Mësuesi kujdestar, koha për revolucion

Roli i mësuesit kujdestar ishte tema që mblodhi në një diskutim të gjerë afro 200 drejtues të gjimnazeve publike në vend në Universitetin Europian të Tiranës, në kuadër të Forumit të 10-të Gjimnaz-Universitet, i pari për vitin 2017, i organizuar ditën e shtunë, më 8 prill 

Koha për një revolucion në përgatitjen dhe rolin që ka një mësues kujdestar në arsimin parauniversitar në vend. Ky ishte përfundimi i dhjetëra diskutimeve që shoqëruan debatin e Forumit Gjimnaz-Universitet, të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës me praninë e afro 200 drejtorëve të gjimnazeve publike në vend, të shtunën më 8 Prill 2017. Ky forum do të pasohet nga një tjetër më datë 15 prill me drejtues të gjimnazeve private në vend, ku do të diskutohet sërish për rolin e mësuesit kujdestar në përgatitjen e nxënësve në shkollat e mesme të vendit. Forumi i kthyer tashmë në një traditë disavjeçare ka diskutuar më parë tema si: vlerësimi i brendshëm i gjimnazeve, urdhrin e mësuesit dhe Kodin e Etikës në shkollë, këshillimin e karrierës nëpër gjimnaze, lidershipin e ri në arsim, strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, arsimi parauniversitar shqiptar mes pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, maturën shtetërore etj. Ky forum do të finalizohet me një Policy-Paper për Ministrinë e Arsimit, ku do të bëhen propozime konkrete për rolin e mësuesit kujdestar në sistemin arsimor shqiptar.

Revolucioni në rolin e mësuesit kujdestar

Referuesit nga universiteti dhe nga gjimnazet ranë dakord në një pikë; që ka ardhur koha që roli i mësuesit kujdestar në gjimnaze të forcohet, t’i jepet më shumë rëndësi në marrëdhënien e drejtpërdrejtë me nxënësin dhe të shihet si mentor i tyre jo vetëm në mësimdhënie, por dhe në fushën psikologjike, emocionale dhe gjithë faktorët e tjerë që kanë të bëjnë me nxënësin.

Trajnimi i mëtejshëm i tij, trajtimi financiar, dhe këmbëngulja më shumë te metoda e mësimdhënies se sa tek informacioni, ishin disa nga propozimet që u hodhën në këtë forum.

Drejtorët e gjimnazeve mbrojtën idenë se roli i mësuesit kujdestar duhet t’u lihet mësuesve me më shumë eksperiencë dhe të ketë trajnime të posaçme për këta mësues dhe rolin e tyre kyç në marrëdhënie me nxënësit që kanë nën mentorship.

Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET, prof. asoc. dr. Tomi Treska foli për një strategji zhvillimi konkret dhe afatgjatë në këtë drejtim, duke nisur sipas tij, që nga diskutimi se çfarë modeli arsimi do të kemi.

Në fjalën e tij përshëndetëse për forumin, administratori i UET, Henri Çili, foli për paradoksin që shoqëron arsimin, ku mësues të përgatitur në të kaluarën duhet të përgatisin në të tashmen fëmijë për të ardhmen. Ai foli mbi rëndësinë e mentorshipit të mësuesve në këtë drejtim. Sipas tij në këtë situatë “ne nuk mund t’i përballojmë zhvillimet e reja me më shumë informacion, por mund t’i përballojmë vetëm me metodë”. “Mund të mos kemi të gjithë në çdo cep të Shqipërisë kabinetet e duhura, mjetet e duhura, mësuesit më të mirë, por metodë më të mirë ne mund ta kemi. Pra, dijen më të mirë ose metodën më të mirë për të vajtur tek informacioni më i mirë, karriera më e mirë, projekti më i mirë jetësor, ne këtë mund ta kemi. Unë them që është koha për revolucion në këtë drejtim dhe universitetet mund të jenë liderë në këtë fushë. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një lloj laboratori imagjinar për kërkimet ose sfidat e reja të edukimit” – theksoi Çili.

Civici: Edukimi i mirë, faktor zhvillimi

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, duke përshëndetur forumin Gjimnaz-Universitet theksoi rëndësinë që ka arsimimi i mirë i nxënësve dhe studentëve në zhvillimin e një vendi. Ai u ndal te çështja e metodave të mira në mësimdhënie, te nxitja e mendimit kritik te nxënësit, si më e rëndësishme se sa thjesht mbushja me informacion e tyre. “Në këtë botë kemi një kontingjent prej 700 e 10 milionësh që janë ose nxënës ose studentë dhe kuptohet që me këto përmasa edhe preokupimi parësor që ka sot bota dhe vendet në zhvillim e progres, siç është dhe Shqipëria, është pikërisht cilësia, standardet dhe pyetja se çfarë lloj nxënësi, studenti duhet të përgatisim. Duke qenë ekonomist po e shikoj pak në një këndvështrim ekonomik. Sot në të gjitha vlerësimet që bëhen pse një vend zhvillohet ose jo, në mënyrë të padiskutueshme për dy ose tri dekada në vend të parë del cilësia e kapitali njerëzor, pra cilësia dhe standardet e të diplomuarve qoftë në shkollë të mesme apo universitet si faktori kryesor i zhvillimit. Të paktën brezi ynë i formuar në një sistem arsimor ndryshe e ka pak vështirë ta kuptojë se ç’do të thotë cilësi. Nëse themi cilësi ajo që ne prodhojmë, ju si gjimnaz dhe ne si universitet, është një produkt, një mall që duhet të jetë sa më cilësor për t’i shërbyer Shqipërisë në mënyrë cilësore dhe mendoj që me gjithë debatet e mëdha ndërkombëtare se çfarë duhet të jetë një shkollë e mesme apo gjimnaz, një universitet, çfarë duhet të formohet dhe si duhet të formohet një nxënës apo student gjithmonë zbërthehet fjala cilësi dhe fjala standard. Nëse ka një pikë që ne edhe në kuadrin e ligjit të ri të Arsimit të Lartë dhe përpjekjeve që po bëhen është pikërisht kalimi nga një student i formuar në mënyrë të përgjithshme në një student shumë të orientuar, logjik, kreativ kritik që është i aftë të mendojë, të veprojë dhe të bëhet faktor zhvillimi” -tha ndër të tjera profesor Civici.

