Ministrat e rinj nuk shqetësojnë dhe as nuk entuziazmojnë askënd

Nga Ervis Iljazaj

Kishte një pritshmëri të lartë nga ana e opinionit publik për sa iu përket emrave të ministrave të rinj që do të emëroheshin si pasojë e marrëveshjes politike. Një nga arsyet kryesore të kësaj pritshmërie ishte padyshim dhe qasja që do të kishte Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha.

Lulzim Basha zgjodhi të emëronte në këto poste emra të cilët kanë një lidhje direkte apo indirekte me historinë e Partisë Demokratike. Ndoshta jo emra të spikatur politikë të kësaj partie, por teknicienë që vijnë nga ky kah politik. Si pasojë e kësaj zgjedhjeje u krijua në një farë mënyrë një lloj habie për emrat në fjalë.

Priteshin të emëroheshin në këto poste emra të shoqërisë civile apo figura publike me peshë në fushat e tyre përkatëse, por kjo nuk ndodhi. Si refuzim i tyre apo si zgjedhje e vetë Kryetarit të Partisë Demokratike, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme për t’u kuptuar në të gjithë këtë situatë është fakti se kjo lloj marrëveshjeje është e një natyre anormale. Anormale si vetë situata politike që u krijua. Andaj, emrat e ministrave të rinj duhet të shihen brenda këtij konteksti. Nëse fillojmë e bëjmë llogari të tipit se kush fitoi e kush humbi nga kjo marrëveshje, atëherë diskutimet për ministrat e rinj do të kishin kuptim. Por, marrëveshja politike u bë për të nxjerrë vendin nga kriza dhe, si e tillë ka një mision të caktuar. Emrat e ministrave nuk kanë kurrfarë rëndësie. Rëndësi ka misioni i tyre që duhet t’i përmbahen me përpikëri maksimale.

Përtej faktit që shumë prej tyre njiheshin si bashkëshortja e dikujt apo si ish-funksionarë në poste jo të rëndësishme ka krijuar një skepticizëm emërimi i tyre në këto poste. Qoftë për faktin se janë emra të lidhur me Partinë Demokratike, qoftë për faktin se janë emra pak ose aspak të njohur në fushat e tyre përkatëse me përjashtim të ndonjërit.

Megjithatë, këto emërime duhet të na lënë indiferentë për vetë faktin se janë emra të përkohshëm dhe me një detyrë të caktuar. Atë të monitorimit të administratës dhe jo aplikimin e politikave të reja.

Edhe pse në shumë hapësira të mediave shqiptare kjo marrëveshje është konsideruar si një bashkëqeverisje, profilet e ministrave të rinj tregojnë totalisht të kundërtën.

Pikë së pari, duhet sqaruar njëherë e mirë se kjo nuk është një bashkëqeverisje, por disa garanci politike që përkojnë me periudhën zgjedhore. Nëpërmjet ministrave të rinj opozita do të ketë mundësi që të monitorojë procesin zgjedhor dhe të evitojë përdorimin e administratës në disa sektorë që historikisht janë vënë nën akuzë për influencimin e votës të shqiptarëve në këtë periudhë. Këtu fillon dhe këtu mbaron i gjithë misioni i ministrave të rinj, pavarësisht faktit se mund të ishin personalitete të njohura të fushave të ndryshme apo persona më pak të njohur, por që vijnë nga një kah politik i caktuar.

Pikë së dyti, në periudhën zgjedhore nuk ekziston qeverisja e vendit, por një administrim i zakonshëm. Sepse qeverisja ose orientimi politik bëhet nëpërmjet politikave të cilat duhen aprovuar nëpërmjet ligjeve në Parlament. Duke qenë se asnjë ligj nuk mund të aprovohet në këtë periudhë, atëherë qeverisja nuk ekziston. Nuk duhet të ngatërrojmë administrimit e zakonshëm që bëhet nga ana e qeverisë në këtë periudhë dhe qeverisjen e vendit, e cila bëhet në bazë të një programi politik të caktuar. Këto janë dy gjëra totalisht të ndryshme.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Po qeverisemi me lajmokraci! 18 shkurti, fillimi i një vendimi të madh”

Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD gjykon se opozita dhe qytetarët...
Read More