens të fortë kritik kanë përulësi të mjaftueshme intelektuale për të pranuar se pikëpamjet e tyre janë gjithashtu edhe paragjykimet e tyre dhe për këtë arsye ata gjithmonë janë të hapur për të vlerësuar prova më bindëse dhe për rrjedhojë të ndryshojnë pikëpamjet e tyre.

Në krahasim me dy llojet e tjera, njerëzit me një sens të fortë kritik, i njohin më mirë normat e etikës. 

Si mund ta zhvillojmë “mendimin kritik”

Është demonstruar gjerësisht në 30-40 vitet e fundit nga disa psikologë, duke përfshirë A. Tversky, D. Kahneman, G. Gigerenzer dhe të tjerë, që qeniet njerëzore besojnë se janë racionale por nuk janë. Kur një individ detyrohet të marrë vendime në kushte pasigurie, shumicën e rasteve përdor “të menduarit intuitiv” duke përdorur heuristikën, domethënë disa shkurtore mendore që ka fituar gjatë evolucionit.

Në shumicën e situatave të jetës së përditshme vendimet heuristike janë të sakta, por në situatat më komplekse, që janë shfaqur vetëm në kohët moderne, heuristikat çojnë në shtrembërime të gjykimit (bias) që u japin shkas vendimeve të gabuara.

Sipas D. Kahneman (te “Të menduarit, shpejt dhe ngadalë”, Thinking, fast and slow), mendimi ynë intuitiv nuk edukohet kollaj dhe pengon njohjen e sinjaleve ambientale që në disa raste do ta bënin të nevojshëm kalimin në një mendim racional dhe kritik. Një vëzhgues i jashtëm është gjithnjë e më pak i përfshirë emocionalisht se sa ai që merr vendime dhe kryen veprime.

Prandaj duhet të angazhohemi për të ndërtuar një “shoqëri kritike”, në të cilën të ketë “vëzhgues kritikë” që të dinë të na paralajmërojnë për rreziqet që lindin në disa situata të caktuara të vendimmarrjes. Kjo është një ndër detyrat primare të institucioneve që duhet të investojnë në programet e formimit për “mendimin kritik” të edukatorëve të shkollave.

Një ndër aktivitetet kryesore që mund të ndiqet në mënyrë individuale është qëndrimi kritik: duhet të përpiqemi të mbajmë një qëndrim kritik duke iu kundërvënë tendencës së lindur njerëzore për të arritur menjëherë në konkluzion, duke marrë vendime impulsive.

Shumë studime pohojnë se leximi, sidomos leximi kritik i teksteve (jo-narrative), përmirëson aktivitetin dhe rendimentin e trurit duke luftuar deficitet konjitive, si dhe plakjen e trurit.

Leximi dhe studimi i përmbledhjes së mëposhtme të publicistikës së prof. Bakallit është sigurisht një ushtrim i vlefshëm për të zhvilluar mendimin kritik.

*Parathënie e librit “Mendimi kritik i një qytetari”

 

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lëreni Noizy-n në “shenjtërinë” e tij

Nga Mustafa Nano* E njihni Noizin? Me siguri, po. Në mos e...
Read More