Milena Harito: Mbi Shqipërinë inovative dhe dixhitale

milena haritoMilena Harito erdhi në politikën shqiptare me një fluturim nga Parisi, një rrugë që pak e ndërmarrin. Harito sot ministre e Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, kishte drejtuar në sipërmarrje të mëdha në Francë dhe kishte një jetë franceze, por nuk e pati të vështirë kur pas “uljes në Rinas” apo emërimit ministre u vu në qendër të akuzave të opozitës për lidhjet nepotike (farefisnore) me kryeministrin Rama. Ministrja thotë se prej France e ka parë politikën shqiptare si “ushtruese e një ndikimi negativ”, por sot beson që qeveria ka ndërmarrë reforma që po e ndryshojnë vendin. Në fushën e saj ajo beson se janë krijuar premisat e një Administrate Publike më efektive, ndërsa inovacioni u ka shkurtuar shqiptarëve burokraci. “Është arritur shumë, duke e krahasuar me atë se nga e nisëm përpara 3 vjetësh, kur buxheti i shtetit nuk kishte fare një linjë buxhetore të dedikuar për teknologjinë e informacionit”, thotë Harito. Ministria flet për përmirësim të ndjeshëm të vendit në teknologji dhe beson se po ashtu të rinjtë shqiptarë janë të shtyrë drejt kësaj të fundit. “Kjo fushë është e ardhmja për mirëfunksionimin dhe modernizimin e shtetit, për rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe si rrjedhojë për rritjen e pagave, për punësimin e të rinjve në këtë sektor me zhvillim të vrullshëm, sektor në të cilin deri në vitin 2020 në vendet e BE parashikohet të ketë 900 mijë pozicione pune vakante”, thotë Harito.

Intervistë e dhënë për revistën Mapo

Si e keni parë politikën shqiptare nga Franca? Çfarë ju bënte përshtypje dhe çfarë keni menduar për të? A ka një ndryshim mes asaj që dallonit nga jashtë dhe asaj që gjetët?

Ndryshimet që ka pësuar Shqipëria që prej vitit 1991 janë të jashtëzakonshme dhe dëshmojnë mbi të gjitha vitalitetin dhe inteligjencën e shqiptarëve. Ndërkohë politika për një kohë të gjatë nuk ka mbështetur mjaftueshëm këtë dinamizëm dhe veçanërisht ka patur një rol negativ në krijimin e modelit të duhur për shoqërinë: ndërtimin e mekanizmave të stabilizuar të shtetit dhe konsolidimin e besueshmërisë që vjen prej trajtimit të barabartë të shtetasve. Unë e kam jetuar dita ditës në Francë për 20 vjet, mënyrën se si funksionon një shtet ku rregullat janë të njëjta për të gjithë, ku qytetarët kanë besim tek shteti dhe rolin që ka në jetën e secilit një administratë funksionale, një sistem shëndetësor që i jep gjithkujt qetësinë e nevojshme, një sistem arsimor me cilësi të jashtëzakonshme i financuar nga shteti, i cili i jep çdo shtetasi garancinë se do mund të shkollojë fëmijët, do mbështetet nëse është i sëmurë, por sigurisht duhet të jetë autonom për të punuar dhe krijuar mirëqenie për familjen e vet. Unë konsideroj që kam fatin të jem pjesë e kësaj maxhorance e cila në një sërë reformash që prej reformës territoriale, reformës në arsim me vendosjen e meritokracisë e deri tek reforma e administratës dhe shërbimeve publike që unë drejtoj, të jetë në një përpjekje të vazhdueshme për krijimin e mekanizmave shtetndërtues. Sigurisht pasuria dhe mirëqenia e një shteti krijohet kur punojnë të gjithë dhe kërkojnë kohë.

Si u përshtatët, nëse ja keni dalë, dhe me çfarë gjërash nuk përshtateni dot?

Përshtatja është pjesë e jetës dhe na shoqëron në çdo hap, që nga momenti kur ikim nga shtëpia në klasën e parë. Jeta në një vend tjetër gjithashtu të detyron të përshtatesh, të hap mendjen ndaj shumë aspekteve, rregullave, kodeve shoqërore që janë të ndryshme. Eksperienca më ka treguar që rruga afatgjatë për t’ja dalë në çdo rrethanë është dëshira për punë dhe këmbëngulja. Gjithashtu me koshiencë të plotë asnjëherë nuk do të përshtatem me të padrejtën dhe të pandershmen çfarëdo forme të marrë ajo.

Si e shikoni situatën e grave në politikën shqiptare? A ka një përfaqësim të drejtë, a është karriera e një gruaje në politikë më e vështirë dhe si e keni përjetuar ju këtë?

