Mid’hat Frashëri, tradhtar apo atdhetar?

Studiues, historianë, analistë e gazetarë flasin për figurën shumëdimensionale të Mid’hat Frashërit, por edhe dritëhijet që shoqëruan jetën e tij politike. Për gazetën “Mapo” vijnë me dy këndvështrime të ndryshme Rektorja e UET, Nevila Nika dhe historiani Marenglen Kasmi.

Nga Nevila Perndoj

Ndërsa eshtrat e Mid’hat bej Frashërit, po kryenin udhëtimin e fundit nga SHBA në Shqipëri, shoqatat e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare nisën “qarkoren” në të gjithë rrethet kundër nderimeve, që po i bëhej kësaj figure. E konsideruan si tradhtar të vendit, kolaboracionist, e çdo epitet tjetër prej zhargoneve të së shkuarës si “Ballist”.

Pinjolli i Frashërllinjve, i biri i Abdylit dhe i nipi i Sami dhe Naim Frashërit, Mid’hat bej Frashëri u preh pas 69 vitesh në Atdhe, sipas amanetit të tij në të gjallë, përmes një ceremonie shtetërore në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Ndoshta jo aty ku do kish dashur, në një dëshirë të së ardhmes; “pranë një qiparisi në të mëngjër të Institutit të Albanologjisë…”, por me një ceremoni të denjë, për një figurë poliedrike që nuk mund të shihet kurrë bardhezi.

Gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi shkruan se, “nga Naimi (Mid’hati) trashëgoi ndjeshmërinë e penës, nga Samiu dëshirën për dijen, nga i ati guximin për t’i dalë zot fateve të Shqipërisë”.

“Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë punë të madhe”, citon Ikonomi fjalët e Mid’hat Frashërit qysh herët në moshën 19-vjeçare. “Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma”.

Mid’hat Frashëri, i njohur kryesisht edhe me emrin e letrave Lumo Skëndo, lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe vdiq në Nju Jork më 3 tetor 1949.

Kur ishte vetëm 28 vjeç, ai u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit e më pas zv.kryetar i Komisionit prej 11 anëtarësh, me në krye atë Gjergj Fishtën për hartimin e Alfabetit të gjuhës shqipe, ku prioritet pati ai me bazë latine. Paralelisht ai themeloi në Selanik revistën e tij “Lirija”. Mid’hat Frashëri ishte një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, dhe ministër i Punëve Botore në qeverinë e Ismail Qemalit. Më pas renditen disa detyra si ambasador i Shqipërisë në Greqi, Kryetar i Ballit Kombëtar e në fund si Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Paralelisht ai ndjek një veprimtari të pasur në fushën e letrave dhe albanologjisë. Ai hapi në Tiranë, librarinë Lumo Skëndo dhe sot në Bibliotekën Kombëtare gjenden mbi 40 mijë libra të kësaj librarie. Ai botoi, gjithashtu, revistën Diturija, i cilësuar si një thesar për kulturën shqiptare. Në gazetat dhe revistat e kohës, ai njihet kryesisht me pseudonimin Lumo Skendo edhe pse studiues të ndryshëm i mveshin atij edhe pseudonime të tjera shume më pak të njohura.

Nëse emri i Mid’hat Frashërit do lidhej ngushtësisht me studimin, padyshim do ishte ndër akademikët e mëdhenj që ka nxjerrë vendi i vogël i yni, por ai zgjodhi të ishte palë apo edhe neutral në kohët kur merreshin vendimet e mëdha.

Studiues e historianë ndajnë llogoret për aktivitetin politik të Mid’hat Frashërit, asaj që daton nga koha e qeverisë së Ismail Qemalit, më pas periudha e Ahmet Zogut e deri në drejtimin e Ballit Kombëtar. Këtu qëndron edhe debati më i madh.

Paskal Milo sjell në vëmendje marrëveshjen që Balli Kombëtar (i drejtuar nga Ali Kelcyra) nënshkroi me gjeneralin Renco Dalmaco në vitin 1943, para Mukjes për veprime të përbashkëta me trupat italiane të pushtimit kundër forcave antifashiste. Ishte koha kur në Shqipëri vepronin dy lëvizje që luftonin fashizmin: Balli Kombëtar dhe Nacionalçlirimtarja. Në një kohë të caktuar edhe bashkëpunuan mes tyre. Por nuk zgjati shumë. Blendi Fevziu shkruan se, “në fillimet e tyre, Balli dhe Komunistët dallonin në pak gjëra, por më thelbësorja ishte vizioni që kishin për Shqipërinë e pas luftës”.

