Ministrat teknikë japin dorëheqjen, por nuk largohen nga qeveria

Ministrat teknikë të propozuar nga PD në bazë të marrëveshjes së majit kanë dhënë dje dorëheqjen, pas përfundimit të raportit mbi zgjedhjet. Por pavarësisht aktit të dorëheqjes ata janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë edhe 1 muaj deri në formimin e qeverisë së re.

Nga Fejzi Braushi

Thuajse tre muaj pas arritjes së marrëveshjes “Rama-Basha”, ministrat teknikë të Partisë Demokratike i kanë paraqitur kryeministrit nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm aktin formal të dorëheqjes si anëtarë të kabinetit qeveritar. Lajmi është konfirmuar nga disa prej ministrave teknikë, të cilët të kontaktuar nga gazeta MAPO kanë pranuar se kishin dorëzuar dorëheqjen. I vetmi që mësohet se nuk e ka kryer këtë akt formal është ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili prej disa ditësh ndodhet jashtë shtetit me pushime dhe nuk ka patur mundësi fizike që të firmosë dorëheqjen. Gjithashtu, ministrat e dorëhequr bënë të ditur se misioni i tyre për të cilin edhe u përfshinë në kabinetin qeveritar kishte përfunduar me hartimin e raportit përfundimtar mbi vlerësimin e sjelljes së administratës dhe të përdorimit të burimeve materiale dhe financiare shtetërore në fushatën elektorale dhe në ditën e zgjedhjeve. Raport që mban firmën e kryetares së Task-Forcës, Ledina Mandia dhe që do t’u vihet në dispozicion mes të tjerave ambasadave dhe OSBE/ODIHR për ta përfshirë në raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri. Por duket se vendimi i ministrave teknikë për të dhënë dorëheqjen është një akt formal që më së shumti ka vlerë politike se sa praktike. Kjo për vetë faktin se pavarësisht dorëzimit të aktit të dorëheqjes ata janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin me ministrat e rinj. Gjë që duket e vështirë të ndodhë, po të marrim parasysh kohën e shkurtër që mbetet në dispozicion deri në formimin e qeverisë së re, apo faktin se Kuvendi është i shpërndarë. Kështu, ministrat e kontaktuar kanë deklaruar se ata kanë bërë aktin e tyre dhe se nuk mund të paragjykojnë dhe as të mbajnë përgjegjësi se çfarë do ndodhë më tej me procedurën kushtetuese për zëvendësimin e tyre. Kushtetuta në fakt nuk flet qartë për atë që ndodh në një rast të tillë specifik si ky, ku jemi vetëm pak ditë para formimit të qeverisë së re dhe kur Kuvendi gjendet i shpërndarë. Në bazë të procedurës ligjore tashmë kryeministri pasi administron vullnetin e shprehur nga ministrat për të dhënë dorëheqjen nga pozicionet që mbajnë duhet që t’i kërkojë Presidentit të Republikës shkarkimin e ministrave të dorëhequr. Kushtetuta në nenin 98 të saj përcakton se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Pra, në rast se kryeministri do të vendosë t’i zëvendësojë do duhet t’i drejtohet Presidentit për dekretimin e shkarkimit brenda një jave dhe më pas Kuvendi është i detyruar që të shprehet brenda 10 ditëve të tjera për pranimin ose jo të dekretit të shkarkimit. Natyrisht që kjo procedurë mund të shoqërohet paralelisht edhe me procedurën e emërimit të ministrave të rinj. Por duke marrë parasysh shumë faktorë, si koha e shkurtër që ka ngelur deri në formimin e qeverisë së re, faktin se Kuvendi gjendet i shpërndarë, por edhe se tashmë socialistët nuk kanë shumicën e duhur në parlament, burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se kryeministri Edi Rama nuk do ta ndërmarrë hapin për formalizimin e largimit të ministrave teknikë dhe zëvendësimin e tyre me ministra të tjerë. Ndaj në këto kushte ministrat teknikë të dorëhequr dje do të jenë të detyruar që të qëndrojnë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të kësaj qeverie. Neni 106 i Kushtetutës, megjithëse nuk ka të bëjë me rastin aktual, përcakton se: “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”. Pra ky nen parashikon rastin kur zëvendësohen qeveritë, por juristë të njohur të kontaktuar dje nga MAPO kanë bërë të ditur se veç këtij neni ka dhe interpretime të Gjykatës Kushtetuese të cilat kanë përcaktuar detyrimin e ministrit për të qëndruar në detyrë deri në zëvendësimin e tij, pavarësisht aktit të dorëheqjes. Ky fakt pranohet edhe nga juristë socialistë, të cilët kanë deklaruar se ministrat teknikë pavarësisht se kanë dhënë dorëheqjen ata formalisht do të mbeten në detyrë edhe afro 1 muaj deri në formimin e qeverisë së re socialiste. Ndërkohë që kjo do të bëjë të pavlerë edhe aktin tjetër, atë të delegimit të kompetencave te zëvendësministrat. Kjo për vetë faktin se ministrat teknikë nuk mund të delegojnë kompetencat e tyre për sa kohë kanë vetë mundësi që t’i ushtrojnë ato. Juristët bëjnë të ditur ata nuk mund t’i delegojnë kompetencat te zëvendësministrat pasi janë në detyrë dhe se nuk kanë një shkak delegimi. Ndaj të dyja aktet e ndërmarra dje nga ministrat teknikë të PD-së nuk kanë asnjë vlerë praktike, por ato vlejnë në aspektin politik. Kjo pasi ata me këtë veprim ezauruan çdo aspekt të luftës politike brenda llojit, duke nisur nga fakti se ditët e fundit ishin shtuar së tepërmi zërat brenda PD-së dhe të djathtës që kërkonin largimin e PD-së nga qeveria. Gjithashtu, me këtë veprim ministrat teknikë shuan edhe zërat në opinionin publik që e shihnin prezencën e tyre në qeveri të panevojshme dhe jo korrekte politikisht. Me këtë akt ata i kanë dhënë përgjigje edhe thirrjes së kryeministrit për t’u larguar duke i hequr çdo lloj argumenti për t’i sulmuar pasi është përgjegjësia e këtij të fundit që t’i zëvendësojë dhe t’i zhveshë nga përgjegjësia ligjore për të qëndruar në detyrë deri në zëvendësimin e tyre. Natyrisht ky veprim shuan gjithashtu edhe çdo dyshim për mundësinë për vijimin e bashkëqeverisjes mes socialistëve dhe demokratëve.

Kushtetuta

Neni 98

  1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
  2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 103

  1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
  2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
  3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Neni 106

Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kur ka filluar të shkruhet shqip në Mesjetë?

Nga Genciana Abazi-Egro* Shkrimi shqip në Mesjetë ka qenë një veprimtari e...
Read More