Ministrat teknikë të opozitës dhe “i ëmbli” pushtet

Çfarë ndodh me ministrat e PS dhe LSI në qeverinë Rama dhe refuzimi i ministrave teknikë për të dhënë dorëheqjen. Kryeministri Edi Rama, në dilemë për t’i shkarkuar edhe për shkak se në parlamentin aktual nuk ka mazhorancën. Morali dhe ligji para postit të lakmuar…

Nga Sebi Alla

Kryeministri Edi Rama ministrave teknikë të propozuar nga PD-ja si “rojtarë” për procesin zgjedhor iu la afat deri më 26 qershor për të mbajtur detyrën dhe më pas duhet të largoheshin. Tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar dhe PS-ja krejt e vetme ka marrë 74 mandate deputetësh, asnjë prej gjashtë ministrave teknikë dhe zëvendëskryeministrja nuk ka dhënë dorëheqjen, përkundrazi nuk “shkulen” nga posti, ku duke iu referuar Kushtetutës deklarojnë se nuk largohen deri në formimin e qeverisë së re, që pritet të ndodhë në shtator. E njëjta situatë paraqitet edhe me katër ministrat e LSI-së, të cilët qëndrojnë në qeveri, edhe pse zgjedhjet e fundit i kanë nxjerrë në opozitë. Dy net më parë, kur Petrit Vasili ishte ende kryetar i LSI-së, deklaroi se ministrat e forcës që përfaqëson nuk po ikin më shumë për çështje burokratike, duke iu referuar edhe procedurave kushtetuese. Dhjetë ministrat e “qepur” pas postit bashkë me zëvendëskryeministren bëjnë një kolazh ngjyrash në qeveri, çka është e pamundur të përcaktohet ku nis opozita dhe ku përfundon pushteti. Ligjërisht janë shumë interpretime, por moralisht ka diçka që nuk shkon. Persona publikë shprehen se si PD, ashtu edhe LSI, duhet të tërheqin ministrat e tyre për t’i lënë rrugë të lirë Ramës që të zgjedhë të tjerë individë nga mazhoranca, ose të qeverisë me zëvendësministra. Nëse vetë ministrat kërkojnë që të mbajnë “punën” edhe për dy muaj të tjerë, i vetmi motiv që do i bënte ata të largoheshin pa i thënë “Jo”, do ishte urdhri i Bashës për dorëheqje, por kreu i opozitës në një situatë të tillë mendimi i fundit që mund t’i shkojë është të merret me këtë çështje, për më shumë që ka ngrirë kompetencat e tij si kryetar i PD-së. I vetmi që ka folur nga ana e PD-së që kërkon dorëheqjen e ministrave teknikë është anëtari i kryesisë së kësaj force, Kreshnik Çollaku. “Nga pikëpamja kushtetuese ata kanë mandatin deri në krijimin e qeverisë së re. Kjo është normale, por nga pikëpamja politike, ky është gjykimi im personal, me këtë situatë që ndodhi zotërinjtë ministra duhet të tërhiqen dhe të mos jenë më pjesë e një marrëveshje që rezultoi me defektet e saj dhe nuk favorizoi PD dhe mirë do të ishte të tërhiqen”, -tha ai. Paçka absurdit, edhe vetë Rama nuk e ka zënë më me gojë këtë çështje, jo se është ende në delirin e fitores, po e konsideron si problemin më të vogël, por këtë heshtje nuk e ka aplikuar me drejtorët e disa pozicioneve kyçe, ku vetëm pak orë pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor urdhëroi shkarkimin e drejtorit të OSHEE-së, të propozuar nga PD-ja.

Marrëveshja

Në marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës me 18 maj, u përcaktua se PD-ja do të propozonte gjashtë ministra në poste kyçe si garant për zgjedhjet e lira dhe ndershme dhe gjithashtu edhe postin e zëvendëskryeministrit që do të drejtonte Task-Forcën po për çështjen e zgjedhjeve. Dritan Demiraj, Helga Vukaj, Gazmend Bardhi, Mirela Karabino, Arben Beqiri, Xhuljeta Kertusha dhe Ledina Mandija u dekretuan nga Presidenti Bujar Nishani më 22 maj dhe që në ditët e para të punës treguan forcën. Shkarkuan disa punonjës të administratës të dyshuar si të përfshirë në fushatë, disa të tjerë i kaluan në procedime penale dhe objektivi kryesor i punës së tyre ishin pikërisht zgjedhjet. Tashmë që krahu i pushtetit u përcaktua qartë nga zgjedhjet e 25 qershorit, kanë nisur përplasjen e ministrave teknikë të PD-së me Sekretarët e Përgjithshëm të emëruar më parë nga Partia Socialiste. Kanë kaluar edhe në konflikte verbale e madje fizike dhe shpesh dikasteret e rëndësishme janë kthyer në institucione qesharake. Që Rama nuk i ka mundësitë të veprojë në mënyrë të njëanshme në shkarkimin e tyre u vërtetua nga mosmiratimi i urdhrit të shkarkimit të zëvendësministrit të Brendshëm Ilir Marko, i propozuar më parë nga LSI.

Rama pa numra

Nëse kryeministri vendos shkarkimin e ministrave të PD dhe LSI, atëherë ligji e parashikon se duhet të mblidhet parlamenti që të votohet për largimin dhe më pas zëvendësimin e tyre. Partia Socialiste nuk mund të marrë këtë hap në mënyrë të njëanshme për t’i shkarkuar, pasi nuk ka votat e mjaftueshme dhe për të ruajtur edhe këto dy muaj pushtet, nuk do ishte çudi që PD dhe LSI të rrëzonin propozimin e Ramës për shkarkimin e tyre. Nëse do të ndodhte që parlamenti të miratonte shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj, atëherë i nevojitet edhe dekretimi i tyre nga Presidentit të Republikës. Aktualisht Rama po qeveris me disa poste disi të dorës së dytë me ministrat e tij, pasi pjesa kyçe, duke nisur nga rendi, financat, arsimi, bujqësia dhe transportet janë të ngjyrës tjetër politike, blu e të purpurt… Disa nga ministrat teknikë të PD-së deklaruan se do të vijojnë detyrën e tyre, sipas Kushtetutës, duke iu referuar nenit 106 të Kushtetutës, që do të thotë se mund të qëndrojnë në detyrë deri në mandatimin e qeverisë së re. Ndërsa ata të LSI-së që janë edhe më të vjetër në postin e lakmuar nuk kanë patur asnjë reagim. Ka edhe zëra të tjerë të “romancës” politike që shprehen se për çështje imazhi në arenën ndërkombëtare kjo bashkëqeverisje mes tri partive shihet si shenjë e zbutjes së klimës së ashpër në vend. Në një situatë të tillë privilegjet që të ofron pushteti ngjan se mposht edhe moralin politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zanat moderne të maleve

Dy shqiptare dhe një amerikane që kanë vendosur të jetojnë, mbrojnë dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.