Kur Ialia kapitulloi dhe jo fort vonë pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, në fillim të tetorit 1943, lëshohet një tjetër qarkore (kësaj here e drejtuar nga Mid’hat Frashëri) ku porositen komitetet krahinore të Ballit të pezullojnë përkohësisht veprimet luftarake kundër ushtrisë gjermane. Nuk ishte kjo e vetmja. Historianë të njohur flasin edhe për një tjetër qarkore ku kërkohet ndihma e gjermanëve për armatosjen e forcave të Ballit Kombëtar kundër komunistëve. Regjimi komunist do t’i interpretonte më pas këto dokumente si dëshmi se Mid’hat Frashëri kishte bashkëpunuar me pushtuesin e huaj. Aurel Plasari, përmes një interviste në “Opinion”, tha se nuk ka asnjë dokument që e provon këtë akuzë. Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë thotë gjithashtu se, “nga të gjitha arkivat, jo vetëm shqiptare, por edhe ato jugosllave, britanike, amerikane nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mid’hat Frashëri dhe Balli Kombëtar si organizatë të kenë bashkëpunuar me pushtuesit, qoftë italianë apo gjermanë”. Edhe studiuesja njëherazi Rektore e UET, Nevila Nika në një intervistë për “Mapo” nënvizon se, “gjetja e një apo disa dokumenteve të shkëputura këndej e andej nuk duhet të lejojë askënd të japë apo të arrijë në përfundime të tilla aspak serioze”. “Në gjykimin tim, natyrisht bazuar në dokumentet arkivore shqiptare, përfshirë këtu edhe ato që bëjnë pjesë në fondin arkivor të vetë M. Frashërit, ky i fundit ka qenë jashtëzakonisht i kthjellët për rrezikshmërinë e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Bashkëpunimi i Partisë Komuniste Shqiptare me atë jugosllave sipas Mit-hatit e bashkëpunëtorëve të tij përbënte dëmin më të madh që mund t’i bëhej çështjes shqiptare dhe nisur nga ky fakt ai bëri të pamundurën që lufta antifashiste të mos shndërrohej në një luftë vëllavrasëse”, – shprehet ajo. Por historiani Marenglen Kasmi, si rezultat i arsimimit universitar dhe formimit akademik në Gjermani, thotë se ka patur privilegjin që të punojë me burime të dorës së parë, siç janë dokumentet e arkivave gjermane. Kësisoj, Kasmi, në një intervistë për gazetën “Mapo”, nënvizon se, “bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë është i mirë dokumentuar. Madje, gjithmonë sipas këtij dokumentacioni, kohë para se të kryhej pushtimi i Shqipërisë prej gjermanëve, ata kishin marrë garanci nga drejtuesit e Ballit Kombëtar, se Balli Kombëtar nuk do të luftonte kundër tyre”. Kasmi shpjegon ndër radhë se, “Mit’hat Frashëri ra pre e nacionalizmit që ushqehej nga Gjermania naziste, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të ndihmonte Shqipërinë”. Megjithatë, ai kujdeset të sqarojë se në këto dokumente flitet shumë herë nën termin drejtues apo drejtuesit e Ballit Kombëtar dhe më rrallë me emër. “Arsyeja e mospërmendjes gjithmonë të emrit ka të bëjë me karakterin e dokumentacionit. Bëhet fjalë për raporte të hartuara me gjuhë ushtarake që shkojnë deri në Berlin dhe, ishte krejt e parëndësishme për drejtuesit e lartë, nëse kryetari i Ballit quhej Mit’hat dhe ai i Lëvizjes partizane quhej Enver. Kësisoj flitet gjithmonë për poste a pozicione drejtuese!”, – shpjegon Kasmi.

Analisti Dritan Hila, në një opinion të tij për Mid’hat Frashërin shkruan se, “ajo që ne duhet të gjykojmë duhet të ketë lidhje pikërisht sesi u sollën këta njerëz në aktin final të jetës së tyre”. Ai vëren se, “Mit’hat Frashëri, e shumë të tjerë që më pas bashkëpunuan apo flirtuan me pushtuesin, mund të kenë bërë për Shqipërinë, dhe duhen respektuar për atë që kanë bërë si poetë, filatelistë apo librashitës”, por kurrsesi, sipas tij, ceremoni shtetërore. “Nuk mund të vendosen në altarin e atyre që bënë gjithçka dhe pa kompromis me askënd për Shqipërinë. Përndryshe çfarë u kuptua”, shkruan Hila. Ndërsa Marenglen Kasmi shtron edhe pyetjen; Duke pasur parasysh rolin e tij gjatë luftës, a e cenon kjo ceremoni (shtetërore) vlerën e padiskutueshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?

