Mimoza Ahmeti: Kopshtijet e Monesë


Si të mos mjaftonin tablotë në mure, të mëdhaja në shtrirje, befas i doli para syve një kështjellë dielli që digjej në një qiell të kaltër, thuajse e shfaruar nga forma: përfytyrimi qe perceptimi, jo vetë objekti. Përse pëlqejmë të thithemi nga përfytyrimi, mendoi?

Përse ai ndryshon frymëmarrjen tonë? Këto kopshtije magjike të cilave u mungonte çdo lloj elementi, veç atij viziv, a nuk qenë një mister? Dhe kaq të mjaftonte për të ngjallur të gjithë elementët e tjerë, botën, më të përkorën shqisore; njeriu dilte si dritë e larë nga kjo galeri.

Nga Mimoza Ahmeti

Do të mbetej gjithmonë e dyjëzuar, pasi ishin aq të mrekullueshme dhe njëherësh edhe aq të thjeshta, e kur i shfokusoje sytë nga largësia për të parë pranë, mund të dalloje edhe furcat më të holla, njësoj si edhe më të trashat, edhe pse në optikën abstrakte ato bëheshin dritë, arrati nga kjo botë.

Do të mbetej e mëdyshtë përpara këtij misteri, pasi nuk kish diçka tjetër po kaq të arrirë për të shkaktuar të njëjtin shpëtim prej dekompozimit të zhvillimit të shpirtit, i cili linte mënjanë perceptimin; tani priste një biletë, mbante radhë, për të hyrë në këtë imazheri të kopshtijeve të shërimit.

Këtë mendonte ndërsa mbahej në atë frymë që po ngjiste shkallët, që t’i kthehej ndjesisë. Por dhe kjo do të qe thjesht një efekt, edhe pse nuk donte ta mendonte, pasi kopshtijet e vërteta ishin në Giverny, nëse vërtet ishin!

Ishin një radhë “nëse”-të që mbanin elektrticitetin e qenies në lëvizje drejt pritshmërisë të kënaqësisë që realizimi do të ishte, me siguri, diçka tjetwr.

Mbante në dorë të njejtën biletë, si të gjithë të tjerët, për të hyrë në atë banjë të zambakëve të ujit, të tablove që hapeshin tani në sytë e saj, kurse gjithë horizonti, njera pas tjetrës, po ato, të mbivendosuara- një oaz intensifikimi, të impulseve të liqenit që përcillej përtej rrathëve të lilave, deri në gishtërinjtë ku dridhej bileta.

Çfarë ishte ky oqean piktoral, kjo lojë që ripërtërinte në magnetizëm një përbërjeje çliruese drejt plotësimi? Si mund ta përpinte përfytyrimi e ta shndërronte atë në një gjë që ishte krejt tjetër nga jeta e normale e ndërtuar?

Si të mos mjaftonin tablotë në mure, të mëdhja në shtrirje, befas i doli para syve një kështjellë dielli që digjej në një qiell të kaltër, thuajse e shfaruar nga forma: përfytyrimi qe perceptimi, jo vetë objekti.

Përse pëlqejmë të thithemi nga përfytyrimi, mendoi? Përse ai ndryshon frymëmarrjen tonë? Këto kopshtije magjike të cilave u mungonte çdo lloj elementi, veç atij viziv, a nuk qenë një mister? Dhe kaq të mjaftonte për të ngjallur të gjithë elementët e tjerë, botën, më të përkorën shqisore; njeriu dilte si dritë e larë nga kjo galeri. Mos ndoshta kam ndërment të gjitha galeritë që kam parë gjatë jetës, ndërsa ndihem kështu, mendoi? Mos ndoshta këto kopshtije përveç bukurisë fshehin dhe diçka që më ngarkon? Përse torturohem në këtë ndjenjë të ndërmjetme sa herë i shikoj? Përse bashkë me ngazëllimin kam një gjendje torturimi të lumtur?

Kur doli kishte një ndjenjë thuajse shpëtimi ndaj një medicine që mjaftonte me aq!

