Meta kundër Ramës: Jo reformë pa opozitën, referendumi, diktaturë ndaj pakicës

Bllokada e reLSI nuk e mbështet nismën e kryeministrit Rama për ta votuar Reformën në Drejtësi pa pëlqimin e opozitës. Meta ka vlerësuar dje kërkesën e PD-së, si garanci sipas standardeve të Komisionit të Venecias

Partia Socialiste duket se e ka humbur aleaten e saj, Lëvizjen Socialiste për Integrim, në debatin për Reformën në Drejtësi.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka vendosur kushte kryeministrit Edi Rama se nuk do të votojë një reformë pa konsensusin e opozitës.

Në dy dalje të njëpasnjëshme, dje kryeparlamentari Meta, para dhe pas mbledhjes, ka bërë të qartë pozicionin e LSI-së lidhur me reformën duke bërë të qartë se forca që ai drejton mbështet kërkesat e opozitës për të pasur më shumë garanci për moskapjen e sistemit të drejtësisë, duke lënë të kuptohet se është pro kërkesës për vendet e rezervuara.

“Nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një Reformë në Drejtësi pa opozitën, në rast se opozita vërtet është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja”, -deklaroi Meta.

Më tej, ai shtoi se në kushtet që ekzistojnë dhe kur konsensusi është vetëm peng i një çështjeje, nuk ka asnjë arsye që zgjidhja të mos gjendet dhe Kuvendi të shkojë drejt miratimit të reformës.

Sipas tij, zgjidhja është te respektimi i rekomandimit dhe standardit të Komisionit të Venecias, duke lënë të kuptohet qartë se legjitimon kërkesën e PD-së.

“Në rast se PD edhe në momentin që edhe çështja e vetme e mbetur zgjidhet me dialog, me kompromis sipas standardeve të Venecias apo standardeve më të mira ndërkombëtare dhe më pas ngre një çështje tjetër apo sajon një pretekst tjetër, me qëllim që të mos japë konsensusin për Reformën në Drejtësi, atëherë LSI-ja beson që kjo do të ishte demonstrimi i qartë i mungesës së tyre të vullnetit politik dhe i papërgjegjshmërisë dhe njëkohësisht i domosdoshmërisë për të votuar këtë reformë edhe pa opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”, -tha Meta.

Ndaj, në këto kushte, ka theksuar ai, është i papranueshëm edhe zgjidhja e ofruar nga një pjesë e mazhorancës për të shkuar në popull dhe për ta votuar reformën me referendum.

“Për një çështje, për të cilën Komisioni i Venecias është shprehur që duhet të jenë garanci substanciale për opozitën, pavarësisht nga forma që rekomandohet apo që duhet gjetur, të shkosh në referendum vetëm për këtë çështje, më duket se është jo vetëm absurde, por mendoj se është edhe qesharake”, -tha Meta.

Madje, sipas tij, në rast se kjo do të bëhej dhe e drejta e opozitës do të vendosej në popull, atëherë, ai ka theksuar se kjo do të ishte diktatura e shumicës ndaj pakicës.

“Sepse dihet që koalicioni ynë është një koalicion jo vetëm i majtë, por më shumë se i majtë edhe si i tillë mendoj unë ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Të hedhim në referendum vetëm një çështje që të ketë apo jo opozita garanci substanciale, një të drejtë që ia japin parimet e shtetit të së drejtës, parimet tona kushtetuese, që ja jep edhe Komisioni i Venecias, me të cilin kemi bërë edhe Kushtetutën, mendoj se kjo është si të vendosësh të instalosh diktaturën e shumicës ndaj pakicës. Dhe nuk bëhet fjalë për opozitën sot apo deri më 2017-n, këtu bëhet fjalë për 20-30 vitet e ardhshme apo ndoshta 100 vitet e ardhshme”, -theksoi kryetari i Kuvendit.

E në këtë aspekt, ai ka kundërshtuar gjithashtu edhe propozimet e ardhura sërish nga elementë të së majtës, që në rast se Reforma në Drejtësi nuk miratohet, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Vendi nuk ka asnjë arsye që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që të përziejë Reformën në Drejtësi me zgjedhjet e kohshme apo të parakohshme. Ky do të ishte komprometimi më i madh që do t’i bëhej legjitimitetit të kësaj reforme dhe angazhimit dhe sinqeritetit të gjithë aktorëve për të ndërtuar vërtetë një shtet të së drejtës larg interesave të ngushta partiake edhe elektorale. Kështu që kjo më duket tepër absurde. Në rast se dikush nuk e kërkon Reformën në Drejtësi apo e kërkon sipas standardeve të veta, mund t’i kërkojë zgjedhjet e parakohshme që sot”, -deklaroi Meta.

Ai edhe një herë ka këmbëngulur se të gjitha këto veprime, që nga votimi i njëanshëm në parlament, te referendumi dhe zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje vetëm nëse mazhoranca i pranon kërkesën e mbetur opozitës, dhe kjo sërish nuk do pranonte ta votonte reformën.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dekriminalizimi i parodizuar dhe nevoja për ‘Dekriminalizim 2’

Nga Alfred Lela Formularët e dekriminalizimit, të plotësuar dhe publikuar javën që...
Read More