Por kryeministri Edi Rama në çastet e fundit të rivarrimit të Mid’hat Frashërit jo pa qëllim nënvizoi se, “Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos”. Ky “gabim” nga kryeministri “u kalua me një të rënë të lapsit si njolla e saj më e madhe” në këndvështrimin e analistit Andi Bushati. “Është pikërisht ky çekuilibrim i raporteve historike, kjo tentativë për revizionim, që përbën një manipulim. Fakti se historia e fitimtarëve të djeshëm e vizatoi Mid’hat Frashërin, me ngjyra më të zeza se sa i takonte, nuk mund ta zbardhë sot anën e errët të tij, as të minimizojë ‘gabimet e tij”, shkruan Bushati.

Por studiuesja Nevila Nika nënvizon qartazi se, “çfarëdo vlerësimi që secili prej nesh mund t’i ketë bërë, i bën e do t’i bëjë politikanit Mit-hat Frashëri, nuk ka qenë, nuk është e nuk do të duhet të jetë një arsye për ta nëpërkëmbur e sidomos fshirë nga kujtesa jonë kombëtare”. Sepse siç thotë edhe analisti Mustafa Nano në librin e tij të fundit “Provocateur”, “t’ia heqësh Shqipërisë Mit’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Anton Harapin etj., i ke hequr shumë”. “Kështu që mjaft i shejtanizuam këta njerëz, që engjëj nuk kanë qenë, megjithatë. Le t’i mbajmë, pasi mezi i kemi, kështu si i kemi. Le t’i mbajmë edhe me këtë prapësi që kanë bërë”, shkruan Nano.

 

Nevila Nika: Çështja kombëtare, lajtmotivi i jetës së Mit’hat Frashërit

Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës Nevila Nika flet për figurën shumëdimensionale të Mid’hat Frashërit

Në një ceremoni solemne, dy ditë me parë, eshtrat e figurës poliedrike të mendimit shqiptar, Mid’hat bej Frashëri u kthyen në Atdhe, 69 vjet pas vdekjes së tij, duke plotësuar kështu amanetin e tij në të gjallë. Kjo ditë përkonte edhe me 110-vjetorin e mbledhjes së Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe si kongresi për hartimin e alfabetit të shqipes, ku Mid’hat bej Frashëri u zgjodh jo vetëm kryetar, por edhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit. Nëse do t’i referohemi historiografisë së pas viteve ’90, Mid’hat bej Frashëri njihet si intelektual, diplomat, politikan e iluminist duke lënë pas një trashëgimi të pasur publicistike, por edhe një figurë me dritëhije të diskutueshme… Megjithatë fjala ju takon juve. Znj. Nika, si e shihni figurën e Mid’hat bej Frashërit dhe a volitej ceremonia shtetërore ndaj tij?

Nuk është edhe aq e lehtë që në pak rreshta të mund t’ia dalësh të japësh një vlerësim për Mit-hat Abdyl Frashërin, një ndër personalitetet më të spikatura të botës shqiptare të fundshekullit të 19-të deri në mesin e shekullit të 20-të. Gjatë një gjysmë shekulli ai ia doli të jetë një nga kontribuuesit më në zë të Lëvizjes Kombëtare për Pavarësi. Pjesëmarrës tejet aktiv në disa prej ngjarjeve madhore të fillim shekullit të 20-të, si Kongresi i Alfabetit mbajtur në Manastir më nëntor 1908 dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës, ku edhe u vendos Shpallja e Pavarësisë më nëntor 1912 e kanë vendosur pa asnjë dyshim atë në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit tonë. Në vitet që pasojnë ai do të shquhet si diplomat e publicist me një penë të rrallë. Për të çështja kombëtare do të jetë lajtmotivi i gjithë jetës së vet. Por si çdo personalitet i këtyre përmasave natyrisht edhe ai ka dritëhije në qëndrimet e veprimet që mbajti e ndërmori sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Gjithsesi, nisma e Institutit “Lumo Skëndo” bazuar në Testamentin e lënë nga ai, për t’u varrosur në Atdhe, u mbështet edhe nga Qeveria shqiptare, e cila organizoi edhe ceremoninë mortore shtetërore. Mendoj se nga shumica e opinionit publik shqiptar është mirëpritur.

