Mimoza Ahmeti: “Ҁdo ndarje është një bashkim”

 

Nga Pena e re: Lediona Braho – Humbja e gjuhës është një nga shenjat e bjerrimit të shpirtit dhe lulëzimi i saj- nga shenjat treguese të lulimit të tij. Të paktën kjo është ngjarja që tregon shëndetin -gjuha – e njeriut historik. Në vite jemi shenja që shënojmë shkëlqim e rënie.

Qendra jonë pasuron ose varfëron universin tonë. Por e sjell rasti të kujtohemi për të tjerë të cilët na kujtojnë për gjuhën e humbur me gjuhën e gjetur prej tyre. Fjala çelet, aty është thirrja, the thirrja thërret te mungimi, ndodh gjetja përtej ëndrre…

Një brez i ri poetësh e prozatorash a një herësh i të dyja ushtrimeve po shfaqet në fjalën shipe, ashtu si në afrimin e poetes dhe prozatores Lediona Braho: “Shoku më tha se do një vajzë. Më thotë se i pëlqejnë sytë e saj dhe flokët kaçurrelë. Ҁdo ditë i blen nga një karafil të bardhë. Ajo e pranon pa fjalë dhe ikën. Gjithmonë kështu.

Një ditë më thotë se i është mërzitur. E pyes për vajzën. Më përgjigjet se nuk e do më. Po si kështu, e pyes i çuditur? Ma kthen se i pëlqen ajo me flokë të verdhë…

Në festën e 1 Qershorit, e pashë atë vajzën më vëmendje. Ajo ma ktheu me të njejtën mënyrë. I shkela syrin dhe ajo qeshi…

Të nesërmen bëri sikur u rrëzua mbi mua dhe s´më kërkoi të falur…

Më duket se kam filluar ta dua…”

Ky është një intermexo i një kapitulli nga romani “Përtej ëndrrës” që Lediona Braho na dhuroi në mars të vitit 2007. Lediona Braho është nga Konispoli. Lindur më 1991. Filloi të shkruajë poezi që në moshën dhjetë vjeçare, ndoshta ende pa konsoliduar pikësimin…

Lirikat e saj të para i kushtoheshin natyrës. Më vonë, profesorët e saj, Pajtim Ҁaushi dhe Bardhyl Maliqi, e inkurajojnë dhe ndihmojnë në përpjekjen e saj letrare. Stdimet universitare i kreu në psikologji. Tituj si “Ag”-2008, “Përtej ëndrrës”- roman, 2009, “Alter ego”-poezi, 2012, i përkasin krijimtarisë së saj.

Karakteri poetik i fjalës letrare është shënues jo vetëm prej poezisë por edhe prej romanit të saj. Në strukturën letrare dhe lirike romaneske vemë re një veçori që nuk shfaqet shpesh në autorë: këmbimi i gjinisë.

Uni i saj është një djalosh, jo një vajzë. Bota e tij pikturon pareshtur me perceptimin, na flet subjekti i tij: “Këto ndjeva kur sytë e mi u puthën me të sajët. Një sheqerosje për vdekje, mendova në heshtje, teksa u zhyta në ujin e kaltër të atij pellgu magjepsës.

Por nuk arrita të endesha në ata ujëra të kthjellët. U zhbënë aq shpejt, sikundër deti kur shkumëzohet nga dallgët që le pas, një anije gjigande. Edhe ajo më la atë shikim me të cilin u ngrysa atë mbrëmje, duke vizatuar në fytyrën e rrumbullakët të hënës. Ishte dhurata e parë…”

Poezia e kësaj autoreje vjen e formohet gradualisht: nga papërcaktime, drejt përvijimesh të qarta deri në arratisje discursive të rrezikshme, që këtkojnë plotësinë duke kërcënuar pjesoren që është normë. Një poezi e qartë është ajo me titullin: Bisedë virtuale.

“Mjafton kompjuteri dhe një pajtim interneti,

për të na bashkuar të gjithëve në një dhomë bisede,

ku cigarja, alkoli dhe disa afrodiziakë virtualë

na deformojnë logjikën deri në mpirje.

Grindjet, fyerjet, romuzet e rëndomta,

janë britmat e heshtura që konfirmojnë angazhim,

por ajo që mbetet është një pjesëmarrje e vakët

në një bisedë pa zë, në një miqësi pa miq.

Urime, festa dhe falenderime shabllone

të qendisura me simbole që përcjellin kuptime,

udhëtojnë përmes telave për në sisteme qendrore,

për t´u shfaqur në një paradë me ngjyra në ekrane.

