Mesazhi i fortë i Lu: A ka një lojë Basha-Rama për reformën?

A ka një lojë Basha-Rama për të vonuar reformën në drejtësi? Kështu pyet në editorialin e sotëm drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj.

“Është fakt tashmë, që politika shqiptare, edhe pse Reformën në Drejtësi e votoi me 140 vota në Parlament, ka bërë çdo gjë të mundur që ta pengojë zbatimin e saj. Në të kundërt, nuk do kishim arritur në këtë pikë ku jemi.

Të gjitha organet e drejtësisë së re, nëse do ekzistonte vullneti politik do të ishin ndërtuar, dhe nuk do të ishte nevoja për një kryeprokuror të përkohshëm.

Praktikisht, vota unanime për Reformën në Drejtësi, koha tregoi që ishte një konsensus i plotë i politikës shqiptare për ta sabotuar atë.

Në këtë kuptim, për të vonuar sa më shumë efektet e kësaj reforme, Kryeprokurori i përkohshëm është mekanizmi perfekt.

Mazhoranca nga ana e saj, zgjedh një kryeprokuror të përkohshëm, që sado profesional dhe i ndershëm të jetë, s’do të ketë asnjëherë legjitimitetin dhe pavarësinë e plotë për të shkuar më tej në hetimet që janë duke u përfolur në këtë moment.

Ndërsa opozita, po ashtu duke mos njohur legjitimitetin e një kryeprokurori të përkohshëm dhe të zgjedhur nga një krah politik pa konsensus, çdo hetim në drejtim të saj do e konsiderojë si politik dhe të pavlefshëm. Duket si një skemë perfekte, për të ndaluar çdo akuzë në drejtim të politikës,” shkruan Iljazaj.

Duket se diçka ka nuhatur edhe vetë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.

“Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut.

Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë.

Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.

Sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik,” tha Donald Lu gjatë një konference të Avokatit të Popullit.

Po sikur çështja e Kryeprokurorit të jetë një truk i Ramës dhe i Bashës për të vonuar Reformën në Drejtësi?

Shkruar Nga
More from Redaksia

Stresi: Jam përdorues droge, nuk merrem me shitjen e saj

Këngëtari i njohur, Stresi, i kapur duke konsumuar kokainë në një lokal,...
Read More