Ka opinione të ndryshme mbi aktin e tij final (para së të largohej nga Shqipëria rreth një vit më pas) që lidhen me disa qarkore të lëshuar në vitin 1943 si kryetar i Ballit Kombëtar qoftë për pezullimin e çdo operacioni luftarak kundër forcave gjermane apo edhe ndihmën e gjermanëve për armatosjen e forcave të Ballit Kombëtar kundër komunistëve… Aurel Plasari është shprehur se nuk ka asnjë dokument që e provon këtë akuzë, megjithatë pyetja që lind është a ka punuar ndonjëherë me pushtuesin Mid’hat Frashëri për të fituar pushtet në favor të tij?

Mund ta akuzojmë për shumë veprime ose mosveprime Mit’hatin, por që të ketë menduar qoftë edhe për një çast për marrje pushteti apo më e keqja akoma të dëmtonte çështjen kombëtare, është e papranueshme. Për të arritur në përfundime të tilla nevojitet domosdoshmërisht hulumtimi dhe shqyrtimi i shumë arkivave brenda e jashtë vendit. Gjetja e një apo disa dokumenteve të shkëputura këndej e andej nuk duhet të lejojë askënd të japë apo të arrijë në përfundime të tilla aspak serioze. Në gjykimin tim, natyrisht bazuar në dokumentet arkivore shqiptare, përfshirë këtu edhe ato që bëjnë pjesë në fondin arkivor të vetë M. Frashërit, ky i fundit ka qenë jashtëzakonisht i kthjellët për rrezikshmërinë e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Bashkëpunimi i Partisë Komuniste Shqiptare me atë jugosllave sipas Mit-hatit e bashkëpunëtorëve të tij përbënte dëmin më të madh që mund t’i bëhej çështjes shqiptare dhe nisur nga ky fakt ai bëri të pamundurën që lufta antifashiste të mos shndërrohej në një luftë vëllavrasëse. Të qenurit një njeri i paqes në vitet e luftës ishte një problem apo handikap që nuk kishte si të mos e penalizonte atë. I bindur se me mënyra të qytetëruara dhe jo me grykën e armëve mundeshin shqiptarët t’ia dilnin mbanë të çlironin vendin nga pushtuesi dhe t’i bashkoheshin familjes së madhe euroatlantike.

A ia vlen që aktiviteti i tij intelektual si shkrimtar, publicist dhe historian të hidhet poshtë apo të vihet në dyshim pikërisht për atë “gabimin” që shumë historianë, publicistë e prekin madje edhe vetë kryeministri Rama u shpreh ndër radhë se edhe gaboi në një moment të caktuar të jetës së tij?

Nuk është aspak korrekte që profesionistë të fushës së historisë, letërsisë, diplomacisë e gazetarisë të hedhin poshtë kontributin e dhënë prej tij, nisur nga qëndrimet e veprimet e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Futja e tij zyrtarisht në jetën politike të vendit mendoj se ka qenë një vendim i marrë si rezultat i vlerësimit që ai i ka bërë rrezikut që i kanosej vendit dhe çështjes kombëtare në kushtet e pushtimit italian e sidomos të daljes në skenën politike shqiptare të një partie komuniste. Çfarëdo vlerësimi që secili prej nesh mund t’i ketë bërë, i bën e do t’i bëjë politikanit Mit-hat Frashëri, nuk ka qenë, nuk është e nuk do të duhet të jetë një arsye për ta nëpërkëmbur e sidomos fshirë nga kujtesa jonë kombëtare.

Figura e Mid’hat bej Frashërit gjykohet duke e shoshitur historinë nga ditët e sotme. E parë në kontekstin e kohës kur zhvilloheshin ngjarjet në vitet 40’, me një forcim gjithnjë e më shumë të komunistëve, ndikimin jugosllav në këtë parti dhe synimi i tyre i qartë për mbajtjen nën tutelë të Kosovës, a mund të justifikohet një lloj neutraliteti i Ballit Kombëtar kundrejt pushtuesve gjermanë? Gjithashtu, aleatët e mëdhenj fitues, mes tyre dy shtetet kryesore SHBA dhe Angli mbajtën qëndrim të ashpër ndaj bashkëpunëtorëve të gjermanëve, por në rastin e Mid’hat Frashërit nuk pati asnjë qasje kundër, edhe pse jetoi në Amerikë. Si e konsideroni faktin që emri Frashërit nuk përfshihet nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore si figurë kontroverse që bashkëpunuan me nazistët?

Kam përshtypjen që kësaj pyetjeje iu përgjigja më sipër. Frashëri u përpoq me të gjitha mënyrat për të evituar vëllavrasjen apo thënë ndryshe luftën civile dhe këtë fakt aleatët është më se e sigurt që e kanë ditur mirë. Gjithsesi nuk mund të mos pranojmë se edhe në radhët e forcës politike të përfaqësuar në Mit’hat Frashëri ka patur individë që kanë kryer krime lufte përkrah forcave armike, e njëkohësisht tashmë i gjithë publiku shqiptar ka mundur të njihet edhe me krimet e kryera nga disa drejtues të forcave partizane ndaj popullatës civile.