Biseda të vlefshme sa një faturë mujore,

Të shkurtuara sa një simbol a të gjata sa një novelë,

Që kapërcejnë kufinjtë fizikë të qenjes njerëzore

Për të arritur hapësira të përbashkëta në Univers.”

Një nga poezitë më të spikatura të këtij vëllimi që tenton rrahje shumfishore drejt perceptimit është ajo me titullin: Arratisje.

“Ditët e mia i pluhros ankthi,

që zgjatet mjegullisht

përtej të zakonshmes.

Fluturoj

dhe mundohem

që ngjyrat ditëve t´ua ndryshoj,

me magjinë e ndjenjës.

Njerëzve u përgjigjem me buzëqeshje

dhe me një arratisje të beftë,

humbas në strofullën e miqve të erës.

Ata mirëpresin vizitën time të shkurtër

dhe të nesërmen më tregojnë

shtigje të panjohura.

“Një rrugë e gjatë të pret!”

Dhe shkundin duart në erë,

Teksa mbjellin buzëqeshje

Në arat me bimë të egra.

Herë herë qartësia e kësaj autoreje shoqërohet edhe me një pesimizëm të ftohtë racional. Sikur e kupton se në grackën e gjuhës dhe të jetës ka një lakore të përbashkët: Zvarritje drejt hiçit.

Tak-tak-tak, me trokitje

ajo mund të vijë një ditë të zakonshme,

si një cigane që shet rroba të përdorura.

A thua do mjaftojnë dy gjeste hipnotike,

që sirenat të lajmërojnë të fundit nisje?

Mund të hyjë në qoshet e dritareve,

si aroma e rëndë e një kafshe të sëmurë

dhe të infektojë ajrin që ti thith përditë

për të kënaqur ca kërkesa mjerane egzistence.

Ngadalë do të vijë

dhe do të pushtojë qetësisht lëkurën tënde,

do i zbehë ngjyrën,

heqë elasticitetin,

zbardhë qimet

mykë thonjtë.

Si një lëng veshtullor do të mbushë

zgavrat e shqisave,

pastaj do të zbresë në qilarin e ndjesive,

do këputë degët e gjalla të nervave

duke i prirë një ushtrie toksike,

do turret mbi mbrojtësit e fundit të fortesës së trurit

dhe pastaj…

Ajo do vijë

në mos me tramvaje ndërqytetase

a me stuhi kobzeza dimërore,

do vijë,

si rrallherë

me elegancën dhe përuljen e shtirur të një

donzhuani

dhe në majë të gishtave

do të të tërheqë drejt një vallzimi paqeje.

A thua do mjaftojnë dy gjeste diabolike,

që sirenat të lajmërojnë të fundit nisje?

Këto poezi të nxjerra nga vëllimi i saj “Alter –ego”, botuar në vitin 2012, përcjellin një mënyrë të re ndjesimi të interiorit feminin, por njëkohësisht tentojnë të përcjellin një vlerësim të ri të thyerjes së shpresave e pritshmërive, nën formulimin e fjalëve të autores Simone Well: “Ҁdo ndarje është një bashkim”.

Duket sikur mungesa e fatit, deluzioni, është çelësi i fatit, i rijësive që vijnë në jetë. Sigurisht, përqasja pozitive kundrejt dramave melankolike e shpirtërore, parja e rifillimit jo si fund i së djeshmës por si pikënisje e rijësive, e bëjnë këtë autore dhe gjithë brezin e saj, jo vetëm të freskët nga gjuha dhe rijësia metaforike, por edhe nga filozofia konceptuale e cila determinon ftohtësisht nyjet midis humbjeve dhe kontakteve të reja.

Nga ky vështrim, kjo poezi e “Penës së re”, ku bëjnë pjesë shumë autorë të rinj, vajza e djem, është edhe më humane, më pak dramatike e pathetike e më shumë e përputhur me prirjen e shprehjes.

Edhe pse pa një Lidhje Shkrimtarësh letërsia shqipe, poiesis-i(vetëorganizimi) i poetëve të brezave më të rinj, na befason me varietetin e librave të rinj që pos sjell dhe me dashurinë për artin jo vetëm si krijues, por edhe si shokë, dashamirës, dëgjues e mbështetës të njeri tjetrit, duke e kthyer atë, poezinë, nga një fushë e ndërgjegjes, në një mënyrë jetese e komunikimi për ta dhe publikun e trullosur.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Majlinda Kelmendi shpallet xhudistja më e mirë në botë

Sportistja e njohur Majlinda Kelmendi është shpallur xhudistja më e mirë në...
Read More