Mero Baze: Pse Veliaj nuk mund ta projektojë veten për pasardhës të Ramës

Analisti i njohur, Mero Baze, flet për revistën Mapo

“…Në histori nuk hyn doemos si kryeministër. Mund të hysh dhe si një zyrtar i thjeshtë model i shtetit, si një qytetar që i jep qytetit ku jeton, si një kryebashkiak që e bën më të mirë jetën e qytetarëve etj. Në politikë, nuk është problem të hysh, problem është se si do dalësh. Dhe nuk është e thënë që po dole si kryeministër, je i suksesshëm. Nuk është as si në Big Brother që kush del i fundit fiton. Është fuqi e madhe ta kuptosh kur do dalësh…”

Erion Veliaj thotë vazhdimisht se ai është një personazh i vetëbërë (self-made) në politikë. Ju si e gjykoni karrierën e tij? Kush e ka ndihmuar? Si ia ka dalë të jetë kryebashkiak? A ka ndihmuar veten më shumë apo e kanë ndihmuar?

E vërteta është se Veliaj është i fundmi i politikanëve që ka shtyrë derën me shkelma për të hyrë në politikë. Shumica e brezit të tij vijnë nga katapultimet. Pra, ai ka dalë në atë rrugë vetë. Përvoja e tij si drejtues i lëvizjes “Mjaft”, është ende unike në Shqipëri dhe e pakonkurrueshme. Dhe ajo është e gjitha vepër e tij. Është pikërisht ajo histori që e bëri të dobishëm për politikën dhe Edi Ramën, i cili e tërhoqi në Partinë Socialiste.

Pastaj rruga drejt kreut të Bashkisë ishte çështje vlerash brenda PS-së. Veliaj nuk kishte konkurrentë në atë pikë.

Si do ta vlerësonit punën e Veliajt gjatë këtyre viteve në krye të Bashkisë më të madhe në vend?

Është një formë e re e qeverisjes së Tiranës. Është shumë kapilare, shumë afër problemeve të prekshme të qytetit, dhe njëkohësisht shumë e fokusuar tek e ardhmja e largët e Tiranës.

Pra, rrallë kemi patur një kryebashkiak që të merret me gropat e lagjeve, rrugicat, koshat e plehrave, këndet e fëmijëve, parkun, pistat e vrapimit, dhe me kulla që i duhen Tiranës në vitet 2050.

Edi Rama ka pas bërë revolucion në urbanizimin e Tiranës, me pamjen vizive të tij dhe gjelbërimin, duke e kthyer Tiranën në një kryeqytet normal, ndërsa Veliaj ndryshe nga Rama e ka kapilarizuar në detaje prekjen e Tiranës. Dhe kjo ka një reflektim te perceptimi i qytetarëve për punën e tij, që është dukshëm pozitiv.

Shpesh përflitet se ai do jetë pasuesi i Ramës në krye të PS, por edhe si kryeministër. Ju a ndani këtë mendim? Si e shikoni të ardhmen politike të Veliajt? Kush e rrezikon dhe kush e favorizon në rrugën e tij?

Një nga gabimet e mëdha që bëjnë politikanët e rinj në Shqipëri është se në përpjekje për të mbajtur kokën lart dhe për të parë të ardhmen e tyre “të ndritur”, u verbohen sytë dhe rrëzohen në gropën e parë që u del në rrugën ku nuk kanë mendjen ku ecin.

Veliaj për fat nuk po e bën këtë gabim. Ai është i fokusuar te suksesi i ditës, te puna e përditshme dhe është ndoshta tipi më jokonfliktual në politikë.

Ambiciet e tij janë pjesë e planeve të tij, por në Shqipëri nuk ka udhëheqës që lënë pasardhës. Udhëheqësit në Shqipëri përpiqen të lënë vetëm emrin e tyre pas dhe jo individë të tjerë.

Kështu që në këtë pikë, e vetmja gjë e gabuar që mund të bëjë Veliaj është ta projektojë veten për pasardhës të Ramës. Ai dhe kushdo tjetër duhet të përpiqen të jenë të suksesshëm tek ajo që bëjnë dhe të bëhen të dobishëm për shoqërinë. Në politikë në

fund të mbajnë këmbët e tua edhe kur t’i ngrihesh mbi shpatullat e tjerëve.

Në këtë pikë i vetmi rrezik për Erion Veliajn është Erion Veliaj, devijimi i tij nga agjenda ditore, nga besimi që ka marrë për të udhëhequr kryeqytetin dhe shfokusimi për të injoruar të sotmen në funksion të një projekti për të ardhmen.

Në histori nuk hyn doemos si kryeministër. Mund të hysh dhe si një zyrtar i thjeshtë model i shtetit, si një qytetar që i jep qytetit ku jeton, si një kryebashkiak që e bën më të mirë jetën e qytetarëve etj. Në politikë, nuk është problem të hysh, problem është se si do dalësh. Dhe nuk është e thënë që po dole si kryeministër je i suksesshëm. Nuk është as si në Big Brother që kush del i fundit fiton. Është fuqi e madhe ta kuptosh kur do dalësh.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hysni Hoxha: Këngët më të vjetra që i këndohen Flamurit në Shqipëri dhe Kosovë

  Qëndresa dhe flijimi për flamurin tonë kombëtar, si paraqiten në këngët...
Read More