 

Marenglen Kasmi: Mit’hati vendosi gjithçka në lojë për synimet e tij politike

Ka punuar gjatë me dokumentet e arkivave gjermane. Historiani Marenglen Kasmi sjell një tjetër anë të Mid’hat Frashërit sa i përket aktivitetit të tij politik

Në një ceremoni solemne, dy ditë me parë, eshtrat e figurës poliedrike të mendimit shqiptar, Mid’hat bej Frashëri u kthyen në Atdhe, 69 vjet pas vdekjes së tij, duke plotësuar kështu amanetin e tij në të gjallë. Kjo ditë përkonte edhe me 110-vjetorin e mbledhjes së Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe si kongresi për hartimin e alfabetit të shqipes, ku Mid’hat bej Frashëri u zgjodh jo vetëm kryetar, por edhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit. Nëse do t’i referohemi historiografisë së pas viteve ’90, Mid’hat bej Frashëri njihet si intelektual, diplomat, politikan e iluminist duke lënë pas një trashëgimi të pasur publicistike, por edhe një figurë me dritëhije të diskutueshme… Megjithatë fjala ju takon juve. Si e shihni figurën e Mid’hat bej Frashërit dhe a volitej ceremonia shtetërore ndaj tij?

Mit’hat Frashëri është një figurë historike shumëdimensionale e popullit shqiptar. Ai jetoi ndërmjet dy kohëve, asaj të rënies së Perandorisë Osmane që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë dhe fillesat e ndërtimit të shtetit modern shqiptar, përfshirë edhe Luftën e Dytë Botërore. Në kohën e parë, Mit’hati Frashëri është një nga intelektualët e kohës më në zë, një nga penat më të fuqishme të gjuhës shqipe dhe padyshim një nga aktivistët më të njohur të çështjes kombëtare, duke lënë gjurmët e tij në pikëtakimet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Ndërsa koha e dytë e jetës së tij, ajo e Mit’hatit politikan, është një periudhë që në një farë mënyre vendos në dyshim disa kontribute të tij, të para viteve 1939. Këtu kam kryesisht parasysh bashkëpunimin e tij dhe të organizatës së Ballit Kombëtar që ai drejtonte me pushtuesit gjermanë, në vitet 1943-1944. Mund të themi se edhe Mit’hat Frashëri ra pre e nacionalizmit që ushqehej nga Gjermania naziste, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të ndihmonte Shqipërinë. Të njëjtën gjë bënë edhe shume personalitete të kohës, si në Europën Juglindore por edhe në atë Lindore. Ai luajti politikisht dhe ushtarakisht në një terren shumë të rrezikshëm, duke vendosur gjithçka në lojë për të arritur synimet e tij politike, ku lufta ndaj komunizmit përbënte thelbin e këtij qëndrimi. Kështu që lind natyrshëm pyetja, nëse mundet që një ish-bashkëpunëtor i pushtuesve nazifashistë mund të ripërcillet për në banesë të fundit me ceremonial shtetëror. Mendoj se, vetëm në vendet me një tranzicion të gjatë e të trazuar dhe me demokraci të pakonsoliduar janë shfaqur fenomene të tilla, ndërkohë që vendet perëndimore, d.m.th. ish-aleatët e dikurshëm, por edhe vetë Gjermania e sotme, janë shumë të prerë në këtë pikë. Gjithsesi jemi përpara një fakti të kryer tashmë. Nuk është fjala nëse duhej të ktheheshin eshtrat e tij apo jo, sepse çdo shqiptar meriton të prehet në atdhe. Pyetja që shtrohet është: duke pasur parasysh rolin e tij gjatë luftës, a e cenon kjo ceremoni vlerën e padiskutueshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare? Ky veprim e ka ndarë në dysh opinionin publik. Kësisoj, ajo që mund të them është se, për sa i përket shqiptarisë – që edhe Mit’hat Beu e kish shumë për zemër, Mit’hati rrëmujë e la dhe rrëmujë e gjeti Shqipërinë!

Ka opinione të ndryshme mbi aktin e tij final (para së të largohej nga Shqipëria rreth një vit më pas) që lidhen me disa qarkore të lëshuar në vitin 1943 si kryetar i Ballit Kombëtar qofte për pezullimin e çdo operacioni luftarak kundër forcave gjermane apo edhe ndihmën e gjermanëve për armatosjen e forcave të Ballit Kombëtar kundër komunistëve… Aurel Plasari është shprehur se nuk ka asnjë dokument që e provon këtë akuzë, megjithatë pyetja që lind është a ka punuar ndonjëherë me pushtuesin Mid’hat Frashëri për të fituar pushtet në favor të tij?

