Meta letër Trump: Do të kërkoj shpjegime për votën e Shqipërisë në OKB


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shkruan Presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Kombeve të Bashkuara. 

Presidenti i Republikës: “Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar…”

TIRANË- Vota e Shqipërisë pro rezolutës, që synonte tërheqjen e SHBA nga vendimi i njohjes së Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Kombeve të Bashkuara, ka sjellë reagime të forta nga opozita, por edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ky i fundit i ka dërguar një letër dje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ku fillimisht e falënderon për urimet, që Presidenti Trump përcolli me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.

“I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj…:”, shkruan Meta.

Më tej, Presidenti i Republikës fokusohet te vota e Shqipërisë në OKB.

“Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare…”, thuhet në letrën e Metës.

Edhe më herët gjatë ditës, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, presidenti Meta kishte theksuar ndër të tjera se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.

Ministri për Europën dhe Politikën e Jashtme, Ditmir Bushati, sqaroi dy net më parë, përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB.

“Vota jonë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje.

Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit të saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhej në deklaratë.

Në rezolutën e miratuar në OKB dy ditë më parë dhe e mbështetur nga Shqipëria ndër të tjera thuhej:

“Rezoluta pohon se çdo veprim dhe aksion që synon ndryshime në statusin e qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk ka asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të shfuqizohet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit.

Prandaj, kjo u kërkon shteteve të përmbahen nga vendosja e misioneve diplomatike në qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Motrat Vorpsi: Nga fotot me bikini tek ftohja e plotë mes tyre

  Laura dhe Ornela Vorpsi janë dy personazhe shumë të njohur për...
Read More