Mesazhet për Metën dhe pretendenti për fronin

Basha: E kemi ftuar prej ditës së parë për dialog, e tash e pesë ditë, negociatorët e Partisë Demokratike, janë gati të përgatisin dialogun. Por, dialogun për zgjidhjen që presin shqiptarët. Rama: …Të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhjen. Për të gjetur zgjidhje për çka opozita pretendon brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

Nga Nevila Perndoj

Në ditën e 52-të të çadrës së ngritur para kryeministrisë, opozita nuk ka ndryshuar qëndrim. Ajo nuk do të jetë në punimet e sotme të Kuvendit të thirrur nga kryeparlamentari Ilir Meta për ngritjen e institucioneve të vettingut, duke kërkuar një zgjidhje politike që për të nënkupton krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mesazhet për dialog kanë ardhur sërish dje nga Basha dhe Rama, por pa pika të përbashkëta.

“…Nuk jemi përjashtues, por kemi qenë dhe jemi, ftues, propozues, krijues për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë. E kemi ftuar prej ditës së parë për dialog, e tash e pesë ditë, negociatorët e Partisë Demokratike, janë gati të përgatisin dialogun. Por, dialogun për zgjidhjen që presin shqiptarët, jo monologë shterpë, jo monologë fasadë sa për të kaluar radhën, sa për të bërë fotografitë e radhës dhe për t’iu kthyer lojës së vjetër se kush e ka fajin. Kjo duhet të marrë fund. Kjo do të marrë fund…”, -tha Basha.

Ai njoftoi bashkë me partitë e opozitës se nuk do të respektonin afatin maksimal ligjor për regjistrimin në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit.

“Dua të njoftoj të gjithë publikun në këtë çadër dhe shqiptarët kudo ku janë, se koalicioni opozitar i mbledhur në afatin e fundit të limiteve ligjore të regjistrimit, ka vendosur njëzëri, mosregjistrimin e opozitës deri në realizimin e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, që do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë me efektivitet drogën dhe paratë e saj dhe do të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme…”, – shtoi ai.

Por për kryeministrin Edi Rama dialog nënkupton diskutim për çdo çështje brenda kornizave kushtetuese. Rama e ka bërë të qartë se qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve janë dy vijat e kuqe të Kushtetutës për të cilat ai nuk negocion.

“…Të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhjen. Për të gjetur zgjidhje për çka opozita pretendon brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, natyrisht dhe në funksion të aspiratës së këtij populli, jo thjesht për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, por dhe për të përcaktuar rrugën e tij si vazhdim i domosdoshëm i rrugës së përcaktuar që me rilindasit tanë, Shqipërinë europiane. Shqipëri europiane pa drejtësi europiane nuk mund të ketë!…”, -tha Rama pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

Ai theksoi se është i gatshëm të ulet në tryezë në funksion të çdo problemi që opozita mund të ketë në adresë të Kodit Zgjedhor.

“Po. Për këto jemi gati të ulemi e të diskutojmë…”, – shtoi ai.

Në mes të këtij debati vijon të qëndrojë LSI-ja, e cila nga ana e saj ka premtuar se do t’i ofrojë mandatet e saj opozitës në funksion të zgjidhjes së krizës.

Meta ka bërë thirrje për dialog duke përmendur disa herë domosdoshmërinë për krijimin e një qeverie besimi.

Demokratët e kanë përshëndetur këtë lëvizje dhe një e tillë erdhi edhe nga vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në bashkëbisedimin e pasdites në çadër ku ndodheshin edhe partitë aleate të opozitës.

Teksa falënderoi këto të fundit për mbështetjen që po i japin kërkesës së PD-së, Basha shtoi: “Dua të falënderoj edhe ato forca politike që nuk janë pjesë e koalicionit të opozitës, por duan të bëhen pjesë e kësaj zgjidhjeje kombëtare, dhe udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane dhe moderne”.

Për kryeministrin Edi Rama, qëndrimi i Metës është parë ndryshe, sa kohë që janë jo të paktë zërat se LSI-ja mund të tërheqë këtë javë edhe ministrat e saj nga qeveria.