Si historian i luftës, por edhe si rezultat i arsimimit tim universitar dhe formimit akademik në Gjermani, kam privilegjin që të punoj me burime të dorës së parë, siç janë dokumentet e arkivave gjermane. Ju them me përgjegjësi të plotë profesionale se, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë është i mirëdokumentuar. Madje, gjithmonë sipas këtij dokumentacioni, kohë para se të kryhej pushtimi i Shqipërisë prej gjermanëve, ata kishin marrë garanci nga drejtuesit e Ballit Kombëtar, se Balli Kombëtar nuk do të luftonte kundër tyre. Balli Kombëtar ishte një organizatë politiko-ushtarake. Si e tillë, përgjegjësia e veprimeve bie mbi drejtuesin e saj. Dalim te çështja e emrit. Sigurisht që nuk ka dokument apo fotodokument, ku lexohet a shikohet se Mit’hati dhe Hitleri nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim, siç jemi mësuar të shohim sot rëndom. Pa më keqkuptuar, besoj se e kuptoni ironinë e çka thashë. Gjithsesi, në këto dokumente flitet për Mit’hat Frashërin, shumë herë nën termin drejtues apo drejtuesit e Ballit Kombëtar dhe më rrallë me emër. Arsyeja e mospërmendjes gjithmonë të emrit ka të bëjë me karakterin e dokumentacionit. Bëhet fjala për raporte të hartuara me gjuhë ushtarake që shkojnë deri në Berlin dhe, ishte krejt e parëndësishme për drejtuesit e lartë, nëse kryetari i Ballit quhej Mit’hat dhe ai i Lëvizjes partizane quhej Enver. Kësisoj flitet gjithmonë për poste a pozicione drejtuese!

Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me ushtrinë gjermane ka disa faza. Faza e parë është marrja e kontaktit. Gjermanët i kishin evidentuar qysh më herët se kush ishte i gatshëm të bashkëpunonte me ta. Kjo gjë ishte pjesë e politikës së përgatitjes së pushtimit. Megjithatë, në këtë fazë, siç edhe vetë gjermanët pohojnë, vihet re një lloj distancimi nga bashkëpunimi i hapur me ta, si pasojë e shpresës së një zbarkimi aleat në Shqipëri. Pasi në fundshtator 1943 u pa qartë se zbarkimi aleat nuk do të ndodhte, filloi edhe bashkëpunimi. Kjo është faza e dytë, kur bashkëpunimi i Ballit me gjermanët merr udhë. Pason furnizimi me armë, trajnimi i formacioneve të Ballit që operojnë përkrah gjermanëve dhe sigurisht kryerja e operacioneve të përbashkëta kundër partizanëve. Kulmi i këtij bashkëpunimi është Operacioni i Dimrit. Ashpërsia e këtij operacioni është i njohur dhe, po kaq e njohur është që gjatë këtij dimri, lëvizja nacionalçlirimtare thuajse u likuidua plotësisht. Këtu fillon edhe faza e tretë dhe më intensive e bashkëpunimit, ku drejtuesit e Ballit Kombëtar shpresojnë të përfitojnë nga ky bashkëpunim. Me ndihmën e gjermanëve, shpresohet të asgjësohet plotësisht lëvizja partizane e drejtuar nga komunistët me synimin final, ardhjen në pushtet pas luftës. Është e qartë se, për të dyja palët, synimi final ishte ardhja në pushtet pas lufte. Tjetër gjë se çfarë natyre do të kishte ky pushtet.

A ia vlen që aktiviteti i tij intelektual si shkrimtar, publicist dhe historian të hidhet poshtë apo të diskutohet pikërisht për atë “gabim” siç e cilësojnë historianë e publicistë, madje edhe vetë kryeministri Rama u shpreh se edhe gaboi në një moment të caktuar të jetës së tij?

Sigurisht që jo! Një personazh historik vlerësohet për gjithë kontributet e tij, në gjithë fushat ku ka spikatur. Parë në këtë këndvështrim, ka 28 vjet që gjithë cilësitë e tij më të mira janë vlerësuar nga shqiptarët, ndonëse shumë dimensione të tij duhej kohë të njiheshin. Ishim mësuar gjatë periudhës komuniste të dëgjonim vetëm për një dimension të tij, atë të tradhtisë.