Të dielën mori udhën për Giverny. Qe nisur qysh të shtunën, por pasi Benoit i bëri atë replikë për etiketën që ajo kish prerë nga zhileja e tij Dolce Cabana, me të cilën ajo pat ndenjur veshur në shtëpi me lejen e tij, ai i tha se humori i saj nuk e inkurajonte të shkonte në udhëtim, megjithëse i pat premtuar dhe vetë e pat shkaktuar atë ndërrim humori. Ajo etiketë ishte krenaria e rrobës dhe ajo e kish hedhur poshtë! Çfarë injorimi ndaj pasionit të tij! Kjo do të thosh se ajo nuk respektonte asgjë të tij! Ajo kish qarë, por ai nuk ishte në gjendje të kuptonte në ata lotë dëshirën e saj për të parë zambakët e ujit në natyrë; ai ishte një milioner që tani po llogariste paratë e benzinës, por kjo qe normale për një belg, siç i pat thënë asaj më parë një inxhinier nga Angersi.

Trenat ishin të shpeshtë dhe kështu arriti në stacionin e qytezës para mesdite. Aty e priste një tren i vogël, si lodër fëmijësh, mesjetar, që do ta shpinte nga stacioni te shtegu i afërm i rrugës që të çonte pastaj te banesa e piktorit të madh. Njerëzi të shndërruar në bileta dhe impulse dëshire rendnin në atë rrugë për të parë atë botë që të çlironte nga bota. Ishte një shpejtim i të gjithëve drejt të gjithçkaje, a thua se do të mbarohej lënda e pakapshme! Por lënda ishte gjithandej, aty!

Ruga e gjelbër ku filluan të dridheshin lëngshëm ujërat plot mukoza të blerta me hije ia fluturonte mëndjen. Shndërrimi i perceptimit i jepte jetë frymëmarrjes dhe ajo besonte se mund të përsosej organizmi duke dalluar atë diçka që zhvillon dallimin, atë që i ngjan imagjinatës më të mirë, dhe përtej asaj që imagjinata më e mirë kishte pritur: zambakët e ujërave?

Krahë të lehtë dhe hapa që nuk peshonin e shkëpusnin ndjeshmërinë nga njëri çap te tjetri, nga një pikë natyre në një edhe më eksituese. Ndërkaq, ndërsa kërkonte zambakët u rrokullis e ra në disa trëndafila të çmendur, që kishin çelur tufa- tufa, dhe asnjëra syresh e së njejtës ngjyrë, veç bazës jeshile të gjetheve e kërcejve, tej të cilave fshiheshin të padukshme rrënjët në një tokë me guraleca të pastër.

Edhe tani nga ata trëndafilat ngjyrë portoklli në nuancë rozë i rridhte kënaqësia gushës! Çfarë ngjyre e dashurueshme irracionale, mendonte! Kërkonte t’i vishte, t’i nunaste deri në krisjen e eshtrës së kraharorit, por në të vërtetë vetëm i shikonte trëndafilat. Perceptimi i një shqise shkaktonte shplime dhe vërshime të pallogaritshme te të tjerat, deri në humbjen e qenies për një gjendje.

Por ndoshta jeta ishte thjesht ikje nga vetëdija! Dashuritë bëheshin mizorisht të pamundura pasi nuk i lejonin perceptimin e lirë. Pastaj ajo shtëpia me një sy…me një dritare…përballë së cilës si balerina në fund të një spektakli rrinin gatitu çadrad me cohë çiklamini, venitur vende- vende nga rrezet e diellit givernian; karriget e holla që dukeshin si dama të thyera në bel nga pesha e llastisë buzë këtyre tufave natyrale.