Kryetari i partisë “Libra”, Ben Blushi, tha dje nga Durrësi se “në fund të kësaj jave mund të kemi gjysmën e qeverisë sepse gjysma mund të tradhtojë pjesën tjetër”.

“Unë e konsideroj qeverinë përgjegjësi dhe detyrat qeverisëse përgjegjësi, jo privilegje të cilat i ke e nga të cilat heq dorë. Nga kjo përgjegjësi, ne nuk mund të heqim dorë për sa kohë jemi mandatuar nga populli për të ushtruar këtë përgjegjësi në shërbim të njerëzve…”, – reagoi Rama pas grupit.

Mosgjetja e një zgjidhjeje të përbashkët mes palëve, mund të provokojë edhe lëvizje radikale nga ana e opozitës në raport me zgjedhjet e 18 qershorit. Basha ka deklaruar disa herë se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet, porse zgjedhje në datën e dekretuar nuk do të ketë. Prova e parë për demokratët por edhe për gjithë klasën politike shqiptare mbetet 7 maji, datë kohë kur do të mbahen zgjedhjet për bashkinë e Kavajës.

“Forca jonë është te bashkimi, forca jonë është te vendosmëria, forca jonë është te natyra paqësore, demokratike, por e vendosur dhe popullore e kësaj lëvizjeje. Ndaj, vendimi i dytë i opozitës së bashkuar rreth kësaj axhende dhe objektivi të madh patriotik, është mbajtja më datë 7 maj, në qytetin kaq simbolizues për demokracinë, për lirinë, në qytetin e Kavajës, të një proteste të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një lëvizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi. Sepse iu kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, u kemi premtuar qytetarëve të Kavajës se kurrë më nuk do ta lëmë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi…”, -tha Basha.

Genc Burimi: Kokëdhima do i përfundojë bisedimet si lider i PS-së

Analisti Genc Burimi, në një shkrim për gazetën Shekulli, thekson se takimi mes drejtuesit të lëvizjes “Zgjidhja” në PS, Koço Kokëdhima dhe kreut të PD, Lulzim Basha, ka hapur rrugën që politikani socialist të garojë për kreun e PS.

“Rama është në këtë pikë në një kontradiktë flagrante. Prandaj Kokëdhima i sigurt se lideri i PS­së nuk do t’i shmanget dot shtyrjes së datës së zgjedhjeve, i “zuri vendin” atij në takimin me shefin e opozitës për të filluar pa humbur kohë nga diskutimet mbi thelbin e çështjes. Mbi përmbajtjen e reformës zgjedhore pasi palabrat e Ramës që data e zgjedhjeve nuk shtyhet nuk bindin veçse atë.

Për më tepër, Kokëdhima merr kështu “takim” në avancë me delegatët e Kongresit të jashtëzakonshëm të PS­së më 29 prill. Ai do të paraqitet atje si lideri i fraksionit brenda PS­së që pati të drejtë para Ramës, si ai që tha se reforma zgjedhore do të bëhet duke shtyrë datën e zgjedhjeve.

Nëse Rama zbrapset duke u detyruar nga presioni ndërkombëtar të shtyje datën e zgjedhjeve, është normale që Kokëdhima do të kërkojë për lëvizjen Zgjidhja lidershipin e PS-­së.

Ndaj mund të thuhet me plot gojë se takimi i parë i punës midis PD­-së dhe PS-­së për t’i dhënë konturet reformës zgjedhore ndodhi në fund javë.

Kokëdhima i nisi këto bisedime si lider fraksioni në PS.

Ai do t’i përfundojë ato si kryetar i PS­-së, i votëbesuar nga Kongresi për të nxjerrë vendin nga kriza e paparë institucionale dhe për t’i ofruar së majtës një fitore të re pa prapamendime vrastare midis aleatëve…”, shkruan Burimi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Letër nga Amerika

Nga Besart Kadia* Për më shumë se 60 vite Alistair Campbell, gazetar...
Read More