Figura e Mid’hat bej Frashërit gjykohet duke e shoshitur historinë nga ditët e sotme. E parë në kontekstin e kohës kur zhvilloheshin ngjarjet në vitet ‘40, me një forcim gjithnjë e më shumë të komunistëve, ndikimin jugosllav në këtë parti dhe synimi i tyre i qartë për mbajtjen nën tutelë të Kosovës, a mund të justifikohet një lloj neutraliteti i Ballit Kombëtar kundrejt pushtuesve gjermanë? Gjithashtu, aleatët e mëdhenj fitues, mes tyre dy shtetet kryesore SHBA dhe Angli mbajtën qëndrim të ashpër ndaj bashkëpunëtorëve të gjermanëve, por në rastin e Mid’hat Frashërit nuk pati asnjë qasje kundër, edhe pse jetoi në Amerikë. Si e konsideroni faktin që emri i Frashërit nuk përfshihet nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore si figurë kontroverse që bashkëpunoi me nazistët?

Siç e theksova më sipër, Balli Kombëtar nuk qëndroi neutral ndaj pushtuesve gjermanë, por bashkëpunoi hapur me ta. Do të kishte qenë shumë herë më mirë që para bashkëpunimit, Balli të kishte zgjedhur neutralitetin. Siç bëri për shembull pothuajse deri në fund të luftës edhe Legaliteti i Abaz Kupit, pranë të cilit ishte atashuar edhe një mision britanik. Mos të harrojmë, ka shumë thirrje të misionit britanik kundrejt Ballit, që të ndërpriste bashkëpunimin me gjermanët dhe të fillonte luftën ndaj tyre. Ndërkohë që pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Legalitetit më vonë, ishin të atashuar misione aleate, Komanda gjermane merr vendim që, gjatë operacioneve, në çdo togë balliste të futej një skuadër ushtarësh gjermane, me qëllim rritjen e forcës dhe moralit të tyre luftarak.

Jemi në kohën kur dy kundërshtarët më të mëdhenj ideologjikë, Çurchilli dhe Stalini bëhen aleatë kundër nazizmit. Kësisoj lind natyrshëm pyetja, pse nuk u arrit kjo gjë edhe në Shqipëri? Duke e lënë këtë pyetje të hapur, mund të them se jugosllavët dhe ai që i dëgjonte ata, Enver Hoxha, kanë plot gjynahe. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar dështimin politik të Ballit Kombëtar gjatë luftës.

Sa i përket pasluftës, dihet që Mit’hat Frashëri, pas dy vitesh jetese të vështirë në kampet italiane, shkoi në Amerikë. Kjo shpjegohet me fillimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të fshehta amerikane dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” për të dërguar banda të armatosura me shqiptarë të arratisur drejt Shqipërisë, me qëllim përgatitjen e kushteve për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Kështu që, në këtë këndvështrim, për amerikanët nuk kishte rëndësi e kaluara e tij, ndonëse në dokumentacionin e CIA-s të deklasifikuar, lexojmë që bashkëpunimi i tij me nazistët ishte i njohur për ta. Madje, ish-shefi i zbulimit ushtarak gjerman, Schellenberg, pasi u lirua nga burgu, punoi si këshilltar i shërbimeve britanike. Kështu që, në kuadër të luftës kundër komunizmit, tashmë kur lufta e ftohtë kishte filluar, për amerikanët nuk ishte më interesante apo me rëndësi bashkëpunimi i tij me nazistët, por vlefshmëria e tij në kuadër të luftës së ftohtë.

 

Mustafa Nano: Mit’hat Frashëri nuk ishte tradhtar

Pjesë nga libri “Provocateur”, botim i UET-Press, i analistit dhe gazetarit Mustafa Nano për figurën e Mid’hat Frashërit

