Metamorfoza e një ligjërimi televiziv!

Nga Dr. Irena Myzeqari*

Guri i hedhur nga Mustafa Nano në një mbrëmje televizive, nuk shkaktoi fare zhurmë! Veçse u përsëritën gjërat që i dimë dhe debati u ngjyros nga personalja e protagonistëve, ku Ilda ishte vulgarja dhe Muçi një fshatar i gjorë. Përveç kësaj, nga ai debat, pak gjë mbahet mend. Javët kaluan, emisionet rrodhën, edhe tek-tuk, veshët e mi dëgjonin një djalë të vogël ta cilësonte një nga të ftuarat si pjeshkë. Diku tjetër moderatorja gëzonte nga twerku i një vajze, e cila pasi leu buzët si një e rritur, pohoi se Noizy ishte këngëtari që ajo dëgjonte më shpesh. Duke i shpëtuar kurthit moralist mbi mënyrën se si përdorën fëmijët, se sa pjeshka janë vajzat e ekranit etj., apo ligjërimit elitist mbi muzikën edhe modelet e kopjes që sjellim në ekranet tona, ky shkrim synon t’i japë përgjigje një pyetjeje të thjeshtë: çfarë krijese e përçudnishme lind kur televizioni ngjiz së bashku kulturën edhe industrinë?

Teoricienët e majtë nuk do të ngurronin të deklamonin se erdhi epoka e Diellit të zi të Modernitetit, Njeriu u bë Njëdimensional, na gjunjëzoi Shoqëria e Spektaklit etj., ndërsa ata më të moderuarit do ngulmonin se Liria na bën të aftë të zgjedhim vetë dhe të kemi kontrollin e mediumit që përdorim. E vërteta është se te ne debati nuk arrin kurrë t’u referohet koncepteve të tilla. Prandaj në mungesë të tyre, na mbetet vetëm të jemi pragmatistë edhe të pranojmë se krijesa e parë e shëmtuar që lind nga kjo ngjizje është televizioni shqiptar.

Të kapur nga kurthi i audimatit, televizionet shqiptare janë futur në garë për të prodhuar sa më shumë programacione me tituj origjinalë. Në perëndim të epokës italiane, sytë tanimë janë kthyer nga Amerika e largët dhe çdo ditë po shohim imitimet e dobëta të batutave dhe lojërave të Ellen Degeneres apo të formateve të talk show të Jimmi Fallon e të ngjashmëve si ai. Ajo çka u shpëton televizioneve tona është esenca edhe konteksti; në fluturimin nga njëra anë e kontinentit në tjetrën, batuta, zhvishet nga kuptimi e fiton të tjera rrugës, por kur ti e sjell ashtu copy –paste, ajo vjen e thatë, bajate. Nga sikleti, spikerët përfundojnë duke bërë humor banal, mbushur kryekëput me fjalë të pista, krijesat e dyta të shëmtuara.

Gjuha është limit, por edhe mundësi. Nëse nuk e pasuron, ajo ngushton gjerësinë e qenies tënde. Nëse e pasuron, skajet kapërcehen edhe realiteti merr dimensione që ti nuk i kishe imagjinuar. Televizionet shqiptare, në kopjim e sipër, kanë tjetërsuar shqipen, kanë varfëruar temat e debatit, u mësojnë fëmijëve të përdorin fjalor të rriturish, thua ti se kjo tregon diçka për inteligjencën e tyre. “Bota po më përdor për t’u bërë fjalë” – thoshte Sartre, ndërsa unë them “bota ime sa vjen edhe zvogëlohet sepse më janë pakësuar fjalët”…

Pa ia dhënë askush, media sot ka marrë rolin e edukatorit, duke përcaktuar agjendat tona të mendimit edhe mënyrën se si duhet të flasim për to, me cilët terma apo regjistra. Sot është normale të thuash në televizion ç’të të vijë në mendje, duke ngatërruar drejtpërdrejtësinë me vulgun. Të mos keqkuptohemi, unë nuk kam asgjë kundra fjalës pjeshkë apo ndonjë fjale më të rëndë që mund t’u shkojë në mend juve; ka ardhur koha që disa sende/objekte/ njerëz t’i emërtojmë siç u ka hije, ama mos ta bëjmë këtë për t’u dukur ose për hir të një morali të stisur.

Në antikitet, kur u pa se klasat e ulëta të shoqërisë, nuk po përthithnin asgjë nga divulgimi shkencor i klasës drejtuese, u shpik imazhi, krijesa e tretë përçudnuese. Për t’iu rikthyer atij gurit që përmendem në fillim, televizionet shqiptare, përveç mendimit edhe gjuhës, po mundohen, të na injektojnë nga pak edhe shijet e tyre estetike. Duke qenë sërish e kujdesshme të mos etiketohem si ajo që urren çupat e bukura apo antifeministe, se këtë të fundit nuk e mbaj dot mbi supe, nuk dua të rreshtohem as në anën burrit as të gruas në këtë debat.

E qartë për mua është se: nëse dikush hedh një gur në det, nuk duhet ta lërë me aq; shoqëria shqiptare ka nevojë për debate të tilla sepse në të kundërt, rrezikojmë të humbim shijen tonë për estetikën, si forma më e lartë e kulturës shpirtërore. Ama nëse guri hidhet kot, duhet patur kujdes se bie mbi kokë. Nga ana tjetër, lakuriqësia është diçka që nuk i ikim dot. Mjafton t’i drejtojmë sytë nga vetja e do shohim një masë lëkure e mishi, e cila mbulon tërë instinktet e perversitetet tona. Thënë kjo, duke qenë se vetë ka funksion mbulues, nuk besoj se lëkura do të donte të zbulohej vend e pavend.

Në fjalët e Umberto Ekos, “universi i masmedias- duam apo nuk duam ne- është universi ynë”. Edhe unë, që zgjodha të kritikoj, zgjodha masmedian për të përçuar mendimet e mia, si një zgjatim i natyrshëm i imi. Tri krijesat që lindën nga shkrirja e kulturës me industrinë, flenë brenda njeriut modern. Televizioni, gjuha edhe imazhi krijojnë realitetet tona sepse përgjatë gjithë historisë kemi punuar për këtë ditë, të ndërtojmë një qytet ku dritat nuk fiken kurrë./Mapo.al/

 *Pedagoge, UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ministri i Brendshëm gjerman: Islami nuk i përket Gjermanisë

  Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, tha se beson se...
Read More