Menoragjia: Problemet me ciklin te femrat, shkaqet dhe trajtimi

Mjekja obstetër-gjinekologe Jonida Reveli shpjegon funksionimin e ciklit menstrual, kur quhet kohëzgjatje dhe fluks normal menstruacionesh, dhe pse duhet patur kujdes veçanërisht në rast se kemi këto shenja, pasi mund të jemi duke u përballur me menoragji. Një problem që femrat nuk duhet ta neglizhojnë dhe si mund të trajtohet.

Menoragjia përkufizohet si cikle të rregullta menstruale, por me fluks dhe kohëzgjatje të shtuar. Është një nga ankesat më të shpeshta në gjinekologjinë moderne. Klinikisht menoragjia përkufizohet si humbje totale e gjakut > 80 Ml /për cikël ose kohëzgjatja e menstruacioneve më shumë se 7 ditë. Sipas statistikave 10–20 % kanë menstruacione në sasi të atillë sa të shkaktojë anemi sekondare apo të përcaktohet klinikisht si menoragji. Një cikël normal menstrual ka një humbje totale të gjakut 25–80 Ml/për cikël dhe kohëzgjatja e menstruacioneve deri në 7 ditë.

Kujdes

Të njohurit e funksionimit normal të ciklit menstrual është shumë i rëndësishëm për të kuptuar etiologjinë e menoragjisë. Cikli menstrual përbëhet nga 4 faza: folikulare dhe ovualcioni, luteale, implantimi, menstruacionet. Në përgjigje të gonadotropinë releasing hormone (GnRH) i prodhuar nga hipotalamusi, gjëndra hipofizare prodhon follicle stimulating hormone (FSH) dhe luteinizing hormone (LH), të cilat nxisin ovaret (vezoret) të prodhojnë estrogjen dhe progesteron. Gjatë fazës folikulare nën ndikimin e estrogjenit kemi rritje të trashësisë së endometrit (shtresa e brendshme e mitrës). Kjo njihet si faza proliferative. Gjatë fazës luteale nën ndikimin e progesteronit kemi maturim të endometrit, që njihet ndryshe si faza sekretore. Nëse ndodh fertilizimi ruhet dhe faza e implantimit. Nëse nuk ndodh fertilizimi rënia e nivelit të estrogjenit dhe progesteronit përfundon me menstruacionet.

Shenjat

Mbushja e një apo më shumë lines apo tamponave çdo orë për disa orë radhazi; nevojën për të përdorur dyfish lines njëkohësisht; nevojën për t’u ndërruar gjatë natës; hemorragji që zgjat mbi një javë; hemorragji me koagulo të mëdhenj gjaku; pamundësi të kryerjes së aktivitetit të përditshëm; shenja të anemisë: lodhje, këputje, shkurtim të frymëmarrjes.

Shkaqet

Shkaktarët e menoragjisë ndahen në 4 kategori. Së pari, shkaqe organike. Infeksionet e aparatit genitourinar, sidomos sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Çrregullimit e koagulimit si Willebrand, deficiencat e faktorëve II, V, VII, IX, deficienca e protrombinës, Purpura Trombocitopenike Idiopatike, tromboastenia etj. Sëmundje organike kronike si insuficienca hepatike apo renale.

Së dyti, shkaqe endokrine, hipertirodizmi dhe hipotiroidizmi. Tumoret prolaktinë-prodhuese të hipofizës. Nëpërmjet feedback-ut negativ sjellin në uljen e prodhimit të GnRH, për rrjedhojë ulet dhe niveli i estrogjenit dhe progesteronit të prodhuara nga ovaret duke shkaktuar hipogonadizëm. Ciklet anovulatore. Kjo është më e shpeshtë te femrat në adoleshencë dhe në perimenopauzë. Polycistic Ovarial Syndromë – ovaret polikistike me menstruacione të çrregullta, obezitet dhe hirsuitizëm. Rezistenca insulinike te këto pacientë shkakton rritjen e prodhimit të androgjenëve nga ovaret (hormone mashkullore). Inbalanca e vaskulaturës me një çrregullim të raporteve mes vazokontriktorëve si tromboksan A2 dhe prostaglandina F2 dhe vazodilatatorëve, si prostaglandina E2 dhe prostaciklina.

Së treti, shkaqet anatomike. Noduset fibromatozë janë struktura beninje të uterusit. Fibroidet intramurale të uterusit mund të frenojnë kontraksionet normale të muskulaturës të uterusit duke frenuar kështu mekanizmin kryesor të tij për hemostazë.

Polipet endometriale janë struktura beninje të endometrit, shtresës së brendshme të mitrës. Furnizimi i tyre me gjak është më i shtuar se ai i endometrit të rregullt duke shkaktuar ulje të kthimit venoz, grumbullim të gjakut. Si pasojë endometri në atë zone bëhet më i dobët dhe shkakton hemorragji më të madhe. Hiperplazia endometriale që shkaktohet nga prodhim i estrogjenit i pabalancuar nga ai i progesteronit.

Së katërti, shkaqet jatrogjene. Diapozitivi itrauterin (DIU) mund të shkaktojë shtim të sasisë së menstruacioneve dhe të krampeve për shkak të irritimit lokal. Kimioterapia dhe hormone steroide, përdorimi i antikoagulantëve.

Çrregullimet hemorragjike ndahen në; menoragjia që nga menarka (ardhja për herë të parë e menstruacioneve), si dhe histori familjare për çrregullime hemorragjike. Hematoma të dukshme pa ndonjë dëmtim të njohur. Hemorragji me burim nga trakti gastrointestinal apo kaviteti oral pa ndonjë lezion organik shkaktar të njohur. Epistaksis që zgjat më shumë se 10 min.