Pjesëmarrja e grave në nivelet e larta, si në sektorin privat edhe në atë publik, në Shqipëri dhe në botë është një përpjekje e vazhdueshme drejt barazisë. Në Shqipëri sot, krahasuar qoftë edhe me 3 vite më parë kemi 8 zonja në qeveri dhe 47% të pozicioneve më të larta në administratën e lartë publike, drejtues institucionesh të cilat i kanë në përgjegjësi gratë dhe kjo është meritë në radhë të parë e kryeministrit Rama dhe vizionit të tij të emancipuar dhe progresist si edhe e PS dhe e maxhorancës që na mbështet. Eshtë e vetmja qeveri në historinë e këtij vendi që ka një përfaqësim të tillë të grave dhe vajzave.

Pastaj sigurisht secilës nga ne i duhet të kapërcejë pengesa të ndryshme, shtigje të vështira dhe këtu secila demonstron talentet dhe profesionalizmin e vet. Por unë nuk besoj se është një rrugë më e vështirë sesa për një burrë. Kompeticioni dhe pengesat janë të njëjtat. Mbase e përjetoj kështu edhe për shkak të historisë personale, sepse që në fëmijëri nuk kam ndjerë kurrë se kisha më pak mundësia sesa djemtë. Por duhet të luftoja unë që t’i dilja vetes për zot. Historitë me Borëbardha, Hirushe dhe Princin e Kaltër nuk më kanë bërë kurrë të ëndërroj.

Ju drejtoni një ministri që kryesisht vihet në qendër të vëmendjes për shkak të administratës, por nga ana tjetër është ajo që drejton, në një farë mënyre, inovacionin teknologjik në zyrat shtetërore. Çfarë është arritur në këto tre vjet sa i përket inovacionit dhe teknologjisë?

Është arritur shumë, duke e krahasuar me atë se nga e nisëm përpara 3 vjetësh, kur buxheti i shtetit nuk kishte fare një linjë buxhetore të dedikuar për teknologjinë e informacionit. Dhe kjo në vitin 2013, kur bota e tërë e kishte në qendër të vëmendjes, përfshi Komisionin Evropian! Në 3 vjet qeveria ka qenë shumë e vëmendshme ndaj inovacionit dhe ka investuar fuqishëm në këtë drejtim. Kemi 5 fishuar burimet njerëzore të agjencive të Inovacionit dhe pothuajse 10 fishuar investimet në fushën e teknologjisë së informacionit si me një linjë buxhetore të posaçme për e-qeverisjen ashtu edhe nëpërmjet një fondi kompetitiv “Shqipëria Dixhitale”.

Po ashtu për të nxitur të rinjtë të orientohen në këtë sektor kemi financuar më shumë se 50 projekte dhe ide inovative të të rinjve të talentuar nëpërmjet nismës “Endërra ime”. Gjithashtu kemi ngritur “Innovation Hub” në Godinën e Inovacionit, një hapësirë e madhe dedikuar të rinjve të talentuar dhe startup-eve. Është një projekt i financuar nga qeveria shqiptare dhe qeveria italiane që ofron një sërë mundësish për të transformuar idenë në një sipërmarrje të mirëfilltë: mbështetje financiare, ambiente pune si dhe nje asistencë të kualifikuar për zhvillimin e ideve. Më tej synojmë që këtë iniciativë ta zgjerojmë në bashkëpunim me partnerët rajonalë në Ballkan.

Prej 3 vitesh organizojmë “Javën e Inovacionit” me sektorin publik dhe privat për të nxitur bashkëpunimin dhe energjizuar zhvillimin dhe modernizimin e tyre. Janë shumë gjëra që kemi bërë, por ndërkohë është ende shumë pak duke e krahasuar me atë se ku duam të shkojmë dhe me mundësitë që ofron ky sektor. Kjo fushë është e ardhmja për mirëfunksionimin dhe modernizimin e shtetit, për rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe si rrjedhojë për rritjen e pagave, për punësimin e të rinjve në këtë sektor me zhvillim të vrullshëm, sektor në të cilin deri në vitin 2020 në vendet e BE parashikohet të ketë 900 mijë pozicione pune vakante.

A ka një mënyrë për të matur se si e përmirëson teknologjia punën në sportelet e administratës dhe deri ku mund të arrihet në fund të këtij mandati qeverisës?!

