Mesazhet e kryediplomatit gjerman, Gabriel: Bojkoti i Kuvendit, absurd. Basha: Nuk tërhiqemi

sigmar-gabrielGabriel: Ne të gjithë kemi mirëpritur miratimin me konsensus të plotë të ndryshimeve kushtetuese dhe tashmë shohim që kjo reformë po pengohet. Ajo që kërkohet në këtë moment është vënia e interesit kombëtar mbi interesat partiakë. Basha: Opozita është e gatshme të ulet me mazhorancën që 6 ligjet (e reformës në drejtësi) të kthehen në frymën dhe germën e Kushtetutës

Nga Nevila Perndoj

TIRANË Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, nuk la vend për interpretim në mesazhet e tij gjatë vizitës së djeshme në Tiranë.

Në emër të qeverisë federale të Gjermanisë, ai u shpreh kundër bojkotit të parlamentit, pro zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe pranimit të parimit të demokracisë se pakica duhet të pranojë shumicën. “…Askush në Europë nuk po e kupton siç duhet. Parlamentarët bojkotojnë Parlamentin. Në vendin tim kjo është absurde. Në vend të kësaj, ata mblidhen në çadër duke realizuar një opozitë kundrejt Parlamentit. Ne s’mundemi dhe s’duam ta pranojmë dhe është absurde sepse për pak javë keni zgjedhje në Shqipëri dhe rasti më normal do të ishte që nëse deputetët nuk janë të kënaqur me qeverinë, ta anatemojnë këtë në fushatë. Cili është parimi bazë i demokracisë? Që në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, pakicat të mund të pranojnë shumicën. Sepse në të ardhmen do të kenë shansin për t’u shndërruar në shumicë”, -tha Gabriel gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Lulzim Basha nuk pati komente për qëndrimin e ashpër të kryediplomatit gjerman, por tha se e kishte informuar këtë të fundit mbi pretendimet e opozitës dhe se PD-ja nuk tërhiqej nga kauza e saj.

Por për ministrin e Jashtëm gjerman me rëndësi është Reforma në Drejtësi dhe stabiliteti i vendit. “…Ne të gjithë kemi mirëpritur miratimin me konsensus të plotë të ndryshimeve kushtetuese dhe tashmë shohim që kjo reformë po pengohet. Ajo që kërkohet në këtë moment është vënia e interesit kombëtar mbi interesat partiakë dhe mbi interesat e elitave të caktuara ekonomike dhe politike që përpiqen të ndalojnë rrugën e vendit drejt BE-së”, -tha ai.

Këto qëndrime ai i përforcoi edhe në takimin me kryeministrin Edi Rama. Sepse në këndvështrimin e tij, bojkoti i Kuvendit nuk është i pranueshëm apo edhe i kuptueshëm nga ana e Gjermanisë.

Duke nënvizuar disa herë se ky nuk ishte një qëndrim personal i tij, por i qeverisë federale të Gjermanisë, ministri i Jashtëm gjerman përmendi edhe një letër të CDU/CSU-së për çështjen në fjalë.

“Pra, fillimisht, ne mundet vetëm të apelojmë për rikthimin e opozitës në parlament.

Së dyti, të realizojmë procesin e Vettingut dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Nëse opozita ka shqetësime për sa ii përket zgjedhjeve të lira e të ndershme, ka një mundësi për t’u kujdesur, për t’i pasur këto zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për këtë. Të sjellim më tepër vëzhgues zgjedhorë, të diskutojmë më tepër se si mund të formësohet dhe financimi i fushatave elektorale, por për këtë mund të diskutohet në parlament e jo në çadër. Ndaj ne këshillojmë me urgjencë që ky bojkot i parlamentit të përmbyllet në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të lira e të ndershme…”, -tha ai.

Sipas ministrit të Jashtëm, nëse zgjedhjet bojkotohen, e për pasojë vendi kalon në një situatë kaotike, “nuk mund të kemi mirëkuptim e nuk mund të ofrojmë mbështetje”.

“Si politikan, secili prej nesh duhet të ndërmarrë vendime, të cilat ndonjëherë do duhet të kapërcejnë interesat tanë personalë, duke vënë në plan të parë interesat kombëtarë.

Në fund do duhet të vendoset për interesat e qytetarëve të vendit. Mendoj që interesi kryesor i qytetarëve të vendit tuaj është vijimësia e rrugës drejt BE-së. Kush bojkoton parlamentin, largon vendin prej BE-së dhe dëmton interesat e qytetarëve të vendit të vet…”, -tha Gabriel gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama.

Ai vuri në dukje gjithashtu se projektet rajonale të Procesit të Berlinit po ngadalësohen.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, po jepte një konferencë për shtyp në kryeministri, vetëm pak metra larg në hotel “Rogner”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillonte fillimisht një takim me ministrin e Jashtëm holandez, Bert Koenders, i cili kërkoi në Tiranë nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe të vettingut. Më pas, Basha zhvilloi një takim rreth 60 minuta me ministrin e Jashtëm gjerman.

“Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend t’i paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhashë.

Një gjë është e qartë. Gjithçka që opozita dhe Partia Demokratike ka depozituar, është e bazuar mbi fakte të pakundërshtueshme, jo thjesht të opozitës por të verifikuara ndërkombëtarisht, siç është raporti i Europol për drogën, siç është raporti i Departamentit të Shtetit për drogën. Në një kohë komplekse me një mijë kriza, e kuptoj që të merresh me këto detaje nuk është e thjeshtë, por për Shqipërinë këto detaje janë gjithçka…”, -tha Basha pas takimit me Gabriel.

Megjithatë, në mënyrë të tërthortë, Basha i dha përgjigjet e tij për të gjitha qëndrimet e kryediplomatit gjerman. “…Beteja jonë, në mënyrë absolute nuk bëhet për fatet tona si parti politike, bëhet për fatin e Shqipërisë, për fatin e Shqipërisë europiane. Bëhet për vlerat europiane, bëhet pra edhe në emër të sigurisë rajonale dhe sigurisë europiane…”, – tha Basha. Ai konfirmoi sërish se nuk ka tërheqje nga ana e PD-së.

“…Zgjedhje pa qeveri teknike, që të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar ligjin e Dekriminalizimit, duke i nxjerrë kriminelët nga parlamenti, nga bashkitë, nga institucionet e vendit, zgjedhje pa luftuar drogën dhe paratë e drogës, dhe krimin, zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, pra zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të patur sepse këto do të çonin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total.

Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike…”, -tha ai.

Basha theksoi gjithashtu se ishte Rama ai që shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus, duke kërkuar rinegocim të tyre. “…Ndaj 6 ligjet janë pa miratimin e opozitës sepse opozita është përjashtuar nga Edi Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. Në këto kushte, opozita kurrsesi nuk mund të jetë alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, por opozita është e gatshme të ulet me mazhorancën që këto 6 ligje të kthehen në frymën dhe germën e Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vetëm kjo do mundësojë që opozita të ecë përpara me rolin e saj për sa i përket miratimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Kjo është rruga e vetme…”, -tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rikthehet revista Mapo: Duka rrëfen vitet në krye të FSHF

Revista e përmuajshme “Mapo” po rikthehet në treg, për ata (pak) njerëz...
Read More