Mesazh për Europën nga jetimët e saj!

Nga Leonora Laçi

Dikush duhet t’ia thotë Europës në sy…

Mesazhet e shqiptarëve drejtuar Europës janë si ato letrat në shishe që hidhen në detin e pafund, ku shpesh nuk gjendet askush për t’i lexuar, edhe nëse gjendet ndonjë udhëtar i rastësishëm prapë këto letra nuk mbërrijnë në duart e duhura. Si shumë të tjerë edhe ky mesazh do të ngecë në tallazet e detit…

Për të na marrë në konsideratë Europa, e ka të vështirë por jo të pamundur. Europa aktualisht përballet me shumë probleme të mëdha që për shpatullat e saj janë sfilitëse, ndërsa ne jemi problem i vogël.

Ajo që duhet theksuar përpara Europës, është roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

Sa na ngroh zemrat ky nocion “Ballkani Perëndimor” – është bashkëkohor, i pranueshëm, i pëlqyeshëm, sinonim i afrimit me zhvillimin, emancipimin, ndryshimet afatgjata e progresiste.

Pasi termi ekzistues “Ballkani” që ne njohim, ngjan me një nocion shumë të largët, sikur nuk flitet për ne, na kujton ngjarje të hidhura si luftërat ballkanike, problemet nacionale, komunizmin, është më afër lindjes sesa perëndimit.

Kemi nevojë sa më shumë për perëndimin, jo perëndimin e diellit që i lë vend errësirës së thellë, por perëndimin si term që na sjellë ndërmend zhvillimin, frymën europiane, a nuk jemi ne vetë që shohim perëndimin si sinonim të asaj që mund të mirarsimohemi, emancipohemi!!

Perëndimin ku zhvillimi dhe revolucionet kanë qenë frymëzuese dhe për qenësinë tonë, nga perëndimi kanë ardhur ndryshimet e mëdha, iu është dhënë formë periodizimeve historike.

Shqiptarët duan të jenë perëndimorë, s’ka gjë edhe ballkanas perëndimor, por europianë përbrenda, e jo europianë të perënduar.

Por s’duhet të harrojmë që e kaluara jonë historike na ka lënë shije të hidhur nga perëndimi, jemi ndarë si me thikë me të, edhe pse gjeografikisht jemi kaq afër, por e pamjaftueshme për të tërhequr vëmendje.

Për këtë kanë ndikuar dhe përqafimet e mendësive lindore në kohë të ndryshme. Por, ka shumë fajtorë në këtë mes, përveç mendësive lindore është dhe Europa vetë, e kaluara jonë, ne etj.

Jo për t’u viktimizuar por shpesh jemi konsideruar si jetimët e Europës, e si jetimë jemi braktisur, copëtuar, harruar, përqeshur, injoruar nga familja Europiane.

U braktisëm në kongrese, konferenca ambasadorësh, u lamë qëllimisht kështu me mendimin se do asimiloheshim vetvetiu e do mbetemi thjesht një nocion gjeografik.

U harruam dhe në traktate ndërkombëtare, edhe aleancat e mëdha na dolën kundër.

Ne, plaçka e tregut e europianëve u degdisëm si të tillë në 4 shtete, e mjaftoi kjo që Ballkani të quhet “fuqi baruti”.

Ne nuk jemi jetimë, dhe s’duhet të quhemi si të tillë. Ne i përkasim realitetit europian, jemi pjesë e saj dhe aderimi në familjen Europiane është një detyrim si ndjesë nga Europa që të shlyejë padrejtësitë historike që na ka shkaktuar.

Ekuilibri në Ballkan mund të vendoset duke afruar shqiptarët, sepse ne nuk na lidh asgjë me lindjen europiane e perëndimin aziatik.

Europës i duhen shqiptarët për të ndezur apo për të fikur vatrat e zjarrit nacionalist.

Ne nuk jemi më emigrantët tranzitorë, por kemi diasporën e konsoliduar që ka nxjerrë përfaqësues të denjë. Europa e shek. XXI duhet ta shohë gotën gjysmë plot për shqiptarët dhe të mësojë nga e kaluara e hidhur.

Ne jemi europianë sepse i kemi dhënë asaj perandor, strateg ushtarak, udhëheqës shpirtëror e humanistë mbarëbotërorë, e pa harruar njerëz të shkencës, artit e letërsisë.

Jemi ndër popujt më të hershëm, me një gjuhë, identitet e racë unike.

Ne e mbrojtëm Europën nga pushtimi otoman, e ajo i shpëtoi islamizmit ndërsa ne jo.

Ne u treguam humanë dhe i mbrojtëm hebrenjtë si vëllezërit tanë, kur Europa po heshtte për gjenocidin ndaj tyre, e heshtja ishte miratim, por nuk shpëtuam dot veten nga gjenocidi komunist shqiptar e ne nuk kishte kush të na mbronte.

Ne nuk jemi njerëz të dorës së dytë, as jetimët e Europës, por bijtë e saj legjitimë dhe meritojmë vlerësim, madje dhe kërkim falje… dhe koha është tani.

Europa nuk duhet të bëjë më shurdhmemecin me ne, le të riparojë gabimet e së shkuarës për të hapur një kapitull të ri.

Shqiptarët iu kanë rezistuar dy luftërave botërore e një lufte të ftohtë, por lufta e ftohtë me vetveten po i kalon parashikimet dhe ne nuk ia dalim dot pa JU, pa Europën, për të na kthyer besimin dhe shpresën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy fjalë për përmbytjet derisa të përmbytemi prapë!

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit Korrupsioni nuk është plaga më e...
Read More