…Kolaboracionistët shqiptarë nuk kanë qenë nazistë. Ata bashkëpunuan me nazistët, që ishin përveç të tjerash pushtues të vendit, por nuk e bënë këtë për shkak të frymëzimeve naziste. Përkundrazi, ata ishin në një farë mënyrë kolaboracionistë in bona fide. Motivimet i kishin patriotike. Kjo nuk i nxjerr të larë, të kuptohemi. Nuk është se motivimet patriotike duhet t’i pranojmë si alibí për çdo marrëzi e prapësi, por ata janë dënuar si tradhtarë të kombit shqiptar. Dhe kjo nuk është e drejtë. Nuk kanë qenë tradhtarë. Nuk dua t’i shfajësoj, të kuptohemi. Bashkëpunimi me nazizmin mbetet një njollë në jetën e atyre që e bënë këtë zgjedhje. Sidomos në rrethanat që të tjerë zgjodhën të luftonin, të rrezikonin e të jepnin jetën. Nuk mund të mos u jemi mirënjohës këtyre të fundit, sidomos kur marrim në konsideratë faktin që Shqipëria pas lufte, veç në sajë të tyre, u rreshtua me fituesit. Në një rast të kundërt, nëse shqiptarëve nuk do t’u regjistrohej asnjë kontribut kundër nazi-fashistëve, apo më keq akoma, t’u regjistroheshin veç gili-vili me ta, kushedi se ç’do ndodhte me Shqipërinë pas Luftës II. Por ju ftoj, megjithatë, të shkoni me mendje në ato kohë, ju ftoj të shkoni me mendje si shqiptarë, d.m.th si pjesëtarë të një kombi të vogël e të dobët, që vetëm dy dekada më herët kish krijuar shtetin e vet gjithashtu të dobët e që ishte mbajtur gjallë, e po këndellej, falë patronazhit italian të para Luftës. Shqiptarët nuk kishin miq. Grekët e serbët ishin armiqtë tanë me nam. Austrohungarezët nuk ekzistonin më. Turqit po merreshin me sfidat e tyre të brendshme, që ishin të shumta pas perëndimit të lavdisë osmane. Të tjerët na shihnin ashtu siç ishim, një vend i mbetur prapa botës. Vetëm Italia “gjeti arsye” të merrej me ne. Logjika e saj ishte kolonialiste, dhe në këtë kuptim italianët e kishin pushtuar Shqipërinë përpara se ta pushtonin de facto. Por shqiptarët veç dobi patën në këto rrethana. Një pjesë prej tyre e shihnin praninë italiane në vendin e tyre si një dhuratë nga Zoti. Dhe nuk është se e kanë pasur gabim. Periudha 1925-1939, të cilën ne e lidhim me Zogun, por që në fakt duhet ta lidhim me kolonializmin italian, është për shqiptarët më e mbrothëta e më e paqta në historinë e 100 viteve të fundit, që është dhe historia shtetërore e shqiptarëve. Atëherë, pse u dashka të tronditemi që një pjesë shqiptarësh e kanë mirëpritur pushtimin italian në vitin 1939? Kjo ishte njëra nga zgjedhjet që mund të bëhej në atë kohë. Zgjedhja tjetër, ajo e rezistencës ndaj pushtuesit, është prore e fisme dhe e lavdërueshme (duhen nderuar gjithnjë ata që e bënë), por nuk mund të thuhet se ishin të çmendur, të liq, të poshtër, tradhtarë ata që pushtimin italian e shihnin me sy të mirë. Fakti që e gjithë elita zgjodhi mosrezistencën ndaj pushtuesit, apo bashkëpunimin me pushtuesin, nuk e damkos këtë elitë si tradhtare. Përkundrazi, duhet të na bëjë ne të tjerëve që ta lidhim këtë rreshtim me arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë me tradhtinë apo poshtërsinë. Nuk mund të jetë e tërë elita e poshtër apo renegate. Historianët atdhetarë që i mëshojnë pa u lodhur tezës mbi kuislingët shqiptarë nuk është se i bëjnë nder Atdheut e kombit nëse cilësojnë si tradhtare një elitë të tërë. Sidomos, kur mendon se është fjala për të njëjtën elitë, e cila vetëm disa dhjetëvjeçarë më parë – dhe kjo është shumë e rëndësishme – kish qenë në frontin e parë të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë apo për formimin e forcimin e shtetit të ri shqiptar. Norvegjezët mund t’ia fusnin një shkelm Quislingut, i cili nuk vlente asgjë për ta (ai ishte një personazh politik me rëndësi periferike). Francezët mund të mos ndjenin asnjë keqardhje për dënimin e një gjenerali si Philippe Petain, sepse ata kishin plot gjeneralë të tjerë për të nderuar. T’u heqësh Petain-in e Quislingun nga historia francezëve e norvegjezëve, nuk u ke hequr asgjë. Por t’ia heqësh Shqipërisë Mit’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Anton Harapin etj., i ke hequr shumë. Dhe ke lënë një zbrazëti të madhe brenda saj. Kështu që mjaft i shejtanizuam këta njerëz, që engjëj nuk kanë qenë, megjithatë. Le t’i mbajmë, pasi mezi i kemi, kështu si i kemi. Le t’i mbajmë edhe me këtë prapësi që kanë bërë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ikën Gëzimi i realizmit socialist

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërron jetë në moshën 60-vjeçare Gëzim Qendro;...
Read More