Sigurisht që rezultatet janë të matshëm. Infrastruktura dixhitale e shtetit për të cilën ka investuar buxheti i shtetit ka mundësuar ndërlidhjen e sistemeve të institucioneve, duke mundësuar krijimin e pothuaj 300 shërbimeve publike online, në portalin e-albania që nga karta e shëndetit deri tek pagesa e energjisë, aplikimi për leje ndërtimi etj etj. Ishte një nga zotimet e programit tonë qeverisës i cili është mbajtur e do të vazhdojë të zhvillohet me qindra shërbime të tjera. E morëm këtë zotim me bindjen se sistemet janë ato që mundësojnë përmirësimin e shërbimit dhe luftojnë korrupsionin në sportelet e shtetit, sëmundje e përhapur prej vitesh tek ne e në vende të ngjashme me ne.

Po ashtu hartat që përdoreshin në zyrat e shtetit ishin të ndryshme nga një zyrë në tjetrën, shiteshin nga një zyrë në tjetrën deri në 2013. Këto harta bazë për zhvillimin urban, për çështjet e pronësisë etj janë sot të harmonizuara, të aksesueshme falas për të gjithë, qytetarë, biznese, institucione, studentë apo studjues në geoportal.asig.gov.al.  Firma dixhitale dhe dokumenti dixhital përdoren nga disa institucione dhe do të vijojnë të përdoren më tej duke ju evituar qytetarëve letrat dhe sorollatjet.

Nëpunësi civil në vend mbetet një prej hallkave më problematike sa i përket akuzave për korrupsion, aftësisë apo edhe mënyrës si zgjidhet. Çfarë ndodh sot me nëpunësin civil në Shqipëri?

Administrata Publike në Shqipëri ka aktualisht rreth 96 mijë punonjës. Prej tyre rreth 16 mijë punonjës janë pjesë e Shërbimit Civil që trajtohet me ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe pjesa tjetër trajtohet sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Reforma që ne kemi ndërmarrë në Shërbimin Civil ka ndryshuar tërësisht procedurat e rekrutimit të nëpunësve të rinj, duke i bërë ato transparente, të sigurta dhe të barabarta për të gjithë kandidatët. Edhe këtu kemi përdorur teknologjinë e informacionit që nga aplikimi i cili bëhet vetëm online deri tek testimi, dhe procedurat e brendshme të kontrollit. Aktualisht testimet që zhvillohen nga DAP janë të sekretuara dhe të vlerësuara në mënyrë automatike përmes kompjuterit. Intervistat me gojë janë të regjistruara me audio dhe video, në mënyrë që çdo pretendim i kandidatëve të rishqyrtohet në praninë e tyre. Është ky sistem i automatizuar që na bën të arrijmë të trajtojmë dhjetëra mijëra kandidatura, të kontrollojmë çdo rast dhe tu krijojmë besueshmëri kandidatëve. Por e gjitha kjo nuk do të funksiononte pa vullnetin politik të qeverisë dhe mazhorancës për të shkuar drejt një sistemi meritokratik. Ishte ky vullnet që solli përmbushjen e njërit prej 5 prioriteteve, reformën e administratës publike sipas kritereve të BE. Një nga elementet e reformës është ndryshimi i sistemit, ku nuk janë më institucionet që përzgjedhin kandidatët, por janë këta të fundit që përzgjedhin vendet e punës, duke u nisur nga klasifikimi që kanë në listë sipas pikëve të marra në testim. Të gjitha këto ndryshime kanë bërë që besueshmëria e publikut te konkurset e zhvilluara nga DAP të rritet ndjeshëm. Janë rreth 35 mijë persona që kanë aplikuar për të marrë pjesë në këto konkurse. Shumë prej tyre edhe pse nuk fitojnë, vazhdojnë të marrin pjesë në konkurse dhe kjo është një tjetër dëshmi e faktit se ata besojnë në vërtetësinë dhe drejtësinë e procedurës së zbatuar.

Kjo reformë ka marrë edhe një tjetër vlerësim maksimal, atë të Bashkimit Europian, i cili përmes Progres Raportit të vitit 2015 na inkurajonte që vijonim të ecnim në këtë rrugë si dhe konfirmonte se në çështjet e administratës publike jemi në nivelin e nevojshëm për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Sigurisht që çështjet e administratës nuk mbarojnë këtu. Kemi ende shumë për të bërë dhe po përpiqemi të ecim me trajnimin e vazhdueshëm, dhe sidomos me testimin periodik të nëpunësve të administratës, për ta ngritur nivelin profesional të gjithë administratës në nivelin e nevojshëm për të realizuar negociatat e gjata e të vështira që na presin deri në anëtarësimin në BE.

Qeverisja është futur në vitin e fundit apo atë para zgjedhor, edhe pse ka ende kohë për të bërë bilancet, çfarë mendoni se është arritur deri tani dhe cilat kanë qenë pikat ku nuk ia është dalë mbanë?