Çfarë kishte kjo botë ndryshe nga të tjerat? Ndoshta kjo nuk ishte asfare një botë. Ishte e tëra perceptim. Botët e kishin bërë të padurueshme jetën e saj me forcën e tyre utilitare, dhe ashtu siç i pat thënë një plak nga Jugu i vendlindjes, me një mendje të hollë por jo të sensit të saj: ajo paskësh dëshirë për të mëndafshtat! “Aaa, ju dashkeni të mëndafshta”, i pat thënë ai pothuajse me vërjetje. Në të vërtetë metafora shënonte për diçka tjetër, për një jetë që egzistenca nuk dukej në përparësi, por që rridhte si “të mëndafshtat”… “Po” kishte thënë ajo, “ më pëlqejnë shumë…” dhe në mëndje kishte diçka edhe më të butë, si mjegull…

Vuri kartonin profesional mbi njërën karrike, hapi akrilikat dhe, ndërsa po hidhte impresionet e para, nisi një shi me kokrra, që pastaj u bë i dendur dhe e nguli aty poshtë çadrës, mes trëndafilave dhe asaj shtëpie të shndërruar në bar- freskuese për turistat e etur.

Kur u kthye në apartament, Benoit ishte përkulur mbi filetot e peshkut dhe po gatuate drekën dhe darkën bashkë sepse nuk kishte ngrënë. Ai ishte një krijesë lucide, e megjithatë e plakur në një mënyrë të përkryer, që mund të rivalizonte çdo rini. Po nuk e shfaqi asnjëherë vullnetin e një lidhjeje intimite, pasi mendonte se nuk ka dashuri “gratuit”.

“Cheri!”-e thërriste ajo. “Eshtë gratuit?” – pyeste ai me atë buzëqeshjen vintage, brenda së cilës digjej një cigare e shtrenjtë.

Megjithëse e dinte se ishin të ndarë në mënyrë të përjetshme, në një hapësirë opake koordinatat e së cilës do të mbeteshin mister për të dy, ata do të ishin miq dhe do të duheshin nëpërmjet pamundësisë, të cilën ajo më kot e quante moshimi i tij.

Kartoni që mbante në duar kullonte ende shi nga trëndafilat e lagur, i cili i bënte ngjyrat akoma më të marrta dhe imazhin më sureal.

Ku ishe? e pyeti me delikatesë të hutuar ai.

Në Giverny, tha ajo pothuajse e druajtur.

Po këto janë trëndafila, tha ai!

Besoi që ai nuk e besonte! U kujtua që as nuk i kish parë zambakët fare dhe ujin dhe kopshtin e shtëpisë së Monesë. Shumë njerëz prisnin radhën aty. Një grua e spërdredhur në një ndenjëse parku, që kishte ardhur nga jugperëndimi i Francës për të parë një kuadër, një të vetëm, pasi ai nuk ekspozohej askund tjetër veçse në Galerinë e Givernit, e kishte nxitur të shihte atë pasuri të përkryer lokale autorësh të ndryshëm, që i shkaktoi atë manjetizëm i cili e nguliti disa orë me radhë aty, duke harruar gjithçka.

Benoit e shikonte tani përsipër lupave. Ishin një palë lupa të trashëguara nga babai i tij, të cilat ajo i adhuronte dhe ia merte borxh herë pas here, në sallonin e vogël ku rrinin veçmas për të lexuar. Ai ia jepte me një lloj pakënaqësie, sepse asaj mund t’i prisheshsin sytë. Por ajo i donte ato më shumë se sa vështrimin, pasi vetëm me to, siç bënte shaka, mund të kuptonte Baudelaire. Dhe banesa ishte aq e ftohtë, pothuajse me dritare të ngrëna prej ere, por Benoit, edhe pse paguante shumë, nuk donte të lëvizte që andej, pasi siç thosh, nuk mund të jetonte në një banesë komforte por të shëmtuar.

Tani, pasi ajo kishte larë ndryshkun e kuq parizien prej kanateve të kuzhinës së gatimit, mbi filetot e peshkut të bardhë, me sytë mbi lupat që i vareshin në hundën skifteriane, mes flokëve adoleshente të thinjura e të gjata deri te mjekra, i bukur si një fëmijë i përjetshëm, me obsesion seksual dhe virgjëri të detyrueshme nga vetëvlerësimi, ai e shikonte i mosbindur, dyshues, atë inkoherencën e saj, ku rastësia emocionale ishte e vetmja fushë vazhdimësie e ku hukaste ende fryma e një gëzimi pa destinë.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çështja “Tahiri” bashkon opozitën, Dashamir Shehi: Do dalin edhe emra të tjerë, ndoshta…

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është një ndër emrat që i është...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.