Në të tilla raste këshillohet konsultë me hematologun.

Diagnoza

Përjashtimi i shtatzënisë. Sasia dhe cilësia e hemorragjisë vaginale: Duhet pyetur me kujdes pacientja mbi shpeshtësinë e ndërrimit të tamponëve apo pecetave dhe mbi prezencën apo jo të koagulove (gjakut të mpiksur). Mosha e pacientes; vajzat që nga menarka deri në fund të adoleshencës shpesh kanë cikle anovulatore për shkak të papjekurisë të aksit hipotalamus-hipofize-ovar. Gratë në moshën 30-50 vjeç dyshohen më shpesh për shkaqe organike apo anatomike të menoragjisë. Gratë në postmenopauzë dyshohen për kancer endometri. Hiperplazia endometriale dyshohet në gra mbi 70 vjeç, obeze, nullipare apo me diabet. Dhimbjet pelvike; informacion i detajuar mbi kohën e fillimit të dhimbjeve dhe kohëzgjatjen. Historia e menstruacioneve; nëse menoragjia është vendosur që nga menarka apo është vendosur në një moshë e kohë tjetër. Aktiviteti seksual; infeksione seksualisht të transmetueshme si chlamydia apo gonorreja shkaktojnë hemorragji vaginale. Clamydia shkakton endometritis postpartum që shoqërohet me hemorragji. Përdorimi i kontraceptiveve: DIU dhe kontraceptivet orale. Prezenca e hirsuitizmit: Sindromi i ovarit polikistik. Galaktorrhea (prodhim i qumështit nga gjëndrat mamare jo në kushtet e laktacionit): tumor prolaktinë-prodhues i hipofizës. Sëmundjet kronike: Hepatike, renale, diabet etj. Sëmundjet e tiroides: hipo apo hipertiroidizmi. Çrregullimet hemorragjike apo çrregullime të koagulimit. Medikamente që përdoren aktualisht: antikoagulantë apo progestinë. Ndërhyrje kirurgjikale.

Procedurat

Histeroskopia diagnostikuese dhe intervenuese. Biopsia endometriale nëpërmjet dilatacion-kyretazhit. Nëse pas rezultatit shihet që ka pak qeliza vendoset diagnoza e atrofisë endometriale që mjekohet me zëvendësimin e estrogjenit. Hiperplazia endometriale joatipike kërkon trajtim me progesteron. Hiperplazia endometriale atipike sidomos ajo adenomatoze vlerësohet si një lezion malinj intraepitelial dhe zakonisht këshillohet histerektomia (heqja e mitrës). Në rastin e karcinomës endometriale duhet të shqyrtohet dhe trajtohet në bazë të stadifikimt të kancerit nga onko-gjinekologu. Pas vendosjes së diagnozës diferenciale bëhet trajtim medikamentoz ose kirurgjikal në varësi të problematikës.

 

TRAJTIMI

Medikamentoz:

  1. Antiinflamatorët jo steroidë (NSAID) – naproxen, diclofenac etj.
  2. Kontraceptivet orale. Përdorimi për një kohë të gjate i kombinimit të estradiol valerate dhe dienogest është provuar të jetë shumë efektiv në trajtimin e menoragjisë.
  3. Progestin- medroxyprogesterone (Provera) – antiestrogjenik.
  4. Diapozitivet intrauterin me përmbajtje levonorgestrel.
  5. Gonadotropine-releasing hormone agonist (GnRH agonist) të cilët përdoren për një kohë të shkurtër për shkak të kostos së lartë dhe efekteve të shumta anësore. Ata frenojnë çlirimin hipofizar të LH, FSH duke sjellë në hipogonadizëm.
  6. Danazol (Danocrine) – shkakton ameorrhea nga 4-6 javë dhe efekte androgjenike, si: akne, ulje të volumit të gjirit dhe shpesh trashje të zërit.
  7. Estrogjen të konjuguar – jepen intravenoz çdo 4 orë në paciente me hemorragji akute. Nëse nuk ka rezultat brenda 24 orëve vazhdohet me procedurën e dilatacion–kyretazhit.
  8. Acidi tranexamic ka efekt antifibrinolitik duke frenuar aktivizimin e plasminogjenit në plasminë.

Kirurgjikal:

  1. Dilatacion e kyretazh – përdoret për diagnostifikim se sa për trajtim.
  2. Rezeksioni transcervikal i endometrit ( Transcervical resection of the endometrium TRCE). Bëhet nëpërmjet rezektoskopit, histeroskopisë dhe riskun kryesor ka forcimin e uterusit.
  3. Ablacioni i endometrit me lazer. Lazeri inserohet në uterus përmes histeroskopisë.
  4. Ablacioni i endometrit pa rezektoskopi, ku përfshihen:
    • Me kateter me ballon termale – një kateter me ballon i mbushur me NaCl solucion izotonik i ngrohur në 87 gradë Celsius për 8 minuta që inserohet në kavitetin endometrial.
    • Me histeroskopi – hidhet në kavitetin uterin solucion NaCl i ngrohur në 90 gradë Celsius për 10 minuta.
  5. Cryoablacioni – përdoret nitrogjeni i lëngshem për të fiksuar endometrin. Procedura zgjat 10 minuta dhe bëhet nën drejtimin ekografik.
  6. Ablacioni i endometrit me mikrovalë.
  7. Miomektomia zakonisht përdoret kur ka një ose pak mioma dhe kur gruaja dëshiron të ruajë uterusin dhe fertilitetin.
  8. Histerektomia.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita e 105-vjetorit: Koleksionistët me 14 telegramet e Kuvendit

Muzeu Historik Kombëtar së bashku me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve, në një...
Read More