Merkel jep mbështetje, por jo ‘votën pro’ për negociatat

edi-ramaTakimi i djeshëm mes Ramës dhe Merkel dhe produkti i tij ka ndarë sërish palët në vend. PD nëpërmjet Aldo Bumçit e sheh qëndrimin e kancelares si ajo e deputetit Kirchbaum dhe se zgjedhjet mbeten një kusht i panegociueshëm, ndërsa Taulant Balla i PS është i sigurt se nëse deri në 15 dhjetor do ketë filluar zbatimi i vettingut do kemi mundësi për fillimin e hapjes së negociatave

Nga Nevila Perndoj

Kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte veshur një xhaketë me ngjyrë jeshile për të pritur Edi Ramën në takimin e tretë zyrtar në këto tre vjet të tij si kryeministër i Shqipërisë, por drita që pritej nuk u tha as nga kancelarja gjermane dhe as nga kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp, pa pyetje nga mediat.

Merkel dha mbështetjen për integrimin dhe tha se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave.

Por, vendimi do të merret në Samitin e Dhjetorit. Merkel nënvizoi se Gjermania është përpjekur vazhdimisht të ndihmojë Shqipërinë.

Për zhvillimet e fundit, ajo sqaroi se Gjermania ka dërguar përfaqësues në misionin EURALIUS, gjë që, sipas saj, ka kontribuar që reforma juridike të mund të vihet në funksionim.

“Është e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. Komisioni Europian ka përmendur 5 prioritete dhe këtu bën pjesë zbatimi i qëndrueshëm i Reformës së Drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë hapa të përhershëm që duhen kryer. Duke patur parasysh edhe zgjedhjet që ka, Shqipëria do të vihet në kontakt dhe me OSBE-në”, -tha Merkel.

Kancelarja gjermane dhe kryeministri Edi Rama nuk pranuan pyetje nga mediat për të kuptuar qartë qëndrimin e Gjermanisë në muajin dhjetor.

Por vetë kreu i ekzekutivit, Edi Rama e orientoi vëmendjen e tij te domosdoshmëria e zbatimit të vettingut për të marrë një përgjigje pozitive në dhjetor.

“…Jemi shumë mirëkuptues, Shqipëria e mirëkupton, dhe e mbështet plotësisht kushtin e Komisionit Europian që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, që të fillojmë zbatimin e ligjit të Vettingut për gjykatësit e prokurorët…”, -tha ai.

Por ndryshe nga Rama, për Partinë Demokratike, zgjedhjet (e përmendura edhe nga Merkel) mbeten një kusht i panegociueshëm për të kaluar klasën.

PD nuk i heq asnjë presje qëndrimit të Merkel me qëndrimin e deputetit gjerman Gunther Krichbaum pak ditë më parë, duke i parë ato në koherencë të plotë.

“…Deklarata e Merkel ashtu si ajo e Krichbaum vë në dukje se nuk ka përparim të mjaftueshëm në 5 prioritetet dhe se zgjedhjet mbeten një kusht i panegociueshëm për të kaluar klasën që nga marrja e statusit të vendit kandidat. Qëndrimi gjerman përkundër retorikës manipuluese të Edi Ramës ishte plotësisht i qartë dhe koherent. Atë që Merkel e përcolli përmbledhtazi, Krichbaum e tha prerë dhe duke i vënë gjërave emrat që kanë, sepse kështu ndihmohet Shqipëria: janë shënuar hapa prapa”, -tha deputeti demokrat Aldo Bumçi.

Në një prononcim për “Mapo”, Bumçi vë re se janë bërë hapa pas me drogën, duhet të shihet ecuria e procesit zgjedhor, të zbatohet dekriminalizimi dhe të vijojë puna me 5 prioritetet, zbatimi i të cilave, sipas tij, nuk bind Berlinin.

“Z. Rama boll u mor me armikun e brendshëm dhe të jashtëm, por të marrë përgjegjësitë dhe të punojë seriozisht për plotësimin e 7 kushteve”, -shtoi Bumçi.

Por Partia Socialiste e hedh përgjegjësinë gjetkë.

Ndërsa sipas deputetit socialist Taulant Balla, kush është kundër vettingut është kundër integrimit.

“Nëse deri në 15 dhjetor do ketë filluar zbatimi i vettingut, Këshilli do t’i kërkojë Komisionit Evropian të raportojë në çfarë faze jemi. Nëse do ketë filluar zbatimi i tij do kemi mundësi për fillimin e hapjes së negociatave…”, -sqaroi ai.

Në një zë është edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve…”, -shkruan Bushati në Facebook.

Lulzim Basha në anën tjetër mori dje përgjegjësitë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimin sa më parë të reformës në drejtësi-duke dashur të nxjerr në pah zgjedhjet që BE nuk i përmendte në raport oprogresin e para ca kohëve.

“Faleminderit Kancelares Merkel për mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen që Gjermania i ka dhënë e do t’i japë Shqipërisë edhe në dhjetor”, -shkroi Rama pas takimeve zyrtare. Kryeministri citoi se të njëjtën siguri kishte marrë edhe në takimin me Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert.

Por në të njëjtën ditë, për të përditshmen “Die Welt”, Presidenti gjerman Joachim Gauck ka kërkuar një ndërprerje në proceset e integrimit në Europë, në mënyrë që kjo të lejojë anëtarët të diskutojnë se çfarë duan të arrijnë.

“Ndonjëherë ne ecim aq shpejt, saqë jo të gjithë qytetarët mund të na ndjekin, e kjo më shqetëson”, -tha Joachim Gauck.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Milena Harito: Mbi Shqipërinë inovative dhe dixhitale

Milena Harito erdhi në politikën shqiptare me një fluturim nga Parisi, një...
Read More