Unë përmenda vetëm disa nga arritjet e sektorit dhe nuk përmenda këtu mbi 30 milion euro që i kemi sjellë buxhetit të shtetit falë mirë-menaxhimit të njërit prej burimeve të çmuara të përbashkëta që janë frekuencat për telefonat celularë, ose kalimin e TV publik në transmetime dixhitale që është në rrugën e duhur për tu siguruar qytetarëve që e dëshirojnë TV me cilësi dhe pa pagesë. Reforma inovative e shërbimeve publike po jep rezultate, po përmend këtu vetëm numrin unik kombëtar 11800 të informimit për shërbimet publike. Kjo reformë është shumë e gjerë dhe do të meritonte një shkrim më vete.

Në këto 3 vjet qeverisje jemi përpjekur të ringremë shtetin e shkatërruar që gjetëm. Një shtet të zhytur në borxhe dhe në një anarki totale për sa i përket menaxhimit të territorit, menaxhimit të burimeve, arsimit, informalitetit, energjisë etj etj.

Nuk mund të jetë e lehtë. Reformat gjithmonë krijojnë pakënaqësi të çastit, pasi ndryshojnë një “status quo” të krijuar në vite, me të cilën njerëzit janë mësuar disi, pavarësisht se brenda vetes janë të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një situatë normale. Sepse askush nuk mund të thotë që mos pagimi i dritave dhe ujit të pijshëm është diçka normale, askush nuk mund të pranojë që mospagimi i taksave është normale, askush nuk mund të thotë që ekzistenca e universiteteve që prodhojnë diploma pa vlerë, është një gjë e mirë, askush nuk mund të thotë që një administratë partiake dhe joprofesionale ndihmon në zhvillimin e vendit.

Ka shumë fusha të jetës në të cilat është ndërhyrë në mënyrë energjike dhe ku janë kryer reformat të thella, por sigurisht duhet pak kohë të duken rezultatet. Gjërat e mëdha nuk bëhen dot brenda ditës dhe as me një shkop magjik, të cilin gjithsesi as ne dhe askush tjetër nuk e ka. Ndaj theksoj se me reformat që kemi ndërmarrë jemi në rrugë të mbarë për të ecur përpara, jemi në drejtimin e duhur.

Ka gjithmonë zhurmë për ndryshime në qeveri dhe koalicionin qeverisës, edhe pse ju jeni një ministre që pak është përfshirë në këto debate, cili është qëndrimi juaj sa i përket koalicionit apo qeverisë deri tani?

Koalicioni qeverisës ka funksionuar mirë dhe kjo shihet në reformat e rezultatet që unë përmenda dhe plot të tjera. Sigurisht që edhe pse janë në një koalicion partitë pjesëmarrëse në të kanë qëndrimet e tyre përkatëse për çështje të caktuara dhe nuk ka arsye të kërkojmë që të jenë në unison të plotë për çdo gjë. Tek e fundit pikërisht pse kanë qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme ato janë parti të veçanta. E rëndësishme është që për reformat thelbësore koalicioni ka qenë kompakt dhe kjo e ka ndihmuar qeverisjen. Sigurisht që zërat për ndryshime në qeveri kanë ekzistuar në çdo kohë. Personalisht nuk u kam dhënë këtyre zërave asnjëherë më shumë rëndësi nga sa kanë merituar realisht dhe kjo më ka ndihmuar të jem e fokusuar në punën time dhe objektivat e fushës që unë drejtoj.

Ju vini nga një eksperiencë e gjatë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, duke u nisur nga kjo cila është situata e Shqipërisë në raport me vendet e tjera?

Sot mund të them se infrastruktura dixhitale e shtetit që kemi ndërtuar konsiderohet nga sektori si një ndër praktikat më të mira në Ballkan. Kemi gjithashtu një legjislacion tërësisht të përafruar me BE dhe prej 1 viti kemi marrë rol lider në bashkëpunimin ballkanik me ndihmën e RCC – Regional Cooperation Council.

Sektori i inovacionit është jetik, ka nevojë për njerëz, burime financiare dhe krijon punësim. Prandaj po investojmë tek të rinjtë dhe konstatojmë me kënaqësi se numri i studentëve në fushën e teknologjisë së informacionit është trefishuar vitet e fundit në universitetet publike dhe private. Por ky sektor nuk ecën por vrapon dhe duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Marrëveshja e re me TAP: Përfitimet e reja që do të negociojë Shqipëria

Dritan Spahiu: Rritja e të ardhurave fiskale për shtetin shqiptar dhe përmirësimi...
Read More