Ministrat teknikë nuk janë shenjë bashkëqeverisjeje, por shenjë e një klime të re politike

Nga Ervis Iljazaj

Ka shpërthyer edhe njëherë debati mbi qëndrimin ende në detyrë të ministrave teknikë të propozuar nga Partia Demokratike. Kritikët e Bashës e konsiderojnë qëndrimin e tyre në detyrë si shenjë e marrëveshjes midis Ramës dhe tij edhe për të ardhmen. Në të vërtetë qëndrimi i tyre në postet ministrore mund të jetë shenjë e një bashkëpunimi politik që është totalisht i ndryshëm nga bashkëqeverisja për të cilën vazhdojnë ende spekulimet.

Vazhdimi në detyrë i tyre kur nuk ka asnjë logjikë të pranueshme që e justifikon atë, pasi misioni tyre mbaroi me mbarimin e zgjedhjeve të 25 Qershorit, është një shenjë e qartë e një klime politike të re që është krijuar si pasojë e marrëveshjes Rama-Basha. Një klimë dhe një dialektikë e ndryshme nga ajo paraardhëse që bazohej te konfrontimi i ashpër politik.

Ka dhe një alibi tjetër e cila justifikon Ramën për mbajtjen ende në detyrë të tyre. Në këtë situatë ku ndodhet vendi sot, me një Parlament të shpërndarë, arsyetimi bëhet edhe më i vështirë. Në këto kushte Kryeministri ndodhet në një situatë të pazakontë që vështirëson veprimet e tij për të marrë një vendim për fatin e ministrave teknikë nëse do të vazhdojnë të jenë në detyrë apo jo deri sa të formohet qeveria e re.

Që nga momenti i marrëveshjes kaq shumë të përfolur midis Ramës dhe Bashës për të futur vendin drejt zgjedhjeve me pjesëmarrjen e opozitës e cila kërcënonte me mospjesëmarrjen e saj, kjo marrëveshje është parë si një lloj akti sekret që, ndër të tjera, parashikon dhe bashkëqeverisjen midis dy forcave politike kryesore.

Edhe pse tashmë ajo marrëveshje e mbaroi misionin e saj, vazhdon ende të shihet si një marrëveshje që do të shkojë përtej zgjedhjeve. Ka shumë nga zërat publikë, që e shohin atë si një premtim që Rama i ka bërë Bashës për ta përfshirë në qeveri.

Përtej faktit që një bashkëqeverisje pas një rezultati të tillë zgjedhor, është kundër interesit publik dhe logjikës politike, pasi deformon vullnetin e sovranit, i cili zgjodhi qartazi forcën politike që do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, ka një keqkuptim midis asaj që quhet bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje.

Marrëveshja politike midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është e domosdoshme sa herë që nevojiten votat për reforma esenciale, si për shembull ajo zgjedhore apo reforma të ndryshme kushtetuese. Kjo lloj marrëveshjeje duhet mbështetur për të krijuar një klimë politike bashkëpunuese sa herë që nevojitet për rregullat e lojës, por bashkëqeverisja është një marrëveshje totalisht e kundërt dhe, që duhet refuzuar, sepse është në dëm të vetë forcave politike që do ta aplikojnë atë dhe lë vendin pa opozitë, e cila, me gjithë problematikat e saj, ka qenë instrumenti i kontrollit ndaj pushtetit nëpërmjet denoncimeve dhe betejës politike që zhvillon në Parlament.

Bashkëpunimi politik për kryerjen e reformave të mëdha që i duhen vendit është kërkuar në mënyrë insistuese dhe nga aleatët amerikanë dhe europianë të Shqipërisë. Në këtë kuptim duket se klima politike në Shtator do të shkojë drejt një gjuhe politike bashkëpunuese. Mirëpo kjo nuk nënkupton një betejë opozitare më të dobët.

Andaj, frika se do të ketë një bashkëqeverisje apo se Basha ka një marrëveshje të heshtur me Ramën, janë paranoja që nuk kanë asnjë kuptim. Ministrat teknikë kanë ngelur në derë, thjesht si pasojë dhe jo si shkaku i situatës politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krimi i vërtetë i politikës dhe lidhjet e tij me 43% të shqiptarëve

Axhenda Liberale /6 Nga Besart Kadia Jeta në tranzicion! Kështu e quan...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.