Meta mes ‘armiqve’ Rama-Idrizi

Arion SuloNga Arion Sulo

Me deklaratën te Eni Vasili se me PD nuk do të ketë koalicion, Ilir Meta zbuloi për herë të parë drojën se LSI nuk e ka më të sigurt pozitën e kingmaker-it në politikën shqiptare.

Ndërsa mbylli një shteg, ai la të hapur mundësinë e ripërtëritjes së kontratës me PS ose prishjen e saj për të dalë para votuesve me një pol të tretë- gjë që tregoi vështirësitë e kësaj force pesë muaj para zgjedhjeve.

Pak por e sigurt është se Meta do donte me zemër një përsëritje të historisë së 2009-s, ku LSI të rezultonte pakica bllokuese/fituese pas zgjedhjeve.

Ky variant do të thotë ‘të gjitha ose asgjë’, por kjo nuk është moto për një pragmatist si Ilir Meta, mbi të gjitha kur situata politike nuk është më ajo e 8 viteve më parë dhe PS kishte në koalicionin e saj vetëm 4 parti të lodhura.

Kontradiktat e LSI me PDIU, pompimi që Rama i ka bërë çështjes çame dhe koalicionit tre-krerësh dhe së fundi rritja e tensioneve në publik e deputetëve të dy partive aleate, flasin qartë se është pikërisht partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, arsyeja e pavendosmërisë së Metës.

Idrizi e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion me Ramën, një sinjal i qartë ky se zëvendësimi i një pjesë të votave të LSI me ato të PDIU, të paktën në letër, e çon këtë dyshe afër numrit 71 të deputetëve.

Aq më tepër, bashkimi i koalicionit të majtë me bashkëkryetarë Rama-Idrizi, edhe me parti të tjera të vogla si ajo e Bamir Topit apo ndonjë tjetri mund ta nxjerrin LSI në opozitë, pa llogaritur këtu se ligji aktual zgjedhor nuk favorizon partitë që dalin më vete.

Arsyeja tjetër që iu kundërvihet mbështetësve të “Pavarësisë së LSI” ka të bëjë me motivimin e LSI-stëve. Është një gjë t’i vësh ata në rresht duke i pasur të punësuar në shtet dhe tjetër t’iu premtosh pushtetin pas zgjedhjeve, pa ditur ende se më kë. LSI e ka provuar se ndryshe votohet kur është në opozitë dhe ndryshe në pushtet. Përvoja e 2013-s flet për këtë dhe jo të kundërtën. LSI doli tre muaj në opozitë, por nuk ndenji vetëm, shkoi te PS dhe treni i saj elektoral.

Së fundi, dalja më vete kërkon një tezë politike të besueshme, një profil ideologjik të dallueshëm, një kauzë jo të vogël për t’u shkëputur nga qeverisja e Ramës, gjë që LSI nuk ngjan se po e gjen.

Nga ana tjetër mbështetësit e “Pavarësisë së LSI” kanë të drejtë në pikën se qëndrimi në gardhin e PS, edhe pse është më afër versionit që i mban në pushtet, pritet t’ua ulë peshën që kanë sot. Nëse aleanca PS-PDIU me ndonjë satelit tjetër të vogël rreth tyre arrijnë të bëjnë numrin 71, LSI rrezikon të mos ketë as gjysmën e ministrive dhe të pushtetit aktual.

Marrëveshja e koalicionit do të ishte krejt ndryshe dhe kushtëzimet për Ramën minore, për të mos folur pastaj për ndonjë “puç pallati” pas zgjedhjeve, si ai i korrikut që shkoi, këtë herë me iniciator Ramën dhe Idrizin, për të hequr qafe “kingmaker-in” e dikurshëm.

Të gjitha këto kalkulime ia bëjnë LSI-së të paqartë rrugën deri në zgjedhje. Nga tani deri më 18 qershor, përveç koalicionit, LSI-së i duhet të vendosë edhe për Presidentin e ri, ligjet e drejtësisë apo zbatimin e vettingut.

Me eliminimin e opsionit “koalicion me PD”, Ilir Meta zgjidhi dilemën më të vogël, pa i dhënë përgjigje më të madhes mbi dyshen Rama-Idrizi: do t’i luftojë nga brenda koalicionit për të ruajtur pozicionin e partisë së dytë pa të cilën nuk bëhet shumica qeverisëse apo nga jashtë, si dikur në 2009? Vetëm se herën e dytë, historia rrezikon të përsëritet si komedi!

Shkruar Nga
More from revista mapo

Exit Poll-i për Tiranën: PS 17-19 mandate, PD 11-13 dhe LSI 2-4

Ora News dhe IPR Marketing kanë publikur Exit Poll-in vetëm pak minuta...
Read More