Gjuraj: UET, tashmë një universitet universal

Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj gjatë fjalës së tij në forumin Gjimnaz-Universitet këmbënguli te rëndësia e bashkëpunimit mes sistemit parauniversitar dhe atij të lartë në arsim. Ndër të tjera ai tha se UET tashmë ka marrë akreditimin britanik me vlerësim të shkëlqyer dhe me standarde të plotësuara dhe është gati të hapet më tej si një universitet universal, duke hapur të gjitha degët e studimit.

“Ne kemi qenë të përqendruar vetëm në tri fakultete dhe pas një bilanci 10-vjeçar dhe pas riakreditimit britanik, vendosëm që të zgjeroheshim. Duke nisur nga tetori ne do të vendosim një sërë programesh të reja si institucion. Nga një universitet i fokusuar ne kalojmë në një universitet universal. Ky forum adreson problematika dhe tematika që synojnë të kenë gjimnazin në qendër të vëmendjes dhe kjo është arsyeja që ne e kemi kthyer në traditë, ku të paktën dy herë në vit mblidhemi së bashku sepse çështjet që lidhen me reformat në arsim, si në atë parauniversitar apo dhe atë universitar, çështjet që lidhen me cilësinë dhe administrimin e arsimit janë ato që na preokupojnë të dyja palëve” -tha ndër të tjera Gjuraj.

Duke folur mbi temën e zgjedhur për forumin e fundit; “Një mësues kujdestar ndryshe?”, profesor Gjuraj tha se “kjo ide erdhi sepse një doktorante kishte realizuar një punim të shkëlqyer mbi rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit kujdestar sot në sistemin arsimor shqiptar dhe sipas studimit kishte ardhur koha që roli, detyrat dhe përgjegjësitë e mësuesit kujdestar të rimontohen me një konceptim të ri bashkëkohor. Duhet të diskutojmë për këtë temë sepse ne të gjithë sado lart të jemi në hierarki jemi nga pak mësues kujdestarë dhe shpeshherë rolet janë komplementare”.

Propozimet e Forumit të 10-të Gjimnaz-Universitet

-Të ketë një strategji kombëtare për arsimin parauniversitar, ku të përcaktohet roli dhe rëndësia e mësuesit kujdestar.

-Të ketë trajnime periodike për mësuesit kujdestarë.

-Të zgjidhen mësuesit me më shumë eksperiencë.

-Të kenë trajtim të posaçëm financiar.

-Nga universitetet të ketë module të veçanta për përgatitjen e mësuesve kujdestarë.

-Të ketë një anketim me nxënësit për cilësitë e mësuesit kujdestar, si e duan ata.

-Të merret parasysh roli i mësuesit kujdestar në klasat kolektive.

-Mësuesi kujdestar të ketë pavarësi nga orët mësimore.

Forumi Gjimnaz-Universitet, dita për të dëgjuar mësuesit

Dy herë në vit UET iu dedikohet mësuesve të gjimnazeve, drejtuesve të gjimnazeve apo specialistëve të sistemit parauniversitar. Forumi Gjimnaz-Universitet mbledh në UET qindra mësues, drejtues dhe specialistë të arsimit parauniversitar, të cilët vijnë dhe debatojnë në mënyrë periodike, në prill dhe shtator, me drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës për këshillimin e karrierës, për kërkesat specifike të maturantëve, elementë që lidhen me brezin e ri, qëllimet dhe synimet e tyre. Ky Forum, në të cilin kanë kaluar tashmë mbi 1 mijë mësues e drejtues të Shkollave të Mesme gjatë këtyre viteve, ka sjellë një risi të madhe: instalimin e një dialogu në dukje të ndërprerë ndërmjet cikleve të studimit, studimeve parauniversitare dhe atyre universitare. Nevoja e këtij forumi është shumë e madhe, sepse brezat ndryshojnë shumë shpejt, teknologjia, statusi i tyre psiko-emocional dhe gjithçka tjetër është në diskutim në këtë fazë të jetës që maturanti kalon.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Erion Veliaj, një karikaturë për vetingun

Nga Armand Shkullaku Qeveria Rama po e kthen me shpejtësi në karikaturë...
Read More