Ministrat teknikë, të varur nga OSBE-ODIHR dhe urdhri i Bashës

Gjashtë ministrat teknikë të propozuar nga PD dhe zëvendëskryeministrja, në rolin e “informatorëve” të ekspertëve të OSBE-ODIHR. Të dhënat që po përgatisin për procesin zgjedhor dhe dorëheqjet e mundshme pas raportit përfundimtar të organizmave ndërkombëtare mbi zgjedhjet e 25 qershorit.

Zërat për largimin e gjashtë ministrave teknikë të PD-së në qeverinë Rama po shtohen edhe më shumë, duke aluduar se tashmë dorëheqja e tyre është çështje kohe dhe “të dërguarit” e opozitës në qeverinë Rama janë të varur nga raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR. Burime pranë stafit të afërt të ministrave teknikë, shprehen se deri më tani nuk ka një vendim konkret për qëndrimin ose jo të tyre në këto poste dhe gjithçka mund të varet vetëm nëse kreu demokrat Lulzim Basha iu kërkon largimin. Gjithashtu, një tjetër arsye që po i mban “peng” është edhe mospërfundimi i mbledhjes së të dhënave nga ekspertët e OSBE-ODIHR në lidhje me problematikat e hasura në zgjedhje. Ministrat teknikë, që pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor paraprak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk po merren me çështje ekzekutive të dikastereve që përfaqësojnë, por janë përqendruar në sigurimin dhe përpunimin e çdo informacioni për sa iu përket problemeve para dhe pas zgjedhjeve. Përveç mbajtjes së raporteve burimet shprehen se ministrat teknikë do të ngrenë si shqetësim edhe mosreagimin e institucioneve të tjera për parandalimin e presionit, blerjes së votave apo krimeve të tjera elektorale.

Raporti

Gjithçka që mund të ketë shkuar keq përgjatë fushatës, por edhe në ditën e zgjedhjeve për sa i përket blerjes së votës, presionit apo edhe përdorimit të administratës shtetërore në proces, mbajnë firmën e ministrave teknikë. Në mënyrë zyrtare po dërgojnë të dhënat që në shumë raste janë negative dhe mund të ndikojnë në opinionin përfundimtar që do publikojë OSBE-ODIHR. Në ditët e fundit menjëherë pas numërimit të votave, ku PS e vetme mori 74 mandate deputetësh, ministrat teknikë kanë shkuar çdo ditë në zyrë, por ndryshe nga më parë nuk ka patur “kërkim llogarie” apo mbledhje të gjata. Tashmë kompetencat iu kanë kaluar thuajse të plota sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe ministrat teknikë të PD-së janë përqendruar vetëm me stafin e tyre të ngushtë në hartimin dhe më pas dërgimin e materialeve zyrtare ekspertëve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për sa i përket çështjes së zgjedhjeve. Burime konfidenciale shprehen se raportimet për ndërhyrje në zgjedhje ishin të shumta në datat 23-25qershor, ku denoncimet kryesisht lidhen me dyshimet për blerjen e votave apo të ndikimit nga persona të ndryshëm që ushtronin presion mbi qytetarët. Pak prej këtyre denoncimeve janë verifikuar, kjo edhe për shkak se të dhënat ishin jo shumë të sakta dhe shpesh ngriheshin mbi bazën e supozimeve. Gjithashtu, edhe angazhimi i një numri të madh efektivësh të policisë nëpër qendrat e votimit bëri që në disa zona që raportohej për krime të ndryshme elektorale strukturat e rendit të shkonin me vonesë. Ende nuk mbetet e qartë nëse ministrat para dorëheqjes apo largimit të tyre do të ketë një raport apo qëndrim individual në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit, por çdo e dhënë që kanë më parë konsultohet me drejtues të PD-së.

Kritikat

Mbi ministrat teknikë të PD-së po rriten çdo ditë e më shumë kritikat se përse vijojnë të mbajnë postet tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar dhe opozita mbeti po në opozitë. Të vetmet reagime që patën ministrat teknikë ishin të pak ditëve më parë teksa shprehen se në bazë të kushtetutës ata vijojnë detyrën dhe nuk do të largohen deri në krijimin e qeverisë së re, pasi janë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Puna e ministrave mund të pritet në mes vetëm nëse kreu i opozitës Lulzim Basha u kërkon largimin. Më 22 maj në postin e zëvendëskryeministrit u emërua Ledina Mandia, ministre e Financave Helga Vukaj, ministre e Arsimit Mirela Karabino, ministër i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ministër i Shëndetësisë Arben Beqiri dhe ministre e Mirëqenies Sociale, Xhulieta Kërtusha. Në ditët e para të punës dhe përgjatë muajit që kishin “forcë” për të vepruar propozuan dhe urdhëruan shkarkimin e një numri të konsideruar zyrtarësh të lartë të administratës shtetërore. Madje kaluan deri në nivele më të ulëta, teksa e pësuan edhe mësues apo infermierë që dyshohet se morën pjesë në fushata elektorale të subjekteve të ndryshme politike. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve misioni i tyre kryesor u quajt i përfunduar. Në një situatë të tillë ministrat ende qëndrojnë në detyrë, por jo më të veshur me kompetenca të plota. Në rast se vendosin të dorëhiqen ose Rama të urdhërojë shkarkimin, kompetencat e ministrave të larguar iu kalohen zëvendësministrave, deri në emërimet e reja. Kjo praktikë është ndjekur më parë kur qeveria drejtohej nga Fatos Nano. Për gjashtë muaj disa ministri u drejtuan nga zëvendësministra, sepse Nano nuk kishte votat e duhura në parlament, pas shkëputjes së Ilir Metës nga PS. Ndërkohë si “jashtë loje” gjenden edhe katër ministrat e LSI, të cilët ndonëse e kanë shpallur publikisht që do të jenë në opozitë, sërish vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre. Për ministrat e LSI ka një tjetër lexim, pasi juridikisht dhe politikisht kanë të drejtën të qëndrojnë në këto poste, deri në krijimin e qeverisë së re në shtator, kjo duke iu referuar edhe marrëveshjes së 1 prillit 2013, mes Ramës dhe Metën për koalicionin qeverisës për mandatin e plotë 4-vjeçar. Ndërsa ministrat vijojnë të mbajnë postin, kjo nuk mund të thuhet në pjesën e administratës. Paralajmërimet për shkarkimet u dhanë nga kryeministri Edi Rama, që duke iu referuar “tepsisë” dha sinjalin se zyrtarët që mbajnë poste si “kuota” të LSI-së shumë shpejt do të largohen nga administrata.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Busti i Skënderbeut në Hungari do të ndryshohet

“Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.