Meta betohet si president: Shqipëria dhe demokracia do të jenë të parat

Ilir Meta është betuar si Presidenti i shtatë i periudhës së pluralizmit. Ai është betuar para Kuvendit, ndërsa është angazhuar se do të lërë pas debatet politike. Gjatë betimit ai shmang shtrëngimin e duarve me Ramën. Në ceremoninë e marrjes së detyrës Basha largohet pa e uruar. Ja çfarë nuk u panë në ceremoni

Ilir Meta është zyrtarisht presidenti i shtatë i Republikës së Shqipërisë i zgjedhur përgjatë periudhës së pluralizmit. Ai është betuar në një seancë të jashtëzakonshme me dorën mbi Kushtetutë, ndërsa është angazhuar publikisht se do të lërë pas çdo debat politik të së shkuarës dhe se gjatë presidencës së tij Shqipëria dhe demokracia do të jenë gjithmonë të parat. Në seancën e betimit nuk kishte asnjë surprizë, teksa të pranishëm ishin thuajse shumica e deputetëve, përfshi kryeministrin, Edi Rama, ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe drejtues të institucioneve të pavarura, trupit diplomatik dhe komuniteteve fetare.

Në fjalën e tij pas aktit të betimit, para deputetëve të pranishëm, ndërsa i falënderoi ata që e zgjodhën në krye të shtetit, është angazhuar për të respektuar në germë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me paanshmërinë. Më tej ai theksoi se do t’i shërbejë gjithmonë frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai evidentoi si pjesë të sfidave të tij por edhe të gjithë klasës politike shqiptare papunësinë, varfërinë dhe emigracionin e rinisë.

Ndaj për t’i fituar këto sfida ai theksoi se duhen reforma të qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, të cilat sipas tij nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm.

Ndaj ai i ka dhënë garanci opozitës se pavarësisht faktit se nuk mori pjesë në zgjedhjen e tij pak muaj më parë si President, ai do të jetë garant i të drejtave të saj duke lënë pas çdo debat politik. “Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje se sa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin.

Dua t’ju siguroj se në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të lartë do të udhëhiqem duke lënë pas bashkë me 25 vitet e mia në këtë Kuvend, çdo debat apo përkatësi politike që kam patur”, mbylli mesazhin e tij Meta para Kuvendit. Por pavarësisht këtij angazhimi publik për të lënë pas të shkuarën, duket se Meta edhe në detyrën e Kreut të Shtetit nuk e ka harruar debatin në distancë të vetëm para pak javëve me kryeministrin Rama. Kjo pasi menjëherë pas betimit dhe fjalës përshëndetëse ai nuk e ka takuar kryeministrin Rama, gjë që nuk e ka bërë edhe gjatë momentit të largimit nga parlamenti, pavarësisht se takoi shumë deputetë dhe ministra.

E ndërsa nuk e bëri me Ramën ai u kujdes që të shkonte të takonte ish-Presidentin Berisha edhe pse ky gjendej në vendin e tij të uljes në parlament, diku në mes të rreshtit. Më pas Presidenti Meta iu drejtua Presidencës ku zhvilloi një takim simbolik të marrjes së detyrës nga Presidenti në ikje Bujar Nishani. Ndërkohë që në oborrin e Presidencës kishin mbërritur thuajse të gjithë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, duke përfshirë këtu, kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha, ish-presidenti Berisha, familja e presidentit Meta, e shumë personalitete të tjera të jetës kulturore, fetare, shoqërisë civile, medias, e trupit diplomatik.

Ajo që ra në sy gjatë kësaj ceremonie ishte fakti se Rama edhe pse në një ceremoni zyrtare ashtu si edhe në Trieste pak ditë më parë kishte preferuar të vinte sërish me atlete, ndërkohë që gjatë qëndrimit të tij në vendin e caktuar për personalitete VIP ai nuk mungoi të shkëmbejë gjatë gjithë kohës batuta me Berishën. Shkak është bërë pikërisht veshja e tij me atlete, për të cilën mësohet se Berisha i ka thënë: “shyqyr që s’na erdhe me nallane”.

Ndërkohë që në orarin e caktuar Presidenti në ikje Bujar Nishani i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Presidenti i ri, Ilir Meta kanë dalë para të pranishmëve për të vijuar edhe pjesën e dytë të ceremonisë së marrjes së detyrës. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, në mënyrë simbolike i ka dorëzuar Metës Kushtetutën, ndërsa ky i fundit më pas ka mbajtur sërish një fjalë përshëndetëse. Më pas ai ka përcjellë sipas traditës, ish-presidentin Nishani dhe më pas ka bërë foton familjare zyrtare me dy gocat dhe djalin e tij, por ku mungonte bashkëshortja Kryemadhi, e cila ka deklaruar se do nuk do ta ushtrojë të drejtën për të qenë zonjë e parë.

Më pas bashkë me fëmijët e tij ai ka pritur dhe urimet nga të ftuarit, ku fillimisht e ka uruar nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj dhe menjëherë pas saj kryeministri Rama duke shtrënguar në mënyrë formale dhe duart. Ndërkohë që ajo që ra në sy ishte fakti se kreu i opozitës, Lulzim Basha dhe paraardhësi i tij Sali Berisha kanë preferuar të largohen pa e uruar Metën si President. Ndërkohë që disa të shtëna me top kanë shënuar dhe marrjen e detyrës së presidentit.

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Betim Muço: Rrëfim nga procesi i fundit i shkrimtarit

Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim romanin “Yjet janë